Shtojca për Kulturë

Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij

Ballina e librit “Të gjitha vakëfet e Pashës”
 

Ibrahim Bajjumi Ganim, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kajros, si nxënës mësoi në tekstet shkollore se “shkëlqimi i Egjiptit filloi pas vitit 1952”, pra pas grusht-shtetit ushtarak në krye me Naserin, kurse para kësaj date ishte vetëm “errësirë e korrupsion” gjatë sundimit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës prej vitit 1805 deri më 1952. Mirëpo, duke gjurmuar në këtë fushë, ai zbuloi të kundërtën: Në Egjipt gjatë sundimit të dinastisë shqiptare lulëzoi shumë sistemi i vakëfit për qëllime shoqërore, kurse pas vitit 1952, vakëfi u bë në shërbim të regjimit të ri “revolucionar” dhe kundër “armiqve të popullit”. Libri i tij i ri sjell dëshmitë e radhës

Mehmet Ali Pashë Kavala, siç u njoh në Egjipt ose Mehmet Ali Pashë Misiri, siç u njoh te shqiptarët, mbetet figurë tërheqëse për historianët egjiptianë, turq dhe evropianë, saqë mund të thuhet se nuk kalon ndonjë vit pa u botuar një libër për të ose për dinastinë e tij që sundoi Egjipti prej vitit 1805 deri më 1952.

Këtë vit kemi një libër të ri të autorit të njohur egjiptian, Ibrahim Bajjumi Ganim, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kajros, që prek një aspekt të ri: veprat bamirëse e Mehmet Ali Pashës në Egjipt dhe jashtë tij.