Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Burrneshat e fundit të Shqipërisë

Për shumë gra të lindura në kohët e mëparshme, shkëmbimi i identitetit të tyre seksual, riprodhues dhe social ishte një mënyrë për të shijuar liritë që vetëm burrat mund t’i kishin. Të qenët burrneshë u jepte të drejtë grave të visheshin si burra, të vepronin si zotë shtëpie, të lëviznin lirshëm në situata të caktuara shoqërore dhe të merreshin me punë të cilat tradicionalisht u përkisnin burrave

Vetëm disa “virgjëresha të përbetuara” kanë mbetur tashmë në botë, si një traditë e lashtë ballkanike ku gratë jetojnë si burrnesha pasi të kenë mbetur pa asnjë burrë.

“Shqipëria ishte një vend burrash dhe mënyra e vetme për të mbijetuar ishte të bëheshe e tillë”, ka thënë Gjystina Grishaj.

Kur qe 23-vjeçare dhe jetonte në malet e Shqipërisë Veriore, ajo mori një vendim që do t’ia ndryshonte jetën. U betua të qëndronte beqare dhe premtoi ta jetonte pjesën tjetër të jetës si burrë.

Familja e Gjystinës ka jetuar në Malësinë e Madhe, regjioni i Lëpushës, për më shumë se një shekull. Një luginë e futur thellë midis maleve të thepisura, është një nga zonat e pakta ku ekziston ende tradita e burrneshës: një praktikë shekullore ku gratë bëjnë një betim para pleqve të fshatit dhe jetojnë si burra.

Këto gra janë të njohura si burrnesha apo virgjëresha të përbetuara.

Edhe “Burri i shtëpisë” brenda botës së burrneshave Kulturë 10 muaj më parë “Burri i shtëpisë” brenda botës së burrneshave

“Në botë ka shumë njerëz të pamartuar, por ata nuk quhen burrnesha. Një burrneshë është e përkushtuar ndaj familjes, punës dhe jetës, për ta ruajtur pastërtinë e saj”, ka thënë Gjystina, tani 57 vjeçe.

Për shumë gra të lindura në kohët e mëparshme, shkëmbimi i identitetit të tyre seksual, riprodhues dhe social ishte një mënyrë për t’i shijuar liritë që vetëm burrat mund t’i kishin.

Të qenët burrneshë u jepte të drejtë grave të visheshin si burra, të vepronin si zotë shtëpie, të lëviznin lirshëm në situata të caktuara shoqërore dhe të merreshin me puna të cilat tradicionalisht u përkisnin burrave.

Si një e re sportive, aktive, Gjystina – ose Duni, siç njihet nga njerëzit më të afërt – kishte vendosur të ishte e pavarur. Ajo kurrë nuk e imagjinonte një jetë tradicionale për veten: martesën, punët e shtëpisë, veshjen e fustaneve…

Në vend të kësaj, pas vdekjes së babait, ajo vendosi të bëhej virgjëreshë e betuar, në mënyrë që ta drejtonte familjen dhe të mund të merrte përsipër punë që ta mbështetë financiarisht.

“Ishim jashtëzakonisht të varfër… babai më vdiq, nëna ime kishte gjashtë fëmijë, kështu që për ta bërë më të lehtë për të, vendosa të bëhesha burrneshë dhe të punoja shumë”, ka thënë ajo.

Gjystina jeton në një fshat të largët, me dimra të ashpër të cilët bëjnë që rruga për në Lepushë shpesh të jetë e bllokuar nga bora dhe të ndërpritet energjia elektrike.

Ajo drejton një bujtinë, punon tokën dhe kujdeset për kafshët e saj.

Si burrnesha dhe kryefamiljare, ajo ushtron edhe artin e bimëve mjekësore për të bërë çaje dhe vajra shërues, një aftësi e trashëguar nga babai i saj.

“Ai kujdesej shumë për barërat mjekësore dhe mësimet m’i përcillte mua. Dhe dua që këtë praktikë ta trashëgojë edhe mbesa ime Valerjana, edhe pse ka zgjedhur një rrugë tjetër”, ka thënë Duni.

Valerjana Grishaj thotë se jeta e grave në qytet ka më shumë avantazhe sesa në zonat rurale.

“Sot askush nuk tenton të bëhet virgjëreshë e përbetuar”, thotë Valerjana Grishaj. “Vajzat e reja as që mendojnë të bëhen virgjëresha të përbetuara. Unë jam një shembull i vërtetë për këtë.”

E rritur së bashku me hallën e saj në Lepushë, Valerjana zbuloi se mundësitë për gratë në këtë zonë ishin minimale, me një pritshmëri për t'u martuar qysh në moshë të re.

“Një moment që më kujtohet gjithmonë kur isha në klasën e gjashtë të shkollës fillore: Një shoqja ime ishte në klasë të nëntë dhe po fejohej. Ishte vetëm 14 vjeçe”, ka kujtuar ajo. “Ajo më tha se burri i saj nuk do ta lejonte të vazhdonte studimet dhe se duhej ta dëgjonte burrin, të qëndronte me të dhe t’i bindej atij”.

Në vend që të martohej e re apo të bëhej e virgjëreshë e përbetuar, Valerjana u largua nga shtëpia e familjes në moshën 16-vjeçare për të studiuar regji teatri dhe fotografi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

“Në Tiranë, vajzat dhe gratë kanë më shumë avantazhe dhe janë më të emancipuara. Ndërsa në fshat situata edhe tani është katastrofike”, ka thënë ajo.

Edhe pse nuk ka shifra të sakta, llogaritet se kanë mbetur vetëm 12 burrnesha në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Që nga rënia e komunizmit në vitet ‘90, Shqipëria ka parë ndryshime shoqërore që nënkuptojnë më shumë të drejta për gratë. Valerjana e sheh si pozitive që tradita e burrneshës po shuhet.

Image
Valerijana Grishaj, mbesa e Gjystinës, e sheh si pozitive që tradita e burrneshës po shuhet

“Sot ne vajzat nuk duhet të luftojmë për t’u bërë burra”, thotë ajo. “Duhet të luftojmë për të drejta të barabarta, por jo duke u bërë burra”.

Në vitin 2019, aktivistja për të drejtat e grave, Rea Nepravishta, protestoi në Tiranë mu në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ajo doli në rrugë me një tabelë të madhe, ku shkruante “burrnesha”, në mes të së cilës shihej një kryq i madh i kuq, ndërsa nën të shkruhej “gra të forta” .

“Në gjuhën shqipe, kur duam ta përshkruajmë një grua si një grua e fortë, përdorim termin ‘burrnesha’”, ka thënë ajo. “Është një fjalë e përbërë nga dy pjesë, 'Burrë' që do të thotë burrë... Nuk duhet t'u referohemi burrave për ta treguar forcën e gruas.”

Rea beson se vendi është në rrugën e hapjes dhe ka bërë “shumë hapa përpara në një periudhë të shkurtër kohore”.

Sipas UN Women, pjesëmarrja e grave në vendimmarrjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë ka përparuar kohët e fundit me përmirësime në kodet dhe proceset zgjedhore, edhe pse ajo mbetet ende e kufizuar dhe hendeku i pagave nuk është trajtuar siç duhet. Deri në vitin 2017, gratë përbënin 23 për qind të anëtarëve të Parlamentit dhe 35 për qind të këshillave vendore.

Por të drejtat e grave kanë një rrugë për të bërë.

“Seksizmi, stereotipat gjinore… dhe dhuna me bazë gjinore fatkeqësisht janë ende shumë të përhapura në Shqipëri”, ka thënë Rea.

Të dhënat nga UN Women sugjerojnë se pothuajse 60 për qind e grave shqiptare të moshës 15-49 vjeç kanë përjetuar dhunë në familje. Vetëm tetë për qind e grave zotërojnë tokë dhe mbeten të margjinalizuara sa i përket çështjes së trashëgimisë.

 

Rrënjët e traditës së burrneshës e kanë origjinën nga Kanuni, një kushtetutë e lashtë e përdorur në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore gjatë shekullit të 15-të, mbi të cilën u organizua shoqëria shqiptare. Sipas këtyre ligjeve patriarkale, gratë konsideroheshin pronë e burrit të tyre.

“Ato nuk kishin të drejtë të vendosnin për fatin e tyre, apo të zgjidhnin jetën e tyre”, ka thënë Afërdita Onuzi, etnografe që është marrë me studimin e burrneshave.

“Nëse një vajzë do të fejohej – kjo vendosej pa e pyetur kurrë; as për moshën e atij me të cilën do të fejohej, as për personin me të cilin do të fejohej”,

Ka ende shumë keqkuptime që sillen rreth traditës. Të bëhesh virgjëreshë e përbetuar nuk ishte zakonisht një vendim i bazuar në seksualitetin ose identitetin gjinor, por më tepër në një status të veçantë shoqëror që u jepej atyre që betoheshin.

“Vendimi i një vajze për t’u bërë burrneshë nuk ka lidhje me seksualitetin, është thjesht një zgjedhje për të pasur një rol tjetër, një pozicion tjetër në familje”, ka thënë Afërdita.

Por të bëhesh burrneshë ishte edhe një mënyrë për t’i shpëtuar një martese të rregulluar, pa e çnderuar familjen e dhëndrit.

Edhe Kolumne 1 muaj më parë Gjyshja ime e ndjerë për president

“Ky vendim nënkuptonte se ata mund të shmangnin një gjakmarrje mes dy familjeve”, ka thënë Afërdita.

Rregullat për gjakmarrjen janë kodifikuar prej kohësh në Kanun, i cili ndihmoi në vendosjen e rregullit në jetën e fiseve në veri të Shqipërisë, veçanërisht gjatë përfshirjes së saj në Perandorinë Osmane.

Sipas ligjit të Kanunit, gjakmarrja ishte një detyrim shoqëror për ta ruajtur nderin. Ato mund të fillonin me një veprim aq të vogël sa një kërcënim ose një fyerje, por ndonjëherë mund të përshkallëzoheshin në vrasje, pas së cilës pritej që familja e viktimës të kërkonte drejtësi, duke vrarë vrasësin ose një mashkull tjetër, nga familja e palës fajtore.

Për shumë të reja të asaj periudhe, betimi për beqari i përjashtonte nga gjakmarrja.

“Ka qenë një mënyrë për të ikur”, ka thënë Afërdita.

Tradita ka evoluar me kalimin e kohës, duke u larguar nga vendimet e detyruara në zgjedhje të lira. “Dallimi mes burrneshës klasike, në kuptimin etnografik, dhe burrneshës së sotme është shumë i rëndësishëm për t’u theksuar... Sot është një vendim krejtësisht personal”, thotë Afërdita.

Gjystina nuk u detyrua të bëhej burrneshë – përkundrazi, ajo e zgjodhi për vete. E rritur në Shqipërinë komuniste, ajo ndjeu se burrat në atë kohë kishin shumë më tepër liri.

“Kishte shumë momente që t’i konsideroheshe e pabarabartë”, ka thënë ajo. “Gratë ishin shumë të izoluara, ishin të kufizuara në punët e shtëpisë dhe nuk kishin të drejtë të flisnin”.

Image
“Unë jam ndier gjithmonë si burrë”, ka thënë Drande

Familja e saj – veçanërisht nëna e saj – nuk e miratoi zgjedhjen e saj, e shqetësuar se ajo po sakrifikonte mundësinë e saj për mëmësi dhe një familje të sajën.

Për Gjystinën, sakrifica u shpërblye.

“Kur vendosa të bëhem burrneshë, fitova më shumë respekt”, ka thënë ajo.

Por të tjerat zgjodhën të bëhen burrnesha sepse ndiheshin më shumë si burra.

“Kurrë nuk jam shoqëruar me femra, por gjithmonë me meshkuj. Në lokale, duke pirë duhan...”, ka thënë Drande, një burrneshë që jeton në qytetin bregdetar të Shëngjinit dhe i referohet vetes në gjininë mashkullore. “Gjithmonë jam ndier si burrë”.

Për Dranden, adoptimi i kësaj praktike ishte një mënyrë për të shijuar liritë e burrave, si pirja e duhanit dhe pirja e alkoolit, elemente të rrënjosura në traditën e burrneshës.

Këtu përfshihej edhe pirja tradicionale shqiptare e rakisë, e rezervuar historikisht për burrat. Tani, Drande jo vetëm që e pi atë, por edhe e prodhon të tijën. Kur mbërrijmë për ta intervistuar, ai me krenari pi pikën e fundit të ruajtur në një shishe uji plastike.

“Kjo do t’ju bëjë më të fortë”, na thotë ai.

Drande thotë se zgjedhja e tij për t’u bërë burrneshë e bëri më të pranueshme në shoqëri.

“Kudo që shkova, mora respekt të veçantë dhe ndihesha mirë. Më respektonin si burrë dhe jo si grua... Kështu ndihesha më i lirë”, ka thënë ai.

Edhe pse Drande është krenar për sakrificat që ka bërë për t’u bërë burrneshë, ai pranon edhe ndjenjat e vetmisë dhe thotë se ka përjetuar dyshime.

“Mendova për një moment se si do të ishte të kisha një fëmijë që mund të kujdesej për mua... Isha shumë i sëmurë dhe askush nuk ishte afër për të më ndihmuar. Por ishte vetëm për një moment, një pjesë e sekondës”.

Në atë kohë, përballur me një shoqëri e cila ofronte mundësi të kufizuara për gratë, ato që u bënë burrnesha e shihnin zgjedhjen e tyre si një fuqizim. Ishte “një lloj proteste e shndërruar në sakrificë”, ka thënë Afërdita.

Megjithatë, duke zgjedhur të jenë burra, ata po forconin pa dashje normat gjinore duke pranuar rolin e gruas si inferiore.

Edhe pse Valerjana ka bërë një jetë ndryshe, Gjystina ende shpreson që t’ia përcjellë disa nga njohuritë e saj tradicionale.

Edhe në kryeqytet, jeta për të rejat sot mund të jetë e vështirë. Përmes mediave sociale Valerjana bëri një paraqitje online, me qëllim që të ndihmonte në avancimin e të drejtave të grave. Por dërgimi i mesazheve pozitive ftoi vëmendje negative.

“Kam marrë shumë mesazhe nga burrat, madje edhe mesazhe kërcënuese me jetë... duke thënë se pse po flisja për të drejtat e grave”, ka thënë ajo.

Ajo ka fotografuar hallën dhe burrneshat e tjera, si një formë për të dokumentuar një traditë në zhdukje.

“Shpresoj që brezat e ardhshëm të interesohen për këtë temë, sepse është pjesë e historisë sonë si traditë”, ka thënë Valerjana.

“Tani nuk ke nevojë të jesh burrneshë për të shijuar liritë. Si një grua moderne nuk ka nevojë të betohesh”.

Gjystina nuk fokusohet te çmimi që pagoi për respektin, sakrifikimi i identitetit të saj femëror, por te liria që i dha vendimi i saj.

“Nuk do të ketë më burrnesha, unë do të jem e fundit”, ka thënë ajo.

E pranon se ndonëse mund të mos merrte të njëjtin vendim sot, nëse do të mund të kthehej pas në kohë do t'i bënte të gjitha njësoj.

“Ndihem krenare që jam burrneshë, nuk jam penduar”.

Edhe “Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!” Shtojca për Kulturë 1 muaj më parë “Dhembja e saj është detyrimi ynë, që kurrë të mos harrojmë!”

Marrë nga BBC.

Përktheu: Mirjetë Sadiku