Libri “Hitler's Girl: The British Aristocracy and the Third Reich on the Eve of WWII”, diskuton se sa e afërt ishte aristokracia e Britanisë me regjimin nazist dhe çfarë na tregon situata e atyre kohëve për rrezikun e demokracisë së sotme
Kushdo që përpiqet të zhytet thellë në historinë e lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe fashist britanik të viteve 1930, me siguri do të hasë në emrat e Unity Mitford dhe Oswald Mosley.
Personaliteti dhe idetë e Unity Mitford, për të cilën është thënë se ka qenë e dashura e Hitlerit, janë diskutuar në libra të tillë si: “Unity Mitford: An Inquiry into Her Life and the Frivolity of Evil” (Unity Mitford: Një hetim mbi jetën e saj dhe mendjelehtësinë e së keqes) botuar më 1977, të David Pryce-Jones dhe në “Hitler's Valkyrie: The Uncensored Biography of Unity Mitford” i vitit 2014.
Oswald Mosley, udhëheqësi i Unionit Britanik të Fashistëve (BUF) nga 1932 deri në 1940, dhe lëvizja e tij janë analizuar në mënyrë të ngjashme në disa libra, përfshirë: “Hurrah for the Blackshirts” të vitit 2005, “Führers Failed: A History of Britai’s Extreme Right” nga Graham Macklin (2020) dhe Richard C. Thurlow, “Fascism in Britain: From Oswald Mosley's Blackshirts to the National Front” më 1998.

Tani është botuar një libër i ri, “Hitler's Girl: The British Aristocracy and the Third Reich on the Eve of WWII” (“Vajza e Hitlerit: Aristokracia Britanike dhe Rajhu i Tretë në prag të Luftës së Dytë Botërore”). Autorja dhe ligjëruesja në Yale, Lauren Young, ka përdorur materiale të reja të paklasifikuara për të krijuar këtë vepër.
Duke zbuluar bashkëfajësinë e aristokratëve britanikë me Gjermaninë e Hitlerit dhe kërcënimin e mundshëm të demokracisë britanike të asaj kohe, Young synon të demonstrojë se si demokracitë liberale perëndimore sot përballen me po të njëjtat sfida, si ato të viteve ‘30.
“Ne jemi të përmbytur nga informacionet e Luftës së Dytë Botërore, Hitlerit dhe nazistëve. Ky libër argumenton se sfidat e sotme ndaj demokracisë janë të ngjashme me ato të viteve 1930-të”, thotë Young për DW. Më parë, autorja e librit ka dhënë mësim në London School of Economics dhe ka shërbyer si këshilltare politike në shumë forume ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.
Britania e viteve ‘30
Libri fillimisht shpjegon të kaluarën historike dhe faktin se si disfata dërrmuese që pati Gjermania gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kushtet e rënda të Traktatit të Versajës, çuan në kriza financiare dhe sociale të vendit, duke krijuar kështu terren të përshtatshëm për ngritjen e Hitlerit në pushtet.
Young pastaj trajton atë se si aristokracia britanike filloi të flirtonte me fashizmin që në vitet 1920, kur anëtarët e klasës së lartë, përfshirë Dukën e Westminsterit, Dukën e Buccleuch dhe politikanin Harold Nicolson udhëtuan në Itali për ta vëzhguar lëvizjen fashiste.
Sipas librit, Winston Churchill, i cili më vonë u bë kryeministër i Britanisë, po ashtu e kishte vizituar Italinë gjatë kësaj periudhe. Ai ishte kthyer i impresionuar me fashistët të cilët ishin “kundërhelm ndaj helmit rus”

Young, gjithashtu, trajton edhe shfaqjen e Unionit Britanik të Fashistëve, të udhëhequr nga Oswald Mosley, dhe shtjellon se sa anëtarë të aristokracisë, duke përfshirë familjen e Unity Mitford, ishin të lidhur me të.
Autorja thekson se pikëpamjet pro-naziste u gjetën edhe në familjen mbretërore. Ajo përmend një video të vitit 1933 të mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, e cila ishte shtatë vjeçe në atë kohë, e që së bashku me nënën dhe motrën e saj më të vogël, Margaret, të udhëhequra nga xhaxhai i tyre, Mbreti i ardhshëm Eduard VIII, japin përshëndetje naziste. Publikimi i kësaj fotoje në vitin 2015 nga britanikja “The Sun” shkaktoi bujë dhe një përgjigje mospërfillëse nga familja mbretërore.
Libri përmend, gjithashtu, aristokratët si Duka i Connaught dhe Kontin e Kincardine të cilët shfaqin interesim për të vizituar një kamp përqendrimi në Gjermani dhe për të kuptuar se si nazistët po zbatonin “pastërtinë e racës dhe ujdisjen”.
Libri trajton faktin se si gurthemeli i politikës së jashtme të Neville Chamberlain, ishte shmangia e luftës me çdo kusht, dhe këtu përfshihet edhe rregulli i pathënë, për të refuzuar hyrjen e refugjatëve hebrenj gjermanë dhe austriakë, në Palestinën e asaj kohe, të mandatuar nga Britania. Chamberlain, i cili i kishte paraprirë Churchillit, ishte kryeministër britanik nga viti 1937 deri në vitin 1940.
Edhe Kindertransporti (Transporti i fëmijëve) për në Britani mund të kishte qenë më i fuqishëm dhe të shpëtonte më shumë fëmijë hebrenj, nëse Qeveria britanike do të ishte më pak e etur për ta kënaqur Hitlerin, argumenton autorja.

