Në Kosovë u testua nëse Perëndimi ishte i gatshëm të vepronte në përputhje me vlerat që predikonte, edhe kur këto veprime binin ndesh me normat klasike të së drejtës ndërkombëtare dhe me parimin e sovranitetit territorial. Fakti që ndërhyrja ndodhi pa mandat të drejtpërdrejtë të Këshillit të Sigurimit e bën këtë moment edhe më domethënës: rendi liberal veproi jo përmes legalitetit formal, por përmes legjitimitetit moral
Një nga leximet më bindëse dhe më të thella që del nga libri i Sylë Ukshinit, “Roli i Politikës së Jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008”, edhe pse jo gjithmonë i artikuluar në mënyrë eksplicite teorike, është ideja se Kosova përfaqëson laboratorin normativ të rendit liberal evropian pas Luftës së Ftohtë. Ajo nuk ishte thjesht një krizë rajonale, por një provë strukturore për vetë parimet mbi të cilat pretendonte të ndërtohej Evropa pas vitit 1989: mbrojtja e të drejtave të njeriut, përgjegjësia ndërkombëtare dhe kufizimi i sovranitetit absolut shtetëror.
Viti 1999 shënon një moment kthese historike. Për herë të parë pas vitit 1945, në zemër të Evropës, sovraniteti shtetëror u limitua përballë mbrojtjes së të drejtave të njeriut të një popullsie të pambrojtur. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë nuk u justifikua nga interesa territoriale, burime natyrore apo kalkulime klasike gjeopolitike, por nga një argument i ri normativ: se ekzistojnë rrethana kur mosndërhyrja është më e dëmshme se ndërhyrja, dhe kur neutraliteti përbën bashkëfajësi morale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë këtë kuptim, Kosova nuk ishte thjesht përfituesja pasive e një rendi liberal në zgjerim; ajo ishte prova e saj më radikale dhe më e rrezikshme. Në Kosovë u testua nëse Perëndimi ishte i gatshëm të vepronte në përputhje me vlerat që predikonte, edhe kur këto veprime binin ndesh me normat klasike të së drejtës ndërkombëtare dhe me parimin e sovranitetit territorial. Fakti që ndërhyrja ndodhi pa mandat të drejtpërdrejtë të Këshillit të Sigurimit e bën këtë moment edhe më domethënës: rendi liberal veproi jo përmes legalitetit formal, por përmes legjitimitetit moral. Në këtë kuptim, Ukshini evidenton se rasti i Kosovës u bë katalizator jo vetëm për zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare, por edhe për transformimin e politikës ës jashtme të Gjermanisë.
Në analizën e Ukshinit, Gjermania del si një nga arkitektet më të rëndësishme të këtij momenti. Jo si lidere më e zëshme apo më e ashpër, rol që i atribuohet SHBA-së, por si aktore që i dha ndërhyrjes legjitimitet normativ dhe institucional evropian. Gjermania e vendosi Kosovën në një kornizë më të gjerë: si test për Evropën, jo si konflikt lokal ballkanik. Pikërisht kjo e bëri ndërhyrjen të përthithshme politikisht për opinionin evropian dhe të qëndrueshme në kohë.
Ky interpretim e zhvendos Kosovën nga periferia e historisë evropiane në qendër të saj. Kosova bëhet vendi ku rendi liberal evropian u artikulua më qartë, por edhe më brishtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo mbetet deri sot një pikë reference – qoftë për t’u mbrojtur, qoftë për t’u relativizuar, në debatet mbi ndërhyrjen humanitare dhe përgjegjësinë ndërkombëtare.
Rambouillet, UNMIK-u dhe arkitektura e shtetformimit
Në vazhdën e këtij momenti normativ, Ukshini i kushton vëmendje të veçantë rolit gjerman në Rambouillet dhe në ndërtimin e rendit pasluftës në Kosovë. Kundër narrativës së zakonshme që e sheh Gjermaninë si aktor dytësor krahas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, libri argumenton se Berlini ishte një nga inxhinierët institucionalë të procesit, duke shfrytëzuar me mjeshtëri mekanizmat shumëpalësh në dispozicion.
