Më në fund, në vitin 1967, ai kishte vendosur të shkonte në Durrës, me të shoqen e tij Margot, e cila për Shqipërinë dhe shqiptarët kishte dëgjuar vetëm nga kujtimet e bashkëshortit. Me këtë rast, ai do ta merrte ftesën të vinte edhe një herë, pas shtatë muajve, me rastin e Konferencës së Dytë, e cila do të mbahej në pesëqind vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Mirëpo, diçka nuk do të shkonte si duhej, por për këtë, duhet të kthehemi në hotelin Adriatik, më 23 qershor 1967
Ishte ditë e premte, data 23 qershor e vitit 1967. Teksa presidenti amerikan Lindon Johnson pritej të takohej me kryeministrin sovjetik, Aleksej Kosigin, në Glasboro të New Jersey, për të biseduar rreth Lindjes së Mesme dhe Luftës së Vietnamit, Franz Babinger ishte zgjuar nga gjumi në dhomën e hotelit “Adriatik”, në Durrës, i hapur rishtazi, kryesisht për vizitorët e huaj, broshurat e të cilit qarkullonin nëpër duar të ndryshme, por gjithmonë të pakta, të shtypura në gjuhë të ndryshme të botës. Arsyeja e ardhjes së tij së bashku me bashkëshorten Margot, nuk qe as pune e as politike. Ata ishin në Durrës për të bërë plazh.
Ky ishte qëllimi i vizitës, ku pas disa ftesave të dërguara në vite, Babinger vendosi të kalonte pushimet në Shqipëri, për të cilën thoshte se kishte shumë simpati, sado që shteti i tij dhe kjo e fundit, nuk gëzonin vlerësime të tilla diplomatike të ndërsjella.
Herën e fundit që ishte në Shqipëri qe nëntori i vitit 1962. Ishte Konferenca e Parë Albanologjike dhe vizita e tij në Shqipërinë që për herë të fundit e pa tri dekada më parë. Për këtë vizitë ai do shkruante një artikull shumë interesant për të përditshmen “Süddeutsche Zeitung”. Jeta kishte ndryshuar shumë në Shqipëri dhe atë mund ta krahasonte lehtas me vizitën e tij të fundit 30 vjet më parë. Tani, turqishtja, me anë të së cilës Babinger atëbotë komunikonte lirshëm kudo në vend, ishte bërë praktikisht e padobishme. Vendin po ia zinte rrufeshëm rusishtja e kinezishtja. Tani në rrugët e Tiranës shiheshin shumë studentë kinezë që flisnin shqipen, ndërsa në rastet kur njohuria e saj mungonte, ishte rusishtja ajo që i bashkonte ata me kolegët shqiptarë. Në fillim të vitit 1963, Babinger vizitoi Ambasadën Shqiptare në Vjenë. Aty ndër të tjerash, tregoi edhe për ftesën që Enver Hoxha personalisht i kishte bërë atij, për të kaluar pushimet verore në Durrës, në një takim gjatë punimeve të Konferencës së Parë Albanologjike. Këtë ftesë, Babinger do ta refuzonte, e pushimet nuk do i kalonte as në vitet pasuese. Më në fund, në vitin 1967, ai kishte vendosur të shkonte në Durrës, me të shoqen e tij Margot, e cila për Shqipërinë dhe shqiptarët kishte dëgjuar vetëm nga kujtimet e bashkëshortit. Me këtë rast, ai do të merrte ftesën të vinte edhe njëherë, pas shtatë muajve, me rastin e Konferencës së Dytë, e cila do të mbahej në pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Mirëpo, diçka nuk do të shkonte si duhej, por për këtë, duhet të kthehemi në hotelin “Adriatik”, më 23 qershor 1967.
E premtja e kobshme
Hoteli “Adriatik” qëndronte në zemër të plazhit të Durrësit. Me të dalë nga holli i hotelit, vizitorët do të shkelnin në tarracën e gjerë, që mbrëmjeve të verës shfrytëzohej edhe si skenë vallëzimi. Aty, pushuesit mund të kalonin natën nën tingujt e muzikës shqiptare, të ekzekutuar nga një orkestër vendase, ndërsa mëngjeseve të ngrohta mund të shijonin kafenë, ulur në karriget e bardha, tek shihnin se vetëm disa hapa në rërën e sheshtë i mbanin larg takimit me ujin, atëbotë të pastër, të detit Adriatik.
Edhe
Një mik i dashur nga një vend i padëshiruar: Si arriti Franz Babingeri ta vizitonte Shqipërinë komuniste më 1962?
Përveç rrobave të banjës, shoqërimi nga një i dërguar i shtetit, ishte një zakon gjithsesi i zbatuar. Fati i Babingerit ishte të shoqërohej me profesorin Aleks Buda. Ky i fundit ishte shkolluar në shtetin austriak dhe zotëronte gjermanishten në mënyrë të përkryer, gjë që e bënte komunikimin më të lehtë për Babingerin gjatë qëndrimit në Shqipëri. Të ulur në tarracën e hotelit, dy studiuesit po pinin kafenë dhe shikonin pamjen përreth tyre. Si dukej, atë ditë në plazh nuk kishte shumë njerëz.
Shumë shpejt, biseda u drejtua nga historia dhe Buda nisi të komentonte librin e famshëm të Babingerit, “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, e më pas doli te Konferenca e Dytë Albanologjike, që pritej të mbahej vitin e ardhshëm, me temë kyçe Skënderbeun, meqë mbahej për 500-vjetorin e vdekjes së tij. Me gjithë entuziazmin e Budës, shpjegimet e tij të mëtejshme mbi referatet e planet e hollësishme, si duket nuk qenë prioritet për profesorin 76-vjeçar. Ai kishte filluar të ndjente një vapë që me gjasë po bëhej e padurueshme. Tipike për karakterin e tij të padurueshëm ndërpreu bisedën, dhe duke e ftuar Budën ta shoqëronte, Babingeri, me një trup goxha në formë për pritshmëritë e profesorit shqiptar, iu drejtua detit, ku aty pranë qëndronte edhe Margot.
Këmba e tij preku ujin e freskët të detit Adriatik. Hapat e tij të ngadaltë, aq të natyrshëm për njeriun që takohet me detin, filluan të sinkronizoheshin me rrahjet e zemrës së tij që si duket kishte filluar të pushonte. Fundi kishte ardhur dhe sekondat e jetës së Babingerit në tokë, kishin filluar numërimin së prapthi.
Teksa Aleks Buda rifilloi të fliste dhe të promovonte punën e një studiuesi rus mbi Mehmetin e Dytë, të cilit Babinger i kishte dhënë vite jete akademike, Babingerit po i shpërfaqej bota para syve. Çdo gjë që kishte përjetuar dhe bërë deri më atë ditë, nuk kishte më rëndësi. Ai kishte arritur stacionin e fundit të udhëtimit dhe një realitet i pashmangshëm po e merrte pavullnetshëm nga bota pas thuajse tetë dekadash jetë. Shumë shpejt dhe me shumë qetësi, trupi i tij u lëshua dhe sytë e tij u mbyllën përgjithmonë. Franz Babinger dha shpirt në plazhin e Durrësit, nga një atak kardiak.
Të rroni e të mos e kujtoni
Edhe Flamingot, Vietnami dhe Shqipëria mes protestës dhe anarkisëShumë shpejt, në bashkëpunim me autoritetet e shtetit austriak, të cilët po koordinonin largimin e kufomës për në Gjermaninë Federale, trupi i Babinger u nis nga autoritetet shqiptare në shoqërimin e tani të së vesë Margot dhe profesorit Aleks Buda, në drejtim të Vjenës. Zgjedhja ishte bërë. Trupi i orientalistit të madh gjerman do të kremohej, për t’u dërguar si hi në vendin e tij të lindjes. Gjithçka po shkonte shumë shpejt dhe ende të përhumbur me realitetin që i ishte përplasur për fytyre e pa dhënë lamtumirën që çdokush do të donte t’u jepte më të dashurve, ftohtësia e punonjësit të krematoriumit pas mbylljes së derës së djegies qe dushi i ftohtë i asaj dite të ngrohtë pranvere, ku me një theks të ashpër vjenez, u tha të pranishmëve në dhomë se nuk kishte më asgjë për t’u parë.
Kështu, pa zhurmë e pa vëmendje u largua kufoma e një njeriu, jeta e të cilit u karakterizua me të kundërtën. Babinger pa Shqipërinë si shumë pak njerëz. E njoftoi në kohën kur ajo luftonte për pavarësinë e saj, ndërsa e takoi të parën herë kur ajo po bëhej me monarki. Iu rikthye asaj si rrallëkush në një periudhë të vështirë si pasojë e sistemit të ri politik si një mysafir i një vendi të padëshiruar, ku edhe i mbylli sytë përjetësisht në tokën e saj.
Fundin e tij tragjik do të mund ta përshkruajë pavullnetshëm si duket edhe kujtimi i shtetit shqiptar për të. Afër rrugës “Eqrem Çabej” në Tiranë, supozohet të shtrihet një “qorrsokak” i rrethuar me disa shtëpi e një kopsht për fëmijë. Kjo rrugë pa krye ashtu si dhe emri i një studiuesi të madh që hyri dhe nuk doli më nga Shqipëria më 1967, dukej të mbante emrin “Franz Babinger”. Sado e pakuptueshme të duket “syrgjynosja” e emrit të tij në një rrugë pa krye në lagjen e Selitës, realiteti e bën të duket mrekulli po të ishte i tillë. Themi duket, sepse rrugica në fjalë, në realitet, sot për banorët nuk mban asnjë emër, ashtu siç mungon ndonjë shenjë njoftuese varur në krye të qorrsokakut tiranas. Kujtimi për Babingerin qëndron vetëm në regjistrat zyrtarë të segmenteve rrugore, e përmendet aty-këtu në librat e pluhurosur nga koha, ndërsa në këtë epokë teknologjie, kujtimin për të duket se e mban gjallë vetëm harta digjitale Google Maps, duke i bërë nder pa vetëdije kësaj figure.
Franz Babingeri vdiq të premten e 23 qershorit 1967, rreth orës 11:30 në plazhin e Hotel Adriatikut në Durrës. Shqipëria dhe shqiptarët nuk dëgjuan gjë. Gazetat e ditës së nesërme nuk e dhanë si lajm. Mbledhja e byrosë nuk e përmendi si ndodhi e as Enver Hoxha nuk tha gjë për të në ditarin e tij politik. Babingeri dha frymën e fundit, gjersa flladi i Durrësit i lëmonte fytyrën dhe deti Adriatik mbulonte trupin. Valët e era nuk arritën t’i merrnin trupin që të gjallët e kthyen në atdheun e tij, por përkundrejt morën kujtimin për të. Ai sot për Shqipërinë është një i huaj siç qe në fundin e viteve të njëzetë, kur në tokën shqiptare shkeli për herë të parë këmba e tij.
Edhe
Rinjohja shqiptare
Edona Rexhepi studion pranë Institutit të Historisë Bashkëkohore dhe Institutit të Historisë Ekonomike dhe Sociale në Universitetin e Vjenës. Gjetjet e mësipërme janë rezultat i një hulumtimi të gjerë shkencor të realizuar në Zagreb, Tiranë, Mynih dhe Vjenë.