Shtojca për Kulturë

Kadare, Konferenca e Rambouillet dhe një letër në Kështjellë

Angazhimi politik dhe ndërkombëtar i Kadaresë për Kosovën ishte madhështor dhe emancipues, jo vetëm për publikun shqiptar, por në radhë të parë, edhe për publikun ndërkombëtar. Në foto: Ismail Kadare në apartamentin e tij në Paris, tetor i vitit 2008

Angazhimi politik dhe ndërkombëtar i Kadaresë për Kosovën ishte madhështor dhe emancipues, jo vetëm për publikun shqiptar, por në radhë të parë, edhe për publikun ndërkombëtar. Në foto: Ismail Kadare në apartamentin e tij në Paris, tetor i vitit 2008

I shqetësuar për rrjedhën e Konferencës dhe mundësinë e refuzimit të marrëveshjes nga delegacioni i Kosovës, shkrimtari Ismail Kadare vendosi të përfshihej në rrjedhën e Konferencës, duke i dërguar një letër të rëndësishme, emotive, madje edhe qortuese delegacionit të Kosovës në Kështjellën e Rombouillet. Në anën tjetër, situata në terren ishte dramatike, fushata serbe e spastrimit etnik po vazhdonte pa ndërprerë. Ai nuk e kishte hallin as etjen për lavdi, por dëshironte që Kosova të mos mbetej në mëshirën e fatit. Kadareja e hartoi letrën pas një nate pa gjumë, midis orës dy dhe katër të mëngjesit të datës 22 shkurt 1999, duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë historike të atij çasti dhe për momentin delikat në të cilën ndodhej populli shqiptar i Kosovës

Para 25 vjetësh, më 6 shkurt të vitit 1999 nisi punimet Konferenca e Rambouillet, e cila u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi një zgjidhje politike për krizën e Kosovë. Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-ja, Boris Maiorsky, nga Rusia dhe Wolfgang Petritsch nga BE-ja. Me gjithë ngurrimin për shkak të prezencës së përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Rambouillet, Beogradi vendosi të merrte pjesë në konferencë dhe të pranonte “parimet e panegociueshme” gjatë procesit të konferencës. Por, Millosheviqi nuk pranoi të merrte pjesë në Rambouillet. Qeveria e Beogradit shpresonte se do të mund të nxirrte edhe koncesione, duke shpresuar se NATO-s do t’i mungonte vendosmëria për përdorimin e forcës ushtarake kundër caqeve ushtarake serbe. Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës dëshmonte angazhim konstruktiv gjatë rrjedhës së konferencës, por nuk ishte në pozitë të pranonte çfarëdo zgjidhjeje. Megjithatë rezultati përfundimtar i fazës së parë të Konferencës së Rambouillet ishte i paqartë. Delegacioni i Kosovës insistonte në të drejtën e referendumit të Kosovës pas përfundimit të fazës tranzitore trevjeçare, ndërsa Beogradi refuzonte aneksin ushtarak, respektivisht vendosjen e trupave të NATO-s.

Në përpjekje për ta shpëtuar procesin negociues për adresimin e statusit të Kosovës, tre ndërmjetësit e Konferencës së Rambouillet (Francë) ambasadorët, Hill, Majorki dhe Petritsch (BE), më 20 shkurt të vitit 1999 ua përcollën propozimin ministrave të Jashtëm të Grupit të Kontaktit, të cilët morën vendim për ta shtyrë konferencën deri më 23 shkurt. Gjatë kësaj kohe kur gjendja ishte e nderë, pala serbe refuzonte aneksin ushtarak të marrëveshjes, ndërsa delegacioni i Kosovës po tregohej ngurues. Sekretarja amerikane e Shtetit Medeline Albright po bënte përpjekje maksimale për ta bindur palën shqiptare që të pranonte marrëveshjen, por ajo nuk po ia dilte. Megjithatë, në një moment ajo ua përplasi troç në tryezë formulën e zgjidhjes kosovarëve: “Ose nënshkruani tani dhe atëherë Jugosllavia do të bombardohet, ose mos e pranoni dhe askush nuk do t’ju ndihmojë!”

