Arbitri nga Somalia, Omar Artan, vlerësohet më i miri në Afrikë. Ai udhëtoi për në Miami për të marrë pjesë në Kupën e Botës në futboll. Duhej të ishte arbitri i parë nga Somalia që drejton ndeshje në Botëror.
Por 34-vjeçari nuk u lejua të hyjë në SHBA nga autoritetet kufitare amerikane. U mbajt në një dhomë për plot 11 orë dhe më pas u kthye në Stamboll, prej nga e bëri udhëtimin.
“Jam shumë, shumë i dëshpëruar. Kam pasur letrat e duhura dhe çdo gjë. Kam pasur vizën e duhur. Jam thjesht një gjyqtar futbolli që mundohet të jetojë ëndrrën e tij, ëndrrën më të madhe të jetës, të vijë në Kupën e Botës”, ka thënë Artan për New York Times.
Ai ka shtuar se autoritetet amerikane nuk i kanë dhënë arsye për ndalesën.
“Mendoj se kanë probleme me vendin tim”, ka shtuar Artan.
Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare konfirmoi që Artani u “përcaktua si i papranueshëm për shkak të shqetësimeve të verifikimit dhe iu mohua hyrja”.
Edhe
Arbitrit që iu ndalua hyrja në SHBA i bëhet pritje prej heroi në Somali
FIFA, ndonëse kishte premtuar se të gjithë do të lejohen në SHBA, ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë.
“The Athletic” ka shkruar se trajtimi i Artanit ka tmerruar shumë prej kolegëve të tij. Sipas këtij mediumi, shumica e gjyqtarëve kanë vetëm simpati për kolegun që nuk e kanë takuar asnjëherë.
Dhe gjasat janë të mëdha, shkruan “The Athletic”, që ëndrra e Artanit për të drejtuar ndonjëherë ndeshje në Kupë të Botës të mbetet pa realizuar.
Arbitrit që iu ndalua hyrja në SHBA i bëhet pritje prej heroi në Somali
Arbitrit që iu ndalua hyrja në SHBA iu bë pritje e ngrohtë nga një numër përkrahësish dhe zyrtarësh në Mogadishu të Somalisë.
Arbitri Omar Artan u kthye të mërkurën në vendin e tij. Ai ka theksuar se planifikon të jetë në Botërorin e ardhshëm, ndërsa ka kërkuar nga të rinjtë e Somalisë që të jenë krenarë me vendin e tyre.
Artan është dashur të jetë arbitri i parë nga Somalia që drejton ndeshje në Kupën e Botës. Ai vlerësohet prej arbitrave më të mirë në Afrikë, por nuk u lejua të hyjë në SHBA. FIFA ndërkohë e largoi nga lista e gjyqtarëve të Botërorit.
AP ka shkruar se Artanit i është bërë pritje prej heroit në Mogadishu.
“Ju premtoj, nëse është dëshirë e Zotit, që do të jem në Botërorin tjetër”, ka thënë Artan para qindra mbështetësve. Ata kanë valëvitur flamuj të Somalisë në aeroport.
Vendimi i SHBA-së për të ndaluar hyrjen e një gjyqtari të caktuar nga FIFA, ka bërë bujë. Somalia është një prej 40 vendeve me kufizime të udhëtimit për në SHBA.
“Të gjithë e kemi obligim ta ruajmë emrin e Somalisë. Somalia na takon neve, është shtet i mirë apo i keq. Ai flamur është i yni dhe ajo pasaportë është e jona”, ka thënë Artan.