Bota shqiptare dhe Ali Pashë Tepelena u shndërruan në një burim frymëzimi për shumë artistë evropianë. Skenat e jetës së tij, peizazhet e Arbërisë dhe figurat e shumta të burrave e grave shqiptare, me veshjet e tyre karakteristike, u bënë për herë të parë të njohura gjerësisht në Evropë përmes penelit të piktorëve më në zë të kohës. Nga trashëgimia artistike, mund të thuhet se Ali Pashë Tepelena është figura e historisë shqiptare të shekullit XIX së cilës i është kushtuar numri më i madh i tablove. “Ali Pashë Tepelena në artin botëror” i Luan Tashit sjell koleksionin më të pasur dhe më të plotë të veprave të artit kushtuar Ali Pashës kësaj figure madhore të historisë shqiptare
Me mbresat e fuqishme të fituara gjatë udhëtimeve në Portugali, Spanjë, Shqipëri, Greqi dhe Turqi, në korrik të vitit 1811, poeti i madh anglez Lord Byron u kthye në Angli, ku krijoi një nga veprat e tij më të rëndësishme, “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, e cila konsiderohet një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Një numër i madh vargjesh të kësaj vepre, Byroni ia kushtoi Shqipërisë.
Në kulmin e famës së tij, në vitin 1813, i veshur me kostumin shqiptar që kishte marrë gjatë qëndrimit në vend, Byroni pozoi për piktorin Thomas Phillips. Në vitin 1814, pak muaj pas realizimit, piktura “Bajroni me veshje shqiptare” u ekspozua në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër. Po atë vit, mbi bazën e kësaj pikture, u gdhend një gravurë nga William Finden, e cila u shtyp në shumë kopje dhe u botua në revista, gazeta dhe libra të ilustruar të kohës.
Suksesi i menjëhershëm i Byronit ngjalli jehonë të gjerë edhe për Shqipërinë.
Vargjet e Çajld Haroldit: “Shqipëri, lejomë t’i kthej sytë mbi ty, o nënë e burrave të egër…”, ku shqiptarët përshkruhen si “raca më e bukur në botë”, së bashku me mbresat për mikpritjen shqiptare të shprehura në letrat drejtuar nënës dhe miqve, si edhe me pikturën “Byroni me veshje shqiptare”, e cila u vlerësua si portreti i tij më i bukur dhe më i njohur, e shtuan më tej interesimin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me kalimin e viteve, u bënë gjithnjë e më tërheqës për artistët evropianë.
Tablotë me figura shqiptarësh, të veshur me fustanella të bardha e të gjata dhe jelekë të qëndisur me ar, u realizuan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi, Turqi, Egjipt, Siri dhe në vende të tjera ku artistët i hasën gjatë udhëtimeve të tyre.
Si një nga personazhet kryesore të shënimeve, letrave dhe disa vargjeve të “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, Ali Pashë Tepelena u bë objekt i një interesimi të madh nga shkrimtarë, diplomatë, artistë dhe udhëtarë të kohës. Takimet e tij me Byronin janë pasqyruar në vizatimin e grafistit italian Giovanni Antonio Sasso, në akuarelin e piktorit anglez Frank Stone – ku paraqitet çasti i takimit të parë dhe festa e organizuar në sallonin e madh mes vallëzimit të vajzave – si edhe në litografitë e autorëve anglezë: Edward Finden dhe William Purser, ku shfaqet pallati i Tepelenës dhe mjediset e brendshme të tij.
Pas vizitës së Byronit, Tepelena u shndërrua në një destinacion të rëndësishëm për artistët evropianë, të cilët erdhën për të pikturuar Aliun dhe motive të tjera nga bota shqiptare.
Arkitekti dhe piktori Charles Cockerell, i frymëzuar nga miqësia me Byronin dhe mbresat e tij, nisi udhëtimin artistik në Shqipëri së bashku me mikun Thomas Hughes. Takimi i tyre me Ali Pashë Tepelenën u shoqërua me një pasuri motivesh përshkruese dhe piktorike.
Piktori francez Louis Dupré, ekspozoi për herë të parë veprën e tij më të rëndësishme nga Shqipëria: “Ali Tepelena, pashai i Janinës, duke gjuajtur në liqenin e Butrintit”. Kjo tablo, së bashku me portretin e veçantë që realizoi më vonë për Aliun, konsiderohet ndër imazhet më autentike dhe shërbeu si referencë për shumë autorë të mëvonshëm. Edhe mjeshtri i romantizmit francez, Eugène Delacroix, u ndikua po nga kjo vepër.
