Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kosova në Konferencën shkencore të Sorbonës mbi kampet dhe gjenocidet

Në mitologjinë politike të Serbisë, Kosova del njëherësh si “djep dhe varrezë“, kurse nataliteti i shqiptarëve shikohej si një “shumëzim tmerrues“, si një “metastazë në trupin e shëndoshë të popullit serb“, si një “ndotje e pastërtisë së saj“

Në mitologjinë politike të Serbisë, Kosova del njëherësh si “djep dhe varrezë“, kurse nataliteti i shqiptarëve shikohej si një “shumëzim tmerrues“, si një “metastazë në trupin e shëndoshë të popullit serb“, si një “ndotje e pastërtisë së saj“

Kanë qenë 35 profesorë dhe hulumtues të shquar nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së të cilët u bashkuan në Sorbonë në konferencën shkencore mbi kampet dhe gjenocidet. Catherine Coquio me bashkëpunëtorë do të themelonte, “Shoqatën ndërkombëtare të kërkimeve mbi krimet kundër njerëzimit dhe gjenocideve“. Në vitin 1999 kumtesat e kësaj konference u botuan në librin voluminoz me titull “Parler des camps, penser les génocides” (Të flasësh për kampet, të mendosh gjenocidet) e artikulli im titullohej “Spastrimi etnik dhe gjenocidi në ish-Jugosllavi”

Konferenca shkencore mbi kampet dhe gjenocidet në Sorbonë u organizua nga profesoresha Catherine Coquio, e cila ligjëronte letërsinë krahasimtare në Universitetin Sorbona IV në Paris dhe Irving Wolfarth, profesor i letërsisë gjermane në Universitetin e Reimsit. Një rrjet i profesorëve të shquar evropianë e amerikanë zhvilluan kërkime shkencore të thelluara, gjatë viteve ‘90 në Francë, rreth tri temave kryesore: “Letërsia dhe dituritë në sprovë të kampeve”, pastaj “Demokracitë, gjenocidet dhe krimet kundër njerëzimit” dhe së treti “Shfarosja dhe politika”. Në vitin 1997, C. Coquio, me bashkëpunëtorët e vet themeloi “Shoqatën ndërkombëtare të kërkimeve mbi krimet kundër njerëzimit dhe gjenocideve“ – (AIRCRIGE).

Në këtë konferencë treditore folën 35 profesorë dhe hulumtues të shquar nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe SHBA-së (Yves Ternon, Omer Bartov nga Universiteti Rutgers në SHBA, Jean Bollack, profesor në Universitetin e Lilleit, Claudine Kahan, profesoreshë e letërsisë krahasuese në Universitetin Yal (SHBA), (nobelist 1997) shkrimtari i madh, Imre Kertesz, (në moshën 15 -vjeçare e mbyllën në kampin Auschwitzit, e pastaj në Buchenwald), Georges Molinié, profesor i gjuhësisë franceze (PIV, Sorbona), Claude Mouchard, profesor i letërsisë në Parisi 8, Tzvetan Todorov, hulumtues në CNRS, veç të tjerave, autor i librit “Përballë ekstremes”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në vitin 1999 kumtesat e kësaj konference u botuan në librin voluminoz me titull “Parler des camps, penser les génocides” (Të flasësh për kampet, të mendosh gjenocidet) (fq.1-669) nga shtëpia botuese prestigjioze “Albin Michel“ në Paris. Libri ndahet në dy kaptina. E para trajton temën e kampeve dhe gjenocideve dje dhe sot, koncepcionet mbi Perëndimin dhe dyfishet e tij, çështjet e universalizmit, kolonizimit dhe dekolonizimit e shfarosjes.

