Shtojca për Kulturë

Historia e vjedhjeve në Muzeun e Louvreit

Njerëz të mbledhur rreth pikturës “Mona Lisa” më 4 janar 1914, pas më shumë se dy vjetësh prej kur ishte vjedhur nga Muzeu i Louvreit nga Vincenzo Peruggia më 1911 (Foto: Roger Viollet/Getty Images)

Njerëz të mbledhur rreth pikturës “Mona Lisa” më 4 janar 1914, pas më shumë se dy vjetësh prej kur ishte vjedhur nga Muzeu i Louvreit nga Vincenzo Peruggia më 1911 (Foto: Roger Viollet/Getty Images)

Para më shumë se një shekulli, njësoj si sot, mediat alarmonin se muzetë francezë kanë telashe me sigurinë. Debati është rikthyer prej së dielës së kaluar kur Muzeut të Louvreit në pikë të ditës iu vodhën artefakte prej gati 90 milionë eurosh, por mbi të gjitha një akt si ky u cilësua cenim i trashëgimisë dhe shpirtit francez. Më 1911, u vodh e famshmja “Mona Lisa”, në vlugun e kërkimit të saj, vjedhja iu faturua edhe një gazetari

Richard Nelsson

Vjedhja spektakolare të dielën e kaluar në Muzeun e Louvreit, ka rikthyer një histori rastesh të tjera ndër vite. Shënjestër kishin qenë edhe kryeveprat e artit botëror. Si ka raportuar “The Guardian” vjedhjen e veprave të tjera të artit në muzeun e Parisit, duke përfshirë edhe portretin “Mona Lisa” më 1911?

23 gusht 1911: Mungon një thesar i Louvreit: kërkimi për një pikturë të Leonardo da Vincit

Është zhdukur një nga thesaret më të çmuara të Louvreit, thotë korrespondenti i “Reuters” në Paris. Zbulimi u bë në mesditë dje, dhe galeria e pikturave u mbyll menjëherë, ndërsa Ministri i Arteve të Bukura u njoftua me telegraf. Piktura është portreti “Mona Lisa” nga Leonardo da Vinci, gruaja e Francesco del Giocondos, një qytetari të Firences. Sipas Vasarit, Leonardo da Vinci ia kushtoi katër vjet këtij portreti. Ai është i stilit “La Joconde” dhe ishte blerë rreth vitit 1500 nga Françesku I.

Një tronditje e madhe ka mbretëruar kur u zbulua se mungonte piktura. Po bëhet një kërkim energjik në të gjitha drejtimet, por deri tani ka qenë i pasuksesshëm. Korniza dhe xhami u lanë mbi një shkallë të Louvreit. Dukshëm, piktura mungonte që natën e së hënës, por supozohej se ishte marrë për t’u fotografuar. Louvrei është i mbyllur të hënave, dhe një teori e mundshme ishte një koment i bërë nga një mjeshtër ndërtimi ndaj një shoku, ndërsa kalonin përmes galerisë dje, sipas të cilit “Mona Lisa” ishte piktura më e bukur në Louvre. Një teori tjetër ishte se piktura qe marrë nga një shakaxhi praktik. Në çdo rast, do të ishte e pamundur ta shiste, nëse me të vërtetë ishte vjedhur, pasi është kaq e njohur.

24 gusht 1911: Parisi dhe teoria e një triku

Gradualisht në Paris po përhapet besimi se zhdukja nga Louvrei e veprës “La Gioconda”, kryeveprës, së cilës thuhet se Leonardo ia kushtoi katër vjet, i faturohet një gazetari që dëshironte të provonte pamjaftueshmërinë e mbrojtjes së thesareve kombëtare të artit. “Le Matin” dhe “L’Excelsior” protestojnë kundër idesë së një triku të këtillë, të cilin e përshkruajnë si skandaloz. I intervistuar nga një përfaqësues i “Le Figaro”, zoti Lepine, prefekti i policisë, duket se pranon teorinë e trikut dhe zoti Benedite, kujdestari i përkohshëm i muzeut, gjithashtu nuk mund të besojë se piktura është vjedhur. Zoti Reinach, përkundrazi, është pesimist. Gazetat gjithashtu i japin njëfarë mbështetjeje teorisë se një njeri i çmendur e ka vjedhur pikturën.

Ministrat, prefekti i policisë, kuratorët, rojtarët dhe detektivët kanë kërkuar me hollësi çdo pjesë të Louvreit, nga bodrumi deri në tavane, pa gjetur asnjë gjurmë të pikturës. Ajo që habit gjithë botën është lehtësia me të cilën u çmontua nga vendi i saj në Galerinë Kombëtare dhe u mor pa asnjë pengesë. Hetimet tregojnë se vjedhja u krye mes orës shtatë dhe nëntë të mëngjesit të djeshëm. Besohet se të paktën dy persona duhet të kenë qenë të përfshirë në grabitje, por e vetmja gjurmë konkrete është deklarata e një të riu se ka parë dy individë në Quai de Javel rreth orës tetë të mëngjesit të djeshëm duke mbështjellë një pikturë që përafrohet me përmasat e kryeveprës së humbur.

15 dhjetor 1915: Shpjegohet vjedhja e “Mona Lisas” nga Louvrei, e pranon fajin i arrestuari

Raportimi se piktura e njohur e Leonardo da Vincit, “Mona Lisa”, është gjetur në Firence, duket mjaftueshëm i konfirmuar. Çfarë dihet për vjedhjen nga Louvrei i Parisit në gusht të vitit 1911 dhe për zbulimin në Firence javën e kaluar është se një italian i quajtur Peruggia disa ditë më parë tentoi ta shiste pikturën te një tregtar në Firence. Kur u arrestua, ai tha se kishte punuar për disa vjet në Louvre. Një ditë, kur ishte vetëm në dhomën ku varej “Mona Lisa”, ai e shkatërroi kornizën dhe e fshehu veprën nën bluzë. Në këtë mënyrë arriti ta largonte pa u vënë re. Së fundmi, ai i shkroi tregtarit në Firence dhe me të hapi negociatat që çuan në arrestimin e tij.

“Mona Lisa” e vjedhur, 1911 (Foto: Chronicle/Alamy)

15 dhjetor 1913: Editorial: “Mona Lisa”

Nuk ka dyshim se “Mona Lisa” e gjetur në Firence të premten e kaluar është e njëjta pikturë që u vodh nga Louvrei më shumë se dy vjet më parë. As nuk dyshojmë për të vërtetën thelbësore të tregimit të bërë nga njeriu që e ka kthyer pikturën në botë. Për gjashtë vjet, ai ka qenë një punëtor i punësuar në galerinë e Louvreit. Piktura u vodh të hënën, kur galeritë ishin të mbyllura për pastrim, dhe vjedhja nuk u bë e njohur e ndoshta nuk u zbulua deri të nesërmen.

Historia e Peruggias është se ai mori pikturën, sepse mendonte se ajo i ishte vjedhur Italisë nga Napoleoni, dhe se vetë Italia e tij kishte të drejtën më të madhe mbi të. Ky është një nga të paktat motive të mundshme për një vjedhje të tillë. Asnjë hajdut thjesht komercial nuk do të merrte kurrë një pikturë kaq të famshme, dhe askush nuk do ta blinte prej tij përveç një milioneri të lig që do të donte ta shijonte në fshehtësi të një varri, i dashuri i Vdekjes, siç tha Romeo për Zhulietën e tij. Pasi mori pikturën, Peruggia thotë se ajo e magjepsi, gjë që mund të besojmë lehtë; dhe se nuk guxonte ta dorëzonte.

Pse, atëherë, dy vjet më vonë ai tentoi ta shiste te një tregtar në Firence për 20,000 paundë? Pse jo, nëse posedimi i saj, siç thotë ai, po ia trazonte mendjen. Fakti që kërkoi para për të nuk është në kundërshtim me tregimin e tij se mendonte se piktura me të drejtë ishte pronë e Italisë. Gjeneralët që i shërbejnë vendit të vet nga dashuria për të nuk refuzojnë për këtë një titull nderi, dhe nuk shihet asnjë arsye pse një punëtor i thjeshtë italian, pas vjedhjes së një pikture nga indinjata patriotike, të mos mund të kërkonte një shpërblim më vonë. Policia nuk i beson historisë, por ajo duket shumë më e besueshme se çdo tjetër që është sugjeruar.

13 qershor 1939: Piktura e Watteaut vidhet nga Louvrei

Një pikturë e vogël nga Watteau është vjedhur në Louvre. Ajo u mor e plotë me kornizën e saj. Piktura, e titulluar “L’Indifférent”, është vetëm dhjetë me tetë inç. Vjedhja u konfirmua pasdite nga autoritetet e Louvreit, megjithëse u zbulua për herë të parë dje, kur një rojtar vuri re në orën 16:00 se piktura nuk ishte më aty. Një vlerësim i përafërt prej 16 mijë deri në  22 mijë paundë i është vendosur pikturës, por në të vërtetë është e paçmueshme.

“The Guardian”, 24 gusht 1911

22 prill 1946: Vjedhje bizhuterish në Louvre

Për herë të dytë në gati shtatë vjet është vjedhur Muzeu i Louvreit në Paris, kësaj radhe nga hajdutë që kanë thyer kabinetin e xhamit dhe kanë marrë një koleksion të paçmueshëm të bizhuterive të Perandorisë së Dytë. Koleksioni i përbërë nga diadema, qafore, varëse dhe unaza ishte ekspozuar. Policia po punon në teorinë që hajdutët janë fshehur në muze pas mbylljes dhe kanë dalë për dritare nga muzeu, me ndihmën e një litari.

5 korrik 1990: Hajdutët marrin dy piktura nga muzetë e Parisit në pikë të ditës

Dy piktura, njëra prej tyre nga Renoir, u zhdukën thuajse njëkohësisht në vjedhje të kryera dje gjatë ditës në muze të ndryshëm të Parisit. Portreti i një gruaje të ulur nga Renoir u raportua i zhdukur nga një galeri në katin e dytë të Louvreit pak pas orës 14:00. Policia tha se piktura e vogël ishte prerë nga korniza e saj. Një sistem alarmi, me të cilin piktura ishte e lidhur, duket se nuk funksionoi. Pas një ore, “Portreti i Monaluccias” nga Ernest Hebert u raportua i zhdukur nga muzeu i vogël në Bregun e Majtë, i kushtuar veprës së artistit të shekullit XIX. E vogël në përmasa si piktura e Renoir, vepra u hoq nga korniza në të njëjtën mënyrë, sipas policisë, e cila nuk arriti të konfirmonte mbrëmë se të dyja vjedhjet ishin kryer nga i njëjti person.

Këto vjedhje ndodhin në mes të raporteve mediatike mbi sigurinë e dobët në muzetë francezë për shkak të mungesës së stafit për kryerjen e detyrave të mbikëqyrjes. Por Drejtoria e Muzeve Franceze tha mbrëmë se vjedhjet gjatë ditës ishin ende të rralla.

4 maj 1998: Hajduti i Louvreit ikën me një pikturë të Corotit

Dje, policia mbylli portat e Louvreit dhe u bëri kontrolle trupore disa qindra vizitorëve pasi një pikturë nga Camille Corot, mjeshtri i shekullit XIX, u raportua e zhdukur nga një rojë muzeu. Peizazhi “Le chemin de Sèvres” duket se u pre nga korniza dhe u kontrabandua jashtë muzeut para orës 15:00. “Na mbajtën brenda derisa të gjithë të kontrolloheshin dhe të ishin të sigurt se askush nuk po fshihte asgjë”, tha një turist amerikan. “Duhet të ketë zgjatur tri orë. Disa nga të moshuarit u shqetësuan shumë”.

Dëshmitarë të tjerë thanë se edhe stafi u kontrollua, dhe policia mori gjurmë gishtash nga xhami që mbulonte pikturën dhe nga korniza e saj. Louvrei nuk dha asnjë vlerësim për pikturën, e cila ka përmasat 13 me 19 inç.

Jean-Baptiste Camille Corot, një nga artistët më produktivë të peizazheve në Francë, vdiq në vitin 1875 duke lënë një krijimtari prej 2 mijë e 500 veprash autentike.