Në Sallonin e Parisit të vitit 1831, piktori Alexandre Colin ekspozoi dy vepra kushtuar Ali Pashë Tepelenës, ndër to edhe “Ali Tepelena, pashai i Janinës, në krahët e Vasiliqisë, gruas së tij të dashur”. Më vonë, mbi bazën e kësaj tabloje u realizua një akuatintë me të njëjtin titull nga artisti Alexandre Vincent (1833), si edhe një pikturë me ngjyra vaji nga piktori grek Sotiris Christidis (1900).
Në albumin e parë me kostume të zgjedhura nga Shqipëria dhe Greqia, botuar në Londër nga Joseph Cartwright, një vepër e veçantë i kushtohej Ali Pashë Tepelenës. Një vit më pas, bazuar në vizatimet e W. Davenport, piktori George Hunt realizoi gjashtë akuatinta me ngjyra, të përmbledhura nën titullin “Portretizim historik i ngjarjeve kryesore në jetën e Ali Pashës” (Londër, 1823). Akuarele dhe litografi të tjera u botuan në albumet e Power Beresford “Pamje nga Shqipëria e Jugut” (Londër, 1855) dhe të Louis Dupré “Udhëtimi në Athinë dhe në Kostandinopojë” (Paris, 1825).
Nga gjithë kjo trashëgimi artistike, mund të thuhet se Ali Pashë Tepelena është figura e historisë shqiptare e shekullit XIX së cilës i është kushtuar numri më i madh i tablove. Portretet më të hershme të tij datojnë para vitit 1804 dhe u realizuan gjatë takimeve në Janinë dhe Tepelenë.
Ndër më të njohurat janë akuarelet e John Philip Morier (1803), William Hoggarth (1810) dhe Henry Holland (1813). Një nga krijimet e hershme është edhe litografia e Giovanni Battista Dell’Acqua, e botuar si ilustrim i librit të François Pouqueville “Udhëtime në More, Kostandinopojë dhe Shqipëri” (Paris, 1805).
Një numër i madh veprash artistike – vizatime, gravura, akuarele dhe litografi – iu kushtuan edhe vrasjes tragjike të Ali Pashë Tepelenës, më 5 shkurt 1822, në ishullin e liqenit të Janinës. Edhe pas kësaj ngjarjeje, artistë nga vende të ndryshme vazhduan të krijojnë vepra kushtuar figurës së tij. Sot, ndonëse trupi i Aliut prehet mes Janinës dhe Stambollit, portretet e tij vazhdojnë të ekspozohen në muze dhe galeri të rëndësishme në mbarë botën. Dy nga pikturat më të njohura ruhen në British Museum në Londër dhe në Metropolitan Museum of Art në New York, ndërsa Biblioteka Kombëtare e Francës ruan rreth 20 litografi me portretet e tij.
Vepra të panjohura më parë po dalin vazhdimisht në shtëpitë e ankandeve “Christie’s” dhe “Sotheby’s” në Paris, Londër e New York. Në një tablo të piktorit italian Luigi Cuccoli është fiksuar çasti i takimit të parë të Aliut me Vasiliqinë, e cila më pas, siç paraqitet në shumë vepra të tjera, u bë gruaja e dashur e pashait.
Ali Pashë Tepelena dhe bota shqiptare u shndërruan kështu në një burim frymëzimi për shumë artistë evropianë. Skenat e jetës së tij, peizazhet e Arbërisë dhe figurat e shumta të burrave e grave shqiptare, me veshjet e tyre karakteristike, u bënë për herë të parë të njohura gjerësisht në Evropë përmes penelit të piktorëve më në zë të kohës.
Sot, këto vepra gjenden në galeritë dhe muzetë më prestigjioze të botës, si: Metropolitan Museum of Art, New York; Palacio Cousiño, Santiago; Benaki Museum, Athinë; Muzeu i Louverit, Paris, British Museum, Londër.
Nga artistët shqiptarë, Ali Pashë Tepelenën e kanë portretizuar piktorët Nikolla Lako, Agim Sulaj, Qamil Prizreni, Rakip Shabani, Ndue Pepa dhe Ben Bellaja, si edhe skulptorët Muntaz Dhrami, Euro Rrasa, Sulid Kasemi, Bujar Vani dhe Evis Kabilo. Figura e tij është trajtuar gjithashtu nga baritoni Gëzim Myshketa dhe aktori Kadri Roshi.
Pas kërkimeve shumëvjeçare në galeri, muze, biblioteka, arkiva dhe koleksione private e publike anembanë botës, profesori Luan Tashi ka sjellë koleksionin më të pasur dhe më të plotë të veprave të artit kushtuar kësaj figure madhore të historisë shqiptare. Ky libër përfaqëson një nga botimet më të bukura, më të plota dhe më të çmuara për bibliotekat e shqiptarëve, kudo që ata ndodhen.