Ekziston një moshë e caktuar në të cilën paraqiten etapa të caktuara në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës, por edhe të dëgjimit, si kusht për zhvillimin e të folurit. Sipas Raymond Hickeyt, pavarësisht se fëmijëria zgjat deri në moshën 11-13 vjeç, njohuritë strukturore të gjuhës dhe fonologjia merren deri në moshën 6-vjeçare – e ky fakt është i jashtëzakonshëm dhe interesant, sepse ka varfëri të kontributit gjuhësor nga të tjerët, dhe fëmijët marrin pak ose aspak udhëzime për nxënien e gramatikës së gjuhës
Përkundër faktit se dinamika e zhvillimit të të folurit dhe gjuhës si dhe shfaqja e zotësive për të kuptuarit konceptual është individuale për çdo fëmijë, etapat e nxënies së tij janë përafërsisht të njëjta për të gjitha gjuhët e botës dhe fëmijët me zhvillim normal. Megjithëse pa tipare të qenësishme, që nga klithma e parë fillon zhvillimi i komunikimit. Analizimi i saj pas lindjes ka treguar se ajo i përmban të gjitha elementet akustike të strukturës së të folurit, të cilat janë prezente në të folur dhe projektojnë bazën e veçorive fizike të tij. Pra, tiparet e përgjithshme të të folurit janë prezente në klithmën e parë dhe varësisht nga të folurit e mjedisit ndaj të cilit ekspozohet, fëmija e nxë dhe e zhvillon gjuhën.
Ekziston një moshë e caktuar në të cilën paraqiten etapa të caktuara në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës, por edhe të dëgjimit, si kusht për zhvillimin e të folurit. Sipas Raymond Hickeyt, pavarësisht se fëmijëria zgjat deri në moshën 11-13 vjeç, njohuritë strukturore të gjuhës dhe fonologjia merren deri në moshën 6-vjeçare – e ky fakt është i jashtëzakonshëm dhe interesant, sepse ka varfëri të kontributit gjuhësor nga të tjerët, dhe fëmijët marrin pak ose aspak udhëzime për nxënien e gramatikës së gjuhës. Vasta (et al.) thotë se fëmija, gjatë katër vjetëve të parë të jetës së tij, ende pa mësuar të vishet vetë, ta gjejë rrugën për në shtëpi, pa arritur të mësojë t’i mbledhë e t’i zbresë numrat, është në gjendje të formojë fjali dhe t’i përdorë rregullat e gjuhës ndaj së cilës është i ekspozuar. Pra, kemi bashkëveprim me njohuritë e lindura dhe përvojat e fituara që e krijojnë një ‘realitet mendor’, duke ndërvepruar me mjedisin gjuhësor.
Fëmijët janë në gjendje të mësojnë çdo lloj gjuhe ndaj së cilës ekspozohen, dhe ata nuk duhen kundruar si një “enë bosh” ku duhet t’u servohet gjuha siç i shihte Skinneri, pavarësisht se përforcimet shpërblyese e motivojnë sjelljen gjuhësore.
Fazat e përgjithshme të të nxënit
Përmbledhtazi, përparimi gjuhësor deri në moshën 2-vjeçare mund të spikatet në katër faza universale sipas John Fieldit, dy të parat e të cilave janë paralinguistike:
Edhe
Alarmon studimi i madh: Ekranet e pajisjeve mund të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve nën 2 vjeç
- Gurgullimi (rreth tre muajsh) - gurgullimi lëviz kah vokalizmi që përfshin zëra që ndërtojnë tinguj. Fëmija i përgjigjet zëshëm të folurit njerëzor.
- Gëlimi (prej gjashtë muajsh) - fëmija prodhon sekuenca të kombinuara zanore-bashkëtingëllore që mund të tingëllojnë si ato të gjuhës së synuar të fëmijës. Prodhimi i mëtejshëm i fëmijës bëhet imitativ, shpesh ekziston një fazë e eholalisë në moshën tetëmuajshe, kur fëmija imiton modelet intonative të të rriturve me një shkallë të caktuar të saktësisë.
- Faza e një fjale (nga një vjeç) - ndonjëherë përdoret edhe termi të folurit holofrastik. Fjalët e para shfaqen rreth moshës një vjeçe, ndërsa rreth moshës një vjeç e gjysmë, fëmija mund të ketë një fjalor prej 50 fjalësh, zakonisht emra. Fëmija njeh funksionin preferencial të fjalëve, duke i përdorur për të emërtuar objekte të ndryshme.
- Faza e dy fjalëve (një vjeç e gjysmë e tutje) - ndonjëherë përshkruhet si e folur telegrafike, për shkak të mungesës së shumë fjalëve funksionale. Kombinimi dyfjalësh manifestohet përmes një grupi prej marrëdhëniesh semantikisht primitive, që e përbëjnë të ashtuquajturën Gramatika e fëmijëve, prej të cilave më së shumti përdoren emërtueset “kjo”, përemrat e pacaktuar “një”, “shumë”, pjesëza mohuese “jo” për të treguar shumësi që nuk ekzistojnë. Pothuajse në të njëjtën kohë, nis shpërthimi i vokabularit, me një rritje prej gjashtë deri në dhjetë fjalë të reja në ditë që i shtohen fjalorit të fëmijës
- Faza e shumë fjalëve (dy vjeç e gjysmë e tutje) - fëmija përdor radhë prej tri e më shumë fjalëve, zakonisht mbështetur në modelet e ndërtuara dyfjalëshe. Modelet sintaksore të të rriturve ngadalë nisin të mbizotërojnë. Nëse ekziston një rend natyror i përvetësimit të modeleve, mund të ofrohet dëshmi e nocionit nativist se qeniet njerëzore janë të pajisura me Gramatikë Universale që e përcakton mënyrën e të nxënit të gjuhës së parë.
Karakteristikat kryesore sipas fazash
Tani do të shihen më detajisht aftësitë e zhvilluara gradualisht në bazë të periudhës kohore të kontaktit me rrethin shoqëror, të mbështetura në hulumtime nga Institute të fonetikës eksperimentale në rajon.
Edhe
Kushtet socioekonomike ndikojnë më shumë se faktorë të tjerë në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Periudha deri në shqiptimin e fjalës së parë quhet paralinguale, e cila përbën kohën kur fëmija e krijon terrenin për gjuhën me anë nyjëtimi rrokjesh e tingujsh – pra fillon periudha e vokalizimit. Kjo periudhë karakterizohet me gurgullima, vokale e llomotitje – ku sinkronizimi i tonalitetit dhe loja me organet e të folurit rezulton me paraqitjen e gurgullimës. Në zhvillimin paralingual, fëmija me zërin e tij, përmes të qarit e informon rrethin e tij për gjendjen psiko-fiziologjike. Kjo fazë duhet parë si një zhvillim i vazhdueshëm i komunikimit verbal, pasi gurgullima zhvillohet edhe te fëmijët me dëgjim të dëmtuar, sepse ajo është e lidhur ndjeshëm me të folurit e jo me aspekte të tjera të aftësimit në zhvillimin mendor, pavarësisht se është ende pa inventar sistematik verbal. Në këtë periudhë, së pari paraqitet formimi i zërave të ardhshëm – fonemat vokale, bashkëtingëlloret buzore e kryesisht tinguj spontanë. E në etapën nga 2-6 muaj, të gjithë fëmijët e botës pa dallime race a kulture, nyjëtojnë të gjithë zërat e mundshëm të të folurit njerëzor.
Ndërsa, periudha linguale, e shoqëruar me zhvillime të tjera psikike si procese ndërmjetësuese, fillon me fjalën e parë – që te disa fëmijë paraqitet rreth muajit të 9-të, kurse te disa fëmijë të tjerë deri në muajin e 15-të. Në periudhën 6-12 muaj ngushtohet repertori i zërave, por është i pranishëm belbëzimi, si dhe fëmijët e shurdhër dhe me prapambetje mendore në këtë fazë ngecin në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës. Kështu, bazat e zhvillimit të të folurit, të cilat mbështjellin më vete edhe karakteristikat që derivojnë nga zhvillimi psiko-fizik, vihen gjatë vitit të parë. E këtë e përbëjnë edhe: ritmi, tempoja, intonimi dhe melodia e veçantë e zërit – komponentë pa të cilët nuk ka të folur dhe progres në zhvillim të tij.
Te mosha 1-2 vjeç ka dallime individuale në materialin verbal që shfrytëzohet si dhe duhet vërtetuar shkalla e të kuptuarit të të folurit dhe zhvillimi i përgjithshëm psiko-motorik për ta parë nëse aftësitë sociale e kognitive po zhvillohen normalisht. P.sh. te fëmija 2-vjeçar duhet vërtetuar se a ka në fjalorin e tij mendor më tepër se 10 fjalë, a di të tregojë pjesët e trupit, a di t’i imitojë zërat e kafshës apo veturës, nëse e shfrytëzon gjatë të folurit mohimin me jo, s’ka, nuk etj. Disa fëmijë në ditëlindjen e parë flasin me fjalë të shkurtra, kurse disa të tjerë përballen me vështirësi dhe këtë nuk mund ta bëjnë as në ditëlindjen e dytë.
Gjatë vitit të tretë, fëmija e nxë bazën e gjuhës amtare si dhe hyn në një etapë të kureshtjes, për ç’arsye është kreativ në thurjen e fjalëve. I përdor të gjitha llojet e fjalëve, por më tepër emrat dhe foljet, komunikon me rrethin, pyet, kërkon, tregon etj. Brenda një kornize, me një kapacitet mbresëlënës, i përdor të gjitha pjesët e ligjëratës. Shqiptimi i fjalëve është më i pjekur, njeh ngjyrat, përemrat, di të emërtojë dhjetëra objekte. Fjalori i tij ka rreth 250 fjalë. Pas kësaj periudhe, fillon ta akomodojë informacionin më shpejt.
Mosha nga 4 deri në 6 vjeç
Në vitin e katërt të jetës interesohet për gjërat më të detajuara, di të emërtojë një numër të madh të objekteve, njeh antonimet ”i madh – i vogël”, proteston kur nuk i plotësohet ndonjë nevojë e tij, ose kur i thuhet ndonjë e pavërtetë. Posedon fjalor me rreth 1500 fjalë, flet kuptueshëm, me fjali të plota. Me një intensitet të veçantë i shfrytëzon njohuritë për botën që e rrethon, duke u shërbyer në masë të madhe me gjuhën. Saktë di të emërtojë një numër të madh objektesh, përshkruan fotografitë në nivel relativisht të mirë si dhe i shfrytëzon fjalët analoge: i hollë, i trashë, vëllai, motra. Posedon një fjalor me 1500 fjalë. Përgjigjet në mënyrë adekuate në pyetje: çka bën kur je i përgjumur? Çka bën kur je i uritur? Çka bën kur ke të ftohtë?. Numëron deri në 5 e më tepër, dallon 2-3 lloje ngjyrash, mund të përsërisë 3-5 rrokje të pakuptimta, dhe i rikujton pas 30 sekondash, flet kuptueshëm me fjali të plota, flet për veten dhe të tjerët, për ndodhitë dhe ngjarjet që i ndodhin, me kureshtje e përcjell përmbajtjen e tregimit dhe shtron pyetje, e dallon anën e djathtë dhe të majtë, i njeh gishtat, ka interesim të flasë me persona të njohur, mëson vjersha etj. Për t’i parë praktikat e mirërritjes, në këtë moshë duhet të vërtetohet a di t’i emërtojë dhjetëra objekte nga rrethi i tij, a i njeh ngjyrat, a i shfrytëzon përemrat, a i shqipton 10 deri në 15 bashkëtingëllore dhe të gjitha zanoret. Gjithashtu, duhet të verifikohet nëse është gramatika e të folurit të tij e njëjtë me gramatikën e rrethit. Ndër të tjera, fëmija mund të tregojë me fjalë për ndonjë ndodhi, proteston, bën pyetje duke shfrytëzuar përemrat pyetës dhe vërehet nxënia graduale e shkronjave.
Te viti i pestë, në mënyrë të rregullt i shfrytëzon të gjitha elementet e të folurit. I thellon shkathtësitë e të folurit dhe gjuhës, të cilat i ka nxënë, e disa të reja i përvetëson, zakonisht në lëmin e semantikës (duke zhvilluar logjikisht lidhjet formë-koncept), artikulimit, gramatikës dhe shkathtësi shoqërore-gjuhësore. Numëron deri në 10, e dallon mëngjesin nga mbrëmja, ka fjalor mendor deri në 2000 fjalë, i di disa fakte të përditshme p.sh. cila shtazë jep qumësht. Fjalitë bëhen më komplekse, përmbajnë më tepër folje. Pra, të folurit është më i saktë, i përafrohet nivelit të të rriturve dhe krahas strukturave të pranishme, krijon edhe bazën intelektuale për disa koncepte. Me 5 vjet e gjysmë duhet të dijë t’i artikulojë të gjitha shkronjat. Fjalori çdo ditë e më tepër zgjerohet. Përparim më të madh tregon në shkathtësitë shoqërore e gjuhësore, duke u shërbyer me mënyrat që i përvetëson që të marrë atë që dëshiron.
Edhe
“Vuajtje e heshtur”: Pse fëmijët në Gazë po e humbasin aftësinë për të folur
Te viti i gjashtë i jetës plotësisht e kupton të folurit e mjedisit, kryen kërkesa të ndryshme të dhëna me fjalë, mund t’i përsërisë 4-5 rrokje të pakuptimta, të folurit është krejtësisht gramatikor, rrëfen tregime të gjata, numëron deri në 10 e më shumë, mund ta ndajë fjalën në rrokje, edhe pse nuk e kupton domethënien e fjalës rrokje, mund të vërejë fjalën e gabuar në fjali. E ka aftësinë e plotë që t’i ndajë shkronjat dhe t’i lidhë. Këto aftësi janë parakusht për nxënien e shkrim-leximit, pasi me fillimin e shkollës vjen në situatë që për nevoja arritjeje në të kuptuarit e lëndëve, duhet në mënyrë aktive të mendojë për gjuhën, e më herët këtë obligim nuk e ka pasur. I dallon fjalët me përbërje fonematike të ngjashme: dora, bora, mali kali, rimën, prezencën e shkronjave dhe radhitjen e tyre në fjalë, si dhe i përcakton pozitat hapësinore lart-poshtë, mbi, nën, para, prapa. Natyrisht se nxënia përmirësohet edhe nga reagimet entuziaste të të tjerëve, duke e përforcuar kështu.
Mund të konkludohet se rrymat të cilat e mbështetin bashkëshoqërimin e stimujve në efikasitet gjuhësor sigurisht që janë shkencore, sepse në periudhën kritike përshtaten aftësitë komplekse të lindura me efekt të madh të operimit me faktorët e jashtëm, duke siguruar themel të fortë në përmirësimin e shpejtë të të folurit. Por, njëtrajtshmëria (sado që jo në shkallë maksimale) tregon se truri është i parapërgatitur dhe ka njëfarë paraprogramimi gjenetik në rrjedhën e zhvillimit të të folurit, pavarësisht se nuk është arritur shpjegimi i dizajnimit të tij në aspektin gjenetik.