Janë të madhësisë dhe të formave të ndryshme. Mbajnë detaje në to, qëllimi i të cilave është bartja e copëzave të historisë dhe kulturës.
Një dhuratë e tillë shumë shpesh niset nga Kosova drejt vendeve të ndryshme, që s’e kanë parë, e ndonjëherë edhe dëgjuar. Pavarësisht largësisë, janë pikërisht suveniret ato që gjenden kudo, si një art, autori i të cilës është krejtësisht i panjohur, por i vlerësuar.
Është gjithçka që simbolizon tiparet e një vendi, e që mund të shndërrohet lehtë në një dhuratë, e cila shoqëruar me dy a tri përshkrime arrin të mbajë kujtime dhe histori.
Të detajuara me shumë finesë, e shpesh të realizuara me materiale të thjeshta, por me kuptim, suveniret konkretizojnë elementet e shtetësisë së Kosovës, të historisë e kulturës së këtij vendi.
Pesëmbëdhjetë ditëlindjet e Kosovës kanë ndikuar që edhe imazhet e saj në suvenire të marrin më shumë kuptim, përderisa simbolikat u krijuan edhe para ditëlindjes së saj të parë. Nisin me portrete luftëtarësh, e vazhdojnë me mineralet me vlerë.
Edhe
Kultura e Kosovës në suvenire
Kështu këto personazhe e vepra artistike, përderisa në vendin tonë reflektojnë historinë dhe simbolikën, në vendet e huaja e flasin atë.
Rëndësinë që ato mbajnë në një copë materiali nisur nga madhësitë më të vogla, e thekson edhe Luljeta Sopaj-Fondaj nga “Souvenir Shop Avenue”.
“Janë simbole të Kosovës dhe të gjitha janë të prodhuara në Kosovë, një pjesë në Shqipëri. Është një kulturë që nga Kosova përcillet në vendet e tjera prej vizitorëve. Një kulturë që po mendoj se është e mjaftueshme. Qoftë nga heronjtë, qoftë nga simbolet si Hyjnesha ose gurët e Trepçës. Është shumë e rëndësishme me i pasë ato në dyqan. Është shumë e rëndësishme të kemi edhe shumë më tepër se këto, si për vendin, si për ata që vijnë të na vizitojnë që të kenë një kujtim të bukur nga Kosova”, ka thënë Sopaj Fondaj.
Bagazhi historik e kulturor i vendit, përthekuar në suvenire të detajuara, janë ato që turistët i marrin me vete, pos kujtimeve a fotografive nga vizita.
Në “Avenue Shop” janë të huajt ata që kërkojnë më së shumti suvenire të tilla.
“Turistët i kemi vizitorët më të shpeshtë të dyqanit tonë. Ata janë të koncentruar te magnetet, kartolinat, mandej edhe te hyjnesha, simboli i Prishtinës, New Borni, hartat me gurë të kristaltë të Trepçës që janë shumë mbresëlënës për turistët”, ka thënë kështu Luljeta, duke qenë për disa vjet me radhë ajo që i ofron ato për turistët.
Bashkë me stafin me të cilin punon janë siguruar që bashkë me këto simbole, për turistët të japin edhe informacione. Paketimet dhe kartolinat, në të cilat shkruhet detaje për monumente të ndryshme historike dhe për shtetin e Kosovës, janë mënyra me anë të cilës ata përcjellin edhe trashëgiminë e vendit.
Edhe
300 mijë turistë brenda pesë muajve në Kosovë, shumë prej tyre të keqinformuar nga vendet fqinje
“Hyjnesha, meqenëse është simboli i Prishtinës, është më e kërkuara. Hyjneshën e marrin qoftë si kartolinë, qoftë si magnet, qoftë në formë skulpture dhe mund të them që është më e kërkuara nga vizitorët. Zakonisht e bashkëngjisin me një kartolinë përshkruese apo kutia i ka përshkrimet në mënyrë që ata ta dinë saktë se çka është hyjnesha”, ka thënë Sopaj-Fondaj.
Se punimet e tilla artizanale janë shumë të rëndësishme për të qenë të shpeshta në dyqanet e ndryshme të vendit e thotë edhe artistja Granita Grezda-Lila. Ajo me punën e saj, në veçanti atë me qeramikë, inkuadron shpesh motivet tradicionale. Bashkë me copëzat e qeramikës që i dizajnon, ajo arrin të dërgojë Kosovën dhe traditën e saj kudo nëpër botë.
“Trashëgimia e një vendi ruhet dhe vlerësohet nëpërmjet punëve dhe objekteve artizanale, andaj është shumë e rëndësishme qe këto vlera dhe tradita të përcillen nëpër breza, por edhe të promovohen jashtë vendit. Interesimi i turistëve të huaj po rritet dita-ditës dhe arsyeja e vetme është dëshira për të pasur diçka punëdore autentike të vendit”, ka thënë Granita.
Çmimet variojnë varësisht prej suvenirit. Se pëlqehen shumë, e dëshmojnë hyrje-daljet e shpeshta nga turistët në dyqanet e tilla, e këtë e thonë edhe dy turistët nga Franca.
“I blemë disa suvenire si dhuratë për nënën time, për motrën time. Patjetër që është e rëndësishme të dërgosh suvenire. Është hera ime e parë në Kosovë dhe dua që me familjen time ta ndaj udhëtimin në Kosovë me anë të këtyre suvenireve”, ka thënë Nadir Iaamri.
Teksa bëjnë përzgjedhjen e suvenireve me të cilat shenjat e Kosovës do t’i çojnë në vendin e tyre, patën edhe një urim për 15-vjetorin e Pavarësisë.
Edhe
“Kosova: Udhëpërshkrim i shkurtër” për identitet e vlera universale
“Ju uroj paqe dhe dashuri. Njerëzit janë shumë të mirë. Kur ju thosha në Francë se do të vij në Kosovë më pyesnin pse. Pse jo! Mendoj se të gjithë njerëzit nga mbarë bota duhet të vijnë në Kosovë për arsye se njerëzit janë shumë të mirë”, ka thënë ai.
{gallery}