Kur kryesuesi i konferencës, ministri i Jashtëm Joschka Fischer dhe kryendërmjetësuesi i BE-së, Wolfgang Pertritsch u sulën mbi liderin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi për të marrë miratimin e tij për çështjen kryesore, me të thuajse nuk mund të flitej më për shkak të zërit të tij tepër të lartë prej nervozizmi. Nga vendimi i tij varej vazhdimi ose fundi i jetës së krahut të fuqishëm ushtarak të UÇK-së. Thaçi u ndodh kështu para një mëdyshjeje mjaft të vështirë. Nga njëra anë, trysnia e ndërmjetësve ndërkombëtarë u rrit së tepërmi. Dhe nga ana tjetër, natyrisht ushtarake e UÇK-së nuk ishte gatshme dhe e vendosur të pranonin shpërbërjen e UÇK-së.

Situata ishte bërë e nderë. Për një çast vëmendja u drejtua thuajse tërësisht ndaj palës shqiptare të Kosovës. Gjatë natës 21-22 shkurtit ndërmjetësit e BE-së dhe të SHBA-së dhe grupet e tyre me bisedime të njëpasnjëshme me palën kosovare dhe serbe u përpoqën ta arrinin miratimin e tyre për tekstin e marrëveshjes politike. Por qëndrimi i ngurtë i kosovarëve për çështjen e referendumit nuk ndryshoi. Gjithnjë e më tepër bëhej e qartë se arsyeja e vërtetë e intransigjentes kosovare ishte shkrirja e UÇK-së, e parashikuar në marrëveshjes e Rambouillet. Siç shkruajnë Wolfgang Petrisch, Karl Kaser dhe Robert Pichler në librin e tyre “Kosova - Mythen, Daten, Fakten”, ato ditë kishte ndodhur një zhvillim i papritur brenda UÇK-së, e cila me nismën e përfaqësuesit politik Adem Demaçi, kishte emëruar Sylejman Sylejmanin, komandant të UÇK-së. Si rrjedhojë, Demaçi deklaroi se UÇK-ja nuk ndihej më e përfaqësuar nga personat që zhvillonin bisedimet në Rambouillet. Brenda kështjellës së Rambouilletit ishte krijuar një situatë tensionuese, si në radhët e delegacionit të Kosovës ashtu në mesin e ndërmjetësve ndërkombëtarë, të cilët nuk kishin lënë gur pa lëvizur me qëllim që ta shpëtimin nga dështimi Konferencën e Rambouillet.

Në nëntë e gjysmë marr në telefon ambasadorin e Shqipërisë, Luan Ramën. Ai niset menjëherë në shtëpinë time për të marrë letrën. Ndërsa ambasadori është në rrugë, për çudi, më merr në telefon Rexhep Qosja. Ia them ç‘mendoj me një ton që duhet të jetë nervoz. I them gjithashtu se pas dhjetë minutash po i nis një letër delegacionit. Në foto: Ismail Kadare në apartamentin e tij në Paris, tetor i vitit 2008

Në këtë rrethanë, kishte mbetur shumë pak hapësirë dhe kohë njëkohësisht për arritjen e një kompromisi. Refuzimi i marrëveshjes nga pala kosovare do ta shpëtonte edhe regjimin e Millosheviqit nga ndëshkimi ushtarak i NATO-s. Ose çfarë do të ndodhte nëse ai në momentin e fundit do ta lëshonte. 

Në këto çaste kaq kritike, shkrimtari me nam botërore Ismail Kadare, i cili asokohe jetonte në Paris dhe që gëzonte respektin e madh të shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të rrinte duarkryq, ai vendosi të përfshihej nga distanca në Konferencën e Rambouillet, e cila paraqiste shkallën më të lartë të ndërkombëtarizimit të kauzës së Kosovës.

