Nisi si pasion por më pas fotografia për të u bë mision. Në rrugëtimin e tij si fotograf i pavarur, Asllan Krasniqi ka miliona shkrepje fotografike, por një cikli i ka dhënë tjetër peshë. “Eksodi ‘99” është dokumentimi që ai ia bën luftës së vitit 1999, e për ta përthekuar në një lloj ekspozite, galeri është banesa e tij. Fotografia thotë të ketë qenë arma a tij në kohë lufte, por historia e tij me fotografinë nuk nis e mbaron këtu
Asllan Krasniqi s’e heq kapelën me strehë me mbishkrimi “Eksodi 99”. I njëjti, me të kuqe është i shkruar edhe në maskën e zezë që e mban të vendosur, fotografi që edhe një muaj shënon 77-vjetorin. Në 58 prej tyre është marrë me fotografi. Teksa shtyp sustën e ashensorit për në katin e katërt nis e tregon pak nga tregimi i tij prej fotografi. Te hyrja për në banesën e tij me të kuqe është shkruar “Eksodi 99 ka emër - Kurrë mos të harrohet”. Fotografive të shkrepura në atë kohë, Asllan Krasniqi u ka dhënë një adresë. Në banesën e tij në Fushë Kosovë ka improvizuar galeri. Për të simbolizuar atë që ndodhi në vitin 1999, ai në muret e banesës së tij tridhomëshe ka vendosur hiç më pak se 99 fotografi. Në pjesën më të madhe të tyre shpërfaqen shikimet e mpira të atyre që u larguan dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë. Jo pak prej këtij cikli dominohen nga portrete të moshuarish e fëmijësh. Në sytë e disa prej tyre është ngrirë përjetësisht dhimbja për humbjen e më të dashurve. Kur shpërtheu lufta, Krasniqi veçse e kishte përvetësuar zanatin e fotografit që e nisi spontanisht në Kosovë dhe e vazhdoi edhe pas vitit 1971 kur u shpërngul në Belgjikë. Para kësaj, ai kishte fotografuar refugjatët e parë kosovarë të cilët u larguan nga atdheu për në Turqi përgjatë vitit 1970. Në vitin 1969, e përfundoi edhe një kurs të Artit Fotografik në Paris.
“Një shok i imi kishte një aparat dhe unë u bëra merak në të. I thashë: ‘A mund të ma japësh, por unë nuk kam para ta paguaj’. I dhashë një radio dhe ai më dha një aparat. Në atë kohë bëja fotografi për pasaporta dhe letërnjoftime. Nuk kisha ndonjë qëllim tjetër”, tregon mes kujtimesh Krasniqi.
Krasniqi, i cili në Belgjikë udhëhiqte firmën "IDK Badge's-House ID Security Systems”, në fund të viteve ‘90 e mbylli atë për të punuar vetëm si fotograf i pavarur. Disa nga fotografitë iu botuan në gazetat e asaj kohe në Kosovë. Përderisa jetonte në Belgjikë gjatë gjithë kohës, Asllani ishte në lëvizje. Sa herë që dëgjonte për ndonjë aktivitet që lidhej me Kosovën, ai ishte aty. Refugjatët e luftës në Kosovë i ka ndjekur ngado. Sot në arkivin e tij janë 15 mijë fotografi që lidhen me eksodin. Fotografitë e para të refugjatëve të luftës në Kosovë i bëri në prill të vitit 1999 në Belgjikë.
Nga kampet e refugjatëve në Turqi deri në Shqipëri e Maqedoni
Përgjatë muajve pasues, ai vazhdoi fotografimin e refugjatëve shqiptarë në Turqi (Stamboll dhe Kirklareli). “Në një kamp në Kirklareli ku ishin 18 mijë shqiptarë të vendosur, aty ishin organizuar klasa të improvizuara ku mbanin mësim në gjuhën shqipe. Më erdhi interesant, sepse në Turqi nuk ka qenë e lehtë të hapen shkolla shqip”, ka rrëfyer Asllani.
Më pas ia mësyu Shqipërisë, ku në fokus të aparatit të tij ishin kampet e të dëbuarve në Shqipëri (Kukës, Tiranë, Kavajë), për të vazhduar më pas për në kampet tjera në Maqedoni në Bllacë, Stankovec, Çegran. Në fotografi ka dokumentuar edhe kthimin e kosovarëve në shtëpi pas çlirimit më 12 qershor. Aty pasqyrohen edhe shkatërrimet e ndërtesave dhe shtëpive. Kthimi në Kosovë është një histori tjetër. E gjithë dhimbja e refugjatëve të kthyer është e shprehur në dhimbjen e të afërmeve që varrosin trupat e familjarëve.
Rrugëtimi i tij me fotografinë është një histori që Krasniqi dëshiron ta tregojë shumë herë. Sa herë që i sheh ato i kthehen emocionet e kohës kur i ka realizuar. Çdo dhomë ku ka ekspozuar fotografitë përmban një kapitull të Kosovës. Asllani, që ka realizuar 50 ekspozita personale në vende të ndryshme, me emocion i zbërthen historitë e imazheve. E tradhton zëri teksa rrëfen imazhin e një plaku me sy të përlotur, i cili i ka humbur tre djemtë në luftë. Fotografi ndonjëherë dhe nuk dëshiron t’i komentojë, duke thënë se ato flasin më shumë se çfarë që ai mund të thotë.
“Pushka ime ka qenë aparati”
Fotografi 76-vjeçar, i cili ka më shumë se gjysmëshekulli jetë me fotografinë si fotograf i pavarur, ka treguar se cila ishte arsyeja kryesore që ai nuk e lëshoi asnjëherë aparatin fotografik nga duart. As kur gjatë kohës së luftës qëndroi larg familjes dhe jetës që e kishte ndërtuar atë kohë në Belgjikë. Kur pyetet për këtë, vë dorën në zemër. Sipas tij, aty buron arsyeja e gjithë kësaj.
“Ajo vjen nga zemra dhe kontributi im që kam pasur dëshirë ta jap atëherë. Meqë nuk kam pasur mundësi të dal me pushkë apo automat në front, pushka dhe automati im ka qenë aparati fotografik që e kam përdorur në atë kohë”, tregon tutje Krasniqi.
Përmbledhjen e fotografive të tij në një hapësirë që e hapi në fillim të këtij viti, Krasniqi e quan si një luftë kundër harresës. Përveç imazheve të luftës, aty janë përmbledhur edhe shumë fotografi të aktiviteteve më të rëndësishme që u realizuan jashtë Kosovës. Në muret e banesës së tij janë të ekspozuara imazhet e një pjese të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouilletit në marsin e vitit 1999. Në plan të parë janë imazhet e presidentit Ibrahim Rugova. E brenda kështjellës ka fotografuar edhe imazhe të publicistit Veton Surroi. Dhe, pamje të tjera ku në Paris, Surroi u ishte drejtuar mediave botërore. Në Rambouillet, Krasniqi pati një përvojë të pazakontë.
“Në kështjellë ishte e ndaluar të hyje, por unë kam hyrë disi. Atje më kanë kapur dhe më kanë përjashtuar. Më kanë kërcënuar se do të ma marrin pasaportën nëse nuk e zhduki filmin. Unë arrita ta shpëtoj filmin dhe të fus një tjetër dhe ta zhduki para atyre. Kështu fotografitë shpëtuan dhe unë mora pasaportën dhe dokumentet tjera”, ka treguar tutje ai.
Në fokus të fotografive të tij janë edhe shumë personalitete të huaja që kanë dhënë kontribut për pavarësinë e Kosovës. Mes tyre janë William Walker, Bill Clinton, Kofi Anan, Javiar Solana, Madeline Albright e të tjerë. Për ta përcjellë këtë, ai në një dhomë tjetër ka ekspozuar grafitet e fotografuara në Kosovë pas çlirimit. I ka vendosur veçmas si shenjë mirënjohjeje për aleatët e huaj.
Krasniqi është i hapur t’i presë të gjithë ata që duan ta vizitojnë galerinë e tij private në Fushë Kosovë. Është i gatshëm që të gjithë ata që shkojnë aty t’i shëtisë në përjetimet e luftës së fundit në Kosovë.