Shtojca për Kulturë

Luftë dhe propagandë: UÇK-ja nën shënjestrën e Serbisë

Libri i Bardhyl Mahmutit - Ushtria Çlirimtare e Kosovës - në shënjestër të vazhdueshme

Ky libër ka një vlerë të dyfishtë që vjen së pari sepse autori flet si akter dhe dëshmitar i takimeve të Grupit Diplomatik të UÇK-së dhe së dyti nga fakti që ky libër përcjell pikëpamjet e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm politikë dhe diplomatikë të UÇK-së, më shumë se 25 vjet pas luftës, pasi ai ka parë, lexuar dhe analizuar mijëra materiale të prodhuara nga pala shtetërore serbe

Në vitet e fundit, librat për luftën e UÇK-së të shkruar nga autorë shqiptarë kanë përjetuar një lloj goditjeje në kredibilitetin e tyre, pasi që disa të tillë u zhvlerësuan dhe u mohuan publikisht madje nga vetë autorët e tyre, si të pafaktuar dhe hiperbolizues, meqë ata u përdorën si burim informacionesh për ngritjen e aktakuzave ndaj ish-liderëve të UÇK-së nga Dhomat e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Megjithatë, kohët e fundit në Prishtinë u botua dhe u promovua një libër i ri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i cili nuk duhet t’i shpëtojë vëmendjes së publikut dhe i cili nuk duhet kaluar pa u tematizuar. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” nuk është mirëfilli një libër autorial, por një përmbledhje e kuruar intervistash mes Brdhyl Mahmutit dhe Muhamet Mavrajt

Nëse kërkoni për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Google duke i shkruar në anglisht fjalët kyçe “Kosovo KLA” dhe “KLA Kosovo”, dy kërkimet më të shpeshta që lidhen me këto dy fjalë dalin të jenë “Kosovo KLA crimes” dhe “KLA Kosovo war crimes”. Pra, “krimet” dhe “krimet e luftës” janë dy fjalët më të shpeshta që i shoqërojnë fjalët “Kosovo KLA” apo “KLA Kosovo” të kërkuara në Google. Krejt tjera fjalë do të shfaqen në shoqëri të të njëjtave fjalë dhe në të njëjtën platformë, por kur ato i kërkoni në shqip si “UÇK”. Fjalë si “UÇK logo”, pastaj fjalët “vizatim” dhe “foto” shfaqen pas tyre, duke treguar që në këtë kohë, për publikun shqiptar, UÇK-ja është e lidhur më shumë me trashëgiminë e jetuar të saj, sikur variantet artistike dhe vizatimet e logos pra emblemës së saj apo fotografitë që lidhen me të. Por në çfarë stadi është tani përjetimi i historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe hapësirën publike të Kosovës dhe asaj ndërkombëtare?

Ndër organizatat e fshehta të rezistencës dhe luftës çlirimtare në Evropën e shek. XX, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga organizatat më të përfolura dhe me historinë më kërshërindjellëse. Ajo ishte një organizatë e cila u aspirua disa vite para se të krijohej; u themelua dhe u pagëzua më 1993/’94; kreu dhjetëra aksione të armatosura fshehurazi derisa u shfaq në publik në fund të vitit 1997; fitoi njohje dhe identitet në publik si dhe u faktorizua gjatë vitit 1998; kurse kulmin e fuqisë dhe të rolit të saj e arriti në gjysmën e parë të vitit 1999; përfundimisht u demilitarizua dhe u shpërbë në fund të shtatorit të vitit 1999. Ndonëse zyrtarisht UÇK-ja ekzistoi vetëm rreth pesë vjet, historia që e lindi atë shtrihet mbrapa shumë vite më herët, ndërkaq ajo ka vazhduar të prodhojë histori edhe pas shuarjes së saj si organizatë.

Edhe sot, kur kanë kaluar 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, akronimi me tre shkronja “UÇK” është një fjalë e dëgjuar çdo ditë, sinonim i luftës çlirimtare dhe bartëse e vlerave të lirisë, një temë shumë e gjallë për të cilën flitet privatisht dhe diskutohet publikisht në studio televizive. Mes shqiptarësh përgjithësisht dhe natyrshëm veçanërisht në Kosovë, shumë njerëz identifikohen me UÇK-në në mënyra të llojllojshme. Ata që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së duke rrëfyer për ngjarjet e kohës së luftës nga pozita e veteranit; ata që e çmojnë luftën e UÇK-së duke e përnaltësuar atë, qoftë duke nderuar dëshmorët dhe veteranët e saj, deri tek ata që e kanë brenduar emblemën e UÇK-së të dizajnuar në formate të përdorshme për t’u vendosur në shpinë të celularit, në mbajtëse çelësash, apo edhe duke e bërë tatuazh në trup.

Publiku në Kosovë vazhdon të ketë shumë kureshtje dhe vëmendje për t’i dëgjuar historitë e UÇK-së, rrëfimet për luftërat dhe dëshmorët e saj, për luftëtarët dhe komandantët, për veprat heroike dhe frymëzimet e tyre. Përveç organizatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, shumë pjesëtarë të dikurshëm të saj kanë vazhduar të jenë politikisht aktivë nëpër parti politike si dhe të drejtojnë me institucionet dhe proceset shtetndërtuese në Republikën e Kosovës.
Nëse kërkoni në libraritë e Prishtinës, mund të gjeni dhjetëra tituj librash për UÇK-në të shkruar veçanërisht nga ish-pjesëtarë të saj apo nga autorë të ndryshëm për njësite dhe zona operative të veçanta, libra me ditarë lufte, libra me kujtime apo me fotografi nga koha e luftës. Por përtej kësaj mos kërkoni më shumë, sepse nuk do të gjeni asnjë botim të vetëm konciz dhe asnjë studim serioz për ta njohur historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sado që UÇK-ja ka mbetur një temë dhe madje një çështje shumë aktuale në Kosovë.   

Megjithëse të orientuar nga disa pikëvështrime të caktuara dhe të kufizuar në disa drejtime, dy veprat më serioze të botuara deri sot për UÇK-në janë: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje” dhe “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit, 1948-2001”. I pari është i shkruar nga autori amerikan Henry H. Perritt dhe është botuar në shqip nga Botimet KOHA që më 2008 në Prishtinë, kurse i dyti i shkruar nga autori britanik James Pettifer, është botuar nga “Onufri” më 2013, në Tiranë. Por këta dy libra jo vetëm që nuk qarkullojnë më nëpër librari, por ata as që janë zëvendësuar dhe as tejkaluar nga studime të reja, pavarësisht që krahasuar me kohën kur janë shkruar ata, tani ka shumëfish më shumë burime të qasshme për UÇK-në. 
Në përgjithësi, që nga viti 1998 kur u botua libri i parë me dokumente dhe artikuj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i përgatitur nga Gafurr Elshani, mbi 80 autorë shqiptarë kanë botuar afërsisht rreth 200 libra për UÇK-në, apo që tematikisht lidhen me të. Dhjetëra libra të tjerë që në përmbajtjen e tyre e trajtojnë edhe UÇK-në janë shkruar nga autorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Vlera më e madhe e librave të deritanishëm për UÇK-në të botuar nga autorë shqiptarë, qëndron te fakti që në përgjithësi ata paraqesin vepra që përmbajnë dëshmi dhe burime të dorës së parë. Ky është një kontribut i madh që edhe pritet në radhë të parë pikërisht nga autorët shqiptarë, e veçanërisht nga ata që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së apo të përfshirë në organizimet e saj. Por në vitet e fundit, librat për luftën e UÇK-së të shkruar nga autorë shqiptarë kanë përjetuar një lloj goditje në kredibilitetin e tyre, pasi që disa të tillë u zhvlerësuan dhe u mohuan publikisht madje nga vetë autorët e tyre, si të pafaktuar dhe hiperbolizues, meqë ata u përdorën si burim informacionesh për ngritjen e aktakuzave ndaj ish liderëve të UÇK-së nga Dhomat e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Megjithatë, kohët e fundit në Prishtinë u botua dhe u promovua një libër i ri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i cili nuk duhet t’i shpëtojë vëmendjes së publikut dhe i cili nuk duhet kaluar pa u tematizuar. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” nuk është mirëfilli një libër autorial, por një përmbledhje e kuruar intervistash mes Bardhyl Mahmutit dhe Muhamet Mavrajt. Më saktë, intervistat e këtij libri janë bashkëbisedime, pasi intervistuesi Mavraj nuk është thjesht një gazetar që shtron pyetje, por një bashkëbisedues i mirinformuar: njohës, dëshmitar dhe në disa raste edhe aktor i ngjarjeve dhe proceseve për të cilat ai i ka zhvilluar 37 intervistat me Mahmutin, drejtuesin e Grupit Diplomatik të UÇK-së.

Në thelb, ky libër është i përqendruar në dy çështje dhe dy periudha. E para, te përpjekjet e UÇK-së më 1998 dhe 1999 për të zhvilluar një diplomaci të saj me vendet e Evropës Perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim që të sqarohej karakteri i vërtetë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si organizatë e rezistencës së armatosur dhe i natyrës së luftës së saj si luftë çlirimtare e një populli të shtypur me dhunë nga Jugosllavia. Për këtë duhej përballur një propagandë e planifikuar dhe e organizuar e shtetit të Serbisë që përpiqej ta nxirrte UÇK-në si një organizatë terroriste dhe islamike, një organizatë guerile e cila vriste civilë shqiptarë dhe serbë, në një konflikt të lokalizuar si problem i brendshëm i Jugosllavisë me terrorizmin islamik dhe elementet seperatiste nacionaliste shqiptare. Kjo sa i takon gjysmës së parë të librit, por pothuajse e njëjta çështje problematizohet edhe te gjysma e dytë e këtij libri, vetëm se kjo luftë me propagandën e shtetit të Serbisë kundër UÇK-së, të zhvillohet në një periudhë tjetër, në shek. XXI, apo për Kosovën, në epokën e pas luftës.
Filli nëpër të cilin janë endur intervistat e këtij libri, është nxjerrë si vjegëz nga një seri librash të ashtuquajtur “Librat e bardhë”, të përgatitur dhe të botuar në fillim të viteve 2000 nga institucionet e Serbisë. Fjala është veçanërisht për librat “Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin – Personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998 – nëntor 2001”, i botuar më 2001; “Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe Dukagjin” i botuar në anglisht në mars të vitit 2000; si dhe libri “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin” i botuar në shtator të vitit 2003. Të tre këta libra janë riprodhime materialesh të njëjta të ristrukturuara dhe zgjatime të njëri-tjetrit, në të cilët pretendohet që UÇK-ja ka vrarë dhe eliminuar civilë shqiptarë dhe serbë mes viteve 1998 dhe 2001, duke përdorur mënyra tipike terroriste dhe të motivuar nga ideologji islamike dhe nacionaliste. Të shpërndarë në rrugë institucionale nëpër kancelari shtetesh të ndryshme, përmes këtyre pretendimeve dhe më vonë botimeve edhe në anglisht, Serbia ka propaganduar aktivisht kundër UÇK-së: në vitet e luftës për ta vështirësuar mbështetjen e vendeve të NATO-s ndaj UÇK-së duke e cilësuar atë si “terroriste”; kurse në vitet e pasluftës, duke i konvertuar këto pretendime në prova të stisura dhe dëshmi të falsifikuara në procese gjyqësore kundër pjesëtarëve të UÇK-së.  

Duke qenë politolog dhe studiues, Mahmuti u kthehet kujtimeve dhe arkivave personale duke i plotësuar ato me informacione të dhënash dokumentare e burimesh të hapura mediale, që e përplotësojnë panoramën e zhvillimeve dhe rrethanave të ngjarjeve dhe proceseve për të cilat ai përgjigjet në këtë libër. Si u zhvilluan kontaktet dhe takime e para të përfaqësuesve diplomatikë të UÇK-së me diplomatët amerikanë dhe evropianë? Si ishte kompozuar Grupi Diplomatik i UÇK-së, i drejtuar nga Bardhyl Mahmuti dhe i përbërë edhe nga Ramadan Avdiu, Bilall Sherifi, Agush Buja, Nufri Leka, Sabri Kiçmari, Rexhë Ibërdemaj, Mujë Rugova, Ibrahim Xhemajli, Pleurat Sejdiu, Xhevat Bislimi, Dino Hasanaj dhe Visar Reka? Si koordinoheshin veprimet e tyre me drejtuesit e tjerë të UÇK-së si Adem Demaçi, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jashar Salihu? Të tjerë emra dhe figura përmenden në këtë libër për përfshirjen dhe rolin e tyre në procese e periudha të ndryshme si Adnan Asllani, Muhamet Mavraj, Lulëzim Etemaj, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Richard Hobrooke, James Rubin, Robert Gelbard, Wesley Clark, Lawrence Rosin, Ukshin Hoti, Albin Kurti, Nait Hasani, Bajrush Xhemajli, Wolfgang Ischinger, Wolfgang Petritsch, Sean Burns, Olivier Dupuis, Enver Maloku, Carla Del Ponte.
Në pyetje – përgjigjet e intervistave të Bardhyl Mahmutit dhënë Muhamet Mavrajt te ky libër, është tematizuar manipulimi i listave të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë; përdorimi i gabuar i termit “ilegal” për lëvizjen nacionalçlirimtare në Kosovë; takimet e para të UÇK-së me diplomatët amerikanë; pesha historike e rezistencës së Jasharëve në Prekaz; jehona ndërkombëtare e masakrës së Reçakut; problemet e përfaqësimit të UÇK-së dhe delegacionit të Kosovës në Rambuje; roli i LPK-së në historinë e UÇK-së deri te transformimi i të dyjave në vitin 1999; roli i prokurores Carla Del Ponte dhe më pas i deputetit Dick Marty në ngritjen e dyshimeve dhe pretendimeve ndaj UÇK-së për trafikim organesh njerëzore gjatë luftës në Kosovë dhe akuzës për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”; autorësia e vërtetë e raportit të “Dick Marty-t” dhe sfondi politik i tij; disfata e Serbisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës; ndikimin e propagandës së Serbisë në përhapjen e imazheve negative për UÇK-në; si dhe themelimi i Gjykatës Speciale dhe akuzat ndaj pjesëtarëve të UÇK-së në të.

Të gjitha këto çështje, në librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” janë problematizuar nga autori Bardhyl Mahmuti prej një pozicioni personal të vendosur në një hekurudhë të gjatë me dy binarë. Njëri është ai i Mahmutit si aktivist i hershëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës i kulmuar me detyrën e drejtuesit të Grupit Diplomatik të UÇK-së, kurse binari tjetër është ai i profilit të tij prej politologu dhe studiuesi, i cili prej vitesh ka vazhduar të studiojë dhe të angazhohet publikisht me shkrime dhe intervista, për sqarimin e historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbrojtjen e saj nga propaganda prej shtetit të Serbisë. Ky pozicion e ka ravijëzuar edhe formën shumë serioze të këtij libri, meqë intervistat në të nuk përmbajnë përgjigje spontane dhe të atypëratyshme e të mbështetura në kujtesë, por janë të kuruara me të dhëna statistikore dhe referenca ndaj një morie burimesh si rezoluta të OKB-së, artikuj gazetash, deklarata publike, libra të botuar në gjuhë të ndryshme dhe materiale të tjera relevante për temat e diskutuara. Për më tepër që ky nuk është libri i parë dhe as i vetëm i Mahmutit për luftën e UÇK-së. Që në vitin 1999, Bardhyl Mahmuti u ishte përgjigjur pyetjeve për një libër të autorëve Patrick Denaud dhe Valérie Pras, për librin e tyre “Kosova: Lindja e një lufte të armatosur UÇK (Intervista me Bardhyl Mahmutin, përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)”. Por libri më i rëndësishëm i Bardhyl Mahmutit është “Mashtrimi i madh”, i botuar më 2015 dhe i përkthyer e botuar edhe në frëngjisht dhe anglisht. I tërë ky libër i vëllimshëm i cili gjithashtu nuk ka marrë vëmendjen e merituar në publik, është një përpjekje e duruar për t’i trajtuar zërat e propagandës së organizuar të shtetit të Serbisë kundër UÇK-së përmes deklaratash politike, artikuj gazetash, libra dhe operacione të fshehta të shërbimeve sekrete të Serbisë në terren dhe deri te fabrikimi i provave të falsifikuara dhe i dëshmitarëve për procese gjyqësore kundër pjesëtarëve dhe liderëve të UÇK-së. Një merak shumë i gjallë i Mahmutit për demaskimin e propagandës së Serbisë ndaj UÇK-së, vërehet edhe te libërthi i tij gati i pavërejtshëm në publik i vitit 2019, “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, vërejtja thelbësore e të cilit është përmbledhur që në titull të librit. Ky problem është zgjeruar prej Mahmutit edhe te një libër i tij të cilin deri tani ai e ka botuar vetëm online me vazhdime, i përqendruar siç sugjeron titulli i tij te “Krimi i gjenocidit – aspekte teorike dhe studime rastesh”. Përpjekjet këmbëngulëse dhe të përsëritura të Bardhyl Mahmutit për t’i shpërhapur shpjegimet e tij dekonstruktuese dhe analizat denoncuese ndaj propagandës së shtetit të Serbisë kundër UÇK-së, me sa duket e kanë shtyrë atë edhe drejt shkrimit të një romani të vëllimshëm. I botuar më 2021 nën titullin “Eskadronët e vdekjes: kronikë e një kasaphane”, te ky roman, Mahmuti përmes një proze të shkathët e ka letrarizuar historinë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe ngjarjet e errëta prapa tyre.

Por cila është vlera e vërtetë e librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme”, që teksa po shkruhet ky artikull për të, po kalon një fushate promovimesh në qendra të diasporës shqiptare në Evropë, pas një promovimi në Prishtinë më 7 maj 2025? Ky libër ka një vlerë të dyfishtë që vjen së pari sepse autori flet si akter dhe dëshmitar i takimeve të Grupit Diplomatik të UÇK-së dhe së dyti nga fakti që ky libër përcjellë pikëpamjet e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm politik dhe diplomatik të UÇK-së, më shumë se 25 vjet pas luftës, pasi ai ka parë, lexuar dhe analizuar mijëra materiale të prodhuara nga pala shtetërore serbe. Nëse Mahmuti do të mjaftohej me kujtimet e tij, libri do të rezultonte një botim memoaresh që si çdo vepër me kujtime do të ishte i diskutueshëm për subjektivitetin e tij. Kurse, nëse do të përqendrohej te studimet profesionale, ai do të ishte i kritikueshëm për pamundësi pretendimi për objektivitet, për shkak që autori ka qenë edhe vetë i përfshirë në ngjarjet e trajtuara. Me këtë trajtë prej intervistash të kuruara që ka libri, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në shënjestër të vazhdueshme” mund të lexohet edhe si një burim historik parësor dhe dytësor njëkohësisht, meqë autori ka bashkuar te fjalët e tij dëshmitë dhe kujtimet e tij personale me hulumtimet dhe studimet e tij profesionale. Në fund, ky libër është një tjetër botim në veprën e shkruar të Bardhyl Mahmutit, e cila në tërësinë e tij është një përpjekje e tekstualizuar për dekonstruktimin e propagandës së Serbisë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjes së shqiptarëve për shtetndërtimin e Kosovës.

Autori është historian, ligjërues në Universitetin e Prishtinës