Përgjatë historisë së tij, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik ka qenë një dritare edhe për kinematografinë e Kosovës. Shumica e filmave të suksesshëm në Kosovën e pasluftës kanë gjetur vend aty. E tash, në edicionin e 64-t, janë “Martesa” nën regji të Blerta Zeqirit dhe “Four Pills at Night” i Leart Ramës, që janë mirëpritur prej publikut në festivalin me traditë, i cili në program ka pasur edhe të tjerë filma që flasin shqip e me aktorë nga Kosova
Selaniku është shndërruar tash e disa ditë në kryeqendër të filmit qysh se në ditën e dytë të këtij muaji kur komediani ikonik i kinemasë dhe teatrit grek, Dimitris Piatas, e bëri hapjen e ngjarjes me traditë në këtë qytet dhe kjo ka qenë intro e një maratone filmash retrospektivash, seksionesh konkurruese dhe një mori ngjarjesh të tjera. Është edicioni i 64-t i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Kosova edhe filmi shqiptar kanë një përfaqësim të veçantë. Në ekran të madh është rikthyer gjashtë vjet pas premierës “Martesa”, nën regji të Blerta Zeqirit, përderisa “Four Pills at Night” i regjisorit Leart Rama është dhënë premierë në Greqi, dy vjet pas lansimit. Po ashtu në program janë edhe bashkëprodhime si filmi i metrazhit të gjatë “House Keeping for Beginners”, nën regji të regjisorit Goran Stolevskit, ku luajnë edhe aktoret nga Kosova, Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, si dhe filmi nga Shqipëria “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” i Gentian Koçit. Janë në programin “Reflections of Topos”, jashtë garës, i cili pasurohet edhe me filmin e shkurtër “A Short Trip” të Erenik Beqirit e që në shtatorin e sivjetmë bëri histori kur mori Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, në kategorinë “Orizzonti”, në edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecie. Në film luajnë edhe aktorët nga Kosova, Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj, tok me Tristan Halilajn, që mbajnë barrën e roleve kryesore.
Për regjisorët Blerta Zeqiri, njëherësh drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe Lart Ramën, mbrëmja e së mërkurës ka qenë e gjatë. Pas shfaqjes së filmave publiku ka pasur mundësi të bëjë pyetje për dyshen. Zeqiri e ka vlerësuar komunikim me publikun në Selanik. Kinematografia e Kosovës s’është e panjohur për këtë festival. Ndër vite aty janë shfaqur gati secili projekt i suksesshëm kinematografik.
“Ka qenë shumë e bukur shfaqja së pari. Janë shfaqur bashkë filmat ‘Martesa’ dhe ‘Four Pills at Night’ e edhe shfaqja ka qenë në orën 22:00 dhe ka pasur shumë publik, gjë që më ka habitur, sepse ka qenë goxha vonë. Në anën tjetër, kur kanë mbaruar filmat në orën 12 e 30 pas mesnatës, kemi mbetur deri në orën 01:00, derisa na kanë larguar nga salla, sepse kishte shumë pyetje, shumë përgëzime për të dy filmat”, ka thënë Zeqiri.

Sipas saj, publikut i ka lënë përshtypje dialogu në të dy filmat dhe se në sallë ka pasur shumë të pranishëm të cilët për herë të parë kanë parë film në gjuhën shqipe. Te “Martesa” tërhiqet paralele ndërmjet sekreteve të një martese dhe të kaluarës së dhimbshme të një shteti.
“Filmi i Leartit është pëlqyer shumë nga publiku. Ka marrë pyetje të shumta. Njëra prej tyre ishte edhe çështja e muzikës, sepse është një film që ka shumë muzikë përbrenda tij. Ka qenë interesante edhe për ta kuptuar se si e ka punuar muzikën e filmit të tij. Komplimente kemi marrë edhe për kastën e përzgjedhur në të dy filmat. Prezent ka qenë edhe Redon Kika, që është aktori kryesor në filmin e Leartit edhe ai ka pasur rastin të përgjigjej në këto pyetje”, ka thënë Zeqiri.
Pas shfaqjeve të shumta nëpër vende të ndryshme të botës, për ekipin realizues të filmit të shkurtër “Four Pills at Night” edhe premiera në Greqi zë një vend të veçantë.
Brenda një klubi nate muzika, dritat pulsuese dhe lëkundjet e trupave, ku personazhet prezantohen në sekuenca të shkurtra dhe më pas zhduken po aq shpejt është ajo çfarë e karakterizon filmin, krahas temës që e shtjellon. Në film paraqitet një ambient që të jep ndjenjë ankthi, pasi përzierja e muzikës jo të lehtë dhe drogave të cilat personazhi kryesor Vali i merr në sasi të shumta, prekin shqisat. Me kalimin e natës bëhet e qartë se Vali është i lidhur me aktorin me të cilin do të punojë dhe se miqtë e tij nuk dinë për orientimin e tij seksual.“Four Pills at Night” përshkruan me saktësi kaosin në një klub nate.
Regjisori Rama e ka përmendur rëndësinë që filmi të arrijë ta përçojë mesazhin. Ka thënë se sa më shumë që shfaqet arrihet më pranë realizimit të këtij qëllimi.
“Shfaqja e filmit tonë ‘Four Pills at Night’ në edicionin e 64-t të TIFF ka ardhur si një surprizë shumë e bukur që na bën të kuptojmë që edhe pas dy vjetësh nga lansimi i filmit, ne akoma kemi hapësirë për të treguar këtë storie në vende të ndryshme të botës dhe dhjetëra qindra zemra. Unë jam shumë i lumtur që njerëzit po e gjejnë veten në filmin tonë në çdo vend që po shfaqet”, ka thënë Rama.
Ai ka përmendur se kjo premierë ka qenë ndër më të veçantat pasi që filmi i tij është shfaqur së bashku më atë të Zeqirit.
“Kemi dalë me plot krenari para publikut me këto dy storie shumë të rëndësishme të gjeneratave tona. Që nga fillimi i karrierës e kam pasur ëndërr ta vizitoja këtë festival dhe me shfaqjen e filmit “Four Pills at Night ishte mënyra më e bukur. Një qytet plot diell dhe energji shumë të bukur na e kanë bërë një mikpritje të përkryer në festival që për mua do të jetë pjesë shumë e veçantë në kujtesën time për udhëtimet e filmit tonë nëpër botë”, ka përfunduar Rama.
Blerta Zeqiri ka përmendur edhe hapat e parë që Rama i ka marrë si regjisor. Ka qenë pikërisht nën udhëheqjen e saj në shkollën e filmit në kuadër të festivalit “DokuFest”.
“Unë ndiej gëzim të jashtëzakonshëm kur shoh gjeneratat e reja duke pasur sukses në filmat e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për filma që trajtojnë tema pikërisht të gjeneratës së re. Mund të them se e kam një kënaqësi edhe më të madhe, sepse Learti në një moment të caktuar, kur ka qenë 16-vjeçar, e kam pasur edhe student te shkolla e filmit dokumentar në ‘DokuFest’, kështu që ishte edhe një kënaqësi dyfish që filmat tanë u shfaqën në të njëjtin sllot dhe ishte krejt e papritur sepse aty e morëm vesh”, ka bërë të ditur Zeqiri.
Përveç filmave, në kuadër të Festivalit është mbajtur edhe Asambleja e Përgjithshme e “SEE Cinema Network”, për të diskutuar zgjedhjen e projekteve që do të marrin mbështetjen e rrjetit për zhvillim. Pjesë e Asamblesë ishin shtetet ballkanike si: Kosova, Greqia, Bullgaria, Mali i Zi, Rumania, Shqipëria, Qiproja dhe Maqedonia e Veriut. Disa nga projektet e përzgjedhura ndër vite nga Kosova për përkrahje nga “SEE Cinema Network” ishin: “Kthimi në Mal” dhe “Zana” me regji të Antoneta Kastratit, "Gruaja e shtëpisë" i Fatos Berishës, “Koagulimi” i regjisorit Noar Sahiti, “Burek”, i Ismet Sijarinës dhe “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës.
“Për mua ishte hera e parë që mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të ‘SEE Cinema Network’ edhe aty e pashë se sa punë e madhe dhe e rëndësishme bëhet në këtë rrjet të kinemave ballkanike. Të gjitha shtetet ishin të pranishme dhe votuam për projektet të cilat do të përfitojnë nga ky rrjet për zhvillim. Ishte kënaqësi, sepse fitoi një prej projekteve të Shqipërisë, i cili është në bashkëprodhim me Kosovën”, ka thënë ajo.
Këtë vit, ndër të tjera, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik e ka karakterizuar edhe pjesëmarrja e aktores së njohur italiane Monica Bellucci. Pos shfaqjes së filmit të sivjetmë “Maria Callas: Letters and Memoirs”, ku ajo vjen në rolin e divës operistike, sikurse edhe filmit kult “Malena” të vitit 2000 të enjten mbrëma, ajo është nderuar edhe me çmimin e nderit “Aleksandri i Artë”.