Të dhëna dokumentare mbi interpretimin e veprave të kompozitorit Tish Daija në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Ky shkrim, kushtuar kompozitorit Tish Daija (1926–2003) në kuadër të përkujtimit të 100-vjetorit të lindjes së tij, shërben si një reflektim mbi krijimtarinë e tij dhe prezencën e saj në skenën muzikore të Kosovës. Pra, siç sugjeron vetë nëntitulli, nuk synohet të ofrohet një përshkrim narrativ i jetës dhe veprave të kompozitorit; përkundrazi, shkrimi dokumenton prezencën e veprave të tij në skenën muzikore në Kosovës, që nga vitet e ‘60-ta e ‘70-ta
Siç dihet, tradita e muzikës klasike në trojet shqiptare, krahasuar me vendet e tjera evropiane, u zhvillua me një vonesë shekullore, duke e vendosur këtë hapësirë si një rast studimi interesant për formimin e kanoneve muzikore kombëtare në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ndarjet territoriale – ku Kosova mbeti pjesë e Mbretërisë Jugosllave ndërsa Shqipëria u konsolidua si shtet i pavarur – prodhuan trajektore të veçanta zhvillimi kulturor dhe institucional. Përtej ndarjes fizike, ekzistoi gjithmonë ndjenja e përbashkët kombëtare dhe vetëdija identitare që lidhte shqiptarët e Kosovës me atdheun matanë kufirit, një ndjenjë e fortë e përkatësisë etnike, kulturore dhe shpirtërore. Kur flitet për Kosovën, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, ajo karakterizohej nga mungesa e institucioneve formale muzikore dhe e kuadrove profesionale të trajnuara në fushën e muzikës klasike; për rrjedhojë, jeta muzikore zhvillohej kryesisht përmes praktikave amatore, traditave folklorike dhe veprimtarisë së shoqatave kulturore-artistike. Megjithatë, nga viti 1948 e tutje, kur u institucionalizua edukimi formal muzikor, u konsolidua gradualisht një kulturë artistike e qëndrueshme, e cila jo vetëm ka lënë gjurmë të dukshme historike, por edhe ka kontribuuar në mënyrë të qenësishme në proceset e kanonizimit muzikor.
Një prezencë modeste, por e dukshme
Ky shkrim, kushtuar kompozitorit Tish Daija (1926–2003) në kuadër të përkujtimit të 100-vjetorit të lindjes së tij, shërben si një reflektim mbi krijimtarinë e tij dhe prezencën e saj në skenën muzikore të Kosovës. Pra, siç sugjeron vetë nëntitulli, në këtë shkrim nuk synohet të ofrohet një përshkrim narrativ i jetës dhe veprave të kompozitorit; përkundrazi, shkrimi dokumenton prezencën e veprave të tij në skenën muzikore në Kosovës, që nga vitet e ‘60-ta e ‘70-ta. Në fakt, ky punim u nxit nga konferenca shkencore “Tish Daija në 100-vjetorin e lindjes”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 30 janar 2026. Në këtë konferencë në mes shumë kumtesash muzikologjike, u trajtua edhe dimensioni mbi opusin krijues të kompozitorit, në skenën koncertale dhe performuese në Kosovë, por për habi, nuk u përmendën asnjë nga interpretimet e veprave të tij, veçanërisht ato të viteve ‘60 -‘80. Kjo më nxiti, që si muzikologe të argumentoj se, sipas të dhënave faktike, Tish Daija shfaq një prezencë modeste, por të dukshme, në repertorët e disa koncerteve muzikore në Kosovë, që nga viti 1968. Për të kuptuar më mirë arsyet e kësaj prezence, dhe për të kontekstualizuar mungesën e performimit të veprave të tij, është e nevojshme të shqyrtojmë rrethanat historike dhe politike që ndikuan në marrëdhëniet kulturore ndërmjet shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Rrethanat e kushtëzuara midis shqiptarëve
