Recension për librin “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri” të akademikut Albert Doja, botoi: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2018. 373 faqe
Viteve të fundit, një praktikë e bartur nga studimet ndërkombëtare ka filluar të zërë vend edhe në studimet tona. Është fjala për praktikën e, ta quaj, një forme të antologjisë disiplinare autoriale, që i nënkupton botimet festive ku tubohen artikujt të zgjedhur të autorit akademik, me rastin e arritjes së një jubileu të moshës apo të një faze krijuese. Falë kësaj praktike të mirë, vetëreflektuese për autorin por shumë lehtësuese dhe ndihmuese për lexuesin, i cili arrin t’i ketë të tubuara në një libër tërësinë e veprave të një shkencëtari, hulumtuesve e studiuesve shqiptarë të shkencave sociale iu ofrua një botim serioz dhe shumë i vlershëm nga një studiues i antropologjisë, artikujt e të cilit janë të botuar e të njohur në pothuajse secilin universitet e qerthull antropologjie në Evropë dhe jo vetëm. Është fjala për antropologun shqiptar akademik Albert Doja dhe botimin e tij të fundit në gjuhën shqipe me titull “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri”, ku janë përmbledhur shkrimet e zgjedhura të autorit me rastin e 60-vjetorit të lindjes, nën përkujdesjen e studiueses Enika Abazi, të cilin e botoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Profili i shkencëtarit të kalibrit ndërkombëtar
Libri përbëhet nga artikuj të autorit, shumë prej tyre të botuar më parë në publikime ndërkombëtare në gjuhën frënge e angleze, por që këtu vijnë të përkthyer në shqip. Janë të grupuar në tri kategori konceptuale: “Ftesë në terren”; “Këndvështrime” dhe “Përsiatje nga rezervati albanologjik”, ku janë tubuar artikujt e autorit të botuar më parë por edhe nga pjesëmarrjet në konferenca, krahas viteve të shënuara në fund të artikujve.
artikullin e saj paraprijës në këtë libër, nga ku edhe morëm shkas ta titullojmë këtë recension, studiuesja Abazi për Albert Dojën shkruan se “ai u formua si antropolog në laboratorin e themeluar nga Lévi-Strauss në Shkollën e Studimeve të Avancuara në shkencat Sociale në Paris (EHESS), ku i përfundoi me sukses studimet e doktoratës në antropologji sociale” (fq.6). Më pas, angazhimet e tij afatgjata në universitete evropiane por edhe pjesëmarrjet në konferenca ndërkombëtare, krahas kërkesës dhe sfidës së vazhdueshme për arritje në fushën e antropologjisë sociale e kulturore, në njërën anë, por edhe njohjes dhe përcjelljes së hapave të zhvillimit të kësaj shkence, apo atyre paraprijëse si etnografia e folkloristika në Shqipëri, në anën tjetër, i dhanë këtij studiuesi profilin e një shkencëtari të kalibrit ndërkombëtar, por duke mos e lënë të shkëputet asnjëherë nga ndjeshmëria dhe dëshira për ta përparuar këtë shkencë në vendin e tij të origjinës. Pozicioni i tij prej një shkencëtari të brendshëm /të jashtëm do të reflektojë në hulumtimet e tij duke e bërë kështu autor të artikujve mbi dallimet dhe sfidat që në antropologji prodhojnë këndvështrimet vendas / i huaj. këtë libër, këta artikuj përfshihen në kapitullin e dytë - triptikun “Këndvështrime”, ku ata shpërfaqen nëpërmjet tri këndvështrimeve: nga të huajt, nga vendasit dhe nga komunistët. Në të tri pozicionet këndvështrimore, të identifikuara si projekti kolonialist, karakteri etnofolklorik dhe projekti totalitarist, nëpërmjet një qasjeje analitike, plot me fakte e argumente, të pasuara me refleksione shumë të logjikshme të autorit, jepen, krijohen e ndërtohen problematika të shkencave albanologjike, respektivisht dijeve mbi kulturën popullore, shpirtërore, gojore e materiale, në tërë korpusin e tyre historik e historicist, krahas edhe gjendjes aktuale e nivelit akademik që ato përfaqësojnë sot. Një studim i këtillë për rrugët e zhvillimit të shkencave shoqërore si etnologjia e folkloristika, lindjen e tyre, rrethanat e bërjes e të zhbërjes, me synimin e tyre për t’u identifikuar me antropologjinë, krahas tendencave, intencave por edhe dështimeve apo improvizimeve për këto arritje, në përballje me modelet e shkollave në rajon e në Evropë, që autori i ka të njohura nga përvojat e tij direkte, është hera e parë që bëhet në shkencat albanologjike dhe si i tillë është shumë i nevojshëm, madje i domosdoshëm për njohjen e rrugëve të zhvillimit të albanologjisë.
Folklori i gjallë më afër nocionit antropologjik të kulturës
Njohuria e gjerë dhe erudicioni i autorit Doja, i këtij antropologu të profilizuar nga institucione me renome për këtë shkencë, vërehen në kapitullin e parë të titulluar “Ftesë në terren”, ku ai shpalos dijet e tij krahas informacioneve por edhe mësimeve shumë të nevojshme për hulumtuesit e studiuesit e sotëm shqiptarë, për antropologjinë si shkencë sociale e kulturore, konceptin, objektin, lidhjet me etnografinë, etnologjinë e folklorin sikurse edhe derivimin prej tyre, krahas edhe dallimeve. Në këtë kontekst, duke i vënë përballë konceptet e etnografisë, etnologjisë e folkloristikës (edhe shqiptare) krahas njohjes së koncepteve moderne të folklorit të pranuar si folklor i gjallë, të përmbledhur gjerësisht dhe qartë në studimin e M. Sims dhe M. Stephens, Albert Doja thotë se “më tepër si një dimension i jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm i kulturës, apo si një pjesë tradicionale, jozyrtare dhe joinstitucionale e kulturës (siç e konceptojnë folklorin e gjallë autoret në librin e tyre), mund të thuhet se folklori i gjallë vjen më afër nocionit antropologjik të kulturës (fq. 47). Dhe një koncept i këtillë që çdoherë e më shumë po pranohet në shkollat e folkloristikës moderne, i thënë edhe nga studiuesi Doja, është inkurajues për hapat e mëtejmë të folkloristikës shqiptare, sidomos në Kosovë, ku po bëhen përpjekje të avancimit të kësaj disipline, pavarësisht një trashëgimie konceptesh të pandryshueshme. Për dallim nga Tirana, ku folkloristika çdo herë e më shumë po shkrihet në antropologji, në Prishtinë ajo vazhdon ta ruajë emrin e vet, duke provuar t’i avancojë konceptet bashkë me definicionin. Dhe këtë prof. Doja e ka vërejtur dhe vlerësuar.
Shoqëria shqiptare si patriarkale me rrënjë në ideologjinë komuniste
Kapitulli i tretë e këtij libri, i titulluar “Përsiatje nga rezervati albanologjik”, ku janë të grupuara pjesa më e madhe e artikujve të prof. Dojës, ka të bëjë me tema specifike si etniciteti, feja, bektashizmi, kufijtë apo vlerat morale, si nderi e besa e ato fetare si besimi. Nëpërmjet rishqyrtimit të tezave të dhëna në botime të ndryshme nga autorë shqiptarë e të huaj, ashtu sikur edhe risjelljes në skenë të faktorëve kulturorë, historikë, e hapësinorë, shumë