Aktorja, dramaturgia e regjisorja italiane e teatrit, Sonia Antinori, do të ndajë përvojën e saj mbi tredekadëshe me dramaturgët e rinj të Kosovës dhe jo vetëm. Shkrimtarë të rinj, artistë teatri, aktivistë të ambientit e gazetarë kanë qenë të ftuar në thirrjen e hapur për punëtori dramaturgjike të organizuar nga qendra “Multimedia”. Punëtoria, sipas organizatorëve, ka për qëllim zgjerimin e profilit profesional me profesionistë ndërkombëtarë, e njëkohësisht edhe vënien në skenë të tematikave sociale.
Punëtoria do të mbahet në teatrin “Oda” në kryeqytet ku përgjatë gjashtë ditëve, të rinjtë do të mund të absorbojnë përvojën prej autori a autoreje teatri nga italiania Sonia Antinori, puna e së cilës është vlerësuar me çmime të ndryshme në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Fokusi tematik i punëtorisë që do të fillojë më 13 shkurt do të jetë ngrohja globale. Punëtoria që zhvillon programin deri më 18 shkurt, do të përmbyllet me leximet skenike të teksteve para audiencës, të shkruara gjatë punëtorisë.
Koordinatorja e programit letrar në qendrën “Multimedia”, Ardiana Shala, ka thënë se interesimi për punëtorinë ka qenë shumë i madh.
“Ka pasur interesim, pos nga qytetet e Kosovës, edhe nga Shqipëria e Maqedonia”, ka treguar ajo. Që në fillim, organizatorët kishin njoftuar se nuk kishte ndonjë kriter për të interesuarit, të cilët kanë pasur kohë të aplikojnë për pjesëmarrje deri të shtunën. “Temë qendrore me të cilën do të punohet është ngrohja globale, ndryshimet klimatike dhe se si mundet të inkuadrohet kjo temë në punë dramaturgjike. Perspektivat e pjesëmarrësve janë të ndryshme, varësisht nga cila fushë vijnë ata. Qëllimi është thjesht të ngrihet pak vetëdija dhe profili profesional i tyre që të arrihet një bashkëpunim ndërkombëtar me dramaturgë të huaj”, ka shpjeguar më tej koordinatorja e programit letrar.
Nga “Multimedia” është vlerësuar se tema me të cilën do të punohet gjatë punëtorisë që do të udhëhiqet nga italiania Sonia Antinori është dëshmi për fuqinë e dramës për të reflektuar në tema relevante, në këtë rast – ngrohja globale.
Tekstet e Antinorit janë përkthyer në disa gjuhë evropiane dhe janë prezantuar në Itali e jashtë saj. Që në vitin 1996, ajo jep mësime për të shkruarit e dramave dhe për aktrim në institucione publike e private. Ka përkthyer tekste në italisht nga gjuha gjermane dhe angleze derisa ka bashkëpunuar edhe me nisma të tjera ndërkombëtare siç është Unioni i Teatrove Evropiane.
“Si dramaturge, gjithmonë e kam synuar gjuhën si temë kërkimore. Kjo qasje vjen si nga përvojat e mia jashtë vendit, ashtu edhe nga puna ime si përkthyese, veçanërisht e autorit austriak, Werner Schwab, një krijues i madh i botëve gjuhësore”, shkruhet në prezantimin që Sonia Antimori i ka bërë vetes në ueb-faqen “Faberllull” që është një grup përkthyesish letrarë të frymëzuar për të përkthyer poezinë bashkëkohore. Ajo ka prodhuar e organizuar shfaqje, projekte, ngjarje artistike e kulturore, punëtori e festivale në kuadër të organizatës “MALTE” për muzikë, art, letërsi, teatër, e të tjera, të cilën e themeloi në vitin 2006. Për dy vjet ka qenë drejtoreshë artistike e “Wise”, një projekt evropian mbi trashëgiminë morale dhe politike të shekullit XX.