Rambouillet nuk paraqitet thjesht si dështim diplomatik apo si ultimatum i imponuar, por si hap themelor drejt ndërkombëtarizimit të statusit të Kosovës. Përmes rolit të saj në BE, në Grupin e Kontaktit dhe në koordinimin me SHBA-në, Gjermania kontribuoi në ndërtimin e një kornize ku Kosova nuk shihej më si çështje e brendshme e Jugosllavisë, por si problem i sigurisë evropiane. Edhe pse marrëveshja nuk u nënshkrua Nga pala serbe, Rambouillet e zhvendosi përfundimisht Kosovën nga sfera e sovranitetit jugosllav në atë të administrimit ndërkombëtar.
Pas luftës, ky proces u institucionalizua përmes UNMIK-ut. Ukshini e interpreton administrimin ndërkombëtar jo si zgjidhje teknike të përkohshme, por si fazë tranzitore e shtetformimit. UNMIK-u, me gjithë kontradiktat dhe kufizimet e tij, shërbeu si mekanizëm i shkëputjes graduale të Kosovës nga Serbia: juridikisht, administrativisht dhe simbolikisht. Gjermania, përmes rolit të saj në strukturat e OKB-së dhe BE-së, ishte një nga garantueset kryesore të kësaj arkitekture. Për më tepër, Ukshini e ndërlidh gjenezën e krijimit të UNMIK-ut në mënyrë të drejtpërdrejtë me planin gjerman të paqes, të njohur si Plani Fischer (prill 1999), i cili në praktikë u shndërrua në një lloj p (exit strategy) gjatë periudhës së sulmeve ajrore të NATO-s. Ky plan shërbeu gjithashtu si mekanizëm për rikthimin e Kombeve të Bashkuara dhe të Rusisë në procesin paqësor ndërkombëtar për Kosovën, duke propozuar që administrimi i Kosovës pas luftës t’i besohej një misioni paqeruajtës të udhëhequr nga OKB-ja, të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit dhe të mbështetur nga forcat paqeruajtëse të NATO-s (KFOR).
Po ashtu, Ukshini e sheh procesin pasluftës jo si periudhë të administrimit të pafund, por si fazë të konsolidimit të një realiteti të ri politik, ku shtetësia e Kosovës u ndërtua përmes ndërveprimit midis aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve vendore. Gjermania nuk ishte thjesht një mbështetëse e këtij procesi; ajo ishte një nga arkitektet e tij kryesore.
Njohja e pavarësisë: kulmim, jo improvizim
Njohja gjermane e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 trajtohet nga Sylë Ukshini jo si një akt i menjëhershëm politik apo si reagim mekanik ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë, por si kulmim logjik i një procesi të gjatë diplomatik, normativ dhe juridik që kishte filluar shumë më herët. Në këtë lexim, njohja nuk ishte moment i shkëputur nga historia, por pika ku u takuan pesëmbëdhjetë vite reflektimi strategjik, angazhimi ndërkombëtar dhe përgjegjësie morale.
Ukshini e dokumenton me kujdes se si elita politike gjermane ishte thellësisht e ndarë përpara vitit 2008. Hezitimi nuk buronte nga mungesa e simpatisë ndaj Kosovës, por nga ndërgjegjësimi i plotë për pasojat e njohjes: rreziku i përçarjeve brenda Bashkimit Evropian, tensionet me Rusinë, implikimet për rendin ndërkombëtar dhe frika nga precedenti. Pikërisht këtu shfaqet pesha e analizës së tij: Gjermania nuk veproi si aktor impulsiv, por si shtet që kërkonte të pajtonte parimet me stabilitetin.
Debatet në Bundestag, të cilat në këtë libër janë analizuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, argumentet e Ministrisë së Jashtme dhe konsultimet intensive me partnerët transatlantikë dhe evropianë tregojnë një politikë të jashtme që lëvizte ngadalë, por me koherencë të brendshme. Njohja e Kosovës u kuptua nga Berlini si “opsioni i fundit i përgjegjshëm”, jo si zgjedhja ideale, por si alternativa më pak destabilizuese në një situatë ku status quo-ja ishte bërë e paqëndrueshme. Në këtë kuptim, njohja ishte akt racional i një rendi që kërkonte të mbyllte një krizë të gjatë evropiane, jo ta zgjaste atë pafundësisht.
