Shtojca për Kulturë

Ismail Kadare dhe letërsia botërore

Vetëm në reflektimin e thellë të Kadaresë mbi ”Hamletin” mund të identifikojmë shumicën e temave kyçe që përbëjnë bazën e studimeve mbi letërsinë botërore...

Vetëm në reflektimin e thellë të Kadaresë mbi ”Hamletin” mund të identifikojmë shumicën e temave kyçe që përbëjnë bazën e studimeve mbi letërsinë botërore...

Vetëm në reflektimin e thellë të Kadaresë mbi Hamletin mund t’i identifikojmë shumicën e temave kyçe që përbëjnë bazën e studimeve mbi letërsinë botërore

Në tri ese të shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare përkthyer në anglisht nën titullin “Ese mbi letërsinë botërore (“Essays on World Literature”, Restless Books, 2018, përkthyer nga Ani Kokobobo) që datojnë nga viti 1985-2007, Kadare përshkruan në mënyrë prekëse ndikimin që kanë ushtruar mbi të Eskili, Dante dhe Shekspiri, veçanërisht në përballjen e tij me korrupsionin dhe konfliktin civil gjatë rritjes nën regjimin totalitar e të izoluar të Enver Hoxhës. Siç thekson përkthyesja në parathënie, “këto ese përbëjnë një hartë të letërsisë botërore dhe të gjenive të saj që nga antikiteti, me një vetëdije kritike të tillë, saqë mund të ndodhë që vetë Kadareja të vendoset si pikë mbyllëse e kësaj linje gjenish”.

Veçanërisht domethënëse është eseja e fundit, ku Kadare lexon “Hamletin” në dritën e historisë shqiptare, duke e vënë atë në lidhje me traditën e gjakmarrjes. Kjo traditë është kodifikuar që në shekullin XV në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, një përmbledhje zakonore që vazhdon të ketë fuqi normative në disa rajone edhe sot e kësaj dite, dhe që përcakton hollësisht rregullat dhe kushtet e zbatimit të hakmarrjes. Termi kanun rrjedh nga turqishtja osmane, e cila e kishte marrë nga arabishtja, që vetë e kishte huazuar nga greqishtja κανών (rregull, standard). Ky është po ai term që ka dhënë edhe nocionin e kanonit letrar. Në interpretimin e Kadaresë, kanoni ligjor dhe ai letrar shpesh janë ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme në kontekstin shqiptar.

Në shkurt të vitit 1924, kryeministri konservator Ahmet Zogu—i cili më vonë do të vetëshpallej Mbreti Zog I—i mbijetoi një atentati ndërsa hynte në parlament. Atentatori u lirua me arsyetimin se nuk kishte motiv politik, por kishte vepruar për t’u hakmarrë për vrasjen e xhaxhait të tij. Megjithatë, Zogu ishte i bindur se prapa atentatit fshihej rivali i tij kryesor, peshkopi dhe udhëheqësi i partisë liberale, Fan Noli. Ky i fundit ishte i dyshuar jo vetëm për arsye politike, por edhe për veprimtarinë e tij letrare: ai shkruante poezi patriotike dhe përkthente vepra të letërsisë botërore, me qëllim forcimin e gjuhës shqipe si gjuhë letrare. Meqë periudha osmane ishte ende e afërt, figura konservatore si Zogu e shihnin me dyshim të thellë një kozmopolitizëm të tillë. “Thënia e njohur italiane ‘traduttore, traditore’,” shkruan Kadare, “këtu merr kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. Përkthyesit akuzoheshin për tradhti dhe sulmoheshin” (182). Noli do të bëhej kryeministër pas rrëzimit të Zogut, katër muaj pas atentatit, por do të detyrohej të largohej në mërgim kur Zogu u rikthye në pushtet në fund të vitit. Rreth një vit e gjysmë më pas, Noli realizoi, sipas Kadaresë, “njërin ndër përkthimet më të bukura, në mos më të bukurin në botë, të ‘Hamletit’” (185).

Falë këtij përkthimi të lexuar gjerësisht dhe të vënë në skenë në mënyrë të përsëritur, ‘Hamleti’ u bë pjesë e kulturës shqiptare dhe u përfshi madje në një proces gjyqësor për vrasje në vitin 2006. I akuzuari për vrasjen e një bashkëkrimineli për shkak të një mosmarrëveshjeje për para droge, deklaroi se kishte vepruar për një arsye tjetër: për të marrë gjakun e gjyshit. Ai pretendoi se ishte shtyrë në veprim nga fantazma e gjyshit: “Çdo natë më dilte përpara fantazma. Më thoshte: merre gjakun tim. Nuk mund të gjej prehje derisa të vrasësh Cuf Kërtallën... Dilte çdo natë, si fantazma e Hamletit” (206–207). Kadare vëren me ironi se “gjyqi u komplikua më shumë se sa pritej. Madje edhe Këshilli i Evropës ka bërë vërejtje për Kanunin shqiptar dhe për avokatët që, me sa duket, po këshillojnë banditët vendas që të justifikojnë krimet e tyre përmes ‘Hamletit’ të Shekspirit” (207). Në këtë mënyrë, sipas Kadaresë, letërsia botërore ka hyrë në Shqipëri me forcën e një hakmarrjeje.

Ismail Kadare, Milan Kundera dhe Kenzaburo Oe janë ndër autorët që mund të përshkruajnë në mënyrë të plotë ndikimin e letërsisë botërore në veprën dhe kulturën e tyre, duke u përqendruar në një grup të përzgjedhur figurash kanonike perëndimore. Vetëm në reflektimin e thellë të Kadaresë mbi “Hamletin” mund të identifikojmë shumicën e temave kyçe që përbëjnë bazën e studimeve mbi letërsinë botërore: marrëdhëniet qendër–periferi, nacionalizmi dhe kozmopolitizmi, emigracioni dhe mërgimi, poezia dhe politika, përkthimi dhe tradhtia. Letërsia botërore nuk përkufizohet më vetëm nga Evropa, por letërsia evropiane vijon të mbetet një letërsi botërore me ndikim të thellë për shumë shkrimtarë, lexues dhe studiues.

Marrë nga: David Damrosch, “Comparing the Literatures: Literary Studies in a Global Age”, Princeton University Press, 2020. Damrosch është profesor në Universitetin e Harvardit, anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, dhe aktualisht studiuesi më i njohur i letërsisë botërore. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “The Buried Book”, “Around the World in 80 Books”, “What is World Literature?”, How to Read World Literature”, etj. Në vitin 2023 është nderuar me “Balzan Prize”, që është ekuivalent i çmimit “Nobel” për njerëz me arritje të jashtëzakonshme në fushat e shkencave humane, shkencave natyrore, kulturës, si dhe për përpjekjet për paqe dhe vëllazëri njerëzore).

Botohet në shqip me me leje të autorit