Bazuar në rrethanat historike dhe politike të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet kulturore ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit shtetëror kanë qenë të kushtëzuara dhe të ndërmjetësuara nga kontekste të ndryshme ideologjike dhe ndërshtetërore. Në Shqipëri, pas vitit 1944 u vendos regjimi socialist njëpartiak, më pas i zhvilluar si Republikë Popullore Socialiste e Shqipërisë (1976–1992), i ndërtuar mbi parimet marksiste-leniniste dhe i karakterizuar nga një izolim politik dhe kulturor. Në të njëjtën kohë, Kosova funksiononte brenda kuadrit të Federatës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si krahinë autonome (1974-1989) brenda Republikës Socialiste të Serbisë, e ku regjimi jugosllav, ndonëse gjithashtu socialist, ndiqte një model të vetëqeverisjes socialiste me politika kulturore më fleksibile krahasuar me Shqipërinë. Prandaj, në momente të caktuara dallimet politike, strukturore dhe ideologjike në mes vendeve ndikuan drejtpërdrejt që shpesh bashkëpunimet dhe transferimet kulturore ndërshqiptare të mbeteshin të pjesshme, të ndërprera ose të fragmentarizuara. Si rrjedhojë, prezenca e krijuesve shqiptarë nga Shqipëria në jetën muzikore të Kosovës, dhe anasjelltas, nuk u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme por, u realizua kryesisht përmes rasteve të veçanta, vizitave të kufizuara dhe projekteve të izoluara. Për rrjedhojë, këto rrethana arsyetojnë pse jo vetëm krijimtaria e kompozitorit Daija, por edhe ajo e kompozitorëve të tjerë nga Shqipëria nuk haset shpesh në skenën muzikore të Kosovës, gjatë viteve 1960–1990. Megjithatë, për vitet ‘70 dhe ‘80 arkivi i Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) dokumenton disa incizime të veprave të kompozitorëve shqiptarë si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi etj. që janë interpretuar nga orkestra e RTSH-së (nën drejtimin e Mustafa Krantjës, Ferdinand Dedës dhe Eno Koços).
Debutimi më 1968 me “Suitë Orkestrale”
Po ashtu, dokumentet arkivore tregojnë se prezenca e Tish Dajisë në skenën muzikore të Kosovës u bë e dukshme për herë të parë në vitin 1968, kur Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, në Prishtinë interpretoi disa vepra, në mes të cilave edhe pjesën e dytë të “Suitës Orkestrale” të Tish Daijsë, si dhe aktin e dytë të operetës së tij “Vjeshta e Artë” ekzekutuar nga violinisti Ibrahim Madhi, shoqëruar nga orkestra e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, nën dirigjimin e Ferdinand Dedës. Kjo prezencë është dokumentuar në arkivin e Radio Televizionit të Prishtinës me datë 31 janar 1968, nën numrin e regjistrimit arkivor 584/A-3735. Dy vjet më vonë, më 10 shtator 1970, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar në bashkëpunim me orkestrën simfonike të qytetit të Prishtinës, interpretojnë “Poemën për violinë dhe orkestër”, me solist Ibrahim Madhin dhe dirigjent Rifat Teqjën (nr. i regjistrimit në arkivin e RTP-së: 623/A-5034). Më 3 shkurt 1972, sërish Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar ekzekuton në Prishtinë veprën “Ditët e gëzuara” për violinë dhe orkestër, përsëri me solist Ibrahim Madhin dhe dirigjent Rifat Teqjën (nr. i regjistrimit në arkivin e RTP-së: 801/5423). Vizita e Orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar në Prishtinë në vitin 1980, sjell tek audienca kosovare veprën “Poema për flaut dhe orkestër” të kompozitorit Tish Daija, nën dirigjimin e Eno Koços (regjistruar dhe arkivuar në RTP më 12 dhjetor 1980, nr. 1338). Nga shqyrtimi i regjistrimeve arkivore të Radio Televizionit të Prishtinës nuk rezulton të jetë incizuar ndonjë vepër tjetër e kompozitorit Daija; po ashtu, analiza e edicioneve festivalore të festivaleve “Skena Muzikore e Prishtinës” dhe “Ditët e Muzikës Kosovare” nuk dëshmojnë interpretimin e ndonjë vepre nga opusi i tij krijues.