Teza e “rastit sui generis”, të cilën Ukshini e trajton me kujdes analitik, nuk paraqitet si manovër retorike për të shmangur debatin juridik, por si instrument politik për të ruajtur ekuilibrin midis tri parimeve konkurruese: të drejtës së vetëvendosjes, stabilitetit rajonal dhe integritetit të rendit ndërkombëtar. Për Gjermaninë, ishte thelbësore që pavarësia e Kosovës të mos lexohej si model i eksportueshëm, por si përgjigje e veçantë ndaj një historie po aq të veçantë dhune, administrimi ndërkombëtar dhe shpërbërjeje shtetërore.
Në këtë prizëm, Gjermania del jo thjesht si një nga shtetet që e njohën Kosovën, por si garantuese juridike dhe diplomatike e shtetësisë së saj. Angazhimi i saj nuk përfundoi me njohjen formale: Berlini luajti rol kyç në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar, veçanërisht në përgatitjen e terrenit politik dhe juridik për procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky rol e vendos Gjermaninë në një pozitë të veçantë: jo si sponsore simbolike, por si arkitekte e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Në këtë mënyrë, Ukshini e sheh vitin 2008 jo si fund të historisë, por si moment të mbylljes së fazës së parë të shtetformimit kosovar, ku njohja ndërkombëtare ishte rezultat i një marrëdhënie të ndërtuar me durim midis Kosovës dhe një prej fuqive kryesore evropiane.
Një libër për të kaluarën dhe për të ardhmen
Studimi “Roli i Politikës së Jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008” është më shumë se një studim historik i politikë së jashtme gjermane ndaj Kosovës. Ai është një libër mbi dinamikën e brendshme të vendimmarrjes ndërkombëtare, mbi mënyrën se si vlerat, frika, normat dhe interesat ndërthuren në momente krize dhe mbi faktin se shtetet nuk veprojnë vetëm mbi bazën e fuqisë, por edhe mbi bazën e kujtesës, identitetit dhe përgjegjësisë morale.
Në një kohë kur rendi liberal ndërkombëtar ndodhet në krizë, kur parimet e ndërhyrjes humanitare po relativizohen dhe kur vetë Kosova shpesh trajtohet si hapësirë nën tension, libri i Ukshinit shërben si një kujtesë kritike: se shtetësia e Kosovës ishte produkt i një momenti historik në të cilin Perëndimi vendosi të veprojë në emër të vlerave dhe jo thjesht të interesave, dhe kur orientimi i elitës politike dhe ushtarake të Kosovës ndoqi caqet e duhura strategjike. Dhe se Gjermania, më shumë se çdo shtet tjetër evropian, e lidhi fatin e saj normativ me fatin e Kosovës.
Kjo është arsyeja pse Gjermania mbetet aleati më i qëndrueshëm i Kosovës: jo për shkak të rastësisë gjeopolitike, por sepse Kosova ishte pjesë e transformimit të vetë Gjermanisë, nga një fuqi e vetëpërmbajtur historikisht në një aktor që pranon përgjegjësi përtej kufijve të saj. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Gjermanisë nuk është vetëm strategjike; ajo është thellësisht historike dhe normative.
Në fund, ky libër nuk fton vetëm të kujtojmë historinë. Ai na fton ta lexojmë atë si obligim: të kuptojmë se shtetësia e Kosovës nuk ishte një zhvillim rastësor, por ishte e ndërtuar përmes vendimeve të vështira, kompromisit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së vazhdueshme të kuptimit të saj.
Ta mbrosh Kosovën sot do të thotë, para së gjithash, të mbrosh historinë e saj si një projekt emancipues evropian, në të cilin Gjermania – si një nga aktorët më të rëndësishëm evropianë dhe të aleancës ushtarake transatlantike – ka luajtur një rol vendimtar. Nga ky rol varej jo vetëm e ardhmja evropiane e Kosovës, por edhe vetë kredibiliteti dhe e ardhmja normative e aleancës. Në këtë kuptim, ky studim është i domosdoshëm për këdo që dëshiron të kuptojë jo vetëm politikën gjermane ndaj Kosovës, por edhe transformimin e çështjes së Kosovës nga një problem periferik rajonal në një çështje qendrore të politikës ndërkombëtare.
Lexo edhe: