Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Diskriminimi gjinor në diskurs

Ndër dallimet më të spikatura në diskurs janë ato gjinore, që përpos në sjellje, manifestohen dukshëm edhe në të shprehur, ku njëra gjini (në këtë rast ajo femërore) duhet t’i përvetësojë dhe zbatojë disa rregulla e “parime morale të shëndosha” për t’u perceptuar e pranueshme në shoqëri. Këto politika strikte ia kufizojnë të drejtën menaxheriale dhe përparimin e zhvillimin e përvojës profesionale lirshëm dhe janë të dëmshme në krijimin e barazisë efektive, e në mospajtim me standardet e krijuara në kohën e sotme, por pjesshëm të zbatuara në përditshmëri

Vetë fakti se gjuha si aftësi e pandashme dhe unike e njeriut nxihet me interaksion social dhe përdoret për qëllime komunikuese, tregon rolin e pakontestueshëm, vendimtar që e kanë faktorët socialë gjatë të shprehurit gjuhësor. Pos rolit në nxënie të gjuhës, faktorët sociolinguistikë kanë ndikim edhe në zgjedhjet përkatëse diskursive, gjegjësisht në performancë gjuhësore. Nëse analizohet kujdesshëm gjuha e pjesëmarrësve në komunikim, mund të nxirren interpretime të ndërlidhura me identitetin e tyre, pra përdoren shprehje konform kodeve konvencionale të gjinisë, pozitës që folësit e kanë ose distancës shoqërore me bashkëbiseduesin. Kjo do të thotë se janë disa struktura të paracaktuara të diskursit që ndërlidhen me statusin social, gjininë, grupin shoqëror, moshën, situatën dhe përafërsisht, e parashikojnë përzgjedhjen e mënyrës së të shprehurit kur i dimë të dhënat sociolinguistike.

Ndër dallimet më të spikatura në diskurs janë ato gjinore, që përpos në sjellje, manifestohen dukshëm edhe në të shprehur, ku njëra gjini (në këtë rast ajo femërore) duhet t’i përvetësojë dhe zbatojë disa rregulla e “parime morale të shëndosha” për t’u perceptuar e pranueshme në shoqëri. Këto politika strikte ia kufizojnë të drejtën menaxheriale dhe përparimin e zhvillimin e përvojës profesionale lirshëm dhe janë të dëmshme në krijimin e barazisë efektive e në mospajtim me standardet e krijuara në kohën e sotme, por pjesshëm të zbatuara në përditshmëri.

Qysh në shekullin XVI, saktësisht më 1553, Thomas Wilson thoshte: “le ta ruajmë rendin natyral dhe ta vendosim burrin para gruas për hir të njerëzimit”, pastaj, Poole më 1646 deklaronte qartas: “gjinia mashkullore ka më shumë vlerë se ajo femërore”. Në këtë mënyrë, që ta ndiejnë veten më të sigurt e të shpëtojnë nga komplekset, deri vonë gjinia femërore është rekomanduar që t’u përmbahet ca sjelljeve të pëlqyeshme, zakoneve të caktuara që duhej të përvetësoheshin detyrimisht nga to. Ideologjia e tillë i legjitimon e i favorizon njëkohësisht edhe shumë diskriminime që konsiderohen “të mirëqena”, ku burrave u garantohet një pozicion më i përforcuar në vlefshmërinë e pikëpamjeve dhe në vendimmarrje. Njëkohësisht, fton për përkrahje të asimetrisë në çdo sektor e sferë jetësore dhe perceptimin e grave si “të papërshtatshme e të padenja” për t’u përfshirë e drejtuar struktura e institucione. Sipas studiuesit Ronald Wardhaugh, “grave u kërkohet të mos flasin në situata të caktuara, ku flasin burrat, derisa burrave u lejohet të flasin në të gjitha rastet. Gruaja ideale është e qetë në prani të burrit të saj dhe në takime ku ka prezentë burra, ajo duhet të flasë pa zë ose fare”. Pohime të tilla demotivuese, përjashtuese e ndëshkuese pa u bazuar në fakte, për gjysmën e njerëzimit reflektojnë një traditë të lashtë ekzistuese të dëshmuar si të padrejtë, por aktive edhe në ditët e sotme, që e lëkund pavarësinë, sigurinë dhe dinjitetin e grave.

Sociolinguistja Jennifer Coates, thotë se “gratë parapëlqejnë fjalët dhe sjelljet e hijshme, kurse burrat parapëlqejnë më shumë të sharat”. Pra, gratë janë ato që i shmangin fjalët e pista dhe kanë të shprehur më të rafinuar. Me këtë disiplinë të konceptuar kinse “të duhur dhe pozitive për vajzat”, vendosen praktika që i kufizojnë ato nga roli aktiv në jetën praktike për t’i dëshmuar shkathtësitë e elaboruar idetë e tyre në shoqëri.

Studimet për diskriminim gjinor në gjuhë

Edhe Letërsia na bën të lirë, devijimet e përditshme nga standardi janë art Shtojca për Kulturë 3 muaj më parë Letërsia na bën të lirë, devijimet e përditshme nga standardi janë art

Studimet kanë dhënë evidencë empirike në ekzistencën e stereotipave gjinorë e barrierave socio-psikologjike për t’u shprehur natyrshëm qysh në pikënisje të integrimit të grave në shoqëri e në treg pune, e që kanë ndikim në mosarritje të progresit e avancimit të karrierës së tyre, e disavantazhe të tjera në përditshmëri.

Punimi i Robin Lakoffit, “Language and Woman’s Place” i vitit 1975 është konsideruar si vepër në të cilën, ndër të tjera, ka lindur interesimi për çështjen e diferencave gjinore në gjuhë. Pos konstatimit se “ne e përdorim gjuhën, aq sa gjuha na përdor ne”, në këtë libër ajo dëshmon, njëkohësisht kritikon, duke dhënë raste të bindshme të pabarazisë në modelim të gjuhës p.sh. në përdorimin e mbiemrave cilësorë më shumë te gjinia femërore: e bukur, e mahnitshme, e mrekullueshme, por edhe në elemente mbisegmentore prozodike (theksi, intonacioni etj.) dhe kështu, duke nxjerrë në pah diferencimin gjinor direkt që bëhet në gjuhë. Në studim theksohet se gratë kanë diskriminim në gjuhë në dy mënyra: në mënyrën se si ato mësohen ta përdorin gjuhën dhe se si gjuha i trajton ato. Lakoffi thotë: “nëse një vajzë e vogël flet ashpër, “si djalë”, ajo do të paragjykohet, qortohet dhe do të bëhet shaka me të”. Në anën tjetër, “nëse gruaja refuzon të flasë si “zonjë”, ajo përqeshet dhe kritikohet duke u cilësuar jofemërore; nëse mësohet të flasë ashtu, ajo gjykohet se nuk mendon mençur dhe nuk mund të bëhet pjesë e një diskutimi serioz”. Pra, vajzat duhet të flasin si djem, në rast se dëshirojnë të kenë barazi për ta shprehur një pikëpamje për ndonjë çështje serioze. E nëse ato mësojnë të flasin “si vajza”, do t’u thuhet se nuk po flasin mençur.

Në rastin kur prezantohet një grua shpesh bëhet dallimi “zonjë”, “zonjushë”, që nënkupton nevojën e gjinisë femërore për ta treguar statusin martesor, kurse për burra përdoret vetëm “zotëri”. Në anglishte, njerëzimit i thuhet mankind me fjalën man (burrë), që gjithashtu shihet si ndërtim favorizues për gjininë mashkullore. Po edhe në shqipe emri njeri zakonisht u referohet vetëm burrave. Këtë fakt mund ta vërtetojmë kur vijnë 2 njerëz të panjohur (burrë e grua), mund ta përflasim: “erdh ni njeri dhe një gru”. Robin Lakoff arrin në përfundimin se “efekti fundamental në pabarazi është se grave sistematikisht u mohohet qasja në pushtet me arsyetimin se ato nuk janë të gatshme ta mbajnë atë, e që demonstrohet edhe me sjelljet e tyre gjuhësore me të tjerët dhe ironia këtu qëndron se vetë gratë nxiten që të ndihen se e meritojnë një trajtim të tillë, për shkak të mangësive në inteligjencën e tyre ose në arsimim”. Ky penalizim krijon barriera të theksuara në shfaqjen e vlerave të çdo vendi.

Pas Robin Lakoffit, Deborah Tannen e përdori termin genderlect, duke implikuar ekzistencën e varieteteve të dallueshme brenda së njëjtës gjuhë e mes gjinive të ndryshme. Tannen gjithashtu gjen se gratë e ndiejnë si detyrim ta konsultojnë burrin për gjithçka dhe të arrijnë konsensus, derisa burrat automatikisht i marrin vendimet vetë.

Sociolinguisti Peter Trudgill, ka bërë një studim në lidhje me diferencat gjuhësore në raportin vajzë-djalë në gjuhën angleze. Sipas këtij studimi, gratë përdorin forma që kanë prestigj më të lartë, d.m.th. janë të prira për ta përdorur gjuhën standarde më shpesh sesa meshkujt. Ndërsa këta të fundit përdorin më shumë forma jostandarde. Si arsye, ai përmend pozitën vartëse të grave në shoqërinë angleze dhe amerikane, gjë që bën ta ruajnë së paku gjuhësisht statusin shoqëror.

Liria e shprehjes sot

Hulumtimet botërore në dekadat e fundit pasqyrojnë kryesisht prirjen e vajzave për t’u marrë me thashetheme, mallkime e ankesa, por “e drejta për t’u nervozuar u takon burrave”. Gjithashtu, gratë dëshmohen më tolerante ndaj të metave, me një gjuhë më mirëkuptuese e më të ndjeshme. Por, pjesëmarrja dukshëm më e ulët në treg pune dhe ngecja në angazhim udhëheqës e në aktivitete të ndryshme mbetet pashmangshëm pikë e dobët e të gjitha vendeve. Kështu, Jane Sunderland thotë: “marrëdhëniet gjinore bartin potencial jo vetëm për diferencim sa i përket ‘fuqisë’, por gjithashtu dominim, disavantazh dhe pabarazi nga ana arsimore, ekonomike e politike, pavarësisht se gratë dhe burrat jetojnë, mësojnë së bashku me njëri-tjetrin, me jetë paralele, e jo të integruar”.

Edhe Njerëzit nuk mendojnë më se puna e palodhur garanton jetë më të mirë Lifestyle 3 muaj më parë Njerëzit nuk mendojnë më se puna e palodhur garanton jetë më të mirë

Megjithatë, qasja eksploruese cilësore e grave në shkencë, sport art e kulturë, aftësitë profesionale, menaxhuese e organizative të dëshmuara ndjeshëm sidomos në shtetet më të moderuara e të liruara nga paragjykimet, përkundër mospërfilljes së tyre në lëmenj të caktuar, e kanë dhënë dhe promovuar mesazhin se e meritojnë një vend të barabartë me burrat, në mos më të lartë, dhe kanë nxitur një pjesë të mirë të shoqërinë të mos bjerë nën grackën e mendimit se burrat janë më të denjë për status e pozicion më të ngritur. Në anën tjetër, diskriminimet, fyerjet e kritikat për diskursin e guximshëm dokumentohen vazhdueshëm hapur apo tërthorazi, duke u munduar ta rikthejnë bindjen se gruaja është qenie e dobët, e nënshtruar e jo e vetëpërmbushur.

Zanafilla e kësaj pabarazie të hapur është mjaft e lashtë. Megjithëse me përparim të shkallëshkallshëm në vlerësim të grave kompetente që ta shfaqin me vetëbesim potencialin e tyre, situata disfavorizuese dhe mendësia diskriminuese vazhdon të ekzistojë, sidomos në zona më të izoluara, e që i përball me sfida jashtë kontrollit të vullnetit të tyre. Servimi i një varianti të preferuar si model sjelljeje e shprehjeje, duke u marrë parasysh njëanshëm pikëpamja e një grupi të kufizuar dhe definimi si “virtyt” i heshtjes së gruas, është orientim i kundërt me universin shpirtëror të secilit njeri dhe lirinë e presupozuar të individëve pa dallim.