Shtojca për Kulturë

Mark Kaçinari dhe kori “Collegium Cantorum”: Një kapitull i rëndësishëm në historinë muzikore të Kosovës

Mark Kaçinari

Ajo që përbën vlerën më të madhe në suksesin e korit “Collegium Cantorum” është kapërcimi i sukseseve lokale dhe jugosllave, duke depërtuar në skena më të largëta dhe prestigjioze ndërkombëtare

Në 90-vjetorin e lindjes së Mark Kaçinarit, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje një personalitet të jashtëzakonshëm të muzikës kosovare dhe mbarëshqiptare. Vepra e tij artistike vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të ruajë një vend të veçantë në historinë e muzikës korale. Kujtojmë jo vetëm arritjet e tij profesionale, por edhe pasionin dhe përkushtimin me të cilin shërbeu artin dhe kulturën tonë

Kur flasim për personalitete të shquara të krijimtarisë si pjesë e kulturës shqiptare, duke pasur për sfond zhvillimin e vetëdijes dhe misionin e artit në jetën shoqërore dhe kulturore, gjithnjë duhet të kemi parasysh faktin se ata krijues me veprat e tyre paraqesin figurat më të larta të universit tonë muzikor. Një figurë e tillë, e shquar në gjithë kompleksitetin e tij është ajo e kompozitorit Mark Kaçinari (1935 – 1985), i cili preokupim kryesor jetësor pati artin muzikor në të gjitha trajtat e tij. Veprimtaria e gjithanshme e Kaçinarit karakterizohet nga reflektime të thella artistike dhe angazhime të konsoliduara në disa rrafshe të jetës muzikore: Mark Kaçinari si kompozitor dhe krijues me individualitet të dalluar stilistik; Mark Kaçinari si dirigjent dhe udhëheqës i korit “Collegium Cantorum”, një ansambël që shënoi një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e kulturës korale në Kosovë; si dhe Mark Kaçinari si pedagog i përkushtuar, që për vite me radhë dha lëndën e Solfegjos në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe më vonë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ky artikull ndalet në mënyrë të veçantë në njërin nga dimensionet më përfaqësuese të angazhimit të tij artistik, atë të themelimit, drejtimit dhe kontributit të tij me korin “Collegium Cantorum”.

Formacioni i parë koral që theu kufijtë rajonalë

Në fund të viteve 1960, me zbatimin e politikave që u reflektuan në zgjerimin e rrjetit të formacioneve gjysmë-profesionale muzikore, u themelua kori “Collegium Cantorum” në shtator të vitit 1969 nën drejtimin e kompozitorit Mark Kaçinari dhe kryetarit Kolë B. Shiroka, i cili ishte përgjegjës për të gjitha çështjet administrative dhe financiare. “Collegium Cantorum” u formua si një ansambël koral prej gjashtëdhjetë anëtarësh (muzikantë, punëtorë, profesorë, ekonomistë, juristë, mjekë, inxhinierë dhe studentë nga kryeqyteti). Brenda një kohe të shkurtër, kori fitoi një reputacion të gjerë në të gjithë Kosovën, falë punës dhe përkushtimit të vetë udhëheqësit Mark Kaçinarit dhe anëtarëve të tij, duke fituar një status të veçantë. Vetëm brenda dekadës së parë (1969–1979), në ansambël kanë kaluar mbi 350 anëtarë dhe u mbajtën 296 koncerte. “Collegium Cantorum” ishte forumi kryesor për interpretimin e muzikës së traditës evropiane, për promovimin e veprave korale autoktone dhe për përfaqësimin e Kosovës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Në një periudhë kur Kosova nuk shquhej për një zhvillim të barasvlershëm artistik në raport me vendet e tjera të rajonit dhe përjetonte një izolim të theksuar kulturor, “Collegium Cantorum” u bë formacioni i parë koral që theu kufijtë rajonalë dhe fitoi famë e prestigj në skenën ndërkombëtare. Ky ansambël përfaqësoi për herë të parë Kosovën në skenën muzikore jugosllave dhe ndërkombëtare në një kohë kur republikat e tjera të ish-Jugosllavisë e njihnin Kosovën kryesisht përmes prizmit të muzikës popullore tradicionale. Pjesëmarrja në Ceremonitë Korale Jugosllave ishte mundësia më e madhe për afirmimin e kulturës muzikore të të gjitha kombeve brenda ish-Jugosllavisë. Prandaj pjesëmarrja e “Collegium Cantorum” në këtë ngjarje që nga viti 1970 dhe renditja krahas pjesëmarrësve më të mirë nga Jugosllavia dhe jashtë saj ishte një kontribut i fuqishëm për afirmimin e muzikës korale të Kosovës.

