Shtojca për Kulturë

Një varr i përkohshëm që nuk e përmban njeriun...

Në hapësirën që i jep formë, ekspozita merr një rol të vështirë, në mungesë dhe, në një shumësi mungesash e të munguarish, ajo bëhet një varr i përkohshëm që nuk e përmban njeriun, por vetëm kujtimin për të. E kaluara është gjithmonë një mungesë, së pari një mungesë e pranisë dhe, mbi këtë enigmë ndërtohet edhe vepra e prezantuar nga artisti Driton Selmani

Ekspozita në kujtim të 1.622 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, duke përfshirë vitet 1998 – 2000, vjen në një kohë denoncimesh e zbulimesh të reja të varrezave masive të shumë dyshuara në territorin e Serbisë.

“Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë”, është një fragment marrë nga biseda me Kumrije Jahmurataj, një nga familjarët e shumtë që akoma sot presin më të dashurit e tyre. Kjo frazë kumbon rëndë po aq sa edhe pritja e pafund e familjarëve, duke marrë shëmbëlltyrën e një shprese makabre.

Të dhënat e 1.622 personave në këtë ekspozitë nuk janë të dhënat e personave të zhdukur apo të pagjetur. Ato janë të dhënat e personave të zhdukur me forcë, të rrëmbyer, të ekzekutuar dhe të fshehur në varreza masive, të cilat, përgjatë më shumë se 20 vjetëve që na ndajnë nga krimet e kryera mbi popullsinë e Kosovës, janë tjetërsuar duke e bërë kërkimin dhe, si rrjedhojë, zbulimin e tyre sa vjen e më të ndërlikuar.

Mbi ato gjurmë dhe prova ka mbirë bari.

Në hapësirën që i jep formë, ekspozita merr një rol të vështirë, në mungesë dhe, në një shumësi mungesash e të munguarish, ajo bëhet një varr i përkohshëm që nuk e përmban njeriun, por vetëm kujtimin për të.

E kaluara është gjithmonë një mungesë, së pari një mungesë e pranisë dhe, mbi këtë enigmë ndërtohet edhe vepra e prezantuar nga artisti Driton Selmani. Enigma – është ajo e prezantimit të mungesës, e përshfaqjes të së kaluarës që ka shkuar, të asaj që ruhet në kujtesë dhe që është në thelb e pashkatërrueshme. Duke ndjekur dhe përshtatur këtij konteksti mendimin e filozofit Paul Ricoeur mbi Memorien, Historinë dhe Harresën, vërejmë se “trauma mbetet, edhe pse është e paarritshme, e padisponueshme. Në vend të saj lindin fenomene zëvendësimi, simptoma, të cilat maskojnë kthimin e asaj çka ishte e shtypur” dhe se “në rrethana të veçanta, pjesë të tëra të së shkuarës së supozuar mund të kthehen”. (P.R. 2004).

Ndërkohë që gjurmët materiale dhe memoria fizike në formën e dokumenteve dhe arkivave, në formën e trupit, mishit dhe eshtrave është e asgjësueshme dhe e paidentifikueshme dhe, si rrjedhojë, e humbur, gjurmët e lëshuara në sipërfaqen e korteksit cerebral, që shfaqen në formën e kujtimeve, perceptimeve apo rizgjimeve të pavetëdijes, arrijnë të mbijetojnë. Dhe është pikërisht kësaj kujtese, së cilës i kushtohet ndërhyrja artistike, kujtesës së gjallë të pashkatërrueshme të atyre që nuk harrojnë.

Gurët dhe koha e instalacionit, në të vërtetë, shkrihen njëra në misionin e tjetrës duke u bërë ekuivalentë. Një gur në thelb është një shumësi elementësh dhe mineralesh, të cilat, së bashku me kohën, bëjnë të mundur formimin e vetë masës së gurtë.

Gurët më shumë se çdo gjë tjetër janë dëshmitarë të kohës, sepse e përmbajnë atë, e, në anën e saj, koha është dëshmitare dhe përgjegjëse e secilit shtresëzim në masën e gurtë. Brenda të dy këtyre elementeve përmbahen edhe copat e shpërbëra të këtij njerëzimi barbar ku trupi i përbashkët civil mbetet fushëbeteja e fundme e konflikteve moderne.

Amnistia e performuar nga institucionet ndërkombëtare dhe ato lokale, kohë pas kohe, gjatë këtyre dy dekadave ka çuar në episode amnezie të përgjithshme kolektive, përjetësisht të pambyllur. Një harresë e strukturuar me një burokraci të shtresëzuar përgjatë të gjitha niveleve të përditshmërisë, e cila i vret për së dyti viktimat, i asgjëson për të satën herë të zhdukurit me forcë. Dhe në fund, harron se familjarët dhe të dashurit e të zhdukurve me forcë, të cilët e kalojnë jetën duke kërkuar dhe duke pritur përgjigje, janë në të vërtetë viktimat që rezistojnë me forcën e këtyre gurëve duke pritur edhe ata një gur, që do të thotë mbyllje, shërim prej ankthit të papërshkrueshëm dhe mundësi për të qarë mbi barin që do të mbijë.

1622 – Është numri nga të dhënat e fundit sipas listës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Data: 11 Tetor 2021.

Autorja është kuratore e ekspozitës “Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë” të Driton Selmanit, e hapur të enjten në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Titulli i këtij teksti kuratorial është i Redaksisë