Shtojca për Kulturë

Manifest për rrugëdaljet e Shqipërisë

grida

Grida Duma nuk ndalet vetëm te analiza e pamjes së jashtme të vendit, por shtron pyetje thelbësore për identitetin kombëtar në një botë të globalizuar dhe konkurruese, ku simbolet tradicionale nuk mjaftojnë më për të krijuar dallueshmëri dhe vlerë

Libri i Grida Dumës “Koha për politikë” nuk është një përmbledhje faktesh apo kronikë ngjarjesh, por një ese teorike dhe praktike mbi mekanizmat e pushtetit, rolin e elitave dhe nevojën për një qytetari aktive e të përgjegjshme. Mund të lexohet si një ese-manifest për një konservatorizëm modern, një liberalizëm të arsyetuar dhe një qytetari të angazhuar.

Një ndër boshtet themelore të argumentimit në libër është pronësia private, e cila konsiderohet si themeli i një shoqërie të lirë dhe funksionale. Grida Duma e shpalos qartë pozicionin e saj liberal, duke e vendosur pronësinë private jo vetëm si një element ekonomik, por si thelb të vetë lirisë qytetare dhe organizimit demokratik të shoqërisë. Në vend të një kulture pronësie të sigurt dhe të mbrojtur nga shteti, Shqipëria – sipas Dumës – përballet me një diskurs të varfër dhe diletant për pronën, të reduktuar në praktika të pjesshme dhe zgjidhje emergjente, si legalizime masive, amnisti të përsëritura dhe dëmshpërblime selektive. Kjo qasje jo vetëm që nuk e konsolidon të drejtën e pronës, por e bën atë të pasigurt dhe subjekt të ndërhyrjes politike, duke e dëmtuar zhvillimin e tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme.

Në këtë kuadër, ajo i kushton vëmendje të veçantë Ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015, të cilin e kritikon si një akt që e ka cenuar baraspeshën mes interesit publik dhe të drejtave private. Ajo, po ashtu, argumenton se ky ligj e ka prodhuar një klimë të paqëndrueshme për biznesin dhe ka krijuar terren për abuzim, klientelizëm dhe deformim të parimeve të pronës private, duke i shkatërruar vetë themelet mbi të cilat duhet të ndërtohej një ekonomi e lirë dhe funksionale.

Kosova e Shqipëria dhe konkurrenca në mes

Në kapitullin vijues, Duma e nënvizon rëndësinë e planifikimit strategjik dhe të vizionit ekonomik kombëtar në përballje me sfidat e tregut evropian dhe global. Ideja qendrore është se zgjedhja e këtij sektori nuk është vetëm një vendim ekonomik, por një vendim politik dhe strategjik me pasoja të thella afatgjata. Duhet pranuar se një ide e tillë për përcaktimin e një sektori strategjik do të mund të aplikohej edhe në rastin e bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë, dy vende të cilat do të duhej që kapacitetet e tyre ekonomike t’i bënin komplementare dhe ta ulnin konkurrencën mes vete, duke i dhënë mundësi si Kosovës, ashtu edhe Shqipërisë të prodhonin produkte konkurrente në tregun evropian. Për rrjedhojë, Duma identifikimin e sektorit strategjik e cilëson jo si planifikim, por si zbulim i pikës së fortë, e cila do të ndihmonte shumë në ritmin e aderimit në Bashkimin Evropian. Pa dyshim, pos turizmit dhe bujqësisë, për dy vendet mund të jetë komplementare zhvillimi dhe investimi i dy vendeve në sektorin energjetik dhe të teknologjisë informative. Pra, të dyja vendeve i duhet një vizion i ri për shekullin 21, në një kohë kur bota po hyn në një fazë të transformuese teknologjike.

Ky orientim duhet të jetë një përgjegjësi dhe shqetësim legjitim dhe largpamës i elitave politike dhe ekonomike, sepse pa një orientim të qartë dhe të qëndrueshëm, ekonomia shqiptare rrezikon të mbetet e shpërndarë, jokonkurruese dhe e paaftë për të krijuar avantazhe të qëndrueshme në skenën ndërkombëtare. Prandaj, përcaktimi i një “sektori prijës” shihet si element vendimtar për suksesin ekonomik kombëtar.

Kjo pikë fokale – siç e quan Duma – shënjon jo vetëm një drejtim zhvillimor, por edhe një përkufizim të identitetit ekonomik të vendit. Një vend që vendos të fokusohet në bujqësi të teknologjizuar, në turizëm të qëndrueshëm, apo në sektorin e IT-së, nuk e merr vetëm një vendim pragmatik, por e projekton një vizion të vetes në të ardhmen. Moszgjidhja ose vendimmarrja e paqartë në këtë drejtim nënkupton mungesë strategjie kombëtare, që i bën institucionet të paqëndrueshme dhe investimet të pasigurta.

Sfida e ndihmës sociale si lëmoshë

Së pari, Duma e sfidon konceptin tradicional të ndihmës sociale si lëmoshë, duke e ripërkufizuar atë si një instrument për fuqizim dhe pavarësim nga varfëria, jo si mjet varësie nga shteti. Ajo e vlerëson modelin e “Big Society” – një filozofi e promovuar nga konservatorët britanikë – si alternativë ndaj shtetit paternalist, ku përgjegjësia për mirëqenien shpërndahet më shumë te komunitetet dhe vetë individët sesa te aparati shtetëror. Kjo është një përpjekje për të importuar një model që kombinon ndihmën sociale me vullnetarizmin, angazhimin qytetar dhe pjesëmarrjen direkte, në vend të një burokracie të rëndë dhe shpesh joefikase.

Një element i debatueshëm, por i qëlluar në logjikën e autores, është korrelacioni që ajo e vendos mes varësisë afatgjatë nga asistenca sociale dhe rritjes së sjelljes kriminale. Sado provokuese të jetë kjo tezë, ajo i përket një tradite të mendimit konservator që e sheh në ndihmën pa kushte një rrezik për degradimin moral dhe pasivizimin e qytetarëve. Në këtë optikë, ndihma nuk duhet të jetë një fund në vetvete, por një mjet kalimtar për ta rikthyer individin në autonomi dhe dinjitet ekonomik.

Në pjesën e dytë të fragmentit, Duma kalon në analizën e taksimit dhe marrëdhënies së tij me lirinë individuale. Ajo e paraqet taksimin si një formë moderne shpronësimi, që ndikon drejtpërdrejt në autonominë dhe pronësinë e individit – një ide e rrënjosur në filozofinë klasike të liberalizmit ekonomik. Sipas saj, sistemet me taksa të ulëta nuk janë vetëm më efikase ekonomikisht, por edhe më të drejta në raport me të drejtat themelore të individit.

Por një pasojë e pashmangshme e kësaj qasjeje është, siç e pranon edhe vetë analiza, kufizimi i fondeve publike – çka ndikon negativisht në cilësinë e shërbimeve shtetërore, si shëndetësia, arsimi apo pensionet. Në këtë mënyrë, Duma na vendos përballë një tensioni të pazgjidhur klasik midis lirisë individuale dhe solidaritetit kolektiv, duke e mbështetur qartësisht alternativën e parë.

“Dija kushton” përpallë krizës së arsimit të lartë

Në kapitullin e shtatë, Duma e ofron një kritikë të thelluar dhe të artikuluar ndaj politikave të arsimit të lartë në Shqipëri, duke e kombinuar qartësinë ideologjike me shqetësimin për standardin akademik dhe rolin e universitetit në një shoqëri demokratike. Autorja ndalet jo vetëm në diagnozën e krizës dhe dobësitë e arsimit të lartë, por edhe në dilemat strategjike që lidhen me modelin arsimor që Shqipëria duhet ta ndjekë në raport me zhvillimin dhe tregun e lirë.

Duma e sheh arsimin si një faktor ekonomik, jo vetëm si një e drejtë sociale, dhe e vendos theksin te vlera financiare e dijes: “Dija kushton” – është një tezë që e sfidon diskursin populist të “arsimit falas”, duke e konsideruar atë një mashtrim politik që e shmang pyetjen reale: kush e paguan koston e arsimit cilësor? Kjo qasje është pjesë e bindjes së saj liberale, që kërkon menaxhim racional të burimeve dhe llogaridhënie në administrimin e institucioneve arsimore, qofshin ato publike apo private.

Në të njëjtën kohë, Duma e kritikon dështimin e ligjit të ri për arsimin e lartë, duke argumentuar se ai nuk arriti ta bëjë universitetin publik konkurrues, ndërkohë që e dëmtoi edhe arsimin privat. Në vend të një konkurrence pozitive dhe rritjeje të cilësisë, ligji – sipas saj – nxiti një masivizim pa standarde, shoqëruar me kapje politike dhe përdorim të universiteteve si vegla klienteliste në emër të reformës.

Duma e mbron idenë se çështja nuk është nëse arsimi duhet të jetë publik apo privat, por si të garantohet cilësia, konkurrenca reale dhe liria akademike, larg ndërhyrjes politike dhe premtimeve populiste që e dëmtojnë vetë sistemin. Për të, universiteti nuk është thjesht një institucion i prodhimit të kuadrove, por një institucion i lirisë dhe mendimit të lirë, dhe rrënimi i tij është një sinjal i rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit.

Në këtë libër Duma e hap një dritare të re mbi çështje shpesh të anashkaluara në diskursin publik shqiptar: reformat rregullatore në fusha që nuk janë drejtpërdrejt sektoriale, por që e prekin jetën e përditshme të qytetarit, siç janë profesionet e lira, pensionet dhe sistemet e sigurimeve shëndetësore. Në këtë kapitull, Duma e shpreh një kuptim të thelluar të mekanizmave që ndërlidhin tregun, shtetin dhe qytetarin, si dhe nevojën për krijimin e strukturave më fleksibile dhe funksionale që garantojnë mbrojtje pa e deformuar lirinë individuale apo efiçencën ekonomike.

Një nga idetë kryesore të saj është krijimi i një tregu real dhe funksional të sigurimeve, si zgjidhje për një sistem shëndetësor të ngarkuar dhe joefikas. Ajo e propozon një model të shkallëzuar të sigurimeve, të ngjashëm me praktikat e vendeve të zhvilluara, ku mbulimi shëndetësor nuk është i menjëhershëm dhe total, por i ndërtuar mbi një arkitekturë fleksibile që i parandalon dhe menaxhon rreziqet shëndetësore në mënyrë të qëndrueshme.

Në këtë kuptim, propozimi i një “karte shëndeti fleksibile” synon ta kombinojë kujdesin shëndetësor me logjikën e tregut të sigurimeve, duke e krijuar një sistem më të drejtë dhe më funksional.

Ajo e përkufizon qartë problemin: ndërhyrjet ad-hoc të shtetit në emër të barazisë, pa e ndërtuar një treg funksional sigurimesh, kanë sjellë një sistem ku shërbimet janë jo vetëm të pamjaftueshme, por edhe joparimore. Në këtë drejtim, Duma vë në pah se vullneti politik është çelësi për çdo ristrukturim, por gjithashtu e ngre shqetësimin se në mungesë të këtij vullneti, reformat do të mbeten në nivel idesh, pa impakt real.

“Brandimi i shtetit” për imazhin ndërkombëtar

Ky kapitull përmbyllës i librit të Grida Dumës shfaqet si një manifest për ndërtimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë nëpërmjet konceptit të “brandimit të shtetit”, duke u dalluar për kombinimin e vizionit strategjik dhe realizmit politik. Në të vërtetë, Duma nuk ndalet vetëm te analiza e pamjes së jashtme të vendit, por shtron pyetje thelbësore për identitetin kombëtar në një botë të globalizuar dhe konkurruese, ku simbolet tradicionale nuk mjaftojnë më për të krijuar dallueshmëri dhe vlerë.

Në thelb, autorja e problematizon paaftësinë e Shqipërisë për ta ndërtuar një markë të qëndrueshme dhe të komunikueshme ndërkombëtarisht, duke e parë këtë si një prej shkaqeve të pozicionimit të paqartë të vendit në skenën globale – ekonomikisht, politikisht dhe kulturorisht. Pyetja që ajo e shtron – nëse Shqipëria është një markë apo një riciklim simbolesh të lodhura – është një akuzë e heshtur ndaj politikës shqiptare që ka dështuar në ndërtimin e një narrative bashkëkohore dhe të integrueshme për vendin.

Duma artikulohet me qartësi për përfitimet e brandimit shtetëror: ndërtimi i imazhit, informimi i vendimmarrësve ndërkombëtarë, tërheqja e investimeve dhe kapërcimi i paragjykimeve historike. Në këtë drejtim, ajo propozon alokim të qëllimshëm fondesh për ta ndërtuar imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë – jo vetëm përmes kampanjave mediatike në “CNN”, “BBC” apo “The Economist”, por përmes pjesëmarrjes në forume ndërkombëtare, institucione ekonomike dhe platforma diplomatike. Kjo është një qasje realiste dhe ambicioze njëherësh, që e sheh brandimin jo si luks, por si domosdoshmëri për vendet e vogla dhe periferike që duan të jenë pjesë aktive e botës.

