Shtojca për Kulturë

Prishtina në tetor të 1918-s e ngufatur prej serbëve refugjatë

Selia e Qarkut të Prishtinës në vitet 1912 - 1915
 

“Refugjatët serbë tubohen në vende - vende dhe informohen mes vete. Një grumbull i refugjatëve është para xhamisë, tjetri para portës së pushtetit, disa në oborr, disa nën strehën e një dyqani, e kështu me radhë... Ndërsa ushtarët, me copa mishi në dorë bredhin prej një zjarri në tjetrin, madje ata dalin edhe në llogoret që ndodhen jashtë Prishtinës duke provuar që t’u lejohej t’i pjekin copat e mishit në zjarret e ndezura. Por, disa prej tyre kishin pasur fat pasi kishin ngrënë në kafehanet e Prishtinës...”, shkruan Branisllav Nushiq

Se çfarë ishte gjendja në Prishtinën e zymtë të tetorit të vitit 1918, ka dëshmuar Branisllav Nushiq që më parë ishte tërhequr prej Shkupi, me disa nëpunës të vendosur në ish-kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës pas vitit 1912.

“Në Prishtinë ku zbresin rrugët më të shkurtra për ata që ikin prej Krushevci, Nishi, Prokupla, Vranja dhe Kurshumlia, u krijua kallaballëk i tillë ngulfatës, sa që kishte momente kur rruga kryesore prishtinase duhej të mbyllej nga ana e ushtrisë dhe xhandarmerisë me qëllim të mbrojtjes për ata që vazhdonin drejt Lipjanit dhe Prizrenit. Turmat e para që mbërritën në Prishtinë ishin me fat, pasi këtu gjetën strehim, por të arratisurit që vinin pa ndërprerë tani luteshin që së paku të siguronin vetëm kulm mbi kokë, pa mbulojë, pa ngrohje dhe pa ushqim”, shkruan Nushiq.