Shtojca për Kulturë

“Anija e shpresës” e Pablo Nerudas që shpëtoi refugjatë

Në janarin e 1939-s, pas një lufte shkatërrimtare civile që zgjati rreth tre vjet e gjysmë, Francisco Franco mposhti Ushtrinë Republikane të Spanjës në Barcelonë, duke vënë një diktaturë që do të zgjaste për gati një gjysmë shekulli dhe do të zhvendoste qindra mijëra ushtarë, aktivistë dhe përkrahës republikanë. Shumica u arratisën në anën tjetër të Pirinejeve, për të gjetur strehim në Francë. Duke menduar se i kishin shpëtuar më të keqes, ata do ta gjenin veten prapa telave gjemborë, nëpër kampe përqendrimi si “Argeles-sur-Mer”, “gati të vdekur nga i ftohti dhe uria”.

Ndonëse bota në përgjithësi nuk do t’ua vinte veshin të zhvendosurve të Spanjës, njëjtë siç kishte vepruar edhe me vetë luftën, diplomati dhe poeti kilian, Pablo Neruda, do të lobonte për t’i shpëtuar mbi 2000 refugjatë, sa i zinte një anije transportuese nëntëtonëshe e quajtur “Winnipeg”. Ky akt humanist i Nerudës ta ndërmend Oskar Schindlerin dhe është temë e rrëfimit të veprës së 17-të të Isabel Allendes, “A Long Petal of the Sea”. Allende, siç mësojmë prej shënimit të saj në fillim të librit, kishte dëgjuar për “anijen e shpresës” së Nerudës gjatë fëmijërisë, duke iu gdhendur në kujtesë para më shumë se katërdhjetë vjetësh. Tani, përmes ndërthurjes mjeshtërore të elementeve faktike dhe fiktive, ajo sjell një prej portretizimeve më imagjinative të Luftës Civile Spanjolle dhe një prej veprave më të forta dhe më me ndikim të karrierës së saj. Duke u shtrirë nëpër breza dhe kontinente, vepra përcjell rrugëtimin e paharrueshëm të dy personave, të cilëve u ishte mundësuar hyrja në “Winnipeg”: Victor Dalmau, mjek ndihmës gjatë luftës, dhe Roser Bruguera, e re shtatzënë me fëmijën e vëllait të Victorit, Guillemit, i zhdukur gjatë luftës. Si konsull special për emigrimin spanjoll, Nerudës i ishte caktuar detyra e përzgjedhjes së kandidatëve, duke refuzuar si radikalët, ashtu edhe ata të ngarkuar politikisht apo me bagazh intelektual. Dhembshuria e tij megjithatë, do të bëhej faktor vendimtar dhe ai do t’ua jepte bekimin e papritur Victorit dhe Roserit, të cilët do t’i bënin përshtypje poetit me vetëmohim dhe përkushtim për ta shpëtuar fëmijën. Victori dhe Roseri martohen, lidhje kjo që nuk ka të bëjë aspak me dashurinë sentimentale, por me diçka më konkrete. Teksa ata nisin nga e para jetën në Santiago të Kilit, partneriteti i tyre kthehet në miqësi të thellë dhe në simbiozë emocionale. Vetëm të bashkuar ata e kuptojnë se çfarë kanë humbur dhe e gjejnë fuqinë për të vazhduar përpara.

Kompleksiteti i nocioneve të dashurisë dhe ndjenjës së përkatësisë qëmtohet në këtë vepër, me shpërfaqjen e ngjarjeve të një shteti të zhytur në rrëmujën e konfliktit vëllavrasës. Njëjtë si Spanja, edhe Kili dikur do të përçahej nga diktatura, duke bërë që Neruda të gjente strehim jashtë. Victor dhe Roser do të detyroheshin të iknin sërish, me idenë e shtëpisë që bëhet gjithnjë e më e largët dhe më telashesjellëse.

Edhe për vetë Allenden, ikja nga vendlindja nuk është diçka e huaj. E dëbuar prej Kilit në Venezuelë gjatë viteve shtatëdhjetë, gjatë diktaturës së Augusto Pinochetit, kur emri i saj u paraqit në listat e “të kërkuarve”, ajo jetoi në Venezuelë për trembëdhjetë vjet. Pikërisht atje nisi ta shkruante “The House of Spirits”, romanin e saj debutuese dhe mbase veprën më të njohur fiktive të karrierës. Pa atë zhvendosje, siç ka thënë Allende, ajo mund të mos ishte bërë kurrë shkrimtare. Lufta civile mund të jetë “uragan që shkatërron shumëçka përpara”, siç na thotë një prej personazheve të saj. Por ajo mund të jetë edhe forcë e madhe transformuese – si për individët, ashtu edhe për kombet. Përvoja personale mund t’i ketë shërbyer asaj të zgjerojë perspektivën, kur është fjala për politikat dhe ideologjitë komplekse. Sido që të jetë, ajo shfaq guxim dhe mprehtësi, duke na e dhënë një rrëfim që të bën për vete.

Marrë nga “The New York Times”