Më 1942, Carl Clauberg i kishte çuar një kërkesë Heinrich Himmlerit, kryearkitekt i Holokaustit, njëkohësisht edhe nazisti i dytë më i fuqishëm pas Adolf Hitlerit. Clauberg kishte përmendur se i duhen pajisje për ta implementuar “metodën e re për sterilizimin pa operacion të grave sterile”. Në pranverën e vitit 1943, mjekut nuk i ishte dhënë një institut, por një bllok në Auschwitz i takonte atij. Aty e kishte krijuar laboratorin eksperimental në “Bllokun 10”. Prej kampit shfarosës fqinj të Auschwitz-Birkenaut qenë transferuar gratë e para hebreje. Ato u bënë minj laboratori
Suzanne Cords
Renee Duering ende e mban në mend dhimbjen që kishte ndier kur një i burgosur i Auschwitzit ia kishte bërë tatuazh në krah numrin e kampit.
“Ji mirënjohëse që të ra hise një numër, përndryshe do të piqeshe direkt në furrë”, i kishte thënë një burrë.
Nazistët i kishin dhënë dy opsione: “Ose do të shkosh në kampin e shfarosjes në Birkenau, ose do të bëhesh subjekt i kërkimeve shkencore, nuk do të vdesësh aty”. Duering që kishte lindur më 1921 në Köln e kishte zgjedhur opsionin e dytë, duke u bërë kështu mi laboratori në duart e gjinekologut nazist, Carl Clauberg. Kishte qenë një prej qindra grave hebreje që kanë qenë subjekte të eksperimenteve për sterilizim dhe më 1992 e kishte treguar historinë e saj për Muzeun Memorial të Holokaustit në SHBA. Ka vdekur më 2018.
Hulumtimi i fshehtë hormonal i Carl Claubergut
Clauberg kishte studiuar mjekësinë në Universitetin e Kielit dhe doktoratën e kishte marrë më 1925.
Kishte specializuar për gjinekologji dhe kishte punuar me kimistë nga kompania farmaceutike “Schering-Kahlbaum” për të krijuar një komponim hormonal. Metoda e tij për t’i ndihmuar gratë sterile për të mbetur shtatzënë i kishte siguruar autoritet në fushën e hulumtimit hormonal.
Më 1 maj 1933, Carl Clauberg i ishte bashkuar Partisë Gjermane Nacionalsocialiste të Punëtorëve (NSDAP) dhe SA-së (“Sturmabteilung”, një organizatë paramilitare e NSDAP-së). Si shumë mjekë të tjerë në Gjermaninë e asaj kohe, ai shpresonte se udhëheqësia e nazistëve do t’i jepte dorë avancimit të hulumtimit të tij. Gjatë regjimit, prej çdo gjermaneje pritej të lindte sa më shumë fëmijë, mundësisht bardhokë dhe sykaltër.
Mirëpo, Clauberg kishte drejtuar po ashtu hulumtime për sterilizimin e grave. Kjo gjë dilte pro qëndrimeve jonjerëzore e raciste të nazistëve, objektivi i të cilëve ishte asgjësimi i hebrenjve, romëve e popullit “sinti”, si dhe grupeve të tjera të margjinalizuara si homoseksualët, zezakët dhe të gjymtit.
Ferri në “Bllokun 10”
Më 1942, Clauberg i kishte çuar një kërkesë Heinrich Himmlerit, kryearkitekt i Holokaustit, njëkohësisht edhe nazisti i dytë më i fuqishëm pas Adolf Hitlerit. Clauberg kishte përmendur se i duhen pajisje për ta implementuar “metodën e re për sterilizimin pa operacion të grave sterile”. Në pranverën e vitit 1943, mjekut nuk i ishte dhënë një institut, por një bllok në Auschwitz i takonte atij.
Aty e kishte krijuar laboratorin eksperimental në “Bllokun 10”.
Prej kampit shfarosës fqinj të Auschwitz-Birkenaut qenë transferuar gratë e para hebreje. Vetë Claubergu e ka pranuar se të burgosurat nuk kishin fytyra; atij i interesonte vetëm pjesa poshtë ijëve.
Pas disa vjetësh, Renee Duering e kujton torturën nëpër të cilën kishte kaluar në duart e tij.
“Një nga një na kanë futur në një dhomë dhe na kanë vendosur në një tavolinë të zezë xhami, e cila ishte tavolinë për rëntgen. Derisa lëngu i injektuar në trupat tanë lëvizte, makina rëntgen nuk ndalej së punuari për t’i treguar mjekut se çfarë po ndodhte... injeksioni digjte tmerrësisht shumë”, ka thënë ajo.
As Renee e as gratë e tjera nuk e kuptonin se çfarë ndodhte në trupat e tyre në atë kohë. Para kësaj, Clauberg kishte eksperimentuar vetëm me kafshë për këtë medikament. Instrumentet e tij nuk ishin sterile dhe Clauberg i përdorte disa herë të njëjtat. S’kishte as anestezion, veç injektimi. Varësisht nga gjendja e gypave fallopianë, mjeku injektonte një substancë helmuese në stomakët e subjekteve të tij i cili i ngjiste muret e gypave dhe i digjte përgjatë procesit. Nëse kjo nuk kryente punë, procedura përsëritej.
“Është dashur të rri e shtrirë tri ditë me dhimbje të tmerrshme”, ka kujtuar Duering.
Efektet e mundshme anësore të eksperimenteve të Claubergut përfshinin ciste e ënjtje të barkut, helmim të gjakut, dhimbje si të lindjes, dhe ndjesi të larta të djegies. Gratë nuk nxirrnin zëra, sepse e dinin se po të bërtisnin, do t’i çonin në dhomat me gaz në Birkenau.

Minjtë e laboratorit
Si është e mundur që një mjek të mos i marrë parasysh shqetësimet etike dhe t’i trajtojë njerëzit si kafshë?
“Kur dikush nuk konsiderohet më qenie njerëzore, trajtimet mjekësore e njerëzore nuk kanë më rëndësi”, ka thënë për “Neue Osnabrucker Zeitung” historiani Andrea Löw nga Qendra për Studime të Holokaustit në Münich. Ai ka thënë se në rastin e Claubergut ka kontribuuar “ambicia e pakufishme”.
“E kishte parë si një mundësi për të përfituar nga sistemi avancim të karrierës së tij dhe të arrijë famë e lavdi. Çdo gjë tjetër e kishte shkelur për atë”.
Himmleri e kishte pyetur Claubergun se sa kohë i duhej për t’i sterilizuar 1 mijë gra. Mjeku i ishte përgjigjur se po të punonte një person i trajnuar mirë me 10 asistentë, do të mund të sterilizoheshin disa qindra, në mos 1 mijë hebrenj për një ditë.
Dështimi për ta vënë drejtësinë në vend
Asnjëherë nuk i erdhi mundësia të udhëhiqte sterilizime në shkallë industriale. Më 27 janar 1945, Ushtria e Kuqe e kishte çliruar Auschwitzin. Clauberg kishte ikur në kampin e përqendrimit të grave në Ravensbrück, për t’i vazhduar eksperimentet. Me ta mbyllur sovjetikët edhe atë kamp në prill, ai kishte ikur sërish. Pas dy muajsh ishte gjetur, arrestuar dhe dënuar me 25 vjet në kampin penal në Moskë.
Më 1955 ishte liruar më herët nga burgu. Sipas dokumenteve të Zyrës së Prokurorit Publik të Kielit, ai ndihej se i qe bërë një “pritje mbretërore në vendlindje”. Clauberg ishte rikthyer për të punuar në spitalin e Universitetit të Kielit. Meqë profesioni i mjekëve ende nuk ishte denazistifikuar, pranohej shumë lehtë një koleg që ka punuar në Auschwitz.
Mirëpo në nëntor të vitit 1955, Këshilli Qendror i Hebrenjve kishte paditur Claubergun, me mbi 100 dëshmitarë që ishin në gjendje të dëshmonin kundër tij. Ai kishte pohuar se ndihej viktimë e shpifjes dhe se ishte akuzuar gabimisht. Sipas dokumenteve hulumtuese, Clauberg kishte thënë se qëllimi i tij ka qenë t’i shpëtojë gratë në bllok nga vdekja në dhomat e gazit. Por, Carl Clauberg që kishte sterilizuar 500 deri në 700 gra, nuk ishte sjellë ende në gjykim kur vdiq më 9 gusht 1957.

Pilulat arrijnë më 1960 falë eksperimenteve me njerëz
Shumë prej viktimave të mjekut kanë vazhduar jetën me trauma dhe sterilitet. Megjithëkëtë, Renee Duering ka lindur mrekullisht një vajzë, pavarësisht intervenimeve të tmerrshme të Claubergut. Më 18 gusht 1960, është prodhuar dhe shitur ilaçi i parë kontraceptiv hormonal, i njohur si “Enovid” në Shtetet e Bashkuara.
Për zhvillimin e këtij ilaçi ka kontribuuar edhe hulumtimi i drejtuar nga Claubergu. Kompania “Schering” që i ka financuar eksperimentet e Claubergut, ishte shkrirë në grupin farmaceutik të Bavarisë, i cili edhe sot bën shitjen e pilulave kontraceptive.
“Kjo metodë revolucionare e planifikimit familjar është bërë faktor kyç në emancipimin dhe një kthesë për shoqërinë”, shkruhet në uebfaqe të kompanisë. Mirëpo, gratë e “Bllokut” 10 nuk patën asnjëherë lirinë e të vendosurit për amësi.