Historia prapa titullit
Titulli i librit, “Vajza e Hitlerit”, u frymëzua nga një titull i shtypit britanik të viteve ‘30 kushtuar Unity Mitfordit, shpjegon Young. Siç sugjeron titulli, Mitford është një figurë qendrore e librit.
Njëra nga shtatë fëmijët e familjes aristokrate Redesdale, Mitford ishte ngjizur – pothuajse në mënyrë profetike - në qytetin Swastika të Ontarios në Kanada dhe u pagëzua Unity Valkyrie. Me kalimin e viteve, ajo dhe motrat e saj, Nancy dhe Diana, do të rriteshin për t’u bërë “Bright Young Things”, që ishte pseudonim që shtypi përdorte për të përshkruar aristokratët dhe socialistët e rinj të Londrës së viteve ‘20, të cilët flirtuan me të djathtën ekstreme të Britanisë.
Motra e Unity, Diana, u martua me liderin e BUF-it Oswald Mosley. Vetë Unity ishte një antisemite e ashpër, e dhënë plotësisht pas Hitlerit dhe personalitetit të tij. Ajo madje iu bashkua një shkolle për mësimin e riteve kulturore dhe sociale të klasës së lartë në Gjermaninë jugore për të pasur mundësi ta takonte personalisht Führerin. Ajo e takoi atë mbi 160 herë.
Sipas Youngut, “të gjithë e dinin se çfarë po bënte Unity Mitford. Ishte bërë thashethem. Ishte intriguese. Megjithatë, askush nuk mendonte se ia vlente ta përdorte atë si një aset inteligjent, si mënyrë për të mësuar më shumë për kundërshtarin e tyre, Hitlerin, apo edhe si provë për ta burgosur si tradhtare, pas riatdhesimit në Angli”.
Libri përfundon me kthimin e Unity Mitfordit në Angli në vitin 1939, pasi u tha se ajo u përpoq ta vriste veten. Pavarësisht se Britania ishte në luftë me Gjermaninë, ajo nuk u gjykua për tradhti të lartë, një temë që është diskutuar shumë në qarqet politike dhe mediat e asaj kohe. Ajo gjithashtu u përfol se kishte një fëmijë, ndoshta fëmijën e Hitlerit, lindja e të cilit nuk u regjistrua sepse nëna nuk ishte e martuar.
E ardhmja e demokracisë
“Vajza e Hitlerit” nuk është një përpjekje për të gjetur prova për atë që mund të ketë ndodhur, por ka të bëjë me vetëkënaqësinë dhe mungesën e protestës publike për çështje të rëndësishme.
Gjatë periudhës që përshkruhet në libër, politikat zbutëse të Chamberlainit ishin të dobishme për shumë lidhje. Në mesin e klasave sunduese britanike pati mbështetje të madhe për Hitlerin, si dhe një ringjallje të lëvizjeve të krahut të djathtë.
Autorja argumenton se ka shumë paralele që lidhen me botën e sotme: “Nëse shikojmë erozionin demokratik, për shembull, në Amerikën e sotme, ne kemi shenja të forta paralajmëruese siç është legjislacioni për shtypjen e votuesve, i miratuar në 19 shtete, vetëm vitin e kaluar. A po bëjmë mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtën tonë themelore demokratike për të votuar”, pyet Young, duke përmendur shembuj si vendimi i fundit, historik, i Gjykatës së Lartë, që rrëzoi të drejtën kushtetuese për abortin.
Përfundimisht, me këtë libër, Young synon të ndërgjegjësojë se “demokracia nuk është një e drejtë që e gëzojmë që nga lindja”.
“Në shumë raste, në erozionin e demokracisë sonë, të drejtave tona demokratike dhe potencialisht të ardhmes si demokraci liberale, vetëkënaqësia është e barabartë me bashkëfajësinë”, ka thënë ajo.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku