Shtojca për Kulturë

Lufta e kotë

Refugjat shqiptar nga Kosova në mëngjesin e të martës së 18 majit të vitit 1999 në kampin e refugjatëve në Stenkovec (Foto: Associated Press)

Refugjat shqiptar nga Kosova në mëngjesin e të martës së 18 majit të vitit 1999 në kampin e refugjatëve në Stenkovec (Foto: Associated Press)

Në vend të dobësimit të diktaturës, lufta e pastër e NATO-s e ka lejuar Millosheviqin që t’i eliminojë dhe t’ua mbyllë gojën kundërshtarëve të tij të brendshëm dhe të paraqitet si një viktimë, si një David i vogël heroik, që i reziston makinerisë ushtarake më të fuqishme të historisë. Dhe, nga ana tjetër, bombardimet jo vetëm që nuk e kanë evituar represionin e ashpër ndaj popullit shqiptaro-kosovar; por e kanë përshpejtuar atë, pasi, duke përdorur si pretekst sulmet ajrore të aleatëve, ushtria serbe ka shfarosur, duke i shpërngulur nga fshatrat e tyre dhe duke i detyruar të nisen për jashtë vendit, të privuar nga të gjitha të mirat e tyre (përfshirë dokumentet e identitetit), më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë të Kosovës

“Lufta etike” e Kosovës, siç e quajti Toni Bleri [Tony Blair], të cilën e ndërmori NATO-ja, e mbështetur nga opinioni publik i vendeve perëndimore, për të ndaluar gjenocidin e popullit shqiptaro-kosovar, po merr një drejtim që, në mënyrë absurde, mund të kulmojë në një shpartallim moral të Aleancës Atlantike, dhe në konsolidimin e tiranisë së Millosheviqit. Çfarë ka dështuar? Jo vendimi për ta sulmuar diktatorin serb, sigurisht. Mospërfillja e tij, refuzimi i tij për ta bërë qoftë edhe koncesionin më të vogël në lidhje me Kosovën në negociatat e Rambujesë  dhe  mobilizimi  i  Ushtrisë Jugosllave për të nisur spastrimin etnik në provincën kosovare, nuk i linin alternativë tjetër Europës dhe Shteteve të Bashkuara nëse donin ta shmangnin një katastrofë të ngjashme me atë të Bosnjës. Epo mirë, luftërat shpallen për t’i fituar dhe me një qëllim të mirëpërcaktuar. Mbështetja që mori iniciativa e NATO-s nga të gjitha demokracitë e botës niste nga supozimi se ky intervenim luftarak do t’i jepte fund tiranisë së Millosheviqit, pengesë primordiale për një paqe të negociuar në Kosovë dhe përgjegjës kryesor i tragjedisë së Ballkanit. Pas asaj që ndodhi në Bosnje, askush nuk mund të kishte dyshimin më të vogël se, ndërkohë që diktatori serb ruante forcën e tij operative, nuk do të kishte zgjidhje të qëndrueshme për problemin e Kosovës, dhe se çdo marrëveshje do të ishte e pasigurt, efektive vetëm për sa kohë që një forcë e madhe dhe e kushtueshme ndërkombëtare e vendosur mbi terren do ta bënte që të respektohej.

Pothuajse një muaj e gjysmë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, qeveritë perëndimore nuk flasin më për përmbysjen e Millosheviqit dhe as për shkatërrimin e Ushtrisë së tij. Përkundrazi, Klintoni, në vizitën që u bëri trupave amerikano-veriore në Gjermani, pohoi se ajo zgjidhje nuk figuronte mes objektivave të NATO-s, dhe kryeministri francez, Ljonel Zhospen [Lionel Jospin], këto ditë ka shumëfishuar gjestet e zbutjes ndaj Millosheviqit, duke i ofruar ndalimin e sulmeve, nëse lideri serb fillon tërheqjen e trupave nga Kosova. Shpjegimi i dukshëm i këtij ndryshimi të qëndrimit është inkurajimi i përpjekjeve ndërmjetësuese të Rusisë, e ofenduar nga harresa olimpike që kishte treguar Aleanca Atlantike në lidhje me Kremlinin. Por, në të vërtetë, distancimi i ri i Klintonit, Zhospenit dhe, pa dyshim, i liderëve të tjerë të vendeve të NATO-s, vjen për shkak se opinioni publik tashmë nuk e mbështet këtë luftë si në fillim. Kundërshtarët e saj rriten në të gjitha anët dhe, edhe mes atyre që vazhdojnë ta mbështesin, pasi e konsiderojnë si të keqen më të vogël, shumëfishohen kritikat, pështjellimi dhe gabimet që karakterizojnë udhëheqjen ushtarake dhe politike të ndërhyrjes së aleatëve.

