Shtojca për Kulturë

Ajetet e Kuranit në monumentin mbivarror të Joseph von Hammer-Purgstallit

Joseph von Hammer-Purgstall

Joseph von Hammer-Purgstall

Varri i Hammerit është jashtëzakonisht i bukur (nëse për dikë të ndjeshëm nuk është tepër guxim të thuhet se një varr është i bukur!). Në çdo detaj vërehet se vendpushimi i tij i fundit është konceptuar më herët nga vetë banori i tij i ardhshëm – nga vetë Hammeri. Gjithashtu, po të merren parasysh të gjitha ato që janë gdhendur dhe gravuar nga të gjitha anët e tij, ky varr është një rrëfim i fuqishëm mbi thelbin e jetës njerëzore

Në vendin Klosterneuburg (më saktësisht në Klosterneuburg-Weidling), rreth pesëmbëdhjetë kilometra në veri të Vjenës, ndodhet një varrezë e bukur – nëse një njeri i ndjeshëm mund ta quajë “të bukur” një varrezë. Në këtë varrezë ka arsye të shkosh vetëm nëse je i gatshëm të qëndrosh katër apo pesë orë duke ecur nëpër shtigjet midis dhjetëra, ndoshta qindra varreve, dhe vetëm nëse e njeh, të paktën në vija të trasha, historinë e Vjenës dhe të Perandorisë Austro-Hungareze.

Pikërisht këtu, në Klosterneuburg-Weidling, gjenden varret e disa të ndjerëve të shquar, për të cilët mund të thuhet se jeta tokësore ka qenë mjaft bujare. Në këtë parcelë të figurave të njohura në Klosterneuburg-Weidling ndodhet edhe varri i dijetarit të madh, orientalistit, politikanit, poliglotit, dragomanit dhe historianit të shquar – Joseph von Hammer-Purgstallit (Jozef fon Hamer-Purgshtal).

Në këtë ese do t’i themi vetëm disa fjalë, në mënyrë përkujtuese, për të ndjerin Hammer, për varrin e tij të hijshëm, si dhe për arsyet e mundshme pse mbi këto nishane të çmueshme gjenden ajete kuranore dhe shprehje e vargje të tjera islame.

Diplomati në Stamboll

Austriaku Joseph von Hammer-Purgstall lindi në Graz në vitin 1774. Pas përfundimit të shkollës fillore, i ati, Joseph Johann von Hammer, e dërgoi për të studiuar në Vjenë, në disa nga shkollat më të mira që i kishte kryeqyteti në atë kohë. I ri dhe ambicioz, Hammeri i përfundoi studimet me sukses të jashtëzakonshëm dhe, më 1796, hyri në shërbimin diplomatik; më 1799 caktohet me detyrë në ambasadën austriake në Stamboll.

Kohën në Stamboll, (kur shpesh udhëtonte nëpër vendet e Levantit), e shfrytëzoi për t’u specializuar në mënyrë të thellë në turqishten osmane, në arabisht dhe në persisht. Gjatë qëndrimeve në Levant dhe në Lindjen e Afërt, Hammeri bashkëpunoi ngushtë me komandantin britanik të marinës, William Sidney Smith. Bashkëpunimi, natyrisht, ishte i diktuar nga interesa politike dhe drejtohej kundër politikës pushtuese franceze të asaj kohe. (Ishin vitet kur Napoloni i kishte nisur ekspeditat e tij ushtarake, madje edhe kundër Rusisë). Pa dyshim, Hammeri me veprimtarinë e tij kontribuoi në zbatimin e politikës së Austrisë dhe, pjesërisht, të Britanisë ndaj Perandorisë Osmane, dhe nëse jo ndryshe, të paktën, si përkthyes i shkëlqyeshëm (dragoman).

Kjo u pa edhe kur më 1807 u kthye në Evropë, në Vjenë. Në vitin 1809, Klemens von Metternichi (1773–1859) e filloi ngjitjen e tij në hierarkinë e pushtetit dhe Hammeri, poligloti i ditur, u bë bashkëpunëtor dhe këshilltar i tij i besuar. Kështu thonë disa burime. Kurse sipas disa të tjerave thuhet se, Metternichi, si një shtetar absolutist, “e kufizoi” Hammerin duke e mbajtur, sipas nevojës, vetëm si përkthyes dhe këshilltar. Nëse kjo i pengoi ambiciet më të mëdha të Hammerit apo nëse Metternichi i ofroi më pak nga sa priste, kjo mbetet një çështje për t’u hulumtuar.

Krahas detyrave të tij si përkthyes “oborrtar”, Joseph von Hammer-Purgstalli u mor edhe me shkencë, me disiplinat orientalistike, si dhe me përkthime nga tri gjuhët kryesore orientale: arabishtja, turqishtja osmane dhe persishtja. Në vitin 1835, atij iu dha edhe një fat shtesë në këtë botë, ai e trashëgoi pronën e konteshës Purgstall dhe e fitoi titullin baron (Freiherr), duke ia shtuar kështu mbiemrit të tij edhe emrin Purgstall. Hammeri botoi një sërë veprash, duke u bërë praktikisht themelues ose forcues i disa disiplinave në studimet orientalistike në Austri dhe në Gjermani (Prusi). Kur në Vjenë u themelua Akademia e Shkencave më 1847, Hammeri u zgjodh kryetar i saj i parë, një ngjarje që, siç pretendohet, nuk mund të kishte ndodhur pa mbështetjen e Klemens von Metternichit. Hammeri ndërroi jetë në Vjenë në vitin 1856, në kulmin e karrierës së tij shkencore.

Kur bëhet fjalë për kontributin në themelimin dhe zhvillimin e orientalistikës, Hammeri krahasohet me Silvestre de Sacy-në (1758-1838) në Francë, si dhe me Sir William Jonesin (1746-1794) dhe Edward William Lanen (1801-1876) në Angli dhe Britani të Madhe.

Vepra kryesore e Hammerit është “Geschichte des osmanischen Reiches” (Historia e Perandorisë Osmane), në disa vëllime, botimi i parë i së cilës u bë gjatë periudhës 1827–1835 (1). Përveç kësaj, Hammeri botoi studime historike mbi Hordhinë e Artë, mbi Asasinët, Hanatin e Krimesë, Stambollin, Bosforin, etj.

Ai shkroi vepra ose punime në fushën e turqishtes osmane, arabishtes, persishtes... poezisë dhe letërsisë. Ai i përktheu veprat e Gazaliut, Zamahshariut, Mutanabbiut, Sa’labiut, Hamaviut, Hafizit, Saadiut, Evlija Çelebiut... Ai gjithashtu përktheu në gjermanishte në formë poetike pjesë të Kuranit. Ai gjithashtu në mënyrë ambicioze përktheu në frëngjisht dhe në gjermanisht edhe “Një mijë e një net” dhe kërkoi me këmbëngulje dorëshkrime të ndryshme të kësaj vepre në të gjithë Lindjen e Mesme, etj. Ai pati bashkëpunime të shumta me një numër të madh të poetëve, shkrimtarëve dhe filozofëve evropianë. Falë punës së Hammerit në përkthimin e “Divanit” të Hafizit në gjermanisht, erdhi edhe rezultati i bukur: Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832) shkroi “West-Őstlische Divan” (Divani Perëndimor-Lindor), botimi i parë i të cilit u shfaq në Shtutgart në vitin 1819 (2).

Mbishkrimet në gjuhën osmane dhe perse

Bukuria e varrit të Joseph von Hammer-Purgstallit

Varri i Hammerit është jashtëzakonisht i bukur (nëse për dikë të ndjeshëm nuk është tepër guxim të thuhet se një varr është i bukur!). Në çdo detaj vërehet se vendpushimi i tij i fundit është konceptuar më herët nga vetë banori i tij i ardhshëm – nga vetë Hammeri. Gjithashtu, po të merren parasysh të gjitha ato që janë gdhendur dhe gravuar nga të gjitha anët e tij, ky varr është një rrëfim i fuqishëm mbi thelbin e jetës njerëzore. Është sikurse të kishte dashur vetë Hammeri që vizitorët e varrit të tij të meditonin pikërisht mbi faktin se edhe ata, një ditë, do të dalin para Zotit të tyre të dashur dhe së pari do të shtrihen në varr që t’i mbulojë dhe t’i tretë dheu i zi.

Siç shihet qartë nga të gjitha fotografitë e varrit, Hammeri i ka përgatitur mbishkrimet e varrit në rreth dhjetë gjuhë të ndryshme. Dhe, siç thotë Robert Irwin, profesor i gjuhës arabe në Universitetin e Kembrixhit, Hammeri zotëronte dhe i përdorte në mënyrë të shkëlqyer në veprimtarinë e tij diplomatike, politike, shkencore dhe akademike pikërisht këto dhjetë gjuhë (...mastered ten languages).

Në vetë nishanet e varrit, mbi katër faqet e tyre, mbizotërojnë mbishkrimet në arabisht, turqishten osmane dhe persisht. Midis tyre, mbishkrimeve në arabisht, pra citimeve nga Kurani, u është dhënë një përparësi mbizotëruese. Në faqen e jashtme të nishanit të kokës, në arabisht shkruhet:

“Ai [Zoti] është i Gjalli dhe i Përjetshmi! [Këtu prehet] ky i ndjeri-merhumi, që është i falur dhe që ka nevojë për mëshirën e Zotit të tij, të Atij që fal dhe që i mbulon mëkatet. [Këtu prehet] përkthyesi nga tri gjuhë, Jusufi, i biri i Hammerit, për shpirtin e tij qoftë një kujtim i bukur!”

