Shtojca për Kulturë

“Koha për politikë” alarmon Shqipërinë e vonuar

“Koha për politikë”

“Koha për politikë” vjen me një qasje shumëdimensionale – politike, ekonomike, sociale dhe filozofike

Libri i Grida Dumës, “Koha për politikë” – botoi UETPress, 2019 –  përpiqet t’i japë lexuesit jo vetëm një diagnozë të situatës, por edhe një alarm të qartë: Shqipëria është vonuar mjaft dhe, nëse nuk ndryshon paradigma, rrezikon të mbetet sërish jashtë “trenit të Perëndimit”

Grida Duma është e njohur në skenën politike dhe publike shqiptare për thellësinë e mendimit, zhdërvjelltësinë në artikulim dhe elegancën retorike. Ajo ka qenë gjithmonë një zë i veçantë në politikën shqiptare. Për një kohë të gjatë ka qenë zyrtare e lartë e Partisë Demokratike, ku është angazhuar për promovimin e zhvillimit liberal dhe evropianist të Shqipërisë.

“Koha për politikë” është shkruar nga një grua që ka zgjedhur të sjellë një mendim të ri në fushën e politologjisë. E specializuar në filozofi dhe sociologji, ajo ka ndjekur më pas studimet doktorale në fushën e ekonomisë. Është autore edhe e tri veprave monografike: “Fëmijëria menaxheriale”, “Perspektiva liberale” dhe “12 teza liberale përtej 2013”.

Gjatë viteve 2011–2013, ajo ka mbajtur funksionin e zëvendësministres së Integrimit të Republikës së Shqipërisë. Ka qenë gjithashtu sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë, si dhe deputete në Parlamentin e Shqipërisë.

Në nëntor të vitit 2022, Duma vendosi të heqë dorë nga mandati i deputetes dhe të largohej nga jeta politike. Pas këtij vendimi, ajo iu përkushtua gazetarisë. Aktualisht drejton emisionin e njohur “Top Story” në “Top Channel”, një nga emisionet më të ndjekura në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Studimi “Koha për politikë”, i shkruar në formë esesh, idesh dhe debatesh, është një prurje e veçantë dhe pioniere, në të cilën Grida Duma trajton çështje të modernitetit dhe reformave institucionale, si sistemi zgjedhor, referendumet apo modeli dydhomësh. Kjo vepër vjen me një qasje shumëdimensionale – politike, ekonomike, sociale dhe filozofike.

Libri përbëhet nga pesë pjesë kryesore, që trajtojnë temat: “Realizmi dhe moderniteti”, me fokus në diagnostikimin e tranzicionit dhe idenë e “fundit të tranzicionit”; “Analiza e sistemit politik shqiptar” nëpërmjet kontratës sociale; “Reformat institucionale”, përfshirë zëvendësimin e modeleve zgjedhore, rolin e referendumeve, financimin politik etj.; “Prona dhe legalizimi”, të cilat, sipas autores, janë çelësi i zhvillimit ekonomik; “Ekonomia e lirë dhe alternativa liberale”, me fokus në sektorët strategjikë, ndihmën sociale, sistemin e taksave, arsimin dhe shëndetësinë; “Brendimi i Shqipërisë”, ku diskutohet koncepti i “branding”-ut shtetëror dhe ai fiskal.

Libri nuk përdor aparatin e zakonshëm shkencor me fusnota, por paraqitet më shumë si një reflektim analitik i një protagoniste politike, që ofron vizion dhe hap debate rreth të ardhmes së Shqipërisë në kontekstin e tranzicionit të gjatë të shtetndërtimit. Duma shfaqet në kulmin e saj si sintetizuese, duke përdorur me efikasitet përvojën akademike dhe angazhimin e gjatë në jetën publike shqiptare, gjithnjë me një origjinalitet të menduari krejtësisht autentik.

