Shtojca për Kulturë

Heli Kopteri aterron në “Ramiz Sadik” në provokimin e së ardhmes

Personazhet e veprave në dukje të parë vijnë si jashtëtokësorë, por në fakt ruajnë elemente personazhesh nga bota e filmave të animuar ose futuristikë. Por, nëpërmjet tyre krijohet dialogu për kauza globale të së sotmes që determinojnë të ardhmen. Heli Kopteri, siç është emri i artistit ose artistes anonime, me ekspozitën në atë që ende quhet “Menza Ramiz Sadiku”, krijon botë paralele

Ende pa u hapur ekspozita, disa punime të autorit me emrin artistik Heli Kopteri tashmë janë shitur. Megjithatë muret e hapësirës, që ende ruan emrin si “Menza Ramiz Sadiku” në Prishtinë, kanë qenë plot me artin e veçantë të shpalosur brenda kornizave të veprave.

Dy janë ngjyrat që dominojnë: e kuqe dhe e zezë. Prej tyre janë projektuar figuracionet prej karaktereve të filmave të përpunuar për të pasqyruar kohën moderne bashkë me simbolet që nënkuptojnë edhe botën e ardhshme. Veprat vijnë edhe si ftesë për lojë me gjithë ngjarjet që aktualisht e preokupojnë botën.

Të premten Mensa është rihapur pas dy vjetësh dhe tash do të shërbejë edhe si qendër kulturore. Në vernisazhin e ekspozitës ka qenë festë e dyfishtë. Publiku i mbledhur në ambientin e ngrohtë është servuar edhe me artin e një artisti a artisteje të panjohur – Heli Kopteri.

Figurat e përsëritura në veprën “We come in peace” janë si pasqyrë e bashkëjetesës në diversitet, por ku dallimet në shoqëri janë të dukshme. Figura që vjen mbi të gjitha dhe i dominon ato jep perceptimin e thirrjes formale për paqe. Dy punime të tjera me të njëjtin titull paraqesin barabarësinë dhe mbizotërimin në anën tjetër nga njëri individ i komunitetit. Disa nga figurat në punimet e tjera janë krejt të panjohura, të krijuara nga imagjinata e artistit. Figura e Mickey Mouseit vjen e modifikuar me veshë të mëdhenj, ku e panjohura për të jepet në sytë e figurës, ndërsa trupi i fryrë është version në kohën moderne. Figura e plusit e vendosur në pjesën e përparme sikur shtron kërkesën për ndihmë në zgjidhjen e çështjeve aktuale globale.

Image
Në 15 vepra me qasje të ndikuar prej posterëve modernistë, Heli Kopteri sjell një rrëfim universal mbi çështje globale

Në disa punime ku paraqitet kjo figurë e animuar shoqërohet me disa të tjera të panjohura. Mitologjikja vjen nga figurat e pazakonta në veprën “We rise we grow”, ndërsa shenjat e rrezikut nga disa objekte hapësinore mbi kokat e njeriut të paraqitura në veprën “Cuckoo” e punuar në pëlhurë. Vepra “We grow we rise” është si një perspektivë nga një tjetër këndvështrim i saj. Derisa tek e para bëhen të qarta dallimet dhe “të metat” e figurave, tek e dyta vihet në pah, në rend të parë, bashkëveprimi në komunitet i secilit pjesëtar në grupet e tyre duke i parë ata si të njëjtë dhe të integruar në shoqëri. Dhe pikërisht titulli i veprës është e vetmja gjë që i ndan këto grupe dhe që vjen si hapësirë për motivim.

Vepra “I think” reflekton përbuzjen e medias tradicionale ndaj asaj moderne dhe si përqafim i publikut me sensacionin. Kombinimi i figurave me tekst i ka dhënë edhe kahe poetike. Të tilla janë dy veprat “I usually talk to myself”, në të cilat janë shkruar në anglisht “zakonisht flas me veten, por nuk kam diçka për të thënë”.

Ekspozita e kuruar nga Arta Agani, ish-drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, prezanton përsëritje të vazhdueshme në vepra që pasqyrojnë përsëritjet e kauzave globale. Në të njëjtën kohë ato formojnë edhe teksturë në vepër.

Për artistin/en ka thënë se përfaqëson veprat artistike në mënyrë të pastër të pandikuar nga identitetet dhe duke shprehur e pasqyruar shqetësimet për botën.

“Protagonistët e veprave janë kryesisht alienë të ndërtuar nga pjesë të filmave të animuar të zakonshëm, si veshët e Micky Mouse dhe këmbët e trasha. Ato mbajnë simbole të botës kapitaliste, por gjithashtu nënkuptojnë një botë të ardhshme me robotë të ngjashëm me kënaçe që rrotullohen përreth. Disa figura të tjera që ndeshen janë krijesa mitologjike ose ikona reklamash të shfaqura në përsëritje dhe duke formuar një teksturë në vepër”, ka shkruar Agani në tekstin kuratorial për ekspozitën.

Bazuar në tekstin e kuratores Agani, autori/ja është ndikuar nga posterët modernistë dhe se nuk mungojnë simbolet e konstruktivizmit siç janë format gjeografike në disa prej veprave. Megjithatë, ajo që i bën të lidhura veprat mes vete, vlerëson të jenë protagonistët e rehatshëm në botën me sfond të bardhë që ftojnë të mendojmë për deklaratat vizuale-tekstuale që kemi përpara. Të gjitha veprat kanë qenë në shitje.

Dy veprat “Master and servant” kanë qenë thirrje e dyfishtë për lojë mes njerëzish e robotësh si versione të njeriut në kohë digjitale. “I wanna be your dog” vjen si vepër minimale e shoqëruar me tekst për krijesën që kërkon të merret në përkujdesje. Autori/ja ngre edhe pyetje në njërën nga veprat, për publikun që mblidhet rreth saj. “Sikur të mos ekzistoje?” në frëngjisht ngre paralele mes dy qenieve të njëjta që e shohin botën nga këndvështrime të ndryshme. “Run horn Run” dhe “The girl with the horn in her head” përdorin brinjët për të prezantuar njeriun në një tjetër dimension nga ai real.

Image
Dy janë ngjyrat që dominojnë: e kuqe dhe e zezë. Prej tyre janë projektuar figuracionet prej karaktereve të filmave të përpunuar për të pasqyruar kohën moderne bashkë me simbolet që nënkuptojnë edhe botën e ardhshme

Veprat kanë zënë vend në tri anët e mureve të hapësirës së “Ramiz Sadikut” dhe do të qëndrojnë aty deri më 18 dhjetor.

Artisti Jeton Gusia e ka cilësuar ekspozitën si provokuese dhe që nxit tema të shumta.

“Sot në artin bashkëkohor ka hapësirë për provokim, për shprehje artistike. Kur e shikon, duhet ta ndiesh. Në pjesën artistike letrare e thërrasim montazhiste, por është një art shumë interesant dhe më vjen mirë që është hapur. Po më pëlqen ambienti edhe për faktin që është hapësirë për artistë”, ka thënë artisti Gusia.

Publiku do të ketë mundësi të provojë shijen artistike të 15 veprave bashkëkohore në këtë hapësirë.

“Ekspozita është shumë interesante ku na lë të kuptojmë një kolorit ngjyrash, si ajo e kuqe, ngjyra e dashurisë, ngjyra e jetës. Jep një mesazh për një ardhmëri në paqe, pa dhunë. Këto janë mesazhet që i mora”, ka thënë Rita Demiri, mjeke me profesion, derisa ka veçuar një vepër. “Më ra në sy një tjetër pikturë ku është e shkruar ‘et si tu n’existais pais’, ku një person i njëjtë me syze të ndryshme sikur nuk do ta shohë veten ashtu siç është. Personi me syze sikur është i brengosur me luftën globale”, ka thënë Demiri.

Ekspozita ka qenë edhe si festë me të cilën është shënuar hapja e objektit ku dikur ishin ushqyer ndërtimtarët e kombinatit ndërtimor industrial “Ramiz Sadiku”. Ajo cilësohet si vendlindja e kryengritjes punëtore, e cila më pas iu bashkëngjit kryengritjes së rinisë studentore. Ka qenë edhe vendi ku janë shijuar edhe muzika, letrarja e multimedia dhe të njëjtin koncept synon ta rikthejë sërish.

“Ne jemi munduar të ruajmë gjithçka që ka qenë si pjesë e trashëgimisë kulturore duke nisur prej pllakave, shtyllave, prej gjithçka që është origjinale. Për shkak se objekti ka qenë i rrënuar, jemi munduar ta kthejmë në identitet siç ka qenë më parë. Tani po synojmë të funksionojmë si qendër kulturore ku gjatë ditës është hapësirë ku shërbehen mëngjesi dhe dreka dhe në mbrëmje kthehet në hapësirë ku gjithkush mund të vijë dhe të organizojë eventet e tyre”, ka thënë Gresa Sefaj, menaxhuese e mensës “Ramiz Sadiku”.