Shtojca për Kulturë

Këmbëngulja

Disa herë pata shkruar për njerëz që përballeshin me “vdekje të gjallë”, veçanërisht për ushtarët dhe policët afganë që kishin humbur gjymtyrët në luftë. Që prej viteve 1980, luftërat dhe konfliktet e njëpasnjëshme në Afganistan kishin lënë bomba që jo gjithmonë rezultuan në vdekje; disa lanë dëme të kobshme. Të pashpresë për punë apo martesë, shumë viktima të gjymtuara nga lufta humbën edhe vullnetin për të jetuar.

Mirëpo në një spital ortopedik, më 2016 takova një ushtar të ri i cili ishte i vendosur të vazhdonte jetën.

Jawad Mahmoodi, atëherë 26-vjeçar, kishte humbur të dyja këmbët nga shpërthimi i një mine në provincën Kunduz.

Në dhomën e trajnimve në spital, ai dukej pa emocion teksa lidhte këmbët e çelikta për pjesën plastike që kishte në bel. Disa invalidë të tjerë, të ulur në karroca shikonin me dhembshuri. Më në fund, pasi kishte vendosur këmbët me sukses, Mahmoodi arriti të ngrihet e ta mbajë veten në parmakët për ushtrime.

“Kam sakrifikuar për vendin tim. Tani po mundohem të forcohem”, më tha ai. “Dua të qëndroj në këmbët e mia”.

Atëherë nuk dihej fare se a do të mund të ecte prapë. Lufta në Kunduz vazhdoi për disa vjet, mirëpo për një moment atë ditë, kur Mahmoodi ngriti veten, të gjithë ata që ishin në dhomë u gjallëruan.

Kishte momente kur shkruaja për vdekjet e njerëzve të cilët nuk i kisha takuar kurrë, emrat e të cilëve nuk i kisha dëgjuar më parë, apo të cilët ishin varrosur me shpejtësi me vetëm një gur si shënjues. Shpesh, ata ishin viktima të rastit të sulmeve terroriste, të cilët kishin qëlluar në ndonjë autobus, shitore, ose në trotuar, duke u lutur në ndonjë xhami ose duke shkuar në shtëpi pas shkollës.

Një mëngjes të hershëm në maj të vitit 2017, po vizitoja një park të mbrojtur rreth 16 kilometra larg Kabulit. Ishte një ditë e bukur. Po shikoja zogjtë duke fluturuar mbi një kënetë kur u dridh toka pas një zhurme të fuqishme. Një mbledhës mbeturinash i mbushur me eksplozivë kishte shpërthyer jashtë zonës diplomatike të Kabulit, duke shkatërruar shumë vetura e vrarë disa njerëz. Tetëdhjetë njerëz u vranë e më shumë se 400 u lënduan.

Me nxitim u ktheva në qytet, ku kalova disa orë afër një spitali, ku po silleshin trupat e viktimave, shumë prej tyre të djegur e të përgjakur. Nuk kisha dikë për të përkthyer, mirëpo në ato momente nuk duhej përkthimi. Vetëm shikoja e dëgjoja turmat e njerëzve që prisnin për lajme e luteshin për të afërmit e tyre.

Një burrë rreth të 50-tave identifikoi trupin e dikujt që ishte mes viktimave. Ai fshiu lotët me shallin e tij dhe filloi të fliste në telefon. E dëgjova kur tha fjalët “vëlla” dhe “martir” në gjuhën dari. Si të tjerët që vdiqën atë ditë, vëllai i tij ishte rastësisht viktimë e një akti që për qëllim kishte të përhapte frikë të përhershme në Afganistan.

Image
Që nga viti 2001, 5.9 milionë afganë janë shpërngulur nga lufta, sipas të dhënave të “Costs of War Project” të Brown University. Në vitin 2009, shumë familje që kishin ikur nga dhuna në provincën Kunduz gjetën strehë në këtë kamp në Kabul (Foto: Zalmai)

Sulm

Kur forcat talebane morën vendin gjatë muajit gusht të 2021-s, shumë nga trupat e qeverisë së Afganistanit ishin dorëzuar krejtësisht. Ushtria afgane ishte trajnuar dhe pajisur me mjete nga amerikanët, mirëpo ata asnjëherë nuk ishin ndier mirë për të luftuar bashkëkombësit myslimanë në atë që talebanët e quanin “luftë e pushtuesve”. Teksa talebanët kishin motiv të zjarrtë për të luftuar, ushtarët afganë shpesh nuk merrnin as rrogë e as municion.

Gjithsesi, unë u shokova kur pashë se sa shpejt talebanët morën shtetin afgan nën kontroll. Teksa po përcjell zhvillimin gllabërimit të talebanëve, po shoh shumë vende që kisha vizituar gjatë qëndrimit tim atje. Disa më ngjallin kujtime të mira, e disa më kujtojnë tmerret e luftës.

Kur talebanët pushtuan rajonin Logar, m’u kujtua koha kur pata blerë mjaltë nga disa bletarë që shisnin anës rrugëve. Kur u pushtua Hermandi, m’u kujtua një mësues i moshuar i fshatit, shkolla e të cilit ishte shkatërruar nga bombardimet. Ai kishte mbuluar bibliotekën e tij në shtëpi me piktura të luleve e zogjve.

Kur talebanët morën rajonin Shibirghan, vendin verior ku zotëronte Abdul Rashid Dostum, një luftëtar i njohur kundër talebanëve, më kujtohet një vizitë që unë bashkë me disa gazetarë të tjerë bëmë në një burg ku Dostum mbante të burgosurit e tij. Më 2001, ai u kishte zënë frymën qindra luftëtarëve talebanë në kontejnerë transporti. Në kohën e vizitës sonë, jo shume kohë pas rënies së regjimit islamist, ne pamë një strukturë të vjetër e gati të rrënuar, ku mbaheshin disa burra, shumë prej të cilëve ishin detyruar me dhunë t’u bashkoheshin talebanëve.

Atë ditë, si gjest mirësie, Dostum kishte vendosur t’i lironte disa prej të burgosurve. Familjet e tyre kishin udhëtuar me qindra kilometra për të takuar të burgosurit. Kur u hapën dyert, të burgosurit e rinj në moshë dolën ngadalë e duke hezituar, disa prej tyre duke çaluar. Njëri nga ta njohu babanë, i cili e mbështolli djalin e tij të dobësuar me shall dhe filloi të qante. Është një prej momenteve më pikëlluese që kam parë.

Image
Në vitin 2012, fëmijët luajnë para ndërtesave ku statujat e Bamyan Buddha-s qëndronin më parë. Veprat masive të artit, që datojnë nga shekulli VI, ishin bombarduar nga talebanët në mars 2001, pasi që lideri i tyre i kishte shpallur “jo-islamike” (Foto: Zalmai)

Kur talebanët pushtuan qytetin Herat, një qytet antik e me shumë pasuri kulturore afër kufirit me Iranin, m’u kujtua Ismael Khan, një tjetër lider ushtarak i cili u bë udhëheqës i rajonit pas rënies së talebanëve. Një herë, Khani kishte ftuar një grup gazetarësh të huaj për t’u treguar sa i famshëm është e sa shumë pushtet ka. Fillimisht, na mbajti pa gjumë deri pas mesnatës teksa mbante takim me persona që i luteshin për diçka e dukeshin mirënjohës. Pastaj, të nesërmen na ftoi ta shikonim teksa kalëronte një kalë të bardhë të fuqishëm në një fushë me bar.

Vite më vonë, gjatë një vizite tjetër në Herat, e ndjeva që balanca e pushtetit kishte ndryshuar krejtësisht. Gjatë një armëpushimi të shkurtër më 2017, liderët e forcave talebane sulmuan qeverinë, mbanin armë e bërtisnin slogane lufte. U largova nga ajo skenë e shokuar e duke m’u dridhur trupi.

Tash, pashë Ismael Khan në lajme – lideri krenar i rezistencës së dikurshme, i ulur në një karrige teksa po dorëzonte forcat e tij, si rezultat i marshit të pandalshëm të talebanëve.

Image
Rreth 69,000 ushtarë dhe policë afganë kanë vdekur në 20 vjetët e fundit të konfliktit, sipas Projektit të Kostove të Luftës në Universitetin Brown. Këtu, një ushtar i Ushtrisë Kombëtare Afgane mbulon fytyrën me një qese plastike gjatë një stuhie pluhuri në Helmand më 28 tetor 2010 (Foto: Balazs Gardi)

Në hyrje të Kabulit

Më në fund, më 15 gusht 2021, kur talebanët arritën te dyert e Kabulit, m’u kujtua pranvera e vitit 2002, kur luftëtarë të armatosur iknin nga qyteti, e në vend të tyre vinin refugjatë afganë që ishin strehuar në Pakistan.

Një mëngjes, iu bashkova vargut të familjeve që kishin grumbulluar rrobat e tyre nëpër kamionë me qira, me pula e fëmijë mbi plaçka. I përcollëm, duke kaluar fushat e mbjella e lisat antikë, nëpër rrugën zig-zage përmes maleve e tuneleve që çonin për në Kabul.

Pak kohë pasi që kishim hyrë në qytet, vargu i njerëzve kaloi nëpër një rrugë me pluhur. Kur arritëm te grumbulli i shtëpive me qerpiç, aty ndaluam e të gjithë u shpërndanë të lumtur. Një burrë i moshuar vendosi Kuranin e tij mbi kornizën e derës. Familja e tij ishte kthyer zyrtarisht në shtëpi.

Pas disa vjetëve si refugjatë, ata po ktheheshin në vendin e tyre, e unë atëherë e kuptova se çfarë nderi ishte të jem e ftuar te ta.

Image
Luftëtarët talebanë pushtuan pallatin presidencial më 15 gusht 2021, vetëm disa orë pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi. Talebanët tani kontrollojnë Afganistanin (Foto: Zabi Karimi, AP)

Cikël i kompletuar

Gati njëzet vjet pasi ShBA-ja pushtoi Afganistanin, talebanët u rikthyen në fuqi, e momenti i para dy dekadave tash duket sikur një ëndërr e largët. Në Kabul, talebanët kanë premtuar se do t’i trajtojnë civilët siç duhet, mirëpo shumë nga ta tashmë kanë sulmuar turma të njerëzve të kapluar nga paniku që donin të shkonin në aeroport si dhe gra që po protestonin për të drejtat e tyre për të cilat kanë luftuar këto njëzet vjet. Nëpër zonat rurale, është raportuar për hakmarrje të përgjakshme, dhe nuk ka shenja se interpretimi i ashpër i ligjit islamik do të zbutet. Nuk është e vështirë të imagjinohet Kabuli teksa bëhet qyteti i njëjtë i braktisur të cilin e kisha vizituar para 22 vjetëve.

Dy skena të pabesueshme prej asaj kohe ende i kam në mendje. Njëra ndodhi jashtë së frikshmes, Ministrisë së Promovimit të Virtyteve dhe Parandalimit të Këqijave. Teksa prisja për një intervistë me ministrin, dy zyrtarë morën brenda një të ri që po qante me dënesë. Më vonë më treguan se ishte dënuar për shkak se mjekra e tij nuk e kishte gjatësinë e duhur. Specifikat ishin të ashpra por të thjeshta: mjekra duhej të rritej sa gjatësia e një grushti – përndryshe...

Skena tjetër ndodhi në një park të qytetit, ku po shikoja një turmë të njerëzve të uritur duke pritur për ushqim nga kamionët e organizatave bamirëse. Rojat po i ndanin njerëzit në bazë të gjinisë, sipas rregullave të talebanëve. Kur njerëzit filluan të shtynin njëri-tjetrin, rojat talebane hynë me kabllo elektrike për të mbajtur të gjithë nëpër pjesët ku ata përkisnin.

Marrë nga “National Geographic”. Përktheu: Lundrim Sadiku