Interpretimet e gjenocideve

Në kaptinën e parë Georges Benssoussan shkruan “Për një lexim politik të Shoah-së “, Alain Brossat për “Masakrat dhe gjenocidet: kushtet e rrëfimit”, Enzo Traverso për “Mëvetësinë e Auschwitzit”; Denise Mendez lidhur me “Traditën perëndimore të universalizmit dhe diskriminimet raciale”; Sadek Sellam, për kolonializmin te kolonelët dhe kampet dhe shfarosjet në Algjeri; Monique Gendreau për kolonializmin dhe të drejtën ndërkombëtare; Daniel Binswanger, çështjen e historisë në poezinë e Paul Celan, ndërkaq François Turner për kodin poetik të shfarosjes; Claudine Kahan për turpin e dëshmitarit; Myriam Revaut d’Allones për sprovën e kampeve dhe imagjinatën e të ngjashmes; Claude Mouchard, për lidhjen si jolidhje në romanin “Kadiddish“ të Kerteszit; Catherinie Coquio, për të folurit në kamp dhe të folurit për kampet e të tjerë.

Artikulli im, i botuar në kaptinën e parë, ka për titull: “Spastrimi etnik dhe gjenocidi në ish-Jugosllavi”, (f. 264-288).

Në nëntitull i kam dhënë dy citate. Njëri është nxjerrë nga “Memorandumi“ i Vasa Çubrilloviqit mbi “Dëbimin e shqiptarëve”, 1937: “Kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe kur Rusia zhvendos miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrin, dëbimi i disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do shkaktojë shpërthimin e një lufte botërore“. Citati i dytë është marrë nga një dokument i Kishës Ortodokse Serbe me titull “Letër e hapur armiqve të Serbisë së përgjakur e të martirizuar”, 1989: “Do të bëjmë gjithë atë që është e mundur për të çrrënjosur fiset e tyre dhe trashëgimtarët e tyre, në mënyrë që historia t’i mos i përmendë kurrë më“.

Në pjesën e parë, me titull “Kriza e Jugosllavisë dhe çështja e Kosovës“ kam zhvilluar pikëpamjen se fillimi i mbarimit të Jugosllavisë do të niset dhe do të përfundojë në Kosovë. Nisja, në vitin 1981 në Kosovë, me demonstratat dhe pakënaqësisë së shqiptarëve, me të cilat hapet kriza e cila do të shpijë te shpartallimi i Jugosllavisë.

Riaktivizimi i mitit të Betejës së Kosovës (1389), si nxitje për hakmarrje dhe “ripushtimin e Kosovës “, në “pastërtinë“ e saj që implikonte, në mënyrë gjithnjë e më eksplicite, në ligjërime politike jo vetëm të qeveritarëve, por edhe të elitave intelektuale e kishtare të Serbisë, zuri vend edhe miti mbi “infiltrimin” e shqiptarëve nga Shqipëria në Kosovë, në saje të një “marrëveshjeje sekrete“ midis Titos dhe Enver Hoxhës.

“Besëlidhja“ (“zavet“) tradicionale e Kosovës, e kultivuar nga elitat nacionaliste e kishtare, përmbante kërkesën për një luftë të re për shtetin serb, siç e përsëritnin elitat intelektuale dhe artistët e Serbisë, krahas politikanëve. Dobrica Qosiqi shpesh e përsëriste në shkrimet dhe fjalimet e veta tezën se “serbët kanë humbur në paqe atë që e kanë fituar me luftë“. Ky riinterpretim i mitit mbi një betejë të humbur e paraqet Kosovën me një figurë që ka dy anë: një “varrezë mbi tokë“ dhe një “perandori qiellore“ si “varrezë e të gjitha viktimave serbe gjatë historisë“. Ndërkaq, Matija Beçkoviq, poet dhe akademik i njohur i Beogradit shkruante: “Varreza është shenjtëria më e madhe dhe kisha më e moçme e popullit serb. Varreza është besimi ynë më i gjatë dhe më i vendosur“.

Mitologjia politike mbi Kosovën

Theksova se në këtë mitologji politike, Kosova del njëherësh si “djep dhe varrezë“, kurse nataliteti i shqiptarëve shikohej si një “shumëzim tmerrues“, si një “metastazë në trupin e shëndoshë të popullit serb“, si një “ndotje e pastërtisë së saj“. Kam cekur se në mediat e Beogradit shfaqeshin si përfytyrime obsesive “kolonat e gjata të nxënësve“ shqiptarë që shkojnë në shkolla, si imazhe që përmbajnë rrezikun për popullin serb. Që nga viti 1981 Universiteti i Prishtinës paraqitej si një “kështjellë armiqësore“ (“neprijatelska tvrdjava“) edhe për shkak të protestave politike e sociale të studentëve shqiptarë.

Kam analizuar, në këtë kontekst, manifestimin e madh të vitit 1989 të lëvizjes nacionaliste serbe për shënimin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Mizanskena karakteristike e kësaj ceremonie, endja e eshtrave të princit Lazar “nëpër tokat serbe“, në Kroaci dhe Bosnjë e së fundi në Kosovë. Zhvillohej një instrumentalizim i mbetjeve mortore nga një e kaluar e largët për të nxitur urrejtje kundrejt atyre që nuk janë serbë (kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve). Nxjerrja nga varrezat e mbetjeve mortore të serbëve nga Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore, si dhe shpalosja e tyre në livadhe, sajonin skenat politiko-religjioze, të shoqëruara me diskurset mbi vuajtjet e serbëve, stigmatizonin shprehimisht kroatët, boshnjakët e shqiptarët si armiq të përbetuar. Kortezhi me eshtrat e të vdekurve nga luftërat e shkuara, ishte i shoqëruar edhe me letrën që u drejtohej “armiqve të Serbisë së përgjakur dhe të martirizuar“ me kërcënime të hapura.

Disa shoqata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si “aparteid“ dëbimin masiv të shqiptarëve nga institucionet e Kosovës, e disa të tjera (si Konfederata ndërkombëtare e sindikatave të lira në raportin e saj me titull “Largimet nga puna dhe spastrimi etnik“ (Bruksel, 1993) kanë vënë në pah se aty është fjala për spastrim etnik të institucioneve nga shqiptarët.

Përballë këtij represioni të shumëfishtë shqiptarët kanë organizuar disa forma të rezistencës me parti politike, me sindikata, me shoqata humanitare. Ata ndërtuan një sistem paralel në fushën e arsimit, në fushën e shëndetësisë, informimit dhe kulturës. Në maj të vitit 1992 u organizuan zgjedhjet legjislative dhe presidenciale. Ibrahim Rugova u zgjodh president. Aktiviteti i këtyre institucioneve kishte rëndësi para bashkësisë ndërkombëtare për të dëshmuar organizimin politik, por edhe për organizmin e sistemit paralel në arsim e shëndetësi. Në disa nga konferencat kushtuar Kosovës, në të cilat kam marrë pjesë, është folur me respekt për organizimin e këtij sistemi paralel si dëshmi e aftësive shtetformuese të shqiptarëve; këto fakte janë përmendur në vitet 2000-2008 si argumente të favorshme kur u shtrua çështja e statusit të Kosovës.

Kundër atyre që pohonin se shqiptarët e Kosovës nuk kanë përvojë e aftësi për shtetformim dhe për funksionim brenda institucioneve shtetërore, kam zhvilluar dy tipa të argumenteve: njëri ka të bëjë me përvojën politike që arritën strukturat politike të Kosovës në institucionet e Kosovës, që nga themelimi i Jugosllavisë së Dytë, kur Kosova do të ketë statusin së pari të një krahine autonome brenda kësaj Federate dhe me vonë të një njësie federale me Parlament, Ligj Kushtetues dhe përfaqësim me deputetë në dhomat e Kuvendit federativ, me një delegacion që kishte të drejtën e vetos lidhur me ligjet themelore. Zaten, Hobbesi thekson se sovraniteti ka të bëjë me atributin e nxjerrjes së ligjeve: kjo do të thotë se institucionet e Kosovës merrnin pjesë në sovranitetin e Jugosllavisë. Ky status juridiko-kushtetues i Kosovës ka pasur peshë në nivelin e jetës politiko-kushtetuese të Federatës dhe peshën e votës dhe këmbimin e votave në realizimin e interesave politike e ekonomike. Kësisoj Kosova, bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë, e ndonjëherë edhe me vota të Bosnjës arrinin t’i bllokojnë disa iniciativa të Serbisë kur u përgjigjeshin interesave të tyre.