Në fakt, çfarë lloj lufte është kjo, në të cilën vuajtjet dhe dhuna që ajo shkakton, nuk duken se janë të destinuara për ta shkatërruar ushtrinë armike, por, në thelb, për të parandaluar që trupat aleate ta përjetojnë një viktimë të vetme? Sado neveri dhe përçmim të frymëzojë satrapi Millosheviq, është e vështirë ta kuptosh se këta pilotë të aleatëve (të cilët për të mos u arritur nga artileria kundërajrore serbe, shkarkojnë bombat e tyre nga dhjetë mijë metra lartësi, nganjëherë përmbi trena, autobusë, karroca, shtëpi dhe pluhurosin fshatarët e qetë) luftojnë për një kauzë të drejtë. Deri tani, triumfi i betejës publicistike nga ana e Millosheviqit ka qenë i plotë. Në ekranet televizive dhe në gazetat perëndimore çdo ditë shfaqen të vdekurit e pafajshëm të Jugosllavisë së bombarduar, si simbole të arrogancës prepotente, të burracakërisë dhe budallallëkut të një strategjie që nuk e di çka dëshiron dhe as si ta arrijë atë.

Ideja e “luftës së pastër” është marrëzi e pastër konceptuale, nëse nuk përkthehet në planin apokaliptik për t’i thërrmuar me bomba atomike të gjitha format e jetës në territorin armik. Po, në teori kjo do të ishte një formë e luftës së pastër, me viktima dhe të vdekur vetëm në njërën anë. Por, bërja e një lufte vetëm me bomba konvencionale nga retë, nuk e ka mposhtur asnjë regjim deri më tani. Përkundrazi, ka shërbyer për t’i përforcuar diktaturat, siç ka ndodhur me Sadam Huseinin në Irak dhe po ndodh tani me Millosheviqin në Jugosllavi. Askush si tiranët  nuk  mund  t’i  nxisë  ndjenjat nacionaliste dhe viktimizuese të një populli nën bomba dhe të bëhet lidhës i unitetit kombëtar dhe i mbrojtësve të sovranitetit të kërcënuar nga armiku i huaj.

Në vend të dobësimit të diktaturës, lufta e pastër e NATO-s e ka lejuar Millosheviqin që t’i eliminojë dhe t’ua mbyllë gojën kundërshtarëve të tij të brendshëm dhe të paraqitet si një viktimë, si një David i vogël heroik, që i reziston makinerisë ushtarake më të fuqishme të historisë. Dhe, nga ana tjetër, bombardimet jo vetëm që nuk e kanë evituar represionin e ashpër ndaj popullit shqiptaro-kosovar; por e kanë përshpejtuar atë, pasi, duke përdorur si pretekst sulmet ajrore të aleatëve, ushtria serbe ka shfarosur, duke i shpërngulur nga fshatrat e tyre dhe duke i detyruar të nisen për jashtë vendit, të privuar nga të gjitha të mirat e tyre (përfshirë dokumentet e identitetit), më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë të Kosovës. Në këtë mënyrë, “lufta e pastër” ka qenë një instrument i çmuar në strategjinë (kjo po, e aplikuar përsosmërisht qartë dhe pamëshirshëm) e diktaturës serbe për ta “(s)pastruar” Kosovën. Refuzimi i përdorimit të trupave tokësore dhe bërja publike e këtij lajmi ishte një gabim shumë i madh i NATO- s të cilin po e paguan shtrenjtë. Kjo i dha liri Millosheviqit për t’i përmbushur planet e tij të këqija të spastrimit etnik dhe për ta luajtur rolin e viktimës. Supozimi se presioni i bombave do ta thyente moralisht atë dhe do ta kthente në tavolinën e negociatave me një qëndrim më të shtruar, ishte një hipotezë e rrezikshme që, nëse nuk do të përmbushej, mund të kishte efekt të kundërt: do ta vinte NATO-n në situatën e pamundur në të cilën gjendet tani. Pse të pamundur? Sepse këtë luftë, me mënyrën si po e drejton, nuk do ta fitojë. Dhe çdo ditë po e humb nga pak luftën në terma psikologjikë dhe moralë, duke u shfaqur gjithnjë e më shumë para opinionit  publik  botëror  si  një  forcë agresore, që keqtrajton një vend të vogël të dobët dhe shkakton vdekje të panumërta të pafajshme, dhe në të njëjtën kohë që është e paaftë t’i japë fund, apo ta pakësojë, kryqëzimin e tmerrshëm të popullit shqiptaro-kosovar.

Nuk është për t’u çuditur që në këto rrethana, liderët e Aleancës Atlantike kanë rënë dakord që Rusia gjithsesi ekziston dhe një protagonizëm i papritur i është dhënë të ringjallurit Viktor Çernomirdin, i dërguari i Jelcinit, i cili shkon dhe vjen mes Beogradit dhe Uashingtonit, me mesazhe miqësore nga presidenti Millosheviq. Dhe tashmë dëgjohen komente të buta në kancelari. A thua ai është aq i keq sa mendohet? Ndoshta nuk është aq shumë. I ka bërë apo nuk i ka bërë disa lëshime të caktuara në Dejton? Dhe bash tani, a nuk e ka pritur me krahë hapur priftin Xhekson [Jackson], mikun e Hillarit dhe të Bill Klintonit? A nuk është lutur për paqen,  i  përqafuar  me të? A  nuk  i  ka dorëzuar tre të burgosurit amerikanë që t’u kthehen familjeve të tyre? Ndoshta pastori Xhekson nuk gabohet kur i kërkon qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të përgjigjet me një gjest mirëkuptimi ndaj përpjekjeve pajtuese dhe pacifiste të burrështetasit serb.

Nga kjo rrugë e keqe, në largësi, mund të shohim një zgjidhje të mundshme për Kosovën, të ngjashme me marrëveshjet e famshme të Dejtonit, të njohura në krejt botën si një triumf i mençurisë solomonike, dhe që, në të vërtetë, shërbyen për ta legjitimuar spastrimin etnik në Bosnje, për ta liruar Millosheviqin nga të gjitha përgjegjësitë në tragjedinë që shkaktoi dyqind mijë të vdekur në Ballkan, për t’i dhënë letër të bardhë për ta forcuar dominimin e tij autoritar në Jugosllavi dhe përgatitjen e operacionit antishqiptar në Kosovë. Siç duket, në të vërtetë, e vetmja gjë që NATO-ja e ka të qartë është se bombardimet  nuk  po  japin  rezultatin  e pritur, dhe as nuk do ta japin në të ardhmen e afërt dhe se, përkundrazi, po e minojnë çdo ditë prestigjin dhe besueshmërinë e tyre – diçka absolutisht e vërtetë. Tundimi për të dalë nga qarku me ndonjë dredhi që ia shpëton fytyrën është shumë i madh dhe reflektohet në atë ton të ri të miratuar nga Uashingtoni, Parisi dhe Boni, që mund të rezultojë, në fakt, me një marrëveshje të gatshme, sipas mënyrës së Dejtonit. OKB-ja do të ishte mamia e paqes dhe Rusia ndrikulla e krijesës. Në një gjest të shkëputjes fisnike, për hir të paqes, Millosheviqi do ta pranonte ndarjen e Kosovës dhe do të mbetej vetëm me gjysmën e territorit të Kosovës, fqinje me Jugosllavinë (çuditërisht, pjesa më e pasur dhe më moderne e provincës). Vendet perëndimore do të merrnin përsipër dhënien e nevojshme të dollarëve dhe vënien e ushtarëve të forcës së paqes (nën flamurin e OKB-së, sigurisht) për t’i çuar në gjysmën tjetër të vendit kosovarët e shpërngulur me forcë nga fshatrat e tyre dhe të lënë të braktisur e në mjerim. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në njëfarë mënyre do t’i kompensojnë viktimat e bombardimeve të NATO-s. Në krye të popullit të tij, si Sadam Huseini në Irak, Sllobodan Millosheviqi, më i fortë dhe më i pamposhtur se kurrë, do ta fillojë menjëherë rindërtimin e Jugosllavisë.

10 maj 1999

Përktheu nga spanjishtja: Orjela Stafasani. Marrë nga libri “Çështja e Kosovës”, botoi “OM”, Tiranë 2019.   Botohet me leje të botuesit