“Halili dhe Hajria” dhe një jetë skenike edhe në Kosovë
Siç dihet, merita e një krijuesi matet dhe dëshmohet përmes veprave të tij; në këtë kuptim, merita historike e Tish Daijsë qëndron në faktin se ai krijoi baletin e parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”. Ky balet u vu për herë të parë në skenë më 13 janar 1963 me koreografi të Panajot Kanaçit dhe dirigjim të Mustafa Krantjës, interpretuar nga një ansambël i gjerë artistësh. Ndër vite ky balet u shndërrua në një nga baletet më të luajtura në historinë e skenës shqiptare, me mbi 250 shfaqje brenda dhe jashtë vendit. Pikërisht në këtë kontekst shtrohet pyetja: a pati kjo vepër një jetë skenike në Kosovë gjatë periudhës në fjalë?
Dokumentet arkivore dhe burimet periodike dëshmojnë se kjo vepër pati edhe një jetë skenike në Kosovë, duke u bërë pjesë e repertorit të Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës qysh në vitin 1979. Premiera e baletit “Halili dhe Hajria” me libret dhe koreografi nga Panajot Kanaçi, u realizua në Prishtinë më 9 tetor 1979, me interpretimin e Ansamblit të Baletit të Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, në bashkëpunim me pjesëtarë të ansamblit të SHKAA (Shoqëria Kulturore Artistike Akademike) “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Kjo shfaqje përfaqëson një moment domethënës në historinë e baletit në Kosovë, jo vetëm për shkak të rëndësisë së veprës por, edhe për nivelin profesional të realizimit skenik dhe interpretativ. Në role kryesore ishin paraqitur artistë të njohur të skenës kosovare, të atyre viteve, si: Halili - Elez Nikçi; Hajria – Nexhmije Meha; Sokoli – Abdurrahman Nokshiqi; Rrushja – Liljana Vujoviç; Shpendi – Shaban Shabanaj; Selimi – Rrustem Metaj; Sulejman Pasha – Agim Pasha; Bejtush Aga – Rrustem Sellca; pastaj Shqipe Hoxha, Hysen Podrimçaku, Musa Salajdini Kiçe, Jonuz Beqiraj, Skender Domniku, Saliha Salihu, Ahmet Brahimaj, Shaban Shabanaj si dhe valltarët e SHKAA “Ramiz Sadiku” të Universitetit të Prishtinës. Udhëheqës artistik i kësaj shfaqjeje ka qenë kompozitori Akil Koci, ndërsa skenografinë e kishin realizuar Nuredin Loxha dhe Violeta Xhaferi.
Sipas shkrimeve në gazetën e përditshme “Rilindja”, recepcioni kritik i shfaqjes së baletit ishte dukshëm pozitiv. Kritika e botuar asokohe nënvizonte angazhimin serioz të trupës së baletit kosovar dhe suksesin e integrimit të valltarëve amatorë në një produksion skenik të përmasave të mëdha. Dirigjenti Mustafa Krantja, kishte theksuar se, me këtë shfaqje Ansambli i Baletit të Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës dëshmoi një nivel të lartë profesional dhe interpretativ, duke kontribuuar në mënyrë të ndjeshme në zhvillimin dhe konsolidimin e artit koreografik. (Vehap Shita, “Rilindja”, tetor, 1979).
Bazuar në hulumtimet e kryera dhe në burimet e konsultuara, përfshirë: arkivin e Radio Televizionit të Prishtinës, arkivin e Trupës së Baletit të Teatrit Popullor Krahinor, si dhe shkrimet e gazetës “Rilindja” gjatë viteve ‘70, këto paraqitje përfaqësojnë tablonë e dokumentuar të prezencës së veprave të Tish Daijsë në Kosovë. Këto të dhëna dëshmojnë se krijimtaria e tij, ndonëse e pranishme në mënyrë sporadike, ishte e integruar në momente të caktuara të jetës koncertale dhe skenike. Dokumentimi dhe prezantimi i këtyre interpretimeve, përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një historie muzikore më të plotë, ku emra dhe vepra të rëndësishme vendosen në kontekstin e tyre historik, duke kontribuuar kështu në ndërtimin e një narrative muzikore mbarëkombëtare shqiptare.
Dr.sc. Kristina Palokaj-Perkola është muzikologe