Pjesëmarrja e filmit “Virgjëresha shqiptare” në Festivalin e Filmit në Cabourg të Francës vjen si vazhdimësi e sukseseve të filmave shqip në nivel ndërkombëtar. Ky film është përzgjedhur si një nga gjashtë filmat në garë për çmimin kryesor të Festivalit, atë në kategorinë e Filmit më të Mirë të Metrazhit të Gjatë. “Është një arritje shumë e madhe që filmi zgjidhet në top gjashtëshen e filmave më të mirë të përzgjedhur nga juria shumë e fortë dhe selektive…”, ka thënë për KOHËN regjisori i filmit, Bujar Alimani
Është film shqiptar, i cili e përball publikun me historitë patriarkale, që në disa zona nuk janë shuar as sot. “Virgjëresha shqiptare” kthen subjektivitetin e gruas në burrë si rrjedhojë e mendësisë së shoqërisë dhe ligjeve të Kanunit. Filmi shqip tashmë nuk është i panjohur për festivale me nam e suksesi i radhës është edhe “Virgjëresha shqiptare”, që garon për ‘Grand Prix’ në Festivalin e Filmit në Cabourg në Francë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet sot (e diel).
Është zgjedhur në listën e ngushtë prej gjashtë filmave të metrazhit të gjatë, në garë për të fituar çmimin kryesor të Festivalit.
Regjisori i filmit, Bujar Alimani, e vlerëson si arritje të madhe, derisa nuk e ka përjashtuar mundësinë për të marrë çmime në kategori të tjera.
“Është një arritje shumë e madhe që filmi zgjidhet në top gjashtëshen e filmave më të mirë të përzgjedhur nga juria shumë e fortë dhe selektive, me shumë personalitete profesioniste. Është festivali i katërt në të cilin filmi merr pjesë dhe uroj që të vlerësohemi me çmim, shpresoj shumë, ndoshta aktorja kryesore, Rina Krasniqi, mund të vlerësohet me çmim, por synimi ynë është ‘Grand Prix’, pa dyshim”, ka thënë për KOHËN regjisori Alimani, derisa ka treguar se ky festival i paraprin pjesëmarrjes së konfirmuar në festivale të tjera, por që momentalisht nuk mund të bëhen zyrtare. Bëhet fjalë për katër festivale, por krejt çfarë ka zbuluar është periudha kohore gjatë së cilës ato mbahen.
“Do të mësoni në vazhdim për pjesëmarrje në festivale të tjera, në të cilat kemi marrë konfirmime zyrtare, por që nuk mund t’i bëjmë zyrtare. Nuk mundemi akoma të zbulojmë diçka, por deri më tani kemi katër festivale të konfirmuara, në fund të verës dhe në vjeshtë”, ka treguar ai.
Përgjatë pesë ditëve të edicioni të 36-të të Festivalit të Filmit në Cabourg janë prezantuar rreth dyzet filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër. Jurinë përzgjedhëse për filmin më të mirë e kryeson regjisorja dhe producentja franceze, Diane Kurys, ndërsa anëtarët e tjerë të jurisë përfshijnë aktorë dhe regjisorë, si: Astrid Berges Frisbey, Luka Bravo, Michel Fessler, Stephane De Groodt, Julia Piaton dhe Sylvie Testud.
Filmi “Virgjëresha shqiptare” me skenar të Katja Kittendorf shpërfaq realitetin patriarkal pa gjykuar, duke përballur publikun me figurën e femrës shqiptare në kohët e vështira të jetës zakonore në Kosovë e Shqipëri. Është dhënë premierë botërore në kuadër të edicionit të 37-të të Festivalit të Filmit në Varshavë të Polonisë, si bashkëprodhim i Gjermanisë, Belgjikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Historia që trajton ndërtohet në vitet ‘50 dhe ‘60, kohë e cila e shumëfishon vështirësinë e ekzistencës së femrës si personalitet, që bart dëshirat, vendimet dhe ëndrrat. Të gjitha këto i portretizon përmes personazhit kryesor, Luanës, së cilës martesa “tashmë e kryer” ia mohon dashurinë për Agimin, si bindje ndaj kërkesave të babait të saj. Pasi kupton se në ligjin e Kanunit fitojnë vetëm burrat, ajo edhe bëhet e tillë. Në rolin kryesor luan aktorja Rina Krasniqi, ndërsa në rolet e tjera luajnë Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Alban Ukaj e të tjerë, ndërsa skenat e filmit janë të vendosura në Fushë-Arrëz, Pukë, Shkodër, si dhe në Kosovë.
Së fundi, “Virgjëresha shqiptare” ka marrë pjesë në “Blue Mountain Film Festival” në Ontario të Kanadasë.