Ishte ai që publikun e bënte të harronte botën jashtë sallës ku interpretonte. Harronte edhe veten. Lamtumira e fundit iu dha ashtu siç i takon një artisti të madh si Zef Deda – me duartrokitje
Siç ngjante në fund të shfaqjeve të tij, ashtu iu dha edhe lamtumira e fundit – me duartrokitje. Aty ku Zef Deda jetësoi personazhet e tij – në teatrin “Migjeni” në Shkodër – të shumtë kanë qenë miqtë, kolegët e adhuruesit e tij që bënë homazhe në nderim të mjeshtrit të humorit shqiptar, të shtunën, një ditë pas vdekjes në moshën 73-vjeçare. Ishte ai që publikun e bënte të harronte botën jashtë sallës ku interpretonte. Harronte edhe veten. Në një prej intervistave të fundit të tij ishte përlotur nga emocionet kur ishte pyetur për publikun.
“Fati më i mirë është që kam qëlluar në Shqipëri, për arsye se është një popull që… Unë jam aktor komedian, por kam mbresat e mia për popullin tim, është popull i dashtun, është kaq artdashës, kaq i kulturum sa të kupton dhe nuk të largon kurrë, veç të afron”, do të thoshte i emocionuar Deda.
Prej mëngjesit të së shtunës, rreth tij u mblodhën për të fundit herë familjarë, miq e dashamirë të artit. Para ceremonisë së varrimit, i biri i tij, aktori Julian Deda, para të pranishmëve e ka vlerësuar figurën e tij si artist e si familjar.
“Kam dëshirë që të falënderoj Zef Dedën për atë që ishte. Baba i jashtëzakonshëm, burrë i jashtëzakonshëm, gjysh i jashtëzakonshëm, artist i madh. Nuk e di se sa duhet të mundohemi të ruajmë emrin e mirë që ka dalë prej Zefit. Shpresoj t’ia dalim, me ndihmën edhe të babait nga lart. Me punën e tij, me moralin e tij dhe me mënyrën se si është sjellë në jetë, na e ka bërë jetën edhe më të lehtë. E falënderoj nga zemra. Sot nuk di si t’i rreshtoj fjalët. Dua t’i falënderoj dhe kolegët e babës. Falënderoj nga zemra dhe publikun e tij”, ka thënë aktori Julian Deda.
Ka kërkuar një duartrokitje të fundit për mjeshtrin e komedisë në vendin ku ishte shtëpia e dytë për të – teatri “Migjeni” në Shkodër.
“Sot meqë është hera e fundit që është në teatrin ‘Migjeni’, dua t’i dhurojmë një duartrokitje të fortë”, ka thënë Deda në fund të fjalës së tij.
Zef Deda u lind në Shkodër më 27 korrik 1950 teksa ishte shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë, pastaj filloi shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Karrierën e nisi qysh në moshën 5-vjeçare me rolin e Antonit lypsar dhe nuk iu nda më skenës.
Talenti i tij u spikat që në moshë të vogël. Me shkathtësitë e tij arrinte të realizonte qindra figura artistike. Prandaj dhe ishte mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.
Pas homazheve, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, e ka vlerësuar humbje të madhe vdekjen e komedianit Deda.
“Ne sot përcjellim me një respekt të jashtëzakonshëm, gjithë qyteti, por besoj gjithë kombi shqiptar, një figurë shumëdimensionale artistike. Me Zefin jemi rritur një brez i tërë, në festa e gëzime, por edhe në ditë të vështira na ka dhënë nga një buzëqeshje. Ai do të mbahet mend për shumë role, do të mbahet mend si Chaplini shqiptar”, ka thënë Beci.
Ikjen e Dedës, miku i tij, aktori Edmond Halili e ka konsideruar humbje të humorit shqiptar.
“Unë e kam thënë edhe herë të tjera, ‘ka vdekur humori shqiptar’ për mua. Zef Deda ka qenë një mrekulli e humorit shqiptar. Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës nuk diskutohet, por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse Zef Deda nuk bën më nëna. Janë të rrallë aktorët si Zef Deda”, ka thënë aktori Halili.
Aktori Agron Llakaj ka thënë se institucionet duhet të kontribuojnë në njohjen e brezit të ri me artistët e mëdhenj.
“Duhet që institucionet t’u rikthehen brezit të ri e të tregojnë se kush ka qenë arti i vërtetë e çdo të thotë artist humori. Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell sesa në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Chaplini shqiptar. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por për këdo që ka ndjekur artin e Zefit, është një dhimbje e madhe”, ka thënë aktori Llakaj.
Ka vlerësuar se “Zef Deda me artin e tij ka lënë të qeshura mbrapa, dashurinë, publikun që e ka dashur dhe e ka mbështetur gjatë gjithë kohës”.
Aktori Simon Shkreli e ka vlerësuar “humbje që trondit, sepse skena nuk ka një Zef Deda të dytë”. Ka thënë se vdekja e tij i ka kujtuar shfaqjen e tij të parë në teatrin “Migjeni”.
“Menjëherë memoria me çoi në 2006 kur në shfaqjen e parë në teatrin "Migjeni" do ta kisha partner! Gëzohej për ne të rinjtë, shijonte çdo veprim tonin dhe asnjëherë nuk përtonte që të na jepte këshilla. Madje edhe kërkonte këshilla. Thjesht një gjigant i skenës!”, ka shkruar ai në rrjete sociale.
Pas një shkëputje prej 6 vjetësh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, Zed Deda do të rikthehej në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, e të tjera.