Dy ditë pas premierës botërore në “Locarno Film Festival”, filmi në regji të Leart Ramës ka dhënë edhe premierën kombëtare në kuadër të programit “Special Screening” të “DokuFestit”. “Four Pills At Night” ka në fokus një lidhje që mbahet e fshehur, ku dikush dashuron shumë e fundi i historisë nuk dihet se si do të jetë. Puna me këtë projekt filmik ende nuk ka përfunduar. Synimet janë që ai të shndërrohet në film të gjatë
Dy miq ka kohë që nuk e kanë parë njëri-tjetrin. Një bisedë në telefon tregon se janë të afërt. Lajmi se regjisori i ri, Drini, që portretizohet nga Florist Bajgora, do të vijë në Prishtinë, e gëzon Valin. Nis të krijohet përshtypja që ai në raport me të e kalon ndjeshmërinë prej shoku. “Mezi kom pritë me ardhë kjo natë me ia bo ‘reset’ trunit bashkë”, thotë në film Vali që luhet nga Redon Kika. Biseda dëgjohet gjersa në ekran shfaqen pamje të rrugës deri të vendi ku do të mbahet “party”, ku pritet të takohen edhe Drini e Vali. Fill pas kësaj, “Four Pills At Night” nis të japë pamje nga klubi ku po zhvillohet ndeja. Ajo që sjell më pas filmi nën regji të Leart Ramës është një rrëfim dashurie. Një lidhje që mbahet e fshehur, ku dikush dashuron shumë e fundi i historisë nuk dihet se si do të jetë.
Ekipi i filmit u kthye të premten në Kosovë për premierën kombëtare. Ishin në Zvicër për premierën botërore që u dha në “Locarno Film Festival”, që ka namin e një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Zvicër dhe Evropë. Atje filmi është shfaqur të mërkurën dhe ishte përzgjedhur në “Pardi di domani National Competition” në edicionin e 74-t të “Locarno Film Festival” që nisi më 4 gusht e përfundoi këtë të shtunë. E në “DokuFest” erdhi në kuadër të programit “Special Screening”.
Regjisori 24-vjeçar, te filmi është i fokusuar të kapë emocionet. Është fokusuar te kuadrat më të ngushta e të pamjet në profil. Fjalëpakë janë personazhet e tij. Veprimet e mimikat e fytyrës flasin më shumë. Rama aty vë fokusin e kamerës së tij. Dy muaj i ka marrë kohë i gjithë procesi e brenda dy ditëve janë kryer xhirimet. Por, puna me këtë projekt filmik ende nuk ka përfunduar. Synimet janë që ai të shndërrohet në film të gjatë. Prandaj edhe mbetet për të parë se si do të vazhdojë rrëfimi i dy të rinjve, por edhe reagimi i shoqërisë karshi dashurisë së tyre. Këto janë edhe dy aspektet ku fokusohet regjisori: mundohet të zbërthejë se çfarë ndjenje kanë Vali e Drini për njëri-tjetrin. Valin e vë edhe përballë reagimeve të miqve që e mësojnë se ai është homoseksual.
Vetë regjisori ka thënë se përfundimi i filmit është realizimi i një ëndrre të tij të kamotshme.
“Është një prej ekipeve që ka dhënë maksimumin për me e bo një film, për me e nxjerrë një tematikë, për me realizu atë ëndrrën time që e kam pasur gjithë jetën për ta bërë një film të tillë”, ka thënë ai.
Në tetor të vitit të kaluar, skenari i regjisorit Rama, asokohe me titull “Four Pills In A Medow Night”, ishte shpallur fitues për një grant për produksionin e filmit të shkurtër nga “DokuFest” dhe “Internationale Kurzfilmtage Qinterthur”.
Më 18 maj të këtij viti, ekipi ia kishte dalë mbanë që t’i përmbyllte me sukses xhirimet e këtij filmi, i cili është prodhim i “Katarzë Films” bashkë me “Degjenerata”, ndërkohë që është mbështetur nga “Internationale Kurzfilmtage Winterthur”, “DokuFest” dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.
Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se filmi është bërë me mjete e buxhet minimum, por me dashuri dhe vullnet të madh.
“I gjithë ekipi i filmit kanë dëshmuar që bën me ëndërru, bën me punu, bën me realizu filma të cilët munden të arrijnë edhe në festivale më të mëdha”, ka thënë ai. Duke treguar se Learti i ishte bashkuar “DokuFestit” kur ishte 10-vjeçar e producentja e filmit Nita Deda kur ishte 10 vjeçe, ka thënë se ky sukses është diçka që ai nuk ka munduar ta ëndërrojë para 20 vjetëve.
“Nuk është rastësi që ky vit sado që është i vështirë dhe ka qenë i vështirë në fakt është viti më i mirë i filmit kosovar në gjithë historinë e shkruar dhe këta janë njerëzit që po e shkruajnë atë”, ka thënë Nurkollari. Ka shtuar se do të vazhdojnë t’i mbesin të rinjtë. “Shpresojmë që është të tjerët do të na bashkëngjiten dhe do të arrijmë të realizojmë sa më shumë filma”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, producentja Nita Deda ka thënë se realizimi i filmit ishte një proces shumë sfidues, por i bukur.
“Për 20 vjet arti i të rinjve është përkrahur nga “DokuFesti” dhe është krijuar hapësira për më i tregu storiet e tyre”, ka thënë ajo.
Në film përveç Redon Kikës e Florist Bajgorës, luajnë edhe Don Shala, Gjeni Basha, Edon Shileku, Dardan Bytyqi, Nita Kaja, Blin Sylejmani e të tjerë. Regjisori Leart Rama kur ishte 16-vjeçar, përfundoi "Shkollën e Filmit Dokumentar" në “Dokufest”, ku zbuloi pasionin e tij për filmat dhe u zbulua si një talent. Ai u diplomua për regji filmi në “Universitetin e Arteve të Tiranës” në Shqipëri. Në të njëjtin vit, ai themeloi "Katarzë Films", një kompani prodhimi filmash në Prishtinë. Në moshën 22 vjeçe, ai u zgjodh nga Werner Herzog për të xhiruar një film në Xhunglën Kolumbiane, diçka që nuk u realizua për shkak të pandemisë. Filmat e tij përfshijnë: "Stacioni", "Seam" dhe serinë e dokumentarëve që kapin kohën e pandemisë në Prishtinë, titulluar “Corona Diary”. Edhe “Four Pills At Night” është xhiruar në kohë pandemie.