Po ashtu, në nishanin e këmbëve, në faqen e jashtme, në arabisht qëndron e shkruar:

“Ai [Zoti] është i Përjetshmi. Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Ne i përkasim Zotit dhe tek Ai do të kthehemi. Të gjithë njerëzit do të vdesin. Çdo pushtet një ditë do të marrë fund. Jeta nuk është e përhershme, përveç për Atë që nuk vdes kurrë [d.m.th. vetëm Zoti është i përjetshëm]!”

Siç shihet qartë, emrat e Zotit “al-Hajj” (i Gjalli, i Përjetshmi) dhe “al-Bākī” (i Mbeturi, i Përhershmi) mbizotërojnë në nishanet e varrit të Hammerit. Kjo është, në thelb, një traditë osmane myslimane e stolisjes së gurëve (nishaneve) të varrit, të cilën Hammeri e pati rastin ta mësonte (dhe ta shihte nëpër varreza-mezare) gjatë shërbimit të tij diplomatik në Stamboll dhe gjithandej Levantit.

Pas përmendjes së emrit të Zotit “al-Bākī”, vijnë citimet nga Kurani: i pari nga surja “Ali Imran” (3:185) dhe i dyti nga surja “El-Bekare” (2:156). Më pas vijnë edhe thënie që paralajmërojnë për përkohshmërinë e jetës dhe shkurtësinë e pushtetit njerëzor – të dyja këto me variante që lidhen me hadithet e pejgamberit Muhamed, a.s.

Është me të vërtetë interesante që Hammeri ka zgjedhur që mesazhet dominuese në varrin e tij të jenë të shkruara në gjuhën arabe, pikërisht në faqet më të dukshme dhe të jashtme të “nishanit të kokës (së varrit)” dhe “nishanit të këmbëve” (3).

Gjithashtu, Hammerit i ka interesuar posaçërisht që të theksonte, po ashtu në gjuhën arabe, se ai ishte “përkthyes nga tri gjuhë” (muterxhimu l-alsinati s-salāsah). Kjo është një sintagmë e veçantë, me të cilën, në traditën e qytetërimit islam, nderoheshin dijetarët, filozofët dhe juristët që flisnin rrjedhshëm, lexonin, diskutonin, shkruanin dhe përkthenin nga arabishtja, turqishtja osmane dhe persishtja.

Po ashtu, edhe emri “Joseph” mbi varrin e Hammerit, në arabisht, është shkruar qartë si “Jūsuf”.

Vendi ku jeton njeriu duhet të marrë mësim

Mirëpo, Hammeri, në nishanet e tij, nuk e la pas dore as turqishten osmane dhe as gjuhën perse. Në faqet e brendshme të nishanit të kokës dhe atij të këmbëve gjenden vargje dhe thënie të shkruara me kaligrafi mbresëlënëse. Në njërën anë të nishanit të varrit, Hammeri e ka zgjedhur këtë varg në persishte nga “Gjylistani” i Saadiut:

Eh! Sa herë që në bahçe mbinte një fidan,

Shkoja ta shihja, dhe shpirti më gëzohej.

Miku im, eja tek unë në pranverë,

Kur nga pluhuri im të dalë një fidan i ri.”

Më poshtë vjen një distik në turqishten osmane, që në një përkthim të lirë thotë:

“Për hir të kopshtit, bilbili erdhi në këtë botë,

Pastaj, si flutur, prej tij fluturoi larg.”

Të marrësh mësim nga vetë pamja e varrit dhe më tej nga mesazhet e këtyre thënieve të gdhendura në nishane të varrit ishte dëshira e të famshmit Hammer. Pikërisht varrezat dhe varri, ai “mezari” i heshtur, janë vendi ku duhet ta pranosh të vërtetën e pashmangshme: bota është e përkohshme, jeta është e shkurtër, qëndrimi i njeriut është i brishtë; jeta ngjason me një fidan që mbin nga toka pjellore, pastaj përkulet i dobët ndaj erës... Më tej, jeta është si një ndalesë e shkurtër e bilbilit në kopsht; dhe ashtu si bilbili që fluturon prej tij si flutur, edhe njeriu largohet nga kjo botë (edhe pse, natyrisht, kjo nuk na pëlqen!).