I shqetësuar për rrjedhën e Konferencën dhe mundësinë e refuzimit të marrëveshjes nga delegacioni i Kosovës, shkrimtari Ismail Kadare vendosi të përfshihej në rrjedhën e Konferencës, duke i dërguar një letër të rëndësishme, emotive, madje edhe qortuese delegacionit të Kosovës në Kështjellën e Rombouillet. Në anën tjetër, situata në terren ishte dramatike, fushata serbe e spastrimit etnik po vazhdonte pa ndërprerë. Ai nuk e kishte hallin as etjen për lavdi, por dëshironte që Kosova të mos mbetej në mëshirën e fatit. Ishte koha që të veprohej për ta shpëtuar Konferencën e Rambouillet në Francë, duke i lutur që ta pranonin Marrëveshjen e Ismail Kadare, duke qenë një shkrimtar i angazhuar për Kosovën, ishte i brengosur për lajmet që vinin nga brenda kështjellë se delegacioni i Kosovës mund të refuzonte marrëveshjen. Në anën tjetër, situata në terren ishte dramatike, fushata serbe e spastrimit etnik po vazhdonte pa ndërprerë. Ai nuk e kishte hallin as etjen për lavdi, por dëshironte që Kosova të mos mbetej në mëshirën e fatit. Ishte koha që të veprohej për ta shpëtuar Konferencën e Rambouillet në Francë si zgjidhjen më e mirë për atë moment. 

“Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj” dhe çdo refuzim i marrëveshjes së Rambouillet do të ishte një ”dhuratë e madhe për Beogradin”, thoshte Kadare. Nga ana tjetër, grupet e shqiptarëve në ekzil po bënin trysni mbi delegacionin e Kosovës me kërkesat që ta refuzonin zgjidhjen politike të përkohshme të cilën e ofronte Grupi i Kontaktit.

Në këtë letër Kadare i tërhiqte vëmendjen delegacionit shqiptar të Kosovës që të mos binte në grackën serbe, e cila ndiqte strategji që t’i bënte shqiptarët bashkëfajtor, madje edhe fajtorë, me qëllim që t’i shpëtonte ndëshkimit ushtarak të Perëndimit. Ai më tej nënvizonte se me Konferencën e Rambouillet interesimi për Kosovën ishte rritur në pikën maksimale, duke tërhequr vëmendjen se ky interesim dhe ky seriozitet i qendrave ndërkombëtare të vendosjes nuk mund të përsëritej. Prandaj, ai bënte thirrje që delegacioni i Kosovës t’i thoshte “po” marrëveshjes, sepse pala serbe po priste me padurim një “jo” të shqiptarëve, që në fakt do të ishte një dhuratë e madhe për Beogradin. I preokupuar dhe mirëkuptues për hezitimin e drejtuesve të delegacionit të Kosovës, Kadare theksonte se për momentin Rambouillet ishte e vetmja e mundshme, por njëkohësisht qartësonte se një konferencë tjetër pas tre vjetësh e lë hapur portën e lirisë.  

Kadareja e hartoi letrën pas një nate pa gjumë, midis orës dy dhe katër të mëngjesit të datës 22 shkurt 1999, duke qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë historike të atij çasti dhe për momentin delikat në të cilën ndodhej populli shqiptar i Kosovës. Ishte një situatë dramatike, Kadare po mendonte se nuk kishte kohë të mjaftueshme për një takim me presidentin Chirac apo me ambasadorin Hill. Ideja e letrës i dukej si e vetmja zgjidhje. Ishte një letër që kishte për qëllim që t’i detyrojë disa të harrojnë rapsodin e katundin... ”Në nëntë të mëngjesit Elena nis të shtypë letrën në ordinator. Në nëntë e gjysmë marr në telefon ambasadorin e Shqipërisë, Luan Ramën. Ai niset menjëherë në shtëpinë time për të marrë letrën. Ndërsa ambasadori është në rrugë, për çudi, më merr në telefon Rexhep Qosja. Ia them ç‘mendoj me një ton që duhet të jetë nervoz. I them gjithashtu se pas dhjetë minutash po i nis një letër delegacionit. Shkruaj një letër shoqëruese për Rexhepin me pak a shumë po ato mendime.