Autorja e sugjeron madje angazhimin afatgjatë të një agjencie të huaj të specializuar për këtë proces, duke pranuar se Shqipëria nuk e ka ndërtuar ende një kulturë të komunikimit të vetes përtej kufijve të saj, dhe se shpesh diskursi i brendshëm nuk përkthehet në mënyrë kuptimplote për audiencat ndërkombëtare. Kjo është një njohje e rëndësishme e boshllëkut institucional dhe komunikativ që e ka lënë vendin jashtë hartave të investimeve strategjike globale.

Një element veçanërisht i spikatur është lidhja që Duma e bën mes brandimit dhe investimeve të huaja direkte. Ajo thotë qartë: “markat e mëdha janë integrim i vërtetë”, duke nënvizuar se pa prani të kompanive të mëdha ndërkombëtare në Shqipëri, ekonomia shqiptare nuk mund të vetekonomizohet. Në këtë frymë, ajo bën thirrje për një strategji shtetërore për tërheqjen e tyre, që mund ta përfshijë madje edhe një ligj të veçantë për favorizimin e brandeve ndërkombëtare, me masa të qarta lehtësuese dhe qasje diplomatike të sinkronizuar.

Në përmbyllje, ky kapitull e përfaqëson një sintezë të guximshme dhe ambicioze të asaj që mungon më shumë në politikën shqiptare: një vetëdije për rëndësinë e imazhit, e përkthyer në strategji konkrete për zhvillim ekonomik dhe përfaqësim ndërkombëtar. Ajo e përmbyll librin jo me një retrospektivë, por me një vizion proaktiv për të ardhmen, duke e parë Shqipërinë jo si një periferi të Ballkanit, por si një aktor të mundshëm në një botë globale që u përgjigjet vetëm atyre që dinë të flasin me gjuhën e markës, vlerës dhe integritetit ekonomik.

Pa e ekzagjeruar, ky libër është një guidë e rëndësishme, jo vetëm për studentët por edhe për politikëbërësit në Shqipëri dhe në Kosovë dhe për të gjithë diplomatët që merren me diplomaci publike. Me një fjalë, ky është një libër i mirë. Është një përpjekje pioniere për ta shqyrtuar në kontekstin e thellë shumëdimensional, tema, eksperienca, debate nga fusha politike, ekonomike, sociale dhe filozofike. Në këtë kuptim, ky libër mund të shërbejë edhe si një orientim strategjik për politikëbërësit e shtetit shqiptar dhe për kahet e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, si dhe për mënyrën e zhvillimit të një sistemi arsimor, ku gradat nuk shërbejnë vetëm si prurje për përmbushje personale, por e përbëjnë një aset kombëtar dhe kompetetiv në hapësirën evropiane.

Përfundim

Libri i Grida Dumës “Koha për politikë” karakterizohet nga një stil argumentues dhe një estetikë e veçantë, që e ndërthur qartësinë analitike me një elegancë stilistike, duke e shtyrë lexuesin drejt reflektimit të thellë. Autorja e kombinon diskursin intelektual me përvojën personale, duke e ndërtuar një narrativë që e tejkalon retorikën politike të zakonshme dhe që fton në debat mbi çështje themelore të jetës publike.

Përmes një gjuhe të kujdesur, referencave të artikuluara dhe analizave të mprehta, Duma e artikulon një vizion kritik dhe konstruktiv për politikën shqiptare, duke e vendosur lexuesin përballë pyetjeve të vështira mbi drejtimin që ka marrë shoqëria dhe rolin e individit në të. Në këtë kuptim, “Koha për politikë” e përbën një kontribut të vyer në përpjekjen për ta kuptuar më mirë tranzicionin shqiptar dhe për të ndërtuar alternativa të besueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Ky libër nuk është një përmbledhje faktesh apo kronikë ngjarjesh, por një ese teorike dhe praktike mbi mekanizmat e pushtetit, rolin e elitave dhe nevojën për një qytetari aktive e të përgjegjshme. Me një stil të qartë, të guximshëm dhe shpeshherë provokues, Duma arrin ta përfshijë lexuesin në një proces introspeksioni politik, duke e sfiduar atë ta rishqyrtojë pozicionin e vet si subjekt dhe faktor në jetën publike. Në thelb, “Koha për politikë” e përfaqëson një prurje të re dhe domethënëse në mendimin politik shqiptar, që mund të lexohet si një ese-manifest për një konservatorizëm modern, një liberalizëm të arsyetuar dhe një qytetari të angazhuar.