Shtojca për Kulturë

Antropologia amerikane në Paris me valle dhe Kosovën e viteve ‘80

Janet Reineck ka kohë që është zëri i Kosovës dhe i kulturës së saj nëpër botë, e këtë mision që e nisi kaherë, e vazhdon edhe tash. Në 16-vjetorin e Pavarësisë, në Paris antropologia amerikane do të shpalosë punën e saj studimore në Kosovën e viteve ’80 dhe ’90 duke ofruar këndvështrimet e saj studimore mbi strategjitë e definimit të vetes te shqiptarët. Por nuk do të ndalet me kaq. Të huajve do t’ua mësojë edhe vallet e Kosovës . Synon që në valle t’i fusë edhe diplomatët

Migrimet, vendlindja dhe shenjat kulturore janë trinomi që zbërthehet në një konferencë për Kosovën, në kryeqytetin francez. Do të mbahet një ditë para 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. E organizuar nga Instituti Kombëtar i Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO), konferenca me folëse antropologen amerikane, Janet Reineck, do të shpalosë punën e saj studimore në Kosovën e viteve ’80 dhe ’90 duke ofruar këndvështrimet e saj studimore mbi strategjitë e definimit të vetes te shqiptarët.

Reineck, e cila ka jetuar në Kosovë mes viteve 1981 dhe 1997, ka bërë hulumtime në Kosovë në kuadër të studimeve të nivelit master në fushën e etnokoreografisë. Por ajo nuk u mjaftua me kaq. Do të kthehej në Kosovë gjithashtu për të punuar edhe për disertacionin e saj me titull “The Past as Refuge: Gender, Migration and Ideology Among the Kosova Albanians” (E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjitë te shqiptarët e Kosovës).

“Kur studiova migracionin shqiptar për motive pune në vitet 1980, kishim të bënim me burrat që jetonin jashtë vendit, në Evropë për të mbështetur familjet e tyre në Kosovë. Ata u përfshinë në kulturat vendase shumë pak dhe jetuan shumë thjesht, duke kursyer çdo frang, sterlinë apo markë për t’i dërguar në shtëpi. Trupat e tyre ishin në Evropë, por shpirti i tyre dhe vendndodhja e identitetit të tyre si burra krenarë shqiptarë mbetën në Kosovë. Kur vizitonin familjet e tyre në Kosovë, shpirtrat e tyre gjenin rehati te zakonet dhe konservatorizmi moral i trashëguar nga një e kaluar e largët heroike”, ka shpjeguar Reineck për KOHËN. Tema e disertacionit të saj do të jetë bazë e konferencës.

Ky realitet kishte ndryshuar në fillim të viteve ‘90. Rënia e Jugosllavisë, e cila solli edhe luftën çlirimtare në Kosovën e vitit 1999, sipas Reineck, në Kosovë kishte bërë që të zinte vend një eufori kolektive, e cila përzihej me ndjenjat e lirisë dhe rrjedhimisht migrimi kishte marrë një kuptim të ri.

“Në vend që burrat të jetonin vetëm, të mbështetur në sakrificë dhe kursime nga puna që bënin jashtë vendit, ata filluan të merrnin edhe familjet e tyre me vete, të gjenin punë të mira dhe të jetonin si vendas. Në ditët e sotme, pothuajse një pjesë e çdo familjeje kosovare jeton në Evropë. Është një ironi tragjike: me gjithë faktin se për një kosovar atdheu dhe familja janë dy gjërat më të rëndësishme në jetë, pothuajse çdo i ri në Kosovë ende po përpiqet të largohet, për standardin e jetesës dhe mundësitë që shohin jashtë vendit”, ka shtuar Reineck, e cila flet rrjedhshëm e pastër shqipen gegë.

Sipas shpjegimit për konferencën në të njëjtën kohë që familjet shqiptare në Evropë po asimilohen, Kosova po modernizohet me energji dhe entuziazëm të egër. E, kjo, sipas saj, çon në një pyetje vendimtare: përderisa mënyra e jetesës dhe botëkuptimi po transformohen, ku do ta gjejnë shqiptarët identitetin e tyre si qenie njerëzore?

“Përgjigjja është e qartë: në aleancën e tyre me një prejardhje të lashtë dhe në shenjat kulturore që ata adhurojnë: gjuhën, ushqimin, muzikën dhe kërcimin, dhe markën e tyre të veçantë të mikpritjes dhe historisë”, thuhet në abstraktin e konferencës.

E këtë raport transformimi të shoqërisë kosovare ajo do ta shpjegojë në konferencë edhe nëpërmjet një lloj komunikimi jo të zakontë – me vallëzim, të cilin ajo e quan si “relikt të çmuar, dhe të fuqishëm të së kaluarës së shqiptarëve”.

Ligjëratën e saj do ta pasojë edhe një punëtori vallëzimi, aspekt ky të cilin Reineck e ka si ekspertizë në spektrin e saj studimor.

“Jam ftuar nga një grup francez i quajtur ‘Un pont sur le Bosphore’ (Një urë mbi Bosfor), i cili promovon bashkëpunimin mes kulturave të Evropës Juglindore. Më ka ftuar organizatori Françoise Demir, i cili e organizon këtë punëtori pesëditore me karakter vjetor, tash e 17 vjet, dhe synim i tyre është mësimi i këngëve dhe vallëzimeve tradicionale të Ballkanit. Ajo do të zhvillohet në një rezidencë artistësh në Normandi të Francës”, ka thënë Reineck, duke zbardhur edhe detaje të tjera rreth kësaj punëtorie.

“Do t’ua mësoj vallëzimin shqiptar dhe disa këngë shqipe një grupi të përbërë nga gra franceze, të cilat veçse janë te njoftuara me vallëzimet tradicionale nga pjesë të tjera të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Por, kjo do të jetë hera e parë që ato do të përjetojnë muzikën dhe vallëzimin kosovar. Synimi im është që këtyre pjesëmarrëseve t’u ofroj ndjesinë e ‘melosit’ shqiptar dhe të mësojnë diçka për kulturën dhe rëndësinë e vallëzimit në identitetin shqiptar”, ka shtuar ajo

Në këtë punëtori antropologia Reineck, francezeve do t’u mësojë vallëzimin e improvizuar, i quajtur ndryshe si “Kcim”, pastaj vallet regjionale nga zonat e ndryshme etnografike të Kosovës si Opoja, Hasi dhe Morava, si dhe disa krijime të saj të improvizuara në bazë të “Shotës”.

Reineck, e cila përmes “World Dance for Humanity” – një iniciativë e themeluar nga vetë ajo, që nga viti 2010 – ua mëson vallëzimin shqiptar të huajve nga e gjithë bota. Synon që vallen shqipe ta bartë edhe te gjeneratat e në Kosovë dhe diasporë.

“Shpresoj që t’i risjellë këto vallëzime edhe në Kosovë, dhe te diaspora kosovare, si kontribut për evoluimin e kulturës së vallëzimit në Kosovë”, ka theksuar Reineck, e cila edhe tash jo rrallë e viziton Kosovën. Një vizitë e saj qe edhe në gushtin e vitit 2022, ku disa vjet më parë kishte ardhur edhe për punë studimore.

Reineck në vazhdën e këtyre aktiviteteve, gjithashtu është e ftuar nga Shemsi Krasniqi, profesor universitar dhe përfaqësues i shtetit në Konferencën e Frankofonisë dhe nga ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, për t’u bërë pjesë e eventit qendror për ditën e Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Paris. Por, edhe për këtë event ajo ka planet e saj.

“Pas solemniteteve të eventit dhe bisedave që do të zhvillohen, shpresoj që do të arrij t’i bind të gjithë të pranishmit, duke përfshirë edhe diplomatët francezë të kërcejnë valle tradicionale shqiptare”, ka thënë ajo

Aktivitetet e saj si antropologe në Kosovë ajo i ka përmbledhur edhe në librin, i cili paraqet kohën e saj në Kosovë me titullin “Një amerikane në Kosovë”, i cili gjendet dhe online në ueb faqen e saj, krahas shumë fotografive dhe informacioneve të tjera të mbledhura gjatë kohës së saj në Kosovë.

Kontributin e saj për trashëgiminë kulturore në Kosovë, Reineck synon ta zgjerojë edhe me projekte konkrete në muajt në vazhdim.

“Pas Francës, do të vijë në Kosovë për të bërë disa takime për një projekt të financuar nga Bashkimi Evropian, rreth zhvillimit turistik të Opojës. Bashkë do të punojmë mbi strategjinë e turizmit, sfidat dhe mundësitë në Komunën e Dragashit në kuadër të një projekti të implementuar nga organizata joqeveritare ‘Rona’. Shpresoj që do të arrijmë të përfshijmë thesaret etnografike dhe të mundohemi të zgjerojmë mundësitë ekonomike në këtë regjion të bukur të Kosovës”, ka thënë ajo.