Në raportin e vet të 10 shkurtit 1993 (f.156), Tadeusz Mazowiecki thotë se në Kosovë “një numër i caktuar i ligjeve diskriminuese inkurajojnë një politikë që i përket aparteidit, etnocidit, madje edhe të gjenocidit (f. 158): fjala vjen disa masa që synojnë të pengojnë lindjet te shqiptarët.

Në vazhdim të artikullit kam trajtuar proceset politike të tensionuara midis Sllovenisë e Kroacisë, në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër me titullin “Negociatat, përgatitjet për luftë dhe planet e spastrimit etnik“.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake më 1990 dhe referendumet mbi pavarësinë e Sllovenisë, në nëntor të vitit 1990 dhe të Kroacisë në maj të vitit 1991, negociatat që u hapën lidhur me strukturën e re të Jugosllavisë, midis udhëheqësive të gjashtë republikave në muajt maj dhe qershor 1991 do të pësojnë disfatë.

Njëri nga personazhet politike të opozitës në Serbi, Vuk Drashkoviq, në një miting në Beograd, para shpërthimit të luftërave pat deklaruar: “Edhe po të bëjmë luftë, pas luftës do të jemi të detyruar të negociojmë mes veti; pra, më mirë ta bëjmë tani një marrëveshje”.

Drashkoviq e kishte fjalën për njësitë e Federatës. Mirëpo, ky reagim lucid nuk gjeti përkrahës, por vrulli i lëvizjeve populliste-nacionaliste, në radhë të parë, ai i Serbisë që kishte marrë hov, nuk kishte më gjasa të ndalet me vrojtime lucide ndonëse vetë Drashkoviqi gjatë disa vjetëve, me fjalime të zjarrta nacionaliste, i kishte kontribuuar kësaj rrjedhe të ngjarjeve. Me një rast, ai u ishte drejtuar kosovarëve të rinj që protestonin me dy gishta të ngritur (shenja e fitores) kundër represionit, se do t’ua këpusin gishtat.

Asokohe Serbia dhe Mali i Zi, përkatësisht elitat e tyre politike kërkonin një model të Federatës centraliste, e cila duhej të siguronte hegjemoninë e Serbisë. Ndërkaq kryetari i Maqedonisë Gligorov, si dhe ai i Bosnjës Izetbegoviq, propozuan një Federatë “asimetrike “.

Në gusht të vitit 1990, serbët e Krajinës organizuan një referendum në të cilin ata shprehën vullnetin të mbesin “në Jugosllavi“, që nënkuptonte një Federatë të dominuar nga serbët.

Kjo situatë krijoi një konflikt midis parimit të sovranitetit të republikave dhe parimit të sovranitetit të popujve. Sllovenia dhe Kroacia e kishin adoptuar parimin e parë, kurse regjimi i Millosheviqit parimin e dytë sipas mënyrës që i konvenonte: parimi i sovranitetit të popujve vlen vetëm për serbët dhe “gjithkund aty ku ata janë“. Kësisoj, ai konsiderohej i vlefshëm për serbët në Kroaci, ku përbëjnë 11 për qind të popullsisë, por jo për shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 90 për qind të popullsisë në Kosovë, e cila kishte statusin e një njësie federale, ani pse nuk e kishte titullin e republikës. Ndërkaq, parimi i sovranitetit të popujve duhej të legjitimonte të drejtën e serbëve, në saje të strukturave të përkohshme të “S.A.O-ve“ (krahina autonome serbe në Kroaci dhe Bosnjë), me krijimin e njësive paramilitare, me armatosjen e popullsisë serbe dhe me ndërhyrjen e ushtrisë së Serbisë.

Nga konferenca për librat e akademik Muhamedin Kullashit të botuar në gjuhë të huaja në botën e jashtme, e cila u mbajt më 24 mars në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në foto: Të rinjtë shqiptarë përballen me milicinë, Prishtinë 26 mars 1989 (Foto: Associated Press)