Ambasadori më premton se për një orë letra do të jetë më duart e delegacionit”, shkruante Kadare në ditarin e tij. Me këtë letër, shkrimtari Ismail Kadare, duke u nisur nga rëndësia dhe momenti historik si dhe nga frika se Kosova mund të merrte tatëpjetën, vendosi të merrte përgjegjësinë mbi vete.

Në këtë letër Kadare po ashtu siguronte delegacionin e Kosovës se “si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time”.

Duke iu drejtuar me këtë letër, Kadare vinte në dukje gatishmërinë që këto qëndrime t’i mbronte publikisht dhe bashkë me të të mbronte edhe vendimin e delegacionit të Kosovës për pranimin e Marrëveshjes së Rambouillet në këtë moment delikat për popullin shqiptar të Kosovës. Dhe krejt në fund në formë alarmi, Kadare u lutej anëtarëve të delegacionit të Kosovës të “mos dëgjonin rrahagjoksët e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb. Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj”.

Sipas ambasadorin austriak, Wolfgangan Petrisch, letra e Kadaresë arriti qëllimin e dëshiruar. Qosja, i cili e lexoi tekstin e saj në mënyrë patetike përpara delegacionit kosovar, hoqi dorë nga qëndrimi i tij mospranues. Por, trysnia më e madhe vinte nga komandantët vendës të UÇK-së, të cilët nuk pranonin shpërbërjen e saj pa garanci për pavarësinë e Kosovës. Për Thaçin nuk ishte në lojë vetëm fati politik i “vendit të tij”, por edhe mbijetesa e tij fizike. Po të vendoste të nënshkruante marrëveshjen në variantin e paraqitur, mund të shndërrohej shumë lehtë në “tradhtar”. Ai e dinte se në fjalorin ushtarak një gjë e tillë do të thoshte vdekje. Nga ana tjetër, Thaçi rrezikonte të humbiste krejt simpatinë e Perëndimit. Ndërsa SHBA-ja bëri të qartë që, në rast se bisedimet dështonin për fajin e kosovarëve, ky do të ishte fundi i UÇK-së.

Në anën tjetër, thotë Petritsch, në Beograd e dinin mirë se e vetmja mundësi për t’i shpëtuar sulmit të NATO-s pa nënshkruar dokumentin, ishte përçarja e delegacionit të Kosovës.

Në këto rrethana, letra e Ismail Kadaresë, e cila ishte ide e ambasadorit Wolfgang Petrisch, plot ndjenjë i drejtohej në veçanti kolegut shkrimtar Rexhep Qosja, i cili bashkë me Thaçin, ishte kundërshtar më i ashpër i projektit të kompromisit, thuhet në mes të tjerash në librin “Kosova – Mythen, Daten, Fakten”, të Wolfgang Petrisch, Karl Kaser dhe Robert Pichler

Në këtë çast kritik dhe vendimtar, delegacioni kosovar nuk u përça falë Veton Surroit, i cili u përpoq së bashku me Hillin dhe Petritschin për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Ndërsa letra e Kadaresë pati ndikim vendimtar te përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që brenda delegacionit të arrihej një unitet historik në favor të pranimit të Marrëveshjes së Rambouillet. Si rrjedhojë, më 23 shkurt 1999 delegacioni i Kosovës njoftoi drejtuesin e Konferencës së Rambouillet se ka votuar në favor të marrëveshjes. Por, duhet thënë, gjithashtu, se Kadare edhe pas Rambouillet ishte një zë i fuqishëm në mbështetje të kauzës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi ai ishte më shumë sesa vetëm një shkrimtar, ai i njihte mirë huqet dhe prapaskenat e diplomacisë evropiane, të cilën po ashtu nuk hezitonte ta kritikonte, kur ishte për ta bërë këtë. Ai nuk hezitonte të kritikonte edhe disa mediume botërore për sajimin e krimeve të UÇK-së. 

“Ka kohë që racizmi antishqiptar ka zënë vend në Evropë, jo veç në lajme çoroditëse, por në libra, filma e në rrëfenja urbane të pafundme. Sigurisht që një pjesë e fajit bie mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese”, shkruante Kadare vetëm pak kohë pas bërjes publike të akuzave të ish-senatorit zviceran, Dick Marty. Në fakt, ai ishte ndër të parët, i cili menjëherë pas luftës, e kishte paralajmëruar se propaganda serbe, bashkë me të miqtë e tyre, që kishin nisur një fushatë për të kthyer përmbysë të vërtetën e saj çfarë kishte ndodhur në Kosovë. Ai foli zëshëm kundër simetrizimit të krimit.

Dhe kur Kosova kishte nevojë për përkrahje, Kadare, gjithashtu, si asnjë intelektual tjetër shqiptar, së bashku me një grup intelektualësh francezë, në pranverën e vitit 1999 kishte nënshkruar një apel, përmes të cilit kërkonte armatosjen e UÇK-së. 

“Nëse NATO-ja nuk dëshiron të ndërhyjë me trupa tokësore, ngase dëshiron të ruaj jetën e ushtareve të saj – mirë. Por, ka të tjerë që janë të gatshëm, që të rrezikojnë jetën e tyre”, deklaronte Kadareja në një intervistë për të përditshme gjermane “Der Tagesspiegel”, (1. 6. 1999 ), në momentin kur brenda vendeve anëtare të NATO-s kishin filluar diskutimet nëse duhej të ndërhyhej apo jo me forca tokësore në luftën për Kosovën. 

Dhe pikërisht ky angazhim politik dhe ndërkombëtar i Kadaresë për Kosovën, ishte madhështor dhe emancipues, jo vetëm për publikun shqiptar, por në radhë të parë, edhe për publikun ndërkombëtar. Mbështetja e patundur për dekada e Kadaresë për kauzën e Kosovës, dhe mbështetja e mëvonshme e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj, ndoshta i mohoi atij mundësinë për të fituar çmimin “Nobel” për letërsi, për të cilin ai u propozua disa herë. Ky mund të jetë vetëm një mendim, por nëse është i vërtetë, atëherë ai është më shumë një koment mbi çmimin “Nobel” për letërsi sesa për Kadarenë.


Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj

Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj

Ismail Kadare

Paris, 22 shkurt 1999

Në pamundësi t’ju them gojarisht disa mendime të miat për atë çka po ndodh e çka po pret gjithë kombi shqiptar prej jush, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të shkurtër. Një shqetësim i orëve të fundit u bë nxitje për këtë letër, e sidomos deklarata e Madeleine Albright se:

a) nëse të dyja palët nuk bien dakord nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Jugosllavi,

b) nëse shkas për dështim bëhen shqiptarët, ndihma ndaj tyre do të pritet.

Besoj se jam në gjendje të dalloj deklaratat që bëhen për arsye presioni nga ato që shprehin një të vërtetë më të thellë. Nga njoftimet që kam dhe nga një intuitë alarmuese, kam bindjen se deklarata e Sekretares së Shtetit të SHBA-së duhet marrë me seriozitetin më të madh.

Në të dyja rastet, pra edhe sikur të dyja palët, serbe e shqiptare, të mos bien dakord, e sidomos në rastin e dytë, sikur faji t’u mbetet shqiptarëve, serbët dalin të fituar. Dhe në të dy rastet, shqiptarët dalin të humbur. Me sa duket, strategjia serbe është bazuar pikërisht në këtë kurth: t’i bëjë shqiptarët bashkëfajtorë, madje edhe fajtorë dhe vetë të dalë e larë. Serbët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga kjo konferencë. Për ata do të jetë fitore e madhe. Mendoj se kjo është e mjaftë për të kuptuar se kurrsesi delegacioni shqiptar nuk duhet të bjerë në grackë.

Pyetja dramatike që shtrohet është: ndonëse aspirata jonë është më e madhe, a mund të kënaqemi megjithatë me aq sa kemi fituar? A mund të arrihej më shumë nga një fazë e parë kalimtare prej tre vjetësh?

Mendoj se tani për tani mund të mbetemi me kaq. Mendoj se vështirë se mund të arrihej më shumë nga një fazë kalimtare. 

Ky është një shans i madh përpara popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar. Historia shumë herë e ka treguar se jo çdo luftë, sado heroike të jetë, e sjell një shans të tillë. Dhe shanset nuk përsëriten kaq lehtë. Kam bindjen se këtij shansi kurrsesi nuk i duhet rënë me shkelm.

Bindja ime bazohet në faktin se interesimi botëror për Kosovën ka arritur në pikën maksimale. Kurrë më në të ardhmen nuk mund që ky interesim, ky preokupim, ky seriozitet të përsëdytet. Qysh tani ky interesim ka filluar të quhet i tepruar dhe ka zgjuar xhelozinë e disa vendeve dhe popujve.

Rrjedhimisht, pas harxhimit të kësaj vëmendjeje, masakra edhe më të mëdha në Kosovë do të zgjojnë vëmendje shumë më të vogël. 

Bota do ta quajë ndërgjegjen e lartë dhe kjo do të jetë fatale për Kosovën. Jam i sigurt se serbët presin me padurim “jo”-në shqiptare. Dhuratë më të madhe nuk mund të ketë për ta. 

Në këto kushte mendoj që të merret ajo që mund të merret dhe të mos kërkohet tani për tani e pamundura. Një konferencë tjetër për Kosovën pas tre vitesh e lë portën e lirisë të hapur. Unë e kuptoj ndjenjën tuaj të përgjegjësisë, e kuptoj drojën se mos bëni ndonjë lëshim që s’duhet bërë. Në këtë rast, më lejoni t’jua kujtoj se unë si shkrimtar, nuk do të guxoja kurrë t’jua jepja këtë këshillë, sikur të kisha unë vetë drojën më të vogël se po bëja një faj që do të rëndonte në ndërgjegjen dhe në biografinë time. Duke iu drejtuar këtë letër, jam i gatshëm t’i mbroj mendimet e mia publikisht, përpara kujtdo e bashkë me të, të mbroja gjer në fund vendimin tuaj. 

Ju përfaqësoni sot popullin shqiptar të Kosovës në momentin më delikat. Nga urtësia, trimëria, ndershmëria juaj, bashkë me fatin e Kosovës varen fate të tëra jetësh njerëzore, varen jetë grash, fëmijësh, e burrash. Në këtë rast doja të përsërisja se, të bësh lëshim atëherë kur duhet bërë, është po aq trimëri e heroizëm, sa edhe kur je në luftë. Ju lutem mos dëgjoni rrahagjoksit e papërgjegjshëm, të cilët e kanë lehtë të bërtasin: o pavarësi menjëherë, o të bëhemi shkrumb! Askush s’ka të drejtë të propozojë shkrumbin dhe vdekjen për popullin e vet. Ju jeni aty për lirinë, pra për jetën e Kosovës dhe jo për vdekjen e saj.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, bashkë me shpresën se do të më kuptoni drejt.