Shtojca për Kulturë

“Balkanism” i diversitetit që nuk njeh ndarje

Kopertina e numrit të parë të “Balkanism” me titull “Diversity as Strength”

Kopertina e numrit të parë të “Balkanism” me titull “Diversity as Strength” (Diversiteti si forcë). Në të paraqitet tradita e pasur e kënasë nëpërmjet portretit të një gruaje rome, të shkrepur në Kosovë gjatë viteve ‘80 nga antropologia amerikane, Janet Reineck

Një kolektiv që mishëron studimet për kulturën, admirimin e saj, historinë, kontekstin e tanishëm social të zonës, edukimin mbi të, por mbi të gjitha pa romantizim, do të bashkohej këtu e katër vjet më parë rreth “Balkanism”, një platformë online por që tash bën një tjetër hap. Vjen me numrin e parë të revistës dhe titulli i saj përfaqëson mbase krejt synimet e kësaj nisme. “Më e rëndësishmja, dua që njerëzit të kuptojnë se diversiteti i pasur i rajonit tonë nuk duhet parë si burim ndarjeje, negativiteti apo përçarjeje, por si një forcë që mund ta përqafojmë”, ka thënë Arbër Qerka-Gashi, themeluesi dhe redaktori i platforomës digjitale, edukative dhe arkivore “Balkanism”

Ballkani, por si rajon gjeografik, përbën një gjeografi të dendur edhe kulturore, e cila mbi të gjitha sfidon kategorizimet e “lehta”. Ndërthurja shpesh e ndërlikuar e etnive e traditave të llojllojshme aty, është bërë shkas që shumë historianë, studiues a artistë të ushqejnë imagjinatën e tyre pikërisht nga pasuritë e kësaj zone. 

Por një angazhim i tillë s’është punë e lehtë, qoftë ajo qasje akademike apo një e tillë e bërë vetëm për një konsum më të gjerë, e shtendosur prej digave shkencore. Një veprimtari të tillë tash e katër vjet në mënyrë krejt të veçantë e bën platforma online e quajtur “Balkanism” në Instagram, e cila nuk kufizohet vetëm me kaq. Në fakt është një kolektiv që mishëron studimet për kulturën, admirimin e saj, historinë, kontekstin e tanishëm social të zonës, edukimin mbi të, por mbi të gjitha e bën pa romantizim. Qëndron larg nga etnocentrizmi, nacionalizmi dhe krejt “izmat” e tjera që shtyjnë në qasje që dëmtojnë individë apo grupe të caktuara që i përkasin Ballkanit si entitet kulturor. 

Vetëdija e së kaluarës së shënuar nga konflikti dhe përpëlitja e popujve e grupeve të ndryshme për mbijetesë, është po aty. E prapa gjithë kësaj pune ndër të tjerë, qëndron Arbër Qerka-Gashi, kurator, shkrimtar, hulumtues, artist vizual dhe prodhues eventesh me bazë në Londër. Qerka-Gashi me prapavijë akademike në histori dhe studime mbi gjininë, seksualitetin dhe kulturën shkruan kryesisht për trashëgiminë ballkanike, përvojat e diasporës, identitetin shqiptar dhe shprehjen kulturore të Kosovës. Ai është themeluesi dhe redaktori i platformës digjitale edukative dhe arkivore “Balkanism” dhe bashkëthemelues i “Kolektivit Ballkanik të Londrës”. Por veprimtaria e tij nuk po mbetet vetëm me kaq. 

Së fundimi, Qerka-Gashi i ka hyrë kapitullit të rëndësishëm, i cili e shpie në tjetër dimension platformën “Balkanism”. Këtë rrugëtim që ai e ka nisur këtu e katër vjet më parë, tashmë e sjell në një publikim të parë, që vjen i botuar më 28 shtator. 

I cytur nga identiteti i tij kulturor, Qerka-Gashi, i cili vjen vetë nga një prapavijë plot ngjyra ballkanase, është ushqyer me këtë kërshëri që fëmijë. Pikënisjen e kishte pikërisht aty, por se si erdhi deri te digjitalja, e tregon vetë. 

“Të dy prindërit e mi kanë lindur në Prishtinë, por identitetet e tyre kulturore dallojnë goxha. Babai im rrjedh nga një familje shqiptare me rrënjë në rajonin e Llapit, ku kishte një lidhje të thellë me traditat bujqësore. Në të kundërtën, familja e nënës sime ka jetuar në Prishtinë me breza dhe ka një prejardhje etnike më diverse. Gjyshi im, në veçanti, identifikohej fuqishëm me identitetin dhe shprehjen kulturore turke ballkanike, të cilat kishin një ndikim të thellë në mjedisin ku unë u rrita”, ka thënë Qerka-Gashi. 

Sipas tij, ekspozimi ndaj një sërë përvojash të tilla kulturore, gjuhësore dhe etnike ka ndikuar që të lindë dëshira për të mësuar më shumë për Kosovën. Kjo e shtyu ta studionte rajonin më të gjerë të Ballkanit. 

“Pastaj kjo qasje më shtyu të krijoj një platformë digjitale ku mund të eksploroja dhe shpërndaja këto tema, të cilat si përfundim u shndërruan në ‘Balkanism’”, ka thënë Qerka-Gashi në një prononcim për KOHËN. 

Meridianet e “Balkanism” shtrihen prej ajvarit si delikatesë e deri te zërat e margjinalizuar të komuniteteve që gjenden në Ballkan. Aty ka vend medoemos edhe në qasje jokonvecionale të studimit kur flitet për Ballkanin. E tërë kjo filozofi përmblidhet në mënyrë koncize në vetë titullin e numrit debutues të publikimit. 

“Diversity as Strength” (Diversisteti si forcë) është titulli, i cili kapërthen vëmendjen me plot etje për ta njohur më mirë Ballkanin. 

“Kam zgjedhur këtë temë të gjerë për t’u siguruar që ajo mund të akomodojë një gamë të gjerë të narrativeve dhe perspektivave të ndryshme. Kjo qasje ka qenë udhërrëfyese në punën time kuratoriale me këtë platformë ndër vite. Si një studiues i fokusuar në këtë rajon dhe kulturat e tij, unë marr frymëzim nga periudha të ndryshme kohore, lëvizje artistike, ngjarje politike dhe tradita vizuale të ndryshme. Doja që numri inaugurues të pasqyronte pikërisht këtë etikë, duke shërbyer si një hyrje e përshtatshme për platformën dhe përmbajtjen që kemi kuruar dhe prodhuar gjatë katër vjetëve të fundit”, ka shtuar ai. 

Por vetëdija e tij, në raport me kurimin dhe realizmin e këtij publikimi, nuk kufizohet vetëm me aq. Janë disa aspekte specifike, të cilat preken për herë të parë sa i përket identitetit ballkanas dhe preokupimeve të këtyre anëve. 

“Gjithashtu kam dashur t’u jap përparësi edhe përvojave të personave LGBT+ si një komunitet që janë përballur historikisht me persekutim brenda hapësirave kulturore ballkanike. Gjithashtu doja të sigurohesha që të hulumtohen rrëfime që nuk janë prekur kurrë në hapësirën ballkanike, si afro-shqiptarët e Ulqinit apo homoerotizmi në traditat sllave. Numri ynë i parë eksploron një gamë të tillë tregimesh, me të vërtetë ka diçka, me të cilën çdokush mund të lidhet dhe t’i përkasë asaj”, është shprehur Qerka-Gashi. 

Angazhimi në qasje të sinqertë dhe thellësi në hulumtimet që bëhen aty është njëri ndër principet themelore, mbi të cilat funksionon “Balkanism”. Ky zotim i palëkundur nuk ka ikur pa u vlerësuar dhe nga audienca e gjerë. Të mbështetur në vlerat që vetë kjo platformë shtyn para, ajo numëron pothuajse 50 mijë ndjekës. Të vetëdijshëm mbi këtë ata qëndrojnë stoikë para këtyre vlerave. 

“E kam bërë të qartë që nga fillimi se ‘Balkanism’ nuk është një platformë që synon të romantizojë rajonin e Ballkanit apo çështjet rreth tij. Derisa theksojmë kremtimin e kulturës ballkanike, ne mbajmë gjithashtu një qëndrim të qartë në trajtimin e temave komplekse socio-politike, si brenda rajonit, ashtu edhe midis komuniteteve të diasporës. Një nga sfidat, me të cilat përballemi në ruajtjen e këtij ekuilibri është se disa njerëz presin që ne të kemi një qasje më të butë – gjë që nuk është ajo që bëjmë ne. Ne përpiqemi në mënyrë aktive të pasqyrojmë nuancat e përvojave të ndryshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që mund të jenë të pakëndshme ose të vështira për t’u trajtuar”, ka thënë ai. 

“Diversity...” e “Balkanism” synojnë t’i japin zë edhe diasporës. Duke përfshirë anëtarë të diasporës nga Ballkani, në këtë publikim ofrohet dhe një tjetër këndvështrim, edhe një pasuri më shumë. Në fakt diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj platforme. 

“Shumë nga fotografitë, veprat artistike dhe shkrimet e paraqitura në botim janë kontribut i pjesëtarëve të diasporës. Unë besoj se kjo platformë, më në fund u ka dhënë atyre hapësirën e nevojitur për t’i eksploruar identitetet e tyre të shumanshme në gjithë kompleksitetin e tyre. Duke i dhënë zë diasporës, publikimi u mundëson njerëzve ta shprehin veten dhe ta shohin punën e tyre, duke trajtuar përvojat dhe perspektivat e tyre unike”, është shprehur Qerka-Gashi. 

Ajo çfarë ofron ky botim nuk përkon me asnjë iniciativë të mëhershme, është unik në prurje tek ngërthen këndvështrime të shumta. Aty, ndër të tjera, lexuesi do të ketë mundësinë të lexojë historinë e një gruaje pomake, e cila gjurmon diskriminim, me të cilin ishte përballur i ati, dhe mënyrën se si ajo reflekton në identitetin e saj edhe sot. Trajtim do të ketë dhe kuzhina e pasur e kësaj zone. 
Autorja maqedonase Irina Janakievska me artikullin e saj thyen përceptimet e kuzhinës ballkanase, duke shfaqur karakterin e pasur që ka praktika e gatimit në Ballkan. 

“Gjithashtu në këtë publikim, ne paraqesim një intervistë me dramaturgun e njohur kosovar, Jeton Neziraj, i cili e diskuton rëndësinë e diversifikimit të hapësirave krijuese dhe sigurimin që narrativat e nënpërfaqësuara ta gjejnë vendin e tyre në botën e shkrimit të dramave”, ka shtuar ai. 

E tërë kjo punë, përveç se ka me patjetër edhe njëfarë roli të dokumentimit, mbi të gjitha bëhet një dimension i ri, ku mund të thuhen të pathënat, një hapësirë ku ka vend për rrëfime reale që ndërtojnë Ballkanin si gjeografi, përtej metanarrativave që i minojnë ato. Këtë e synon edhe redaktori i këtij botimi. 

“Unë dua që njerëzit ta shohin veten në këtë botim – t’i njohin rrëfimet, historitë dhe përvojat e tyre në mënyra që mund të mos i kenë parë kurrë më parë. Shpresoj që të ofrojë një ndjenjë përfaqësimi që ka munguar prej kohësh, duke ofruar një hapësirë për veteksplorim dhe zbulim të rrëfimeve që mund të mos e kishim ditur se ekzistonin. Më e rëndësishmja, dua që njerëzit të kuptojnë se diversiteti i pasur i rajonit tonë nuk duhet parë si burim ndarjeje, negativiteti apo përçarjeje, por si një forcë që mund ta përqafojmë”, ka përfunduar Qerka-Gashi. 

Kjo ndërmarrje e rrënjosur në vlerat progresive dhe njohjen e përvojave në tërësi, ofron një hapësirë, e cila inkurajon që njerëzit të angazhohen me kulturën me një sy kritik e me vetëdijen mbi dinamikat e ndryshme të pushtetit. Si e tillë fton në krijimin e ideve të nuancuara, larg qasjeve sipërfaqësore që shndërrohen në gracka që shpien shpesh në padrejtësi. 

Përveç përurimit në Londër, në Muzeun e Migrimit, më datë 28 të këtij muaji, dhe lansimit të ueb faqes së “Balkanism” në fund të muajit, “Forca e diversitetit” pritet të fryjë edhe kah Kosova. Planet janë që një promovim të ngjajë këtu në janar të vitit të ardhshëm.