Kapërcimi i sukseseve lokale dhe jugosllave

Ajo që përbën vlerën më të madhe në suksesin e korit “Collegium Cantorum” është kapërcimi i sukseseve lokale dhe jugosllave, duke depërtuar në skena më të largëta dhe prestigjioze ndërkombëtare. Kori është prezantuar vazhdimisht në qendrat e ndryshme rajonale si: Beograd, Nish, Negotin, Valjevë, Vojvodinë, Split, Dubrovnik, Rumani, etj. Një moment kyç në këtë rrugëtim ishte pjesëmarrja në garën ndërkombëtare të mbajtur në Llangollen - Uells, në vitin 1972, si përfaqësuesi i vetëm nga Jugosllavia, një ngjarje me domethënie historike për Kosovën, jo vetëm për karakterin përfaqësues, por edhe për rezultatet e arritura: vendi i dytë në kategorinë e korit me veprën “Vjeshta”, të kompozuar nga kompozitori Rexho Mulliqi.

Kulmimi i sukseseve historike të korit

Vitet 1978-1979 shënojnë dy prej kulmeve më të rëndësishme në historinë e korit Collegium Cantorum. Në qershor të vitit 1978, ky formacion kishte dhënë interpretimin koncertal të operës së parë kombëtare të Kosovës, “Goca e Kaçanikut” kompozuar nga Rauf Dhomi, premierë e mbajtur më 5 qershor 1978, si pjesë e kremtimeve të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe pse në disa burime të shkruara përmendet data 21 qershor 1979 si premierë e operës në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, kjo e fundit përfaqëson vendosjen e saj në skenë me format të plotë skenik, kurse interpretimi i vitit 1978 në Prizren, megjithatë, mbetet premiera koncertale e saj dhe një ndër projektet më të rëndësishme të Produksionit Muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës, realizuar pikërisht nga kori “Collegium Cantorum” në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTP-së (e zgjeruar me instrumentistë mysafirë nga Nishi), nën drejtimin e dirigjentit Mark Kaçinari. Momenti i dytë i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në Festivalin Veror të Splitit (1978) dhe veçanërisht në Festivalin Veror të Dubrovnikut në vitin (1979). Me këtë rast, në kuadër të jubileut të 10-vjetorit të themelimit të tij, kori kishte interpretuar veprën “Requiem” nga W. A.  Mozart, duke dëshmuar nivelin e tij të lartë artistik në një nga skenat më prestigjioze të ish-Jugosllavisë.

Prezantimet e korit “Collegium Cantorum” kanë qenë të shpeshta dhe të vazhdueshme në aktivitete të ndryshme kulturore në Kosovë, me theks të veçantë në pjesëmarrjen e rregullt në festivalin “Skena Muzikore e Prishtinës” një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së kultivuar në vend. Në vitin 1978, brenda këtij festivali, kori solli premierën e kantatës “Jugosllavia” të kompozitorit Rexho Mulliqi, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTP-së, ndërsa në vitin 1979, të njëjtat formacione muzikore realizuan interpretimin premierë të poemës simfonike “Rezistenca ‘43” të kompozitorit Esat Rizvanolli. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në jetën kulturore të Kosovës dhe për prezantimet dinjitoze në skenat vendore e ndërkombëtare, kori “Collegium Cantorum” është shpërblyer në mënyrë të vazhdueshme me çmimet më të larta të kohës, duke përfshirë: Çmimin e Dhjetorit dhe Çmimin e Nëntorit, Shpërblimin nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, Dekoratën për Merita ndaj Popullit me Yllin e Argjendtë nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, Çmimet e para, të dyta dhe të treta në Festivalin Jugosllav të Koreve, Certifikata të Mirënjohjes nga institucione të ndryshme kulturore, si dhe Medaljen Presidenciale të Meritave, ndarë nga Presidenti i Republikës së Kosovës në vitin 2015.

 Prezantimet e korit “Collegium Cantorum” kanë qenë të shpeshta dhe të vazhdueshme në aktivitete të ndryshme kulturore në Kosovë, me theks të veçantë në pjesëmarrjen e rregullt në festivalin “Skena Muzikore e Prishtinës” një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së kultivuar në vend

Tronditja në kulmin e etapës së artë

Në kulmin e një etape të artë të veprimtarisë artistike dhe në përgatitje për sukseset e reja, “Collegium Cantorum” ishte tronditur thellësisht nga ndarja e papritur nga jeta e themeluesit dhe udhëheqësit të tij, dirigjentit Mark Kaçinari. Më 18 nëntor 1985, vetëm pak çaste pas përfundimit të një prove intensive me ansamblin Mark Kaçinari kishte ndërruar jetë duke lënë pas një boshllëk të pakompensueshëm për korin por edhe për jetën muzikore të kryeqytetit. Vdekja e tij nuk ishte vetëm një humbje familjare dhe personale për anëtarët e korit, por një humbje kulturore për mbarë skenën muzikore, duke shënuar fundin e një epoke të artë aktiviteti koral-artistik që ndërthurte vizionin estetik, disiplinën profesionale dhe një ndjeshmëri të thellë për rolin e muzikës në ndërtimin e identitetit kulturor. Nën drejtimin e dirigjentit Mark Kaçinari, kori “Collegium Cantorum” kishte marrë përmasa të një entiteti të rrallë, që e kishte tejkaluar statusin e një kori gjysmë-profesional, duke u shndërruar atë në një lëvizje muzikore me mision të qartë: afirmimin e kulturës muzikore shqiptare. Pas ndarjes nga jeta të Mark Kaçinarit, drejtimin e korit e mori muzikanti tjetër, Gjergj Kaçinari, i cili trashëgoi jo vetëm emrin, por edhe një barrë të rëndë profesionale dhe institucionale për të mbajtur gjallë idealin artistik të Markut, në një kohë kur po fillonin ndryshime të mëdha politike dhe kulturore në Kosovë. Gjatë viteve 1990, kori përjetoi të njëjtin fat si shumë të tjerë që u përballën me situatën politike të asaj kohe. Pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, gjatë muajve shtator–dhjetor, u bënë përpjekje për ta riaktivizuar, të cilat u kulmuan me një koncert solemn në dhjetor të atij viti. Megjithatë, mungesa e mbështetjes financiare nga institucionet e reja qeveritare të Kosovës e vështirësoi ndjeshëm vazhdimësinë e veprimtarisë muzikore. Goditjen përfundimtare kori e mori me marrjen e objektit ku kishte ushtruar provat që nga themelimi (rruga Sylejman Vokshi nr. 19, 10000 Prishtinë) nga institucioni i sapothemeluar Filharmonia e Kosovës, gjë që çoi në përfundimin e aktivitetit të “Collegium Cantorum” në vitin 2004. Në ato vite ndodhën edhe disa ngjarje të dhimbshme, që lanë gjurmë të thella jo vetëm në jetën personale të protagonistëve të kësaj historie, por edhe në kujtesën kulturore kolektive: shtëpia e kompozitorit dhe dirigjentit Gjergj Kaçinari në Prizren u dogj, ndërsa tri bustet e dirigjentit Mark Kaçinari (të punuara nga Agim Çavdarbasha) u shkatërruan. Këto akte nuk ishin thjesht veprime të ulëta, ato përfaqësonin goditje simbolike ndaj një trashëgimie të çmuar muzikore dhe artistike, që kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës korale në Kosovë.

Nga pikëpamja e analizës muzikologjike, kori mund të kuptohet si një fenomen muzikor, veprimtaria artistike e të cilit përfaqësonte realitete, kohë dhe dimensione të ndryshme. Tri shtyllat themelore të kësaj veprimtarie dinamike ishin: kultivimi i muzikës së kultivuar shqiptare me ngjyresa evropiane; krijimi i standardeve bazë për interpretimin e muzikës korale; dhe promovimi i muzikës kosovare jashtë kufijve të saj territorialë. Repertori muzikor ishte elementi më i rëndësishëm, i zgjedhur me kujdes dhe shije nga të dy udhëheqësit. Ai përfaqësonte një kombinim të balancuar midis perlave të repertorit botëror koral dhe veprave të kompozitorëve autoktonë, gjithmonë duke reflektuar multikulturalizmin përmes një shumëllojshmërie stilesh.

Në 90-vjetorin e lindjes së Mark Kaçinarit, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje një personalitet të jashtëzakonshëm të muzikës kosovare dhe mbarëshqiptare. Vepra e tij artistike vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të ruajë një vend të veçantë në historinë e muzikës korale. Kujtojmë jo vetëm arritjet e tij profesionale, por edhe pasionin dhe përkushtimin me të cilin shërbeu artin dhe kulturën tonë. Përfundimisht, ky citat (i huazuar) përmbledh në mënyrë të fuqishme trashëgiminë artistike dhe ndikimin e pashlyeshëm të Mark Kaçinarit: “Nga varfëria krijoi pasuri artistike, nga kufizimet krijoi sukses, dhe nga pengesat krijoi hapësirë. Ishte njeriu që e nxori muzikën korale kosovare nga partiturat dhe e solli në skenë; e nxori muzikën nga ‘kalldrëmet’ e Kosovës dhe e vendosi në skenat evropiane, jashtë kufijve të vendit. I tillë ishte Mark Kaçinari: një novator i muzikës së artit, një vullkan krijues që shpërthente aty ku askush nuk e priste”.

Autorja dr. sc. Kristina Palokaj-Perkola është muzikologe. Ky shkrim u prezantua në tribunën muzikologjike më 29 maj 2025 me rastin e 90-vjetorit të lindjes së kompozitorit Mark Kaçinari, organizuar nga shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve të 75-vjetorit të themelimit të shkollës.