Shkrimtari i lindur në Ukrainë, Joseph Conrad (1857-1924), sot del në shkrimet e disa autorëve edhe si anticipues i autokracisë ruse dhe i pasojave gjeopolitike të saj në kontekstin e agresionit të Rusisë së Putinit mbi Ukrainën. Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Evropës dhe SHBA-së me Rusinë, Wiliam Farhi, në artikullin me titull “Në syrin e Perëndimit” e merr në shqyrtim esenë e Conradit “Autokracia dhe lufta ” e botuar më 1905 në “The North American Review”. Farhi në hyrje të artikullit të vet thekson se agresioni i Putinit ka nxitur së paku një “zgjim të imponuar e brutal nga një gjumë i thellë”
Shkrimtari polak dhe anglez Joseph Conrad (1857-1924), i lindur në Ukrainë, është dalluar, veç me talentin e madh letrar e artistik, edhe me disa anticipime politike. Kësisoj, kritiku letrar francez François Guiyouba në studimin “Joseph Conrad, një profet i modernitetit politik” analizon romanin e tij të shquar “Në gjirin e errësirave” (1899) në prizmin e disa temave gjeopolitike që merren me fenomene të kolonializmit të vendeve perëndimore në Afrikë e Azi. Ky libër u pati botuar në gjuhën franceze në koleksionin “Eidolon” (2004) të Universitetit të Bordeaux kushtuar temës “Fiksionet si anticipime politike”.
Autori thekson se kjo vepër e Conradit trajton pretendimet “civilizuese” të vendeve perëndimore që të qytetërojnë Afrikën dhe popullsitë e saj. Anët e errëta të këtij projekti kolonizues, Conrad i nxjerr në shesh me luciditetin dhe imagjinaren e tij artistike. Kjo vepër pati ndikim edhe te shkrimtari francez André Gide; ky ndikim hetohet në veçanti në librin e tij “Udhëtimi në Kongo” (1928).
Mirëpo Conrad sot del në shkrimet e disa autorëve edhe si anticipues i autokracisë ruse dhe i pasojave gjeopolitike të saj në kontekstin e agresionin të Rusisë së Putinit mbi Ukrainën.
“Rusia është hiçi”
Revista prestigjioze franceze për shkenca shoqërore dhe kulturore “Esprit” (Paris), e cila botohet një herë në muaj, që nga muaji mars i këtij viti sjell artikuj e studime mbi rrjedhojat gjeopolitike që i shkaktoi në botën e sotme agresioni i Rusisë mbi Ukrainën. Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Evropës dhe SHBA-së me Rusinë, Wiliam Farhi, në artikullin me titull “Në syrin e Perëndimit” e merr në shqyrtim esenë e Conradit “Autokracia dhe lufta ” e botuar më 1905 në “The North American Review”.
Edhe Çarjet midis Evropës dhe SHBA-së së TrumpitFarhi në hyrje të artikullit të vet thekson se agresioni i Putinit ka nxitur së paku një “zgjim të imponuar e brutal nga një gjumë i thellë ”. Conrad në esenë e vet zhvillon një kritikë të ashpër të Rusisë edhe duke e përvetësuar sentencën të cilën ia vesh Bizmarkut “Rusia është hiçi”, në kuptimin se ajo nënkupton mohimin e “mendimit evropian e madje të të gjitha vlerave njerëzore”. Conrad kritikon tiparin thellësisht despotik të sistemit politik rus, si “sistem i paaftë që të bëjë çka do për të mirën e njerëzimit” e njëherësh i prirë të shkatërrojë çfarëdo forme të përparimit moral apo politik.
Gjashtë vjet më vonë, përkujton Farhi, Conrad boton librin i cili do të quhet romani i tij rus: “Nën shikimin e Perëndimit” (1919). Personazhi kryesor i romanit, Razumov, vuan pse e kishte denoncuar në polici një shok të vetin anarkist si autor të një atentati kundër princit; ai e ndien veten po kështu të përçarë në njërën anë midis kulturës evropiane e në anën tjetër për “karakterin të tij të theksuar rus”. Conrad e përkufizon këtë ndasi si një “përzierje të misticizmit me cinizmin” që e shpie Razumovin te një përfundim tragjik.
Autori i këtij studimi përkujton se Conrad u lind nga prindërit polakë, të cilët i kishte syrgjynosur qeveria cariste. Ai vë në pah qëndrimin thellësisht perëndimor të shkrimtarit. Farhi e sheh të udhës që pikëpamjet e Conradit t’i vendosë në kontekstin e sotëm të ngjarjeve lidhur me Rusinë dhe Ukrainën. Kësodore ai vë në pah se në atë roman shpërfaqet kritika e “shpirtit rus ” si “përzierje e misticizmit dhe cinizmit”. Autori i çmon në veçanti qëndrimin dhe pikëshikimin e Conradit ndaj tipareve të politikës së jashtme të Rusisë dhe themeleve ideologjike të aksionit të saj në skenën e sotme ndërkombëtare.
“Ky misticizëm i autokratit, si dhe imazhi tokësor i autokratit hyjnor, i dyfishuar me një cinizëm manipulues, duhet doemos të merret parasysh për ta kuptuar aksionin e tij, rezultat i natyrshëm i të cilit është lufta”. Farhi dëshiron të vërë në dukje se Rusia i kundërvihet Perëndimit edhe kur është e kapluar me “ëndrrat për pansllavizmin, pushtimin universal, urrejtjen dhe përbuzjen e ideve perëndimore ”.
Dalja e Oksidentit nga letargjia
Farhi e bën këtu një analogji midis syve të narratorit të romanit Razumov, përkatësisht të autorit Conrad, i cili kultivonte bindjen se Polonia nuk ka alternativë tjetër për ardhmërinë veç botës perëndimore. Pyetja që shtron studiuesi i relacioneve të Oksidentit me Rusinë, në kontekstin e sotëm të luftës në Ukrainë, ka të bëjë me sytë që shikojnë sot një zgjim të Evropës karshi rreziqeve që i paralajmëron agresiviteti i Rusisë; e këto rreziqe e rihapin refleksionin për çështjen e Perëndimit, përkatësisht për definimin e tij. Farhi përkujton se ky u pati definuar në shekullin e Iluminizmit (shek. XVIII) në planin intelektual me arsyen si orientuese, në planin moral me tolerancën dhe njerëzinë, ndërkaq në planin ekonomik e politik me “lirinë, të drejtën dhe demokracinë si horizonte të vetme”. Wiliam Farhi cek se nga këto premisa doli prirja e Perëndimit që ta kuptojë veten me botëroren dhe universalen. Ndërkaq Conrad në librin “Nën syrin e Perëndimit” thekson peshën që liria dhe e drejta kanë në botën perëndimore.
Mirëpo lufta e ftohtë midis blloqeve (Pakti i Varshavës nën kontrollin e Rusisë si BRSS dhe NATO-s) bëri që të kristalizohen dallimet e theksuara midis Perëndimit dhe Evropës lindore. Ndërkaq rënia e Murit të Berlinit, me zgjerimin e ndikimit të liberalizmit dhe të demokracisë ndikuan që sërish të tretet “orientimi i fortë strategjik e politik i Perëndimit”.
Momenti i ri brenda këtyre raporteve u krijua me agresionin e Rusisë mbi Ukrainën dhe me definimin e Perëndimit nga diskursi rus si “perandori e gënjeshtrës”. Kryetari i Rusisë e ka quajtur së voni Perëndimin “një armik i dobësuar ”, i paaftë që të mbrohet. Mirëpo karshi agresionit ushtarak mbi një vend evropian dhe karshi diskurseve zhvlerësuese të botës perëndimore u zgjuan Bashkimi Evropian dhe NATO-ja me mobilizimin e tyre politik e ushtarak, ndonëse hulumtuesit e relacioneve midis Rusisë e Perëndimit në analizat e tyre kritike konstatuan gabimet dhe lëshimet që i janë bërë gjatë viteve, arrogancës dhe agresivitetit të Rusisë (rasti i pushtimit të Krimesë, fjala vjen).
Wiliam Farhi mendon se invazioni rus kishte si objektiv kryesor dëmtimin e Oksidentit politik. Disa hulumtues kanë theksuar se kjo goditje ka ndikuar që Oksidenti të zgjohet mjaft shpejt nga letargjia dhe të bashkohet për t’iu kundërvënë Rusisë; ata nënvizojnë se asnjëherë më parë nuk është hetuar një unitet i tillë dhe një vullnet i theksuar për t’iu kundërvënë Rusisë dhe synimeve të saj.
Një aspekt të veçantë të agresionit rus ndaj Perëndimit, Farhi e sheh te prirja e tij që të manifestojë hapur urrejtjen ndaj kësaj bote. Ai mendon se “çmimi politik, ushtarak e ekonomik i invazionit është në shpërpjesëtim aq të madh me fitimet e kalkuluara, saqë duhej kërkuar arsye të tjera për këtë vendim ”. Armiqësia dhe urrejtja që Rusia manifeston kundrejt Perëndimit dhe vlerave të tij shpjegohen me ndjenjën e rrezikimit të saj nga vlerat dhe praktikat politike e juridike që cilësojnë demokracinë. Për këtë arsye, Rusia kërkon aleanca te disa regjime politike që i shkojnë për shtat: në Azi (Irani, Kina etj.), në disa vende afrikane (Afrika Qendrore) e latino-amerikane (Venezuela).
Edhe Ukraina në sfondin e krizës në Lindjen e Mesme dhe politika perëndimore: fitorja si opsion i vetëmNë fakt, vendet perëndimore (141 prej tyre) u treguan të afta këtë herë të mobilizohen politikisht kundrejt sfidimit rus më 22 mars në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së; e njëherësh në rrafshin ekonomik me sanksione kundrejt Rusisë dhe me mobilizimin ushtarak në mbështetje të Ukrainës. Kjo mbështetje, me armatim të sofistikuar dhe me logjistikë efikase, solli efekte të dukshme në terren me kundërsulmet masive të ushtrisë ukrainase dhe me çlirimin e territoreve të saj.
Profesoresha e historisë, Sabine Dullin, në Universitetin parisien për shkenca politike Science Po, autore e librave “Kufiri i trashë. Origjinat e politikave sovjetike” (2014) dhe “Ironia e fatit. Një histori e rusëve dhe perandoria e tyre” (2021), shpjegon se vizioni i kufijve të Rusisë ka evoluar ndonëse ka mbetur i pandryshuar imperativi i një “zone të trashë ” apo zone ndarëse sa më të gjerë të mundshme për t’u mbrojtur nga ndikimet perëndimore. Putini, siç e cek ajo, e kundron Rusinë si fuqi të madhe, ndërkaq shembjen e Bashkimit Sovjetik ai e përjetoi rëndë dhe më vonë u orvat të ndërtojë në imagjinaren e tij politike një rol historik të kombit “rusomadh” rreth të cilit do të gravitonin Bjellorusia dhe Ukraina. (“Esprit”, prill, 2022)
Historiania Dullin e sheh njëherësh një ngjashmëri midis Putinit i cili synonte një Rusi të madhe me pushtimin e Ukrainës dhe Milosheviqit, i cili ëndërronte për “një Serbi të madhe” mbështetur në “betejën e shenjtë ” para gjashtë shekujve në Fushë-Kosovë; që të dytë, cek ajo, shpërfillin të drejtat e popujve që jetojnë aty. (“Le Monde”)
Kisha Ortodokse Ruse diabolizon Perëndimin
Kisha Ortodokse Ruse, përmes fjalimeve publike të patriarkëve të vet e mbështeti agresionin e Putinit mbi Ukrainën. Hulumtuesit e ideologjisë politiko-religjioze të kësaj kishe vënë në pah se arsyetimi i agresionit rus shpaloset edhe me një ideologji të theksuar antiperëndimore: ajo në veçanti kritikon vlerat kulturore dhe politike të shoqërive perëndimore. Agresioni mbi Ukrainën justifikohet kësisoj si luftë kundër “forcave të së keqes” të mishëruara në kulturën dhe politikën e vendeve perëndimore. Zëdhënësit e Kishës Ortodokse Ruse e shohin këtë të keqe të shoqërive perëndimore edhe “në liritë iluzore të inkarnuara në ‘Gay prides’. Në këtë kritikë shpërfaqet edhe një hipokrizi morale, ngase fenomeni i homoseksualizmit brenda klerit ortodoks është trajtuar sa në shkrime të gazetave po aq edhe në ato letrare.
Disa hulumtues kanë vu në pah brenda ideologjisë së Kishës Ortodokse aspektet imperialiste, përkatësisht synimet për ripushtimet e vendeve të pavarura, që kanë dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. “Mëkati” i këtyre vendeve nuk qëndron sipas atyre ideologëve vetëm pse janë pavarësuar, por sidomos pse ia kanë kthyer shpinën Rusisë dhe janë orientuar nga vlerat kulturore e politike perëndimore. Kësodore, ajo ideologji kishtare ka ushqyer propagandën e ambicieve pushtuese të Kremlinit. (V. Cibotaru).
Përbashkësia e motiveve ideologjike midis pushtetit putinian dhe Kishës Ortodokse Ruse u manifestua edhe lidhur me qëndrimin ndaj Stalinit dhe politikës së tij. Emmanuel Grynszpan përkujton se në nëntor të vitit 2015 në një tubim publik, Putini dhe “Patriarku i të gjitha Rusive”, Kirilli, jo vetëm që i bënë elozhe Stalinit, por kërkuan njëherësh “që të pushojnë kritikat mbi Stalinin, meqë ai ka merita të mëdha për modernizimin dhe zhvillimin e vendit”, ndonëse Stalini brenda politikës së vet represive nuk kishte kursyer as klerin e Kishës Ortodokse Ruse. Andreï Arkhanguelski cek se me këto deklarata Kirilli iu bashkua Putinit jo vetëm në legjitimimin e agresionit mbi Ukrainën, por edhe në rivlerësimin e Stalinit, regjimi i të cilit ka mbetur i regjistruar në historinë e njerëzimit me krimet masive mbi miliona qytetarë të Bashkimit Sovjetik.
Fjalimi i Putinit në Moskë
Në fjalimin që Putini e mbajti me 30 shtator të këtij viti, me rastin e festimit në Moskë të aneksimit të regjioneve të Ukrainës – Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporojia të Ukrainës – ai shpërtheu në akuza të shumta kundër Perëndimit. I akuzoi perëndimorët për “rusofobi shumëshekullore ”, për planet që të “destabilizojnë dhe ta copëtojnë Rusinë dhe ta shndërrojnë në një “koloni të veten ”. (“Le Monde ”, 1 tetor 2022). Kësisoj ai orvatet të arsyetojë politikat e veta pushtuese të shoqëruara me krime masive mbi popullsitë civile.
Edhe
Stagnimi në integrim i atribuohet Ballkanit, edhe BE-së
Në vijim të këtij fjalimi pompoz ai shtoi: “Ata nuk mund ta pranojnë idenë se ekziston një vend i madh, me pasuri të tilla natyrore dhe me resurse të tilla; një popull i cili nuk di të nënshtrohet. Zhvillimin tonë dhe prosperitetin tonë ata e përjetojnë si kërcënim…ata nuk mund të pajtohen me faktin që jemi një shoqëri e lirë, dhe duan të na shohin si një turmë skllevërish që nuk kanë shpirt”. Ky fjalim ka për qëllim ta maskojë edhe represionin afatgjatë mbi rusët dhe karakterin autokratik të pushtetit të vet. Një dallim i rëndësishëm midis botës perëndimore dhe Rusisë së Putinit qëndron në dallimin e thellë të trajtave të lirive të qytetarëve, veç të tjerash me të drejtën e artikulimit publik të kritikave mbi pushtetin dhe institucionet shtetërore.
Vetëm një ditë pas këtij fjalimi që kishte për qëllim të madhërojë pushtimin mbi një pjesë të Ukrainës, ushtria ukrainase çliroi qytetin Lyman, qendër e rëndësishme strategjike. Depërtimi i trupave ukrainase, në saje të mbështetjes së vendeve perëndimore (kryesisht SHBA e Britani e Madhe), edhe në disa zona të tjera të okupuara më parë, bënë që ushtria ruse të tërhiqet, duke lënë pas vetes shumë krime që duhet të jenë material për Gjyqin Penal Ndërkombëtar. Dallimet midis praktikave çlirimtare dhe atyre të pushtuese vështirë se mund të mistifikohen; me përjashtim të atyre që vetë vendosin t’i mistifikojnë dallimet.