Duke filluar me një emërtim realist të gjendjes shqiptare, të cilën ajo e përkufizon si një proces që duhet të fillojë nga maja e piramidës së shoqërisë, Duma e çon lexuesin drejt dilemave strategjike të zhvillimit të vendit. Ajo ngre pyetje mbi modelin ekonomik që Shqipëria duhet të ndjekë, vendin që duhet t’u rezervojë investimeve të huaja, politikat arsimore më të përshtatshme, lidhjen ndërmjet universiteteve dhe tregut të punës, si dhe rolin e shtetit – jo si palë, por si rregullator neutral – në ekonomi dhe privatizim.

Në mënyrë të mprehtë, Duma vendos Shqipërinë në raport krahasues me Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore – një kontinent i shkatërruar fizikisht dhe ekonomikisht, por që brenda një dekade arriti të ndërtojë një projekt rimëkëmbjeje dhe modernizimi. Ky krahasim nuk është vetëm ilustrues, por thellësisht domethënës: ai vë në pah dështimin e Shqipërisë që, ndonëse nuk e nisi tranzicionin nga një katastrofë fizike e krahasueshme, pas më shumë se tridhjetë vjetësh vazhdon të vuajë nga një krizë e thellë identiteti institucional, politik dhe shoqëror.

Pika kulmore e kritikës së Dumës vjen nëpërmjet përshkrimit sarkastik të një modernizimi të rremë – të ashtuquajturit “modernizim kaps” – i cili, në vend se të përshpejtonte rrugën drejt Perëndimit, ka përforcuar simptomat e një depresioni tranzitiv. Me një gjuhë të fuqishme figurative – si “tam-tami elektoral i dajres”, “autobusi kooperativist” apo “tepsia dhe rrota” – Duma demaskon folklorizmin politik, performancën boshe dhe estetizimin e korrupsionit si pjesë të një kulture politike që jo vetëm dështon të prodhojë ndryshim, por ngulfat edhe më tej potencialin për emancipim demokratik.

Krahasimi me lëvizjen “Dum Babën” nuk është vetëm një referencë historike, por një metaforë për një mendësi që ripërsëritet: një shoqëri që lëviz në rreth, e dehur nga simulakrat politike, e paaftë për të ndërtuar një realitet institucional ku fjala përputhet me veprën.

Në këtë kuptim, libri i Dumës përpiqet t’i japë lexuesit jo vetëm një diagnozë të situatës, por edhe një alarm të qartë: Shqipëria është vonuar mjaft dhe, nëse nuk ndryshon paradigma, rrezikon të mbetet sërish jashtë “trenit të Perëndimit”.

Autorja shfaq një njohje të thelluar të zhvillimeve globale dhe të dinamikave të reja të ekonomisë, duke pranuar se format e transaksioneve dhe strukturat e pronësisë mund të transformohen, por pa e zbehur rolin qendror të pronës private në sigurimin e stabilitetit dhe konkurrencës së ndershme. Kjo e bën argumentin e saj jo vetëm ideologjik, por edhe realist dhe të mbështetur në vëzhgimin e trendeve bashkëkohore ekonomike.

Megjithatë, vlera më e madhe e këtij kapitulli qëndron në kritikën e drejtpërdrejtë që Duma i bën realitetit shqiptar, ku pronësia, përkundër rëndësisë së saj teorike, mbetet një çështje e kontestuar dhe problematike. Ligji për investimet strategjike i vitit 2015 vihet në qendër të kësaj kritike si një instrument që ka shkelur balancën mes interesit publik dhe atij privat, duke prodhuar pasiguri juridike, favorizim klientelist dhe deformim të tregut të lirë.

Duma nuk ndalet në një analizë thjesht teknike, por e sheh këtë problem si simptomë të një kulture politike që ende nuk e ka internalizuar parimin e barazisë para ligjit dhe të ndëshkueshmërisë. Recensioni i këtij fragmenti nxjerr në pah një qasje të artikuluar dhe koherente të autores ndaj temës së pronës, duke e lidhur atë ngushtë me lirinë politike, zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin institucional.

Në këtë aspekt, libri shërben si një thirrje për një reformim rrënjësor të qasjes ndaj pronës në Shqipëri, larg utilitarizmit afatshkurtër dhe drejt një themelimi të qëndrueshëm të shtetit të së drejtës dhe të një tregu realisht të lirë.

Në qendër të vëmendjes të këtij libri është edhe  komunikimi si pasqyrë e thellë e strukturave të mendësisë kolektive dhe si pengesë sistemike për integrim, zhvillim dhe përfshirje. Me këtë rast, Duma identifikon një hendek të thellë midis atyre individëve që janë formuar në Perëndim – në një kulturë të drejtpërdrejtë, meritokratike dhe transparente – dhe mënyrës se si ata perceptohen në realitetin shqiptar, ku dominon komunikimi i nënkuptuar, i koduar, i mbështetur në lojëra pushteti dhe hierarkish të pashkruara. Ky diskurs i mbingarkuar me nënkuptime, që e ka zanafillën sipas Dumës në periudhën komuniste, është më shumë se sa një zakon komunikativ: ai është simptomë e një kulture të frikës dhe moralit të dyfishtë, ku e vërteta thuhet ndryshe nga ç’thuhet zyrtarisht, dhe ku sinqeriteti interpretohet si naivitet apo mungesë taktike sociale.

Kjo kulturë ka kosto të lartë, sepse prodhon jo vetëm mosbesim, por edhe refuzim sistematik të atyre që vijnë nga jashtë me një përvojë tjetër – siç janë të rinjtë që kanë jetuar apo studiuar mbi një dekadë jashtë vendit. Ata shpesh perceptohen si “naivë”, thjesht sepse nuk zotërojnë mekanizmat e nënkuptimit, sarkazmës lokale apo strategjisë së heshtjes. Në fakt kjo është sjellja konformiste e shqiptarit, të cilin autorja e identifikon edhe  në rastin kur ai ndjehet  më i sigurt nëse jep ryshfet sesa të mos japë. Në këtë linjë, ajo bën një ndër ndërhyrjet më të forta polemike dhe thellësisht kritike ndaj narrativës së përmbysur që shpesh fajëson qytetarët për korrupsionin sistemik në Shqipëri. Duma e kundërshton prerazi këtë qasje, duke e konsideruar si një formë mashtruese ose keqdashëse të zhvendosjes së përgjegjësisë – një akt që jo vetëm justifikon pushtetin e korruptuar, por edhe e shndërron viktimën në fajtor.

Në këtë analizë, ajo kthen vështrimin nga struktura: sistemi është ai që e ka ndërtuar dhe e ushqen korrupsionin, duke krijuar rrethana në të cilat qytetari nuk ka më zgjedhje reale. Ai detyrohet të japë ryshfet për të siguruar shërbime bazike, për të zgjidhur një çështje administrative, për të ecur përpara në karrierë apo për të mbijetuar në një sistem të pajustifikueshëm. Nuk është qytetari që korrupton sistemin – është sistemi që e detyron qytetarin të korruptojë për të jetuar. Interpretimi i mëtejshëm i Dumës kap një aspekt të thellë psikologjik dhe kulturor të kësaj dinamike: siguria personale dhe ekonomike është tashmë e lidhur me sjelljen konformiste, nënshtruese dhe servile. Kjo nuk është më një çështje morali individual, por një mjet mbijetese brenda një sistemi ku ndershmëria rrezikohet dhe “mirësjellja” klienteliste shpërblehet. Në këtë mënyrë, Duma shpalos një realitet ku dinjiteti individual sakrifikohet për siguri, dhe kjo është ndër plagët më të thella të tranzicionit shqiptar.

Duma, duke u ndalur në pritjet e qytetarëve shqiptarë pas përmbysjes së regjimit komunist, flet edhe për fenomenin e zhgënjimit kolektiv të qytetarëve nga mosrealizimi i pritshmërive të mëdha që solli tranzicioni demokratik. Duke u mbështetur në të dhëna nga sondazhet dhe në perceptimin e përgjithshëm publik, Duma e përshkruan këtë zhgënjim jo thjesht si një gjendje emocionale kalimtare, por si një klimë e qëndrueshme sociale, e cila ka prodhuar pasoja të thella në funksionimin e demokracisë shqiptare. Në këtë kontekst, zhgënjimi nuk është vetëm një simptomë e dështimeve politike, por një terren pjellor për rikthimin e formave autoritare të pushtetit. Ajo thekson se kur qytetarët humbin besimin se përmes politikës dhe institucioneve mund të ndikojnë jetën e tyre, ata bëhen tërësisht pasivë – dhe pikërisht ky pasivitet i hap rrugë autokracisë, koncentrimit të pushtetit dhe dobësimit të llogaridhënies. Duma sugjeron – me gjuhë të kujdesshme, por aluduese – se disa aktorë politikë e kanë ushqyer dhe menaxhuar këtë zhgënjim në mënyrë të qëllimshme, për të krijuar një shoqëri të pasivizuar, të çorientuar dhe të lehtë për t’u kontrolluar. Në këtë mënyrë, zhgënjimi nuk është më vetëm pasojë – është mjet pushteti. Në këtë ese autorja ofron një diagnostikë të qartë dhe të kthjellët të krizës së demokratizimit në Shqipëri, duke u përqendruar te mospërputhja ndërmjet pritjeve dhe realitetit – një nga tensionet më të thella dhe më të vazhdueshme të tranzicionit politik shqiptar. Duma e pranon se çdo shoqëri që kalon nga autoritarizmi në demokraci përballet me një diskrepancë midis idealeve demokratike dhe praktikave reale. Megjithatë, ajo argumenton se në rastin shqiptar kjo mospërputhje është më e theksuar dhe më e zgjatur, duke u shndërruar jo vetëm në një hendek zhvillimor, por edhe në një plagë psikologjike kolektive.

Lexuesit i bie menjëherë në sy koherenca e qasjes së saj liberale, që shtrihet nga temat ekonomike (si pronësia private, taksat e ulëta, konkurrenca e ndershme) deri te reformat politike dhe institucionale (si referendumi, sistemi dydhomësh ose president nga populli, transparenca në financimin e partive politike). Në këtë kontekst, autorja sjell në vëmendje një propozim institucional me karakter reformues: vendosjen e një Senati si dhomë e dytë parlamentare, me funksione që shkojnë përtej përfaqësimit territorial formal. Sipas Dumës, Senati nuk është vetëm një strukturë shtesë burokratike, por një mekanizëm i domosdoshëm për ruajtjen e kontinuitetit institucional dhe kapitalit politik të akumuluar nëpërmjet përvojës.

Ajo argumenton se Senati mund të luajë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e sistemit politik, duke ruajtur dhe vënë në përdorim eksperiencën e elitave politike dhe ekzekutive, të cilat shpesh dalin nga skena politike si rezultat i cikleve zgjedhore ose konfliktualitetit politik të përditshëm. Në këtë kuptim, Duma propozon një qasje meritokratike, ku përvoja politike nuk shndërrohet në barrë apo simbol të një sistemi të dështuar, por në aset të demokracisë funksionale.

Së dyti, diagnostikimi rigoroz i tranzicionit, të cilin ajo e cilëson si një "demokraci hibride" – një koncept i njohur në shkencat politike, që përshkruan sisteme ku procedurat demokratike ekzistojnë formalisht, por praktikohen në mënyrë të deformuar. Kjo diagnozë është veçanërisht e vlefshme për Shqipërinë, ku ndërhyrja e shtetit në ekonomi, mungesa e mbështetjes sociale, dhe kapja e institucioneve kanë prodhuar një mjedis jofunksional për qytetarin dhe sipërmarrësin njëkohësisht.

Vijon në numrin e ardhshëm për Shtojcës për kulturë