“Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane”, titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ekspozita në tërësi sjell Shqipërinë e shqiptarët në shekullin 19.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë citohet të ketë thënë se Marubi gjithnjë ishte lidhur me Italinë, vendin e origjinës, por tashmë do të duhet ta lidhet me një hapësirë shumë më të madhe se kaq”.
Krahas projekteve të përbashkëta për restaurimin dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore, sipas saj, ekspozita përbën një prej momenteve më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë.
“Kjo është hera e parë që do të ekspozohen koleksionet e fotografëve të Perandorisë Osmane, që ruhen në arkivën e Sulltan Abdul Hamid II në Yildiz Palace, Stamboll, ku nuk mungojnë edhe disa fotografi të qyteteve shqiptare dhe veshjeve kombëtare përgjatë shekullit XIX”, ka thënë Margariti.
Zëvendëskryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Mahmut Çevik, ka thënë se me të gjithë mbështetjen ekonomike dhe shpirtërore synojnë fuqizimin e të gjithë elementeve kulturore.
“Në këtë gjeografi, në këtë territor kemi bashkëjetuar për një kohë shumë të gjatë dhe gjatë kësaj periudhe kemi kultivuar poetë, muzikantë dhe artistët tanë të përbashkët. Në mbështetjen e kësaj ekspozite, me kontributin e çmuar dhe të pakursyer në hapjen e kësaj ekspozite, nuk patëm asnjëherë asnjë ngurrim”, ka thënë Çevik.
Ekspozita “Pietro Marubbi dhe fotografët e Perandorisë Osmane” erdhi e shoqëruar me botimin “Photographers in the Ottoman Era From Istanbul to Shkodër” (Fotografë të Periudhës Osmane nga Shkodra në Stamboll).
Botimi hedh dritë mbi krijimtarinë e Vëllezërve Abdullahyan, Vëllezërve Gülmez, Pascal Sébah, Vasilikis Kargopoulos, Félix Bonfils, Guillaume Berggren, Nikolaos Andriomenos, Bogos Tarkulyan (Phébus), Bahriyeli Ali Sami, stampimet e të cilëve ruhen sot në albumet fotografike të koleksionit të Sulltan Abdyl Hamitit II.
Krahas fotografëve më të famshëm të Perandorisë Osmane, janë edhe fotografitë e Pietro Marubbit, disa në bardhë e zi, e të tjera të ngjyrosura përsipër, pamje të qyteteve, shkollave dhe njerëzve me veshje tradicionale, që tregtohen edhe në formën e kartolinave me mbishkrimin “Souvenir de Scutari d’Albanie”.
Renditja e Pietro Marubbit përkrah disave prej emrave më të njohur të historisë së fotografisë botërore dëshmon edhe një herë rëndësinë e kësaj studioje fotografike, imazhet e së cilës ishin ndër të parat që ia prezantuan Shqipërinë botës.