Përdorimi gjithëpërfshirës i formave mashkullore në gjuhë jo vetëm na ngulit në mendje botën mashkullore ku jetojmë, por na shtyn të bëhemi edhe vetë ndërtues/e të saj. Tek e fundit “This is a man world, this is a man's world” këndonte James Browni, “But it wouldn't be nothing, nothing, without a woman or a girl”. Pra, të fillojmë t’i përmendim gratë në komunikim, t’i korrigjojmë ligjet e rregulloret, formulat komunikuese etj, se gjërat që nuk thuhen, margjinalizohen, reduktohen, minimizohen e harrohen. Kjo duhet të bëhet botë e të gjithëve dhe nuk ka më kohë për t’u humbur
Makina, barka, rruga, toka, buka, kripa, gjella, lufta, beteja, arma, thika etj. janë të gjitha fjalë që kanë dy të përbashkëta, janë emra në gjininë femërore dhe përfaqësojnë gjëra, që burrat duan t’i dominojnë. Sado që të duket sipërfaqësore që gjinia gramatikore të ketë ndikim në mënyrën e të menduarit të folësve, për studiuesit një gjë është e qartë, parimi, që drejton gjuhën është: superioriteti i formave mashkullore ndaj atyre femërore dhe kjo vërehet edhe te gjuhët pa gjini gramatikore, si anglishtja etj. Studimet e shumta tregojnë se përsëritjet e pavetëdijshme të formave gjuhësore të bazuara në këtë parim përvetësohen dhe bëjnë që të fiksohet në mendësi pozicioni i forcës, i pushtetit, i mençurisë, largpamjes etj.
Ta marrim një shembull të thjeshtë te thënia: “Bekim Femiu është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë”, fjala aktor i përfshin edhe aktoret, por te thënia: “Katerina Josipi është nga aktoret më të mira shqiptare’” aktorët janë të përjashtuar, kjo i përket vetëm një grupi, grave. Katerina Josipi nuk është edhe një nga aktorët më të mirë të vendit.
Bota është e ndarë në dikotominë mashkullore: femërore dhe kjo ndarje ndikohet nga gjuha. Por kjo ndarje nuk është paralele në aspektin e vlerave dhe pushtetit. Ajo drejtohet nga gjinia mashkullore. Merrni rastin më të thjeshtë, formën përfaqësuese të fjalëve në fjalor, është gjithmonë ajo mashkullore. Gjinia femërore jepet vetëm si një variant i saj, rrjedh prej saj.
Se sa thellë është e ngulitur kjo ndasi është kur lexon emaile (kolegë të dashur), thirrje publike e private për punësim (kërkohen punëtorë, drejtorë, gazetarë) a konkurse kombëtare (shkencëtari i vitit) e deri tek emri i prindit nëpër dokumente e shkolla, ku është normativ emri i babait e këtu problemet bëhen edhe më të thella. Me përsëritjen e vazhdueshme të formave mashkullore në mënyrë të pavetëdijshme forcohet dhe fiksohet pozita dhe fuqia e burrave në shoqëri, ku gruaja mbetet një subalternitet, një minoritet i margjinalizuar.
Superioriteti mashkullor është gjithkund i pranishëm në gjuhë, qoftë edhe në renditjen e fjalëve: Të dashur shokë e shoqe, studentë e studente, djem e vajza, burra e gra, vëllezër e motra… Gjuhëtari i mirënjohur italian Sabatini heq një paralelizëm mes këtij rendi dhe atij të çifteve opozicionale si e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, e vërteta dhe gënjeshtra, ku në rend të parë vihet pozitivja, ndërsa pas vjen negativja. Nga lista e gjatë e renditjes që rëndom e përdor secili prej nesh përjashtohet vokativi: zonja e zotërinj, kur grave u jepet përparësi për mirësjellje përpara publikut.
Edhe pse shqipja është më elastike e prodhimtare se plot gjuhë të tjera në aspektin e fjalëformimit te emrat e profesioneve. Kemi ministër:ministre, mjek:mjeke, profesorë:profesoreshë, doktor:doktoreshë. Prapashtesa -eshë/-esha me prejardhje ndoshta nga greqishtja – issa, që fillimisht kishte kuptimin e diçkaje në rritje, me kalimin e kohës mori kuptim pezhorativ. Ja pse sot nuk themi presidentesha, ministresha, deputetesha, policesha etj, e nëse do ta thoshim, mesazhi sigurisht nuk do ishte aspak neutral e aq më tepër pozitiv.
Retorika maskiliste e gjuhës aq shumë i ka kontaminuar përdoruesit e saj, folësit, saqë as vetë gratë nuk e vërejnë se ato mungojnë thuajse plotësisht në gjuhën private e publike, në atë të mediave, veçmas në rastet kur flitet posaçërisht për to, amvisa X, nëna e Y-it, gruaja e filanit, motra e fistekut etj. Në media për shembull lexojmë se “pushuesit ankohen për çmimet e larta”, por nuk na thonë asgjë për atë çka thonë pushueset. “Mërgimtarët mbajnë vendin me remitanca”, thua që mërgimtaret kursejnë? Janë koprrace? Banorët bllokojnë rrugën. Ndërsa banoret përgatisin drekën? Qytetarët protestojnë në shesh. Qytetaret pinë kafe në hije? Paralelizmi i fundit na sjell përpara një realiteti tjetër, ndaj të cilit Çajupi tërhiqte vëmendjen me forcë të jashtëzakonshme shprehëse me vargjet: “Burrat nën hije lozin kuvendojnë, pika që s’u bije se nga gratë rrojnë”.
Semantika nuk ka rregulla si gramatika, të cilat menjëherë vërehen e qortohen nëse nuk respektohen, por semantika ka rregulla përdorimi, të cilat na fiksojnë në mendje botën maskiliste dhe pikërisht aty është vatra e problemit, si gjithë problemet e mëdha, që fshihen në mendje, nëse nuk thuhen, nuk diskutohen, nuk korrigjohen.
Sa ndihet mungesa e formave femërore në diskursin politik mjafton të kujtojmë ndërtimet “Gruaja e hekurt”, me të cilat u drejtoheshin Indira Gandhit, Margater Thatcherit e së fundmi edhe Vjosa Osmanit. Por ky stereotip apo metaforë boshe, pasi tashmë e ka humbur tërësisht efektin, mban brenda një të vërtetë të madhe: ai ekziston vetëm për gratë. Nuk kemi “burri i hekurt”.
Përdorimi kaq gjithëpërfshirës i formave mashkullore në gjuhë jo vetëm na ngulit në mendje botën mashkullore ku jetojmë, por na shtyn të bëhemi edhe vetë ndërtues/e të saj. Tek e fundit “This is a man world, this is a man's world” këndonte James Browni, “But it wouldn't be nothing, nothing, without a woman or a girl”. Pra, të fillojmë t’i përmendim gratë në komunikim, t’i korrigjojmë ligjet e rregulloret, formulat komunikuese etj, se gjërat, që nuk thuhen, margjinalizohen, reduktohen, minimizohen e harrohen. Kjo duhet të bëhet botë e të gjithëve dhe nuk ka më kohë për t’u humbur.