Dita e dytë e festivalit “FemArt” ka nisur me punëtorinë “Feminizmi, Modernizmi dhe Ndryshimi”, udhëhequr nga Shqipe Malushi në teatrin “ODA”, e përqendruar te fuqizimi i grave dhe rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e të qenët e pavarur. Se si ia kanë dalë ta gjejnë pavarësinë nëpërmjet artit ka qenë kryefjalë e podkastit “Art Against Opression” me autore Uresa Ahmeti.
Folësit e këtij paneli – Donikë Ahmeti, Edon Shileku dhe Blerta Zeqiri, kanë shpalosur përvojat e tyre si një bisedë midis dy artisteve të njohura për skenën e artit në Kosovë dhe një artisti të ri, i cili sapo ka filluar hapat e parë në këtë skenë si një aktor dhe këngëtar. Kanë folur për sfidat që artistët tejkalojnë çdo ditë në Kosovë, diskriminimin në baza gjinore, por edhe për sukseset.
E shembulli i artit si solidarizim edhe në kohë pandemike, ka qenë ekspozita “Breathe”. “FemArt” mblodhi pjesëmarrësit e festivalit në Galerinë e Fakultetit të Arteve në hapjen solemne të ekspozitës së kuruar nga Berat Bajrami. Një ekspozitë, e cila u përkulet “shpëtimtarëve” COVID-19, personelit mjekësor në të gjithë botën. Një shenjë falënderimi prekës, e bukur dhe artistike me vepra të dhjetë artistëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë kanë qenë veprat e vendosura në muret e Galerisë së Fakultetit të Arteve.
“Arsyeja pse kam zgjedhur të jem kurator i kësaj ekspozite është sepse unë jam pjesë e bashkëpunimit me ‘Cities of Peace’ realisht në ‘Breathing Project’. Përzgjedhja e artistëve amerikanë është bërë në bashkëpunim me Ellen Frank edhe anëtarët e tjerë, të cilët janë në Amerikë. Ekspozita e parë e ‘Breathing Project’ është hapur në New York më 12 shtator, ndërsa ekspozita e sotme në Prishtinë është ekspozita e dytë”, ka thënë Bajrami, koordinator projektesh në “ArtPolis”, organizuese e “FemArtit”, që sivjet vjen me edicionin e nëntë.
Ideja e kësaj ekspozite, sipas tij, është që artistët t’i ndjekin historitë e mjekëve dhe nga historitë e tyre të krijojnë art.
“Është një bashkëpunim jo i zakonshëm, por me vlera të mëdha. Pandemia ka sjellë shumë histori sa tragjike po edhe inspiruese. ‘Breathing Project’ edhe ekspozita ‘Breathe’ vjen si shenjë mirënjohje ndaj mjekëve për punën dhe sakrificën e madhe që kanë bërë gjatë gjithë pandemisë”, ka thënë Bajrami.
Një element që veçon këtë ekspozitë nga shumë tjera është një pëlhurë e bardhë e vendosur në murin e galerisë. Publiku përmes brushave dhe ngjyrave të cilat ishin të renditura në tokë, mund të vizatonin në pëlhurë apo të linin ndonjë mesazh duke i nderuar dhe kujtuar viktimat e COVID-19, dhe personelin mjekësor. Pas përfundimit të ekspozitës kjo pëlhurë, e cila në një formë kthehet në një pikturë të kompletuar do t’i dërgohet Klinikës Infektive të QKUK-së.
Secili artist, në mënyrën dhe stilin e vet, paraqiti ndjenjat e të jetuarit në një kohë pandemie dhe izolimin që e gjithë bota përjetoi për një vit të tërë.
“Vepra ime është një vepër, të cilën e kam krijuar edhe para se të përzgjidhesha si një nga artistet për këtë ekspozitë. Ideja është trajtimi i hapësirës së ballkonit, ku në këtë rast unë jam nisur nga ballkoni im. Ideja ka filluar gjatë kohës së karantinës ku në njëfarë mënyre ballkoni ka qenë një ‘ikje’ prej dhomës dhe aty fillova të analizoj hapësirën përreth meje, ku në njëfarë mënyre kjo temë më ka përndjekur dhe më ka inspiruar të krijoj veprën e artit që është e paraqitur sonte për publikun”, ka thënë Renea Begolli, artiste pjesëmarrëse e edicionit të nëntë të festivalit “FemArt”.

Ajo sjell një pikturë-instalacion shumë të veçantë të krijuar nga një pëlhurë, e cila paraqet dhomën e artistes, një xham i pikturuar me pamjen që ajo ka parë nga ballkoni i saj, dhe një hapësirë e vogël mes dhomës dhe ballkonit, pëlhurës dhe xhamit të pikturuar, që simbolizon “ikjen” e saj dhe një grimcë të vogël të lirisë.
Në livestream shkoi edhe performanca e artistes Saranda Sadikaj (Ms. Indefinite), “Marigona nuk e qëndis më flamurin. Një video pesëminutëshe që paraqet një vajzë të veshur zi, duke qëndruar pranë një karrige të mbuluar me një çarçaf të bardhë që mban një pasqyrë dhe trëndafil të kuq duke imponuar se dikush ka vdekur. Ajo vazhdon duke shpalosur flamurin kuq e zi dhe fillon një dialog: “Rreth shqiponjës të përbashkuara, me një dëshirë dhe një qëllim. Të gjitha asaj duke iu betuar të lidhim besën për ndryshim...Kush është grua nuk dorëzohet, po flijohem, po flijohem për të mos vdekë kurrë”. Në fund ajo shihet se po qëndron përballë Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe fytyra e saj reflektohet në pasqyrën e vendosur në karrige si një lloj metafore që edhe ajo mund të përfundoj viktimë në duart e ndonjë burri.
Një performancë prekëse, inspiruese dhe aktive dhe një thirrje ndaj Gjykatës Themelore në Ferizaj për dështimin e saj për mbrojtjen e vajzave dhe grave në Kosovë që kanë vdekur në duart e burrave.
Nata përfundoi me një shfaqje në Teatrin Dodona me regji të Ilirjana Arifit me titull “Birthday”. Aktoret e njohura si Igballe Qena, Rebeka Qena dhe Alketa Sylaj ishin protagoniste të kësaj shfaqjeje.
{gallery}