Shtojca për Kulturë

Filharmonia dhe loja në piano e violinë drejt magjisë së Rexho Mulliqit

Në koncertin e dirigjuar prej dirigjentit zvicerano-francez, Antoine Marguier, është shënuar 100-vjetori i lindjes së kompozitorit ikonik të Kosovës, Rexho Mulliqi (Foto: Arben Llapashtica)

Me veprën e Beethovenit, pianistja Vesa Berisha ka sjellë potencialin e saj, violinisti Visar Kuçi e ka konfirmuar mjeshtërinë e tij e Filharmonia e dirigjuar prej Antoine Marguier edhe një herë e ka dëshmuar nivelin e vet. Koncerti ka kulmuar me “Simfoninë nr. 1” e “Bareshën” e Rexho Mulliqit. Institucioni më i lartë i muzikës, 2023-n e ka shpallur “Vit të Rexho Mulliqit” në rastin e 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit të shquar, veprat e të cilit janë monumente të trashëgimisë muzikore

Ka një kontrast të thekshëm midis ambientit ku interpreton dhe asaj që sjell Filharmonia e Kosovës. Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit është ngjyrosur me të kaltër, por shumëngjyrëshe ka qenë atmosfera nëpërmjet muzikës. Koncerti ka kulmuar me “Bareshën” shqiptare.

Në fakt kjo ka qenë vepra e fundit e interpretuar në koncertin e dirigjuar prej dirigjentit zvicerano-francez Antoine Marguier, e me të dhe me “Simfoninë nr. 1” është shënuar 100-vjetori i lindjes së autorit të saj, kompozitorit ikonik të Kosovës, Rexho Mulliqi. Në program kanë qenë edhe Beethoven e Prokofiev, e personazhe kryesore, violinisti Visar Kuçi e pianistja e re Vesa Berisha si solistë të mbrëmjes. Dhe këto janë anët teknike. Ndjesia është tjetër histori.

Hapësira më e ngushtë në Atelie rrjedhimisht bëri që ulëset të mos i përgjigjeshin as përgjysmë interesimit të publikut për të ndjekur koncertin e së premtes mbrëma. Shumë prej adhuruesve të muzikës shfrytëzuan korridorin e një kati më lart që përshkon dy anët e Ateliesë. Në Sallën e Kuqe, ku rëndom koncerton Filharmonia, po bëhen punime.

Krejt atmosfera ka ndryshuar kur janë dëgjuar instrumentet e para që zotëruesit e tyre i testonin para fillimit të koncertit. Në skenë filloi renditja e anëtarëve të Filharmonisë, atyre iu bashkua edhe dirigjenti Marguier.

Image
“Koncert për piano nr.3 në C-mol nga O. 37” i Ludwig van Beethoven ka qenë e para vepër me të cilën është prezantuar për të parën herë krahas Filharmonisë pianistja e re, Vesa Berisha, laureate e “Pianistit të Ri 2022” (Foto: Arben Llapashtica)

Një ëndërr e realizuar për pianisten e re

“Koncert për piano nr.3 në C-mol nga O. 37” i Ludwig van Beethoven ka qenë e para vepër me të cilën është prezantuar për të parën herë krahas Filharmonisë pianistja e re, Vesa Berisha, laureate e “Pianistit të Ri 2022”. Ka qenë si vals i lumtur e vepër tejet harmonike. Dinamikën e merr prej kontrabasëve e tupanit dhe e ndërpret pikërisht pianistja tek luan mjeshtërisht tingujt e lehtë mbi testet bardhezi.

Pas secilës ndërprerje disasekondashe nga Orkestra, ka ndërruar edhe dinamizmi në lojën e Berishës e ngjyra e tingullit. Jo shpesh është parë një instrumentiste kaq e re të luajë krahas institucionit më të lartë të muzikës serioze, por koordinimi me Orkestrën e dirigjentin ka qenë dëshmi për paraqitjen dinjitoze të saj. Kjo pjesë ka ardhur në bashkëpunim midis Filharmonisë me “DAM Festivalit” dhe Garës Ndërkombëtare Pianistike, “Pianisti i Ri”.

Herë pianoja e herë Orkestra i kanë lënë hapësirë njëra-tjetrës për t’u dëshmuar. Distanca kohore mes tyre ka qenë jo më shumë se një sekondë.

Të butë e të qetë janë tingujt që pianistja Berisha nxjerr. Shprehjet e saj flasin për ndjenjat ndaj tingujve të pianos. Kur tingujt arrijnë pikën kulmore, në mbyllje pasojnë edhe duartrokitjet disaminutashe për Berishën. Veprën që ka interpretuar e ka ndier qysh në vegjëli dhe është prej atyre që i ka më për zemër. Interpretimi bashkë me Filharmoninë e Kosovës është ëndërr e bërë realitet, siç e ka quajtur pianistja Berisha.

“Është hera e parë që interpretoj me një orkestër profesionale. Ka qenë emocion i papërshkrueshëm, nuk mund ta them me fjalë se si jam ndier dhe mendoj se kjo mundësi që më është dhënë si një studente e vitit të parë, jam shumë me fat që e kam përjetuar”, është shprehur ajo.

Shpërthimi i maestros në violinë

Tre instrumentistë të kornos janë bashkuar në interpretim të “Koncertit për violinë nr. 1 në D-dur, Op 19” të Sergei Prokofievit, e luajtur prej violinistit Visar Kuçi, koncert-mjeshtër i Filharmonisë. Ka kohë që ai nuk ka dalë si solist në koncert me Filharmoninë dhe përgjatë kësaj “pauze” duket sikur mjeshtri i instrumentit me tela ka akumuluar energjinë. Ka shpërthyer në interpretim me momente dinamike. Pjesa ka përfunduar kur tingujt e violinës janë përhumbur mes atyre të Orkestrës.

Për Kuçin ka qenë hera e parë që ka luajtur këtë vepër e prania e madhe dhe entuziazmi i publikut pas interpretimit të tij e ka bërë madhështor rolin e Kuçit si solist. Arriti të menaxhojë çdo vështirësi në vepër e situatë, edhe ato kur violina e tij nisi të çakordohet.

“Publiku më priti shumë mirë, pati shumë duartrokitje dhe më përkrahën edhe në ato momentet e vështira. Për mua është gjithmonë më së vështiri të luaj në vendin tim në Prishtinë dhe sidomos para Orkestrës ku unë punoj. Siç thonë, gjithmonë është më së vështiri njeriu të prezantohet në shtëpinë e tij, kështu që besoj se sonte ka shkuar shumë mirë”, ka thënë ai. Për të vepra është një prej më të vështirave për t’u luajtur, e për të, më e vështira që e ka luajtur deri më tash.

Jo pak ngjyra nostalgjie ka vepra e Prokofievit dhe një thurje e tillë e repertorit ka qenë përzgjedhje e qëlluar, që fillimisht me Beethoven nëpërmjet Prokofievit, të kalohet deri te veprat e Rexho Mulliqit. Filharmonia e ka shpallur 2023-n “Vit të Rexho Mulliqit” dhe koncerti me dy vepra të tij është vetëm fillimi. Ato do të dëgjohen edhe përtej kufijve të Kosovës, hiç më larg se javën që vjen dhe atë në Portugali.

Image
Ka kohë që Visar Kuçi nuk ka dalë si solist në koncert me Filharmoninë dhe përgjatë kësaj “pauze” duket sikur mjeshtri i violinës ka akumuluar energjinë. Ka shpërthyer me Prokofievin (Foto: Arben Llapashtica)

“Viti i Rexho Mulliqit” në nderim të ikonës

“Simfonia nr. 1” dhe “Baresha”, aranzhuar për orkestër simfonik, kanë qenë kryefjalë e koncertit. Në lojë të veprave të Mulliqit në të njëjtin koncert me vepra të huaja, bëhet i qartë autenticiteti i dy veprave që mbeten “thellësisht shqiptare” me krejt përmbajtjen e tyre. Që në fillim të veprës bëhen bashkë harqet e frymorët përnjëherësh. Flautet e kanë zbutur tingullin e tupanit dhe i kanë dhënë ngjyra dinamizmi. Nëpër disa pjesë të interpretimi fuqizon anën emocionale, por shpesh e gjen ritmin, e njashtu edhe dinamizmin. “Baresha”, e aranzhuar nga Gridi Kraja, është dëshmuar shpesh në skenat ku ka interpretuar Filharmonia e në festivale të ndryshme. Kur solistët në shenjë respekti kthehen në skenë për të interpretuar një tjetër pjesë për publikun, ky i fundit shpesh është i njoftuar me “Bareshën”, që në tingujt e parë. Është dëshmuar në çdo lloj zhanri, mes tyre kur së fundi ishte interpretuar nga Sihana Badivuku në koncertin festiv të Filharmonisë. Nga kantautorja Elina Duni në versionin me vokal ishte provuar edhe në zhanrin e jazzit në koncertin e para një muaji me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Me interpretimin origjinal të “Bareshës”, publiku u njoftua edhe më një pjesë tjetër të veprës, e cila ndër vite është modifikuar e përshtatur në versione të ndryshme. Vepra ka filluar lehtë me tingujt e violinave, të cilat bashkohen dhe vijnë si shpërthim jete. Ka qenë si shprehje për hapësirë e energji që qetësohet në flaute e instrumente të lehta që sikur pikturojnë natyrën rreth autorit. Motivi i veprës në një moment sikur ngrihet në një dialog dramatik bashkë me krejt Orkestrën. Në tërësi vjen si një rrëfim i veçantë muzikor. Interpretimi i saj, edhe si nderim i njërit prej kompozitorëve kryesorë që i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe muzikës artistike në Kosovë.

Mulliqi (18 mars 1923 – 25 shkurt 1982) është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithmbarshme shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë.

Dirigjenti zvicerano-francez, Antoine Marguier, për herë të parë ka drejtuar formacionin e Filharmonisë në interpretimin e veprave të Mulliqit.

“Të jem i sinqertë nuk e kam njohur këtë kompozitor më parë dhe më duhej ta njihja rreth dy javë më parë nëpërmjet luajtjes së programit, kështu që kam pasur kohë të studioj dhe të zbuloj muzikën dhe shprehjen e tij. Sigurisht se asnjëherë nuk është lehtë të vish nga një kulturë e huaj dhe të vendosesh në një muzikë të panjohur më parë, kështu që i falënderoj muzikantët për mirëkuptimin e tyre, bashkëpunimin”, ka thënë dirigjenti Marguier, i cili ka drejtuar ansamble e orkestra të famshme në Francë e në mbarë botën, si Filharmoninë e Monte Carlos, Orkestrën Mbretërore Simfonike të Bangkokut e Orkestrën e Afrikës së Jugut. Aktualisht ligjërues i muzikës kamertale në shkollën e muzikës në Gjenevë dhe drejtor muzikor i Orkestrës së Konservatorit të Gjenevës. Ai ka drejtuar për të dytën herë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe është shprehur se sheh avancim më të madh të anëtarëve për dallim prej vitit të kaluar kur ishte prezantuar bashkë me formacionin.

“Do të thosha se bashkëpunimi është çdoherë e më i mirë në mënyrën se ndihem më i shoqëruar me ta dhe mendoj se janë një nivel më lartë se herën e kaluar kur kemi interpretuar. Është ndjenjë e mirë të shoh këtë evolucion sepse kemi punuar goxha mirë vitin e kaluar. Janë të mirë dhe të hapur ndaj punës. Është kënaqësi për ne”, është shprehur dirigjenti Marguier.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se meqë me rastin e jubileut të 100-vjetorit të lindjes së Mulliqit, ky vit do të jetë “Viti i Rexho Mulliqit”, vazhdimisht do të interpretohen veprat e kompozitorit.

“Nuk është ditëlindje e thjeshtë, është 100-vjetori, është jubile dhe Filharmonia e Kosovës ka vendosur që nga ky moment, ne veçse realizuam koncertin në vigjilje të kësaj date, me një vit ta quajmë si vitin e Rexho Mulliqit, meqë kjo do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim, pra gjatë gjithë vitit me veprat e tij të ndryshme. Sonte u prezantuan dy: ‘Simfonia nr. 1’, e para jo vetëm e tij, por e para kosovare”, është shprehur Jashari, derisa ka thënë se vendi duhet të mburret me të dhe se Filharmonia e Kosovës e ka për obligim të kujdeset për emra të mëdhenj, siç është Rexho Mulliqi.

Dardan Selimaj, menaxher i Filharmonisë, koncertin e ka konsideruar si njërin prej të rëndësishmëve të këtij sezoni.

“Së pari sepse shënojmë 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit Rexho Mulliqi me ‘Simfoninë nr.1’ dhe ‘Bareshën’. Së dyti, në këtë koncert pas një kohe rikthehet në rolin e solistit, koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, dhe së treti e jo më pak e rëndësishme, gara ‘Pianisti i Ri’ bashkë me Filharmoninë sjell pianisten e re të talentuar Vesa Berisha”, ka thënë Selimaj në prezantim të koncertit të së premtes.

Destinacioni i radhës i Filharmonisë është Portugalia. Kësaj radhe në objekte e salla madhështore. Më 20 mars në Lisbonë e vetëm dy ditë më pas në Barga, udhëhequr prej maestro Beki Jasharit, edhe atje do të dëgjohen veprat e Mulliqit, sikurse edhe të Valton Beqirit dhe ajo që kompozitori uellsian Karl Jenkins ia dedikoi Kosovës dhe luftës së saj, “Njeriu i armatosur: Meshë për paqe”.