Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“After ‘Freedom of Expression?’” dorëzohet përballë kërcënimeve

Një ekspozitë kundërthënëse arti në Japoninë Qendrore, që shpërfaqte vepra me mesazhe të qëllimshme antijaponeze, është mbyllur të enjten, vetëm dy ditë pas hapjes, për shkak të kërcënimeve të përsëritura, kanë thënë zyrtarë të qeverisë lokale.

Një paketë që përmbante mjete piroteknike u dërgua në adresë të galerisë komunale Sakae në Nagoya ku po mbahej ekspozita e titulluar “After ‘Freedom of Expression?’”, ka thënë qeveria e qytetit. Një zyrtar që e hapi paketën nuk pësoi lëndime, por qyteti vendosi ta mbyllte objektin për pjesën tjetër të javës, për arsye të sigurisë.

Ekspozita, që përfshinte edhe një statujë të një vajze që simbolizonte gratë koreane që punonin në bordelet ushtarake japoneze, pritej të qëndronte e hapur deri sot.

Kryetari i Nagoyas, Takashi Kawamura, ka thënë para gazetarëve se paketa ishte dërguar ashiqare nga një protestues dhe se ekspozita u desh të mbyllej për hir të sigurisë së qytetarëve lokalë.

Organizatorët e ngjarjes kanë thënë se kanë pranuar një letër kërcënuese në fund të qershorit, në të cilën kërkohej që ekspozita të mos mbahej.

Sipas zyrtarëve të qytetit, protestuesit janë mbledhur përballë objektit gjatë fundjavës, duke kritikuar qytetin se ka lejuar përdorimin e hapësirës në fjalë.

Veprat e shpalosura përfshinin edhe një film që paraqiste një skenë ku një imazh i perandorit Hirohito, stërgjyshi i perandorit aktual, është djegur e bërë hi.

Ekspozita fillimisht është hapur në “Aichi Triennale” më 2019, por ishte detyruar të mbyllej për shkaqe sigurie në mesin e një dallge kërcënimesh e ankesash.

Kawamura, që ka kundërshtuar ekspozitën, refuzoi të paguante një pjesë të shpenzimeve të festivalit më 2019, duke nisur një betejë ligjore.

Incidenti i vitit 2019 shkaktoi edhe një fushatë që kërkonte edhe dorëheqjen e guvernatorit të Aichit, Hideaki Omura, që kryesonte komitetin e festivalit. Një ekspozitë e ngjashme që ishte vendosur të mbahej në Tokio muajin e kaluar ishte shtyrë për shkak të një shkëputjeje të shkaktuar nga protestuesit në makina që përdornin megafonë.

Ekspozita nuk ka fort të ngjarë të hapet në Osaka në fund të këtij muaji siç ishte planifikuar, pasi objekti i prefekturës hoqi dorë nga leja e dhënë për organizatorët që ta përdornin hapësirën.

Marrë nga “japantimes.co.jp”

Artikuj të ngjashëm