Shtojca për Kulturë

“The New York Times” për filmin “Zgjoi”: Nga rrëmuja e pasluftës, një e mbijetuar rimëkëmbet

Në këtë dramë të tendosur, regjisorja Blerta Basholli eksploron jetën e grave, burrat e të cilave u zhdukën në luftë.

Drama e “Zgjoit” hapet me skena që ta zënë frymën. Një grua që nuk buzëqesh, me profil të ngurtë qëndron pranë një kamioni. Njerëzit vërtiten rreth saj, duke krijuar një zhurmë që nuk kuptohet. Papritmas, gruaja ulet nën shiritin e policisë e hyn në kamion, ku me nxitim fillon të hapë disa qese najloni, duke ua hedhur atyre që ka brenda. Hunda i rrudhet kur sheh rrobat e rreckosura të të pagjeturve. Ajo largohet nga ai vend nga një punëtor, mirëpo të kërkuarit vazhdon.

Kjo grua, Fahrija (luajtur nga Yllka Gashi), kërkon burrin e saj, një nga shumë të pagjeturit, i cili ishte zhdukur disa vjet më parë gjatë luftës në Kosovë. Tani, me dy fëmijët dhe vjehrrin e saj me nevoja të veçanta, ajo mundohet ta mbështesë familjen e saj. Fillimisht merret me bletari, punë të cilën e kishte ushtruar edhe i shoqi i saj, dhe përmes kësaj pune shet mjaltë në dyqanin e fshatit. Shitjet janë të pakta, e nganjëherë nuk arrin të shesë asgjë, mirëpo bletët janë mundësia e saj e vetme për të siguruar një jetë shumë modeste. Me raste, ajo takohet me grupin e grave të cilat përballen me të njëjtat sfida nën shikimin nënçmues të burrave të fshatit. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo vazhdon ta kërkojë burrin e saj – e përhumbur nga imazhi i tij.

Duke qenë një tregim çlirimi, i rrëfyer shumë natyrshëm, “Zgjoi” ndjek Fahrijen në udhëtimin e saj drejt pavarësisë. Filmi është bazuar në përvojat e vërteta të një gruaje shqiptare në Kosovë.

Ashtu si protagonistja, filmi është i ashpër, i drejtpërdrejtë dhe i vëmendshëm ndaj jetës së zakonshme. Skenaristja dhe regjisorja, Blerta Basholli, nuk të mashtron me mjerimin e personazhit, apo të mban peng emocionet e tua. Fahrija nuk paraqitet si e dashur; ndonjëherë është vështirë e pëlqyeshme, që do të thotë se ajo është më shumë një qenie njerëzore sesa një emblemë e vuajtjes së virtytshme. Ajo ka hijeshitë e saj, edhe pse këto priren të dalin në intimitetin që ndan me familjen dhe miqtë e saj si Naza (portretizuar nga Kumrije Hoxha).

Meqë burri i saj mendohet të ketë vdekur, por pa kufomë në varreza, Fahrija është mbërthyer në një harresë mizore, një status i pasigurt që ndajnë të tjerët në kolektiv. Normat mbizotëruese nënkuptojnë se këtyre grave nuk u lejohet të rimartohen dhe nuk u lejohet të bëjnë asgjë tjetër, përveç kujdesit për familjet e tyre, të shoqërohen me vejusha të tjera dhe të shfaqin nënshtrim ndaj burrave. Edhe përpjekjet në dukje më të padëmshme të Fahrijes për të mbajtur familjen e saj – shitja e sharrës së vjetër të tavolinës së burrit të saj, trajtohen si fyerje skandaloze ndaj tij, jetës dhe botës së tyre. Ajo është e turpëruar në shtëpi dhe në publik, e ngacmuar dhe e demoralizuar, thjesht sepse ka hyrë në rolin e kryefamiljares.

Basholli nuk e rishikon luftën e Kosovës në detaje dokumentare apo nuk gërmon në sfondin e saj gjeopolitik; ajo gjithashtu nuk i ndriçon praktikat kulturore dhe sociale që kufizojnë aq ashpër jetën e këtyre të vejave. Ajo nuk është e interesuar për politikën partiake, as nuk është duke valëvitur ndonjë flamur të dukshëm. Në vend të kësaj, ajo përqendrohet në teksturat, gjestet dhe praktikat e jetës së përditshme, duke u fokusuar në mënyrën se si Fahrija kujdeset për kosheret, përpiqet të rregullojë një rubinet që i pikon, lan djalin e saj, ushqen familjen e saj dhe përpunon me kujdes ajvarin, që ajo vetë përgatit, ambalazhon dhe shpreson ta shesë. Megjithatë, duke u fokusuar në këtë grua, Basholli mundohet të ndryshojë llojin e historive të luftës që duhet të tregohen.

Nuk ka dyshim se ku do të arrijë Fahrija, dhe filmi ndonjëherë përpiqet për të ndriçuar udhëtimin e saj të vështirë. Megjithatë, “Zgjoi” kap dhe mban vëmendjen tuaj thjesht përmes dramës së krijuar nga personazhe simpatike që përpiqen të kapërcejnë pengesa të tmerrshme dhe të padrejta. Megjithatë, kryesisht, ajo që të bën të tërbuar është performanca e fuqishme e Yllka Gashit, e cila artikulon në mënyrë lirike funksionimin e brendshëm të personazhit të saj të heshtur. Së bashku, interpretuesja dhe regjisorja zbulojnë harkun e një jete përmes gjesteve të Fahrijes dhe në vijat e forta të nofullës së saj, në buzët e saj të pabuzëqeshura dhe në shikimin e saj të ulur shpejt. Dhe ndërsa stoicizmi i personazhit duket si një mur i pathyeshëm, këto dy gra e çmontojnë – dhe e rindërtojnë atë – me efekt nxitës.

Perktheu: Lundrim Sadiku