“N’orë të vonë arritëm në qytetin e Kratovës ku qëndruem 8 ditë dhe zumë vend në qelinë e kishës së ‘Shën Mërisë’. Kisha dhe qelia janë në një truell. U dhamë atyne katolikëve të shkretë çdo kënaqësi të mundshme shpirtnore, tue meshue çdo ditë, tue predikue dhe tue ua mësue doktrinën e Krishtit atyne të krishtenëve, sepse të gjithë ishin shqiptarë, megjithatë e dinin gjuhën ilirike. Dhe këta kishin ardhë nga Dibri, d.m.th. nga Shqipnia e epër”, e përshkruante Kratovën ipeshkvi i Tivarit, Gjergj Bardhi udhëtimin e tij në Kratovë në vjeshtën e vitit 1637
Vizitori i radhës i viseve lindore ishte ipeshkvi i Tivarit, Gjergj Bardhi, raporti i parë i të cilit nuk është ruajtur, ndërsa udhëtimi i tij i dytë u ndërmor më 20 tetor të vitit 1637 dhe ai në Kratovë i gjeti rreth 220 besimtarë katolikë.
“Më 20 të marsit 1638 u ngritëm nga Karadaku për të shkue drejt Kratovës. Pasi udhëtuem gjithë atë ditë nëpër male e pyje dhe vende të dyshimta, mbërrimë në një qytet të quejtun Kumanovë. Këtu nuk gjendej asnjë shtëpi katolikësh, veç për atë natë hymë në tokën e një turku, në një shtëpizë me madhësi 2 hapash ku banonte një argjantar, i cili jetonte me atë zanat dhe ai ishte nga katundet e Karadakut, katolik, i quejtun me emën: Pjetër argjantari. Atë mbramje fjetëm n’atë stallë. Tri orë pasi kaloi mesnata, u ngritëm nga vendi i thanun i Kumanovës dhe ecëm gjithë ditën”.
Para se të vazhdojmë me paraqitjen e udhëtimit në vijim, duhet të kujtojmë se në ligjin e mirënjohur osman “Mbi Tokën” të vitit 1609 lidhur me përfshirjen e banorëve në radhët e “sheherlive” thuhej: “Banorët e Parajsës – kur regjistrohen për të jetuar në qytete dhe qyteza, ku kanë jetuar për dhjetë vjet radhazi ose më shumë, ata nuk përjashtohen nga detyrimet rajas”. Por, nëse bëhet regjistrimi i vilajetit (krahinës) dhe bëhet regjistri i qytetarëve të regjistruar në një regjistër të tillë, ata pushojnë së qeni rajë dhe bëhen sheherli – qytetarë. Gëzimi i statusit të shehërlisë e kishte kuptimin edhe të gëzimit të së drejtës së nënshtetësisë në Perandorinë Osmane.
“N’orë të vonë arritëm në qytetin e Kratovës ku qëndruem 8 ditë dhe zumë vend në qelinë e kishës së ‘Shën Mërisë’. Kisha dhe qelia janë në një truell. U dhamë atyne katolikëve të shkretë çdo kënaqësi të mundshme shpirtnore, tue meshue çdo ditë, tue predikue dhe tue ua mësue doktrinën e Krishtit atyne të krishtenëve, sepse të gjithë ishin shqiptarë, megjithatë e dinin gjuhën ilirike. Dhe këta kishin ardhë nga Dibri, d.m.th. nga Shqipnia e epër. Kisha ishte e moçme. Kishte vneshta të mira dhe 4 dyqane që ia kishin lanë të krishtenët e atij vendi. Shtëpi të krishtenësh ishin 38, frymë 358. Famullitar i vendit të thanun ishte një farë prifti shqiptar, plak 60 vjeç, i dobët në dituni e me shkollë të paktë. Nuk e dinte as gjuhën italishte as latine, aq ma pak ilirishten. Ai prift quhej Dom Nikollë Kolesi. T’ardhunat e meshtarit, bashkë me rentat e vneshtave, kapeshin gjithësejt në 65 tolarë në vjet. Ushqimi, atij dhe një gjakoni, u mjaftonte. Në këtë vend kishte 40 shtëpi hebrejsh, skizmatikësh ishin 100 shtëpi dhe turqish 300”.
Padyshim, se raporti i Gjergj Bardhit nuk mund të vihet në pikëpyetje në asnjë mënyrë pos pjesës kur flet për origjinën e shqiptarëve katolikë kratovas, me çka duket t’i ketë lënduar ndjenjat e pasardhësve të Nikollë Arbanasit, por edhe të Bardh dhe Nikollë Arnautit, kur së paku nuk e bën veçimin e atyre, që ishin autoktonë dhe atyre që më vonë erdhën si zejtarë të profilizuar të argjendarisë. Megjithatë, mund të thuhet se me rastin e vizitës së radhës, që zgjati nga tetori i vitit 1641 deri në prill të vitit 1642, arqipeshkvi Bardhi në raport me besimtarët katolikë shqiptarë ishte shumë më i qartë. Në dioqezën e tij, ai përfshin gjithashtu “Shkupin, Karadakun e Shkupit, Novobërdën. Janjevën, Gjakovën, Kratovën e disa vende të tjera“ dhe këtë e bëri, duke pohuar se në “në Serbinë jugore, flitet gjuha arbanase, ndaj është e kuptueshme që arabansit duan që priftërinjtë e tyre të jenë arbanë (“della propria lingua albanese") – ka shkruar Bardhi, duke e tërhequr vërejtjen se arbanasve të këtyre viseve duhet ndihmuar, përndryshe ata do të konvertohen në myslimanë ose do të përfshihnen në “vallen skizmatike“. Përveç rreziqeve dhe sfidave para të cilave ishin gjetur arbanët kratovas, mund të thuhet se gjithçka ishte kthyer kundër tyre. Kështu kur në fund të tetorit të vitit 1642, Bardhi u gjet në rrethinat e Prizrenit, ai shkroi se “u dasht që ta ndërpriste vizitën për disa muaj, pasi në verën që e lamë pati shumë vdekje nga murtaja. Ka disa zona që akoma janë të infektuara si Shkupi, Janjeva e Nobobërda, ku unë nuk marr kurajën të shkoj”, shkroi ai

Fillimet e shpërbërjes së rrënjëve të Nikollë Arbanasit, Bardh dhe Nikollë Arnautit
Në raportin e radhës të vitit 1651, thuhet se “në Kratovë numri i katolikëve arrin në 200 besimtarë, por pas pesëdhjetepesë viteve, gjegjësisht më 20 maj të vitit 1706 arqipeshkvi i Shkupit, Petar Karaxhiq shkruante se Kratova është krejtësisht e shkatërruar dhe turqit nuk lejojnë më të rimëkëmbet asnjë vend. Pra, raporti i fundit vjen pas ofensivës së njohur të gjeneralit austriak Eneo Piccolominit. Paraprakisht, më 24 shtator të vitit 1689, markgrafi Badenski mposhti seraskerin Rexhep Pashën në afërsi të Nishit dhe më pas u tërhoq drejt jugut. Urdhrin e radhës Badenski e lëshoi më 4 tetor të vitit 1689, dhe përveçse që Piccolominit iu dha komandimi mbi Nishin dhe zonës përreth, ai u urdhërua të niste një ofensivë të re “në anën tjetër të malit Hemus drejt detit, Hercegovinës dhe Shqipërisë”, e cila përfundimisht do ta shkëpuste Bosnjën nga provincat e tjera turke. Drejtimi kryesor i ofensivë ishte Nish-Prokuple-Prishtinë-Shkup dhe pasojat e depërtimit të ushtrisë së gjeneralit u panë kur në mesin e javës së dytë të tetorit që nga Gryka e Gërdelicës në veri të Vranjës, Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë thuajse gjithçka u rrënua. Lufta si opsion në oborrin austriak, u shfaq me të paraqiturit e “Memorialit për Shqipërinë” nga grofi Mars, i cili më 22 mars/1 prill 1690, ia dorëzoi perandorit Leopold. Më pastaj vetë perandori ia dorëzoi memorialin kreut të zyrës së pallatit, Theodor Stratman, me qëllim që të bënte një thirrje për kryengritje. Kështu, më 27 mars/6 prill, në Zyrën e Pallatit u shpall thirrje për popujt ballkanikë për kryengritje. Shpallja iu drejtua të gjitha vendeve, që i përkasin mbretërisë hungareze – Shqipërisë, Serbisë, Mezisë, Bullgarisë, Silistrës, Ilirisë, Maqedonisë, Rashisë”. Mirëpo, siç është shkruar edhe më parë, sundimi austriak në Kosovë ishte shumë jetëshkurtër dhe trupat austriake u tërhoqën në rrëmujë e sipër, pasi një ushtri e përbashkët tartaro–osmane ia mësyu Kosovës. Lidhur me pasojat e tërheqjes së ushtrisë austriake flet edhe një kronikë italiane e titulluar “La sagra lega contro la potenza ottomana” e autorit Simpliciano Bizozeri (1642 – 1704) botuar në Milano në vitin 1700. Sipas osmanologes Olga Zirojeviq në të shkruhet se “të krishterët u dëbuan prej Prizreni, Peje, Vranje, Vushtrrie, Mitrovice, prej shumë vendeve madje edhe prej vendbanimeve, që ishin larg Kosovës”. Në vazhdim Bizozeri e ka përshkruar arritjen e të krishterëve kosovarë dhe të viseve përreth edhe në Beograd.
“Në Beograd, njerëzit arrinin në grupe deri në muajt e parë të vitit 1690, madje deri në vjeshtën e këtij viti. Grupet e para u nisën nga Kosova, më pastaj nga krahina e Preshevës, Kumanovës, Kratovës, Pollogut, vendbanimeve përreth, nga Gryka e Kaçanikut, Novi Pazari, etj. Kalimi midis lumit Sava dhe Danub ishte i organizuar. Grupi i fundit i refugjatëve kaloi në anën tjetër më 6 tetor 1690…”.Megjithatë, tërheqja e ushtrisë austriake nuk ishte paralajmërimi i vetëm ogurzi për kohët e vështira që do të vijnë më pastaj. Po në këtë kohë e ka zanafillën edhe “ndërhyrja e Rusisë në çështjet e Evropës” pasojat e së cilës ndërhyrje për shqiptarët do të vërehen sidomos nga gjysma e shekullit XIX.
Një mitrovicas në krye të Kratovës
Për grahmat e fundit të pasardhësve të Nikollë Arbanasit, Bardh dhe Nikollë Arnautit, padyshim që dëshmi të ndryshme duket të ketë dëgjuar edhe atdhetari Nexhip bej Draga (1867-1920) i cili ishte kajmekam i Kratovës në vitet 1896-1902. Por, me gjasë për ngjarjet e fundit të shqiptarëve kratovas, do të mund të mësohet edhe nga raportet zyrtare, që kajmekami Draga i ka dërguar në kryeqendrën e perandorisë në Stamboll.
Ndërsa që nga viti 1912 e deri në ditët e sotme, shqiptarët kratovas mund të takohen në Kumanovë, Shkup dhe qendra të tjera të Maqedonisë, por që në të shumtën e rasteve deklarohen turq. Më pastaj, mund të takohen në vetë Kratovën, por tashmë të mbuluar nga trashësia e blozës së shekujve të rrënuar mbi ta. E, sa u përket pasardhësve të Nikollë Arbanasit, Bardh dhe Nikollë Arnautit, ata mund të gjenden edhe në tokat e Vojvodinës së sotme, në Nikinci e Hërtkovci, e pse jo edhe në rrafshinat e Austro-Hungarisë së dikurshme.