Buletini i lajmeve “Bashkimi i Kombit” nisi të botohej nga fillimi i vitit 1947 në Damask të Sirisë. Ky buletin përgatitej nga dr. Xhelal Mitrovica, dr. Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zajmi, që ishin në Damask në pritje për të emigruar në Australi. Ndërkaq Xhafer Deva sapo ishte kthye urgjentisht në Romë dhe kishte krijuar kontakt serioz me amerikanët për përgatitjen e një lloj veprimtarie të armatosur kundër regjimeve komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi
Publicistika e mërgatës antikomuniste shqiptare filloi menjëherë pas largimit nga atdheu të shumë personaliteteve të njohura nacionaliste, të cilët gjatë Luftës II Botërore kishin luajtur në atdhe role drejtuese politike. Nga fundi i vitit 1946 dhe fillimi i vitit 1947 fillon botimi në Romë i gazetave “Flamuri”, organ i Ballit Kombëtar, “L’Albanie Libre”, organ i organizatës Blloku Kombëtar Indipendent dhe buletini i lajmeve “Bashkimi i Kombit”, organ i Grupit Kosovar, i cili botohej në Damask të Sirisë. Këto janë tri gazetat e para që fillojnë të botohen në mërgim. Të tri këto lloj botimesh në mërgim themelohen dhe drejtohen prej ajkës së politikanëve shqiptarë nacionalistë që kishin luajtur rol të rëndësishëm politik gjatë luftës dhe ishin arratisur në mërgim, në rrethana dramatike.
70 vjet më parë, Grupi Kosovar në Mërgim, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, filloi botimin e buletinit të lajmeve “Bashkimi i Kombit”. Edhe ky grup i njohur nacionalistësh ishte arratisur nga Kosova në fund të nëntorit të vitit 1944, nëpërmes vështirësish të jashtëzakonshme. Ata kishin shpëtuar nga llava e pushtimit komunist të Kosovës në saje të organizimit të Xhafer Devës, të cilët i qëndruan mirënjohës deri në vdekje.

Buletini i lajmeve “Bashkimi i Kombit” filloi të botohej nga fillimi i vitit 1947 në Damask të Sirisë. Ky buletin përgatitej nga dr. Xhelal Mitrovica, dr. Rexhep Krasniqi dhe Tahir Zajmi, që ishin në Damask në pritje për të emigruar në Australi. Ndërkaq Xhafer Deva sapo ishte kthye urgjentisht në Romë dhe kishte krijuar kontakt serioz me amerikanët për përgatitjen e një lloj veprimtarie të armatosur kundër regjimeve komuniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Bashkëpunimin e tij të ngushtë për hedhjen e parashutistëve të parë në Shqipërinë Veriore dhe në Kosovë, z. Deva e kishte koordinuar me Bllokun Kombëtar Indipendent – me forcat e Kapidanit të Mirditës që vepronin në Veri.
Në buletinin e lajmeve “Bashkim i Kombit”, i cili botohej çdo muaj deri nga fundi i vitit 1949, trajtohen në mënyrën më serioze të kohës problemet politike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimet e brendshme tragjike në Kosovën e robëruar. Në këtë buletin lajmesh përcillen me vëmendje ekzekutimet, torturimet, burgosjet dhe të gjitha format e tragjedive në Kosovë, qytet për qytet dhe fshat për fshat. Shkruhet me dhimbje të thellë për Masakrën e Tivarit, Kryengritjen e Drenicës, dhe për luftimet heroike të Mulla Idriz Gjilanit kundër forcave komuniste serbo-malazeze të mbështetura përfushë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nga shkrimet e botuara në këtë buletin lajmesh në mërgim shihet qartë se Grupi Kosovar në Mërgim ka kontakte të gjithanshme me vendlindjen dhe njohuri mbi çdo lloj zhvillimi të brendshëm në atdheun etnik.
Në të njëjtën kohë, ky buletin lajmesh shihet se ka për qëllim integrimin e këtij grupi me forcat e tjera politike nacionaliste në mërgim, pa dallim se kush kë përfaqëson. Shkrimet e ndryshme të “Brithyesit” (pseudonim i dr. Xhelal Mitrovicës,) editor dhe kryethemelues i buletinit në mërgim dhe i gazetës “Bashkimi i Kombit” në atdhe (Tiranë, 28 nëntor 1943) janë të një lartësie të çuditshme edhe për kohën e sotme. Dr. Xhelal Mitrovica ishte një nder gazetarët më të njohur shqiptarë në atë periudhë, dhe ishte studiues e polemizues ndër më të ashprit e kohës. Studimet historike dhe analizat e holla politike të prof. Rexhep Krasniqit, të botuara në këtë buletin, i qëndrojnë secilës kohë. Edhe Tahir Zajmi jep kontribut të veçantë në këtë buletin lajmesh, me reportazhe dhe përshkrime të ndryshme të kohës. Ndërkaq raportet (njoftimet me anë të letrave private shokëve të tij të ngushtë ) e Xhafer Devës, të botuara pa emër të tij, janë informata tronditëse mbi çdo lloj zhvillimi të brendshëm si në atdheun e tyre etnik ashtu edhe në Ballkan. Ky buletin lajmesh të thuash është zhdukur plotësisht dhe është në zhdukje e sipër. Ata 13-14 numra që kam mezi lexohen nga vjetërsia e letrës dhe shtypja e Buletinit me makinë të thjeshtë shkrimi. Personat që e krijuan ishin atdhetarë dhe veprimtarë të shquar politikë dhe luftarakë gjatë Luftës II Botërore dhe personalitetet më të respektuara nga popullsia shqiptare e Kosovës në atë kohë. Në shenjë nderimi dhe kujtimi për Rexhep Krasniqin sjell këtu për lexuesit një shkrim të botuar në “Bashkimin e Kombit” në Damask të Sirisë në janar të vitit 1948.

Të jemi ma t’urët
Dr. Rexhep Krasniqi
Gjatë kohës së shkurtë të daljes së kësaj fletorje, shpeshherë asht bisedue në shtyllat e saj çështja e nji bashkpunimi ma të ngushtë të partive shqiptare në megrim, s’pakut të sinkronizimit të veprimtarivet të tyne për shka i përket çështjeve jetike të Kombit dhe paraqitjes së tyne botës së jashtme. Kjo nisjativë lypsej marrë me kohë prej personave me experiencë dhe merita patriotike. Mirëpo, fati i popullit dhe i Shtetit shqiptar duket se ka mbet të qahet me lot. Ndërsa populli shqiptar rrezikohet dhe asgjasohet nga sundimi i kuq, emigracioni shqiptar tashmase tri vjet grindet në mes të tij për merita në nji lufte që, si na difton përfundimi, asht ba për të tjerët dhe suell Shqipninë nën skllavnimin ma t’errët që ka njoftë realiteti i idhët, por i vërtetë. Po të mendojë secili me urtësi dhe i çveshun nga pasionet e partizanisë lypset t’a pranoj se, nji veprim i përbashkët jep mundësina ma të gjana për të plotsue qellimet t’ona se të ndamë, madje, edhe tue kritikue njanitjetrin në mes t’onin e pranë të huejvet.
Në vetvete, problemet t’ona me randësi jetike janë fare të thjeshta, sot me lirue vendin nga rregjimi terrorist, e nesër me përmbledh mbarë popullin shqiptar në nji shtet të lirë, dhe me i sigurue qenjen e tij kombëtare dhe ekonomike. Këto probleme të kjarta nuk duhet t’i komplikojmë, tue mshef mbrapa tyne qellime që kanë të bajnë vetëm me interesa të vogla personale ose grupesh. Mbi këtë mos të harrojmë se të huejt e shikojnë çështjen shqiptare vetëm nga prizma e interesave të tyne, sigurim i fituem me kohë, dhe ma tepër nga prevoja e luftës së fundit. Të huejt nuk i njofin dhe as që interesohen me njoftë në përpikëni çështjet t’ona të mbrendëshme në nji kohë, në të cilën njerzimi kalon faza apokaliptike të ngjarjeve me nji shpjetësi dhe dramacitet të panjoftun deri me sot.
Problemet e mbrendëshme mund të jenë tronditse për ne, kurse për ata dhe sidomos për përfaqsuesit e Kombeve të mëdhaja paraqiten ato mikroskopike në barazim me ngjarjet botnore. Prandaj, nuk mund të pritet nga këta që të gjejnë kohë dhe interesa për të ndigjue thanjet e thashjet dhe për t’u thellue në memorandume e studime të gjata e mërzitëse të këtij ose atij përsoni ose grupi. Këto lloj aksjonesh të veçueme marrin forma të rrezikshme për krejt çështjen shqiptare, kur secila Parti pretendon të kenë vetëm ajo të drejtën me paraqitë interesat e Kombit ndër aeropage ndërkombëtare, tue harrue të gjithë s’bashkut, se mbas kësaj periudhe revolucionare, nuk mund të dihet vullneti i vërtetë i popullit, mbasi nuk ka pasë mundësi të çfaqë mendimin e lirë të tij. Pretendime të tilla pa mbështetje serioze na damtojnë në botën e jashtme, që kërkon fakte.
Nji gja dihet sot me siguri, ky popull i mjerë dishron të lirohet nga zgjedhja komuniste. Por me qendrimin e deritanishëm t’emigracionit shqiptar që përçan aty ku lypset bashkim, që komplikon aty ku çështjet janë të kjarta, që pretendon pa pasë mbështetje, që kritikon pa pasë dobi të përbashkët nuk mund të plotsohet kjo kërkesë njerëzore.
Njerzit dhe partinat t’ona politike lypset tashma të kenë mësue nga e shkuemja e katërdhetë vjetëve të fundit dhe të pranojnë se populli shqiptar njifet shumë pak, dhe mjerisht, nuk gëzonë simpatina në botën e jashtme, për arsye të propagandës së vjetër të fqinjvet t’onë dhe miqëvet të tyne. Si popull i vogël me mundësina të pakta intelektuale, të fuqisë dhe të prodhimeve ekonomike nuk ka mujtë të tërhjekin interesen e të mdhanjëvet për t’u marrë ma seriozisht në konsiderim.
Nga nji herë detyrohemi të pranojmë faktin e idhët për kryenaltsinë t’onë kombëtare se, qenja e nji Shtetit shqiptar i kushtohet ma tepër pozitës së tij delikate gjeografike dhe mosmarrëveshtjeve për coptimin tansuer të tokës s’onë, sa nji të drejtë si lypsej dhanë këtij Kombi.
Tue u mbështet në këto të vërteta që na dishprojnë në thellësinë e shpirtit lypset të bahemi ma t’urët dhe të kërkojmë me i u përshtatë këtij realiteti. Për mprojtjen e ndershme të të drejtave tona Kombëtare asht ma se i nevojshëm bashkimi i të gjitha fuqive pozitive politike, intelektuale e luftuese. Vetëm tue u paraqit organikisht kompakt, të përgatitun dhe t’organizuem mund t’iu sherbejmë çshtjeve t’ona ma s’miri dhe mund të gëzojmë kuptimin, e ndoshta dhe simpatinë e atyne qarqeve që kanë me dallue mbi fatin e popujve të vegjël.
N’asnji mënyrë nuk lypset përsërit gabimet e bame në Paqen e Parisit mbas Luftës I Botnore, ku dy ose tri dërgata pretendojshin secila për vedi të përfaqsojnë popullin shqiptar, tue ulë shanset t’ona, në vedvedi të pakta, deri në minimumin e tyne.
Kohë e çmueshme ka kalue, shpresojmë se nuk asht vonë!
Idriz Lamaj është aktivist i njohur në SHBA (i lindur më 1948 në Malësi të Shqipërisë, më 1951 kaloi më prindërit në Kosovë dhe kreu shkollën e mesme në Pejë dhe emigroi në Amerikë, ku punoi gazetar deri në pension, në “Zërin e Amerikës”), kishte lidhje të ngushtë me figurat kombëtare në mërgim dhe botoi shumë libra në bazë të arkivit të pasur personal: “Dokumente angleze mbi konfliktin shqiptaro-malazez rreth Plavës dhe Gucisë” (1999), “Komiteti shqiptar ‘Shqipëria e Lirë’ 1949-1956” (2000), “Xhafer Deva në bazë të letrave të veta” (2002), “Për Vatrën dhe vatranët” (2014) e të tjerë. Ky shkrim është fragment nga libri në dorëshkrim “Zhurnalistka e mërgatës shqiptare” që botohet për herë të parë.