Në një tjetër faqe të brendshme të gurit të varrit janë gdhendur vargjet në persishte të Saadi Shirazit:

“Gjithë botën prore e kam shëtitur,

Ditët i kam kaluar me njerëz nga më të ndryshmit,

Në çdo qoshe kam kërkuar kënaqësi,

Dhe nga çdo lëmë kam mbledhur nga një kalli.”

Me këto vargje, Hammeri, përmes Saadiut, e ka kujtuar jetën e tij të pasur dhe të mbushur me përvoja: një jetë mes shumë njerëzve, plot kënaqësi, ku përjetoi shumë të mbara dhe mblodhi kallinj të pjekur dhe të begatë... Por, sidoqoftë, duhet të vdesësh, duhet të ikësh, duhet të thuash, - një ditë, në fund të gjithçkaje, - “lamtumirë, e dashur jetë!”

Prandaj Hammeri vendosi që nën këto vargje të Saadiut ta shtojë edhe një distik në turqishten osmane:

“Ziyaretten murad ancak du‘adır.

Bugün bana ise yarın sanadır.”

Që do të thotë:

“Qëllimi i vizitës këtu është vetëm lutja.

Sot ajo drejtohet për mua, nesër do të jetë për ty”.

Me këtë që thamë, ne ende nuk i kemi përshkruar të gjitha sa gjenden mbi varrin e Hammerit. Le të përmendim kalimthi se me këtë varr është nderuar edhe poeti spanjoll Pedro Calderón de la Barca (vdekur më 1681), vargjet e të cilit, në spanjisht, gjenden në njërën anë të varrit të Hammerit. Po ashtu, edhe poeti francez François de Malherbe (vdekur më 1628) është nderuar me disa vargje të tij të gdhendura në këtë varr.

Në fund, ta themi edhe ne lutjen tonë:

Zoti i Dashur ta shpjerë Joseph von Hammer-Purgstall në xhenetin e bukur, në parajsën e begatë, ku ka shumë libra dhe biblioteka!

Dr. Enes Kariq (1958 -) teolog dhe shkrimtar i njohur boshnjak, i specializuar në historinë dhe metodologjinë e interpretimit të Kuranit. Profesor universitar dhe akademik. Përkthyes i Kuranit në gjuhën boshnjake. Autor i shumë veprave dhe studimeve shkencore dhe letrare në gjuhë të ndryshme. Disa prej tyre janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. (Shënim yni).

Autori i kësaj eseje përkujtimore ende nuk është bërë “ai që i di ato tri gjuhë” (arabisht, osmanisht dhe persisht). Për këtë, i falënderon prof. dr. Kerima Filan-in dhe z. Nermin Hodžić-in për ndihmën në shpjegimin e kuptimit të vargjeve dhe thënieve në persisht dhe turqishten osmane. Autori falënderon gjithashtu z. Sidik Spahić-in për ndihmën në përzgjedhjen e literaturës gjermane mbi Joseph von Hammer-Purgstall-in dhe përkthimet gjermane të këtyre thënieve dhe vargjeve. Punimi i plotë, me trajtimin e të gjitha mbishkrimeve, thënieve dhe vargjeve edhe në latinisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht... që gjenden gjithashtu mbi varrin e Hammerit, do të botohet së shpejti (Shënim i autorit).

Përgatiti: Sadik Mehmeti

Mbishkrimi në gjuhën arabe


(1) - Kjo vepër, në një version të shkurtuar është përkthyer [në gjuhën serbokroate] nga i ndjeri Nerkez Smailagiq (“Historija Turskog/Osmanskog carstva”, prijevod: Nerkez Smailagić, Zagreb, 1979). (Shënim i autorit).

(2) - Joseph von Hammer-Purgstalli, përmes veprave të tij historike dhe orientalistike, ka dhënë një kontribut të vyer në njohjen dhe studimin e historisë dhe kulturës shqiptare. Ai jo vetëm që ka dokumentuar rolin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane, por edhe ka ndriçuar, plotësuar e saktësuar të dhënat për këto personalitet, si, fjala vjen, poetët Mesihi Prishtina, Jahja Bej Dukagjini, Suzi Prizreni, Koçi Beu nga Korça dhe një numër të tërë të pashallarëve të kohës. Studimet e tij sot janë një burim me rëndësi për historinë e shqiptarëve dhe rolin e elitës shqiptare në periudhën osmane. (Shënim i yni).

(3) - Termat “nishani i kokës” dhe “nishani i këmbëve” i përdor rahmetliu Mehmed Mujezinović në veprën e tij tre vëllimshme “Islamska epigrafika Bosne i Hercegovine” (Epigrafia islame e Bosnjës dhe Hercegovinës), shih botimin “Sarajevo – Publishing“, Sarajevë, 1998. (Shënim i autorit).