Me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit të shovinistëve grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë, më 27 qershor, Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave, ndërsa Fondacioni ALSAR organizoi një konferencë shkencore kushtuar 80-vjetorit të këtij gjenocidi, por mungoi shënimi i këtij përvjetori jubilar nga Qeveria dhe institucionet shtetërore veprim që nuk mund të arsyetohet me asgjë! Ndërsa nga partitë politike vetëm PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht 80 vjet më parë, shqiptarët në krahinën e Çamërisë përjetuan terror dhe dhunë prej 27 qershorit të vitit 1944 e deri në mars 1945, që me të drejtë quhet gjenocid i realizuar nga forcat greke të Zervës që rezultoi me vrasjen e vdekjen masive dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve të përkatësisë fetare islame. Ishte ky një skenar i politikës greke në bashkëpunim me aleatët për spastrim etnik të kësaj krahine etnogjeografike shqiptare, ku në nderim të viktimave shqiptare nga viti 1994, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar datën 27 qershor si Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, që përkujtohet çdo vit nga shqiptarët duke mbetur çështje e hapur, sepse krimi ende nuk është dënuar.
Çamëria krahinë shqiptare
Krahina e Çamërisë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margelliçit, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 kilometrash katrorë, me një vijë bregdetare prej 100 kilometrash dhe popullsi shqiptare (myslimane e ortodokse) prej më shumë se 75 mijë banorë (viti 1913). Në aspektin historik Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.
Përveç krahinës së Çamërisë, hapësirës etnogjeografike shqiptare iu shkëputën edhe vise të tjera ku kishte numër të madh të popullsisë shqiptare, si Janina që kishte qenë kryeqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, Konica, rrethet e Kosturit, e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur dhe numrin e këtyre kazave, numri i popullsisë shqiptare në trojet që iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë.
Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1912/13, u legalizua një padrejtësi ku pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën 13 fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse nga ana e Konispolit dhe pikërisht pas këtij vendimi të kobshëm do të fillonte tragjedia për popullatën çame.
Politika pushtuese greke kundër Çamërisë
Që nga fillimi i luftërave ballkanike (1912) që ishin pushtuese kundër popullit shqiptar, ka filluar presioni i vazhdueshëm nga fqinjët tanë (sllavët dhe grekët) për shpërnguljen e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike. Një politikë e tillë ekspansioniste u legalizua fatkeqësisht në sajë të vendimeve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, që përfundoi me pasoja, sepse gjysma e popullsisë dhe e hapësirës shqiptare mbeti jashtë Shqipërisë, me pasoja të mëdha deri në ditët tona.
Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme. Në këtë aspekt, duhet cekur se më 1913 u krye masakra në përroin e Selanit (Paramithi) ku u likuiduan 72 krerë të Çamërisë dhe qindra të tjerë.
Masakrat në Shqipërinë Jugore
Por grekët nuk u ndalën me kaq, sepse ata më 1913-14 kaluan kufirin jugor të Shqipërisë, duke bërë masakra të papara duke djegur fshatra e vrarë popullsinë vendase, kryesisht atë të përkatësisë myslimane. Kemi të bëjmë me gjenocidin grek, kur ushtria dhe bandat greke masakruan me dhjetëra, mijëra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat etj. Së paku janë djegur e rrafshuar 192 fshatra, ndërsa popullsia e shpërngulur llogaritet rreth 100.000 vetë, duke u vendosur kryesisht në Vlorë e Myzeqe dhe vendbanime të tjera. Në popull dhe në historiografi njihen: Masakra e grekëve në Panarit, Masakra e grekëve në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë e të tjera.
Krimet e grekëve në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 kanë një emërtim, e me të drejtë quhen Gjenocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile. Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha botimet e tyre, libra e gazeta është bërë fjalë për këto krime, duke informuar opinionin vendas dhe të huaj për synimet pushtuese dhe krimet e grekëve në Shqipëri.
Marrëveshja e Lozanës në këmbim të popullsisë
Se pushteti grek ndaj shqiptarëve ndiqte luftë speciale, dëshmohet se në përfundim të Luftës së Parë Botërore, më 1918, u përpilua plani i grabitjes së tokave të popullsisë çame. Ligji i të ashtuquajturës Reformë Agrare, i aplikuar vetëm në Çamëri, u rrëmbeu shqiptarëve mijëra hektarë tokë të cilët më pas u shpërngulen në Anadolli(Turqi). Por, në këtë drejtim kulmi arriti me rastin e marrëveshjes së Lozanës në mes Turqisë e Greqisë në vitin 1923, me shpërnguljen e dhunshme të çamëve të përkatësisë së fetare islame në Turqi, që ishte në favor të spastrimit etnik të shqiptarëve në Çamëri.
Në lidhje me këtë periudhë kohore rol pozitiv luajti Qeveria e Shqipërisë, e cila arriti të ndalojë përkohësisht shpërnguljen e shqiptarëve të fesë islame, se ata ishin shqiptarë e jo turq, ku me shumë sakrificë shqiptarët mbijetuan. Por, nga viti 1936, në Greqi triumfoi fashizmi, ku nga gushti këtij viti u zyrtarizua diktatura fashiste, ku e para që u viktimizua ishte popullsia çame. Sipas të dhënave popullsia shqiptare ishte në presion të vazhdueshëm në vendbanimet e tyre, madje në Paramithi shqiptarëve iu ndalua të flasin në gjuhën shqipe. Po ashtu, Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvërë të krishterët ndaj myslimanëve.
Vendbanimeve shqiptare iu ndryshuan emrat
Politika qeveritare greke nuk u ndal vetëm me kaq, sepse atyre u pengonte çdo gjë shqiptare, kështu në këtë kohë iu ndryshuan emrat shqiptarë të fshatrave Spathar, Galbaq, Picar, Varfanj, Arpicë me emra grekë, respektivisht në Trikoforos, Elea, Aetos, Parapotamos, Perdhika etj., për të eliminuar identitetin shqiptar të tyre duke i kolonizuar më pas me popullsi greke të zhvendosur nga Turqia, në këtë mjedis, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë, e cila dominohej nga shqiptarët.
Çamët dhe lufta italo-greke
Në rrethana të njohura shoqërore e politike para se në Greqi të hynte ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh kundër popullsisë shqiptare. Kështu dy muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste greke të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5000 burra, i burgosi dhe i dërgoi në ishujt e largët të Egjeut. Një veprim i tillë racist është dëshmi autentike se çamët e përkatësisë fetare islame konsideroheshin armiq, ku nga ky konitigjent 350 veta u masakruan, ndërsa 400 të tjerë vdiqën nga torturat dhe uria. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe kundër regrutëve çamë si shtetas grekë në vitet 1939-1940, që në atë kohë ndodheshin në shërbim ushtarak, por me urdhër të Korparmatës së Janinës, u vunë të thyejnë gurë dhe të ndreqin rrugë në formën e punës së detyrueshme, duke i trajtuar si robër lufte. Ishte ky një diskriminim i shqiptarëve nga ana e grekëve, të cilët vepruan në këtë mënyrë për të realizuar misionin e tyre në këtë moment të përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë.
Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri. Me gjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt.
Qeverisja shqiptare në Çamëri
Pasi forcat pushtuese italiane hynë në Greqi në prill të vitit 1941, për shqiptarët ishte moment i veçantë, sepse u krijuan kushtet për vetëqeverisje dhe bashkim me shtetin amë – Shqipërinë. Por, ndonëse një veprim i tillë u zbatua në praktikë te shqiptarët në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, diçka e tillë nuk ndodhi me Çamërinë dhe në viset e tjera shqiptare të aneksuara nga Greqia, që dëshmohet në sajë të hartës në Luftën e Dytë Botërore, për këtë regjion. Një veprim i tillë nuk është lejuar në sajë të marrëveshjes gjermano-greke të 8 prillit 1941, ku kufiri shtetëror në mes Greqisë e Shqipërisë mbetej ai i caktuari në vitin 1913, ku Çamëria mbeti brenda kufirit grek.
Të ndodhur në një situatë jo të favorshme, shqiptarëve nuk u mbeti mundësi tjetër, por të vetorganizohen në nivel krahine. Kështu në korrik 1942 u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrativ e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino. Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë, dhe si organ ekzekutiv ku kishte ingerenca në gjykatë, prokurori, polici, financa, arsim, kulturë e të tjera. U hapën shkollat në gjuhën shqipe dhe u vendos flamuri kombëtar shqiptar, duke mënjanuar atë grek. Me këto struktura qeverisëse u vendos administrata shqiptare në Çamëri për të parën herë qe paraqet qeverisjen autonome e cila zgjati vetëm tre vjet (1941-1944).
Por, qeverisja shqiptare dhe vendosja e kësaj administrate në Çamëri irritoi qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefekturës së Thesprotisë”.
Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lartë. Ishte ky një paralajmërim se fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva, me mundësi të mëdha për pasoja që u dëshmua në muajt në vijim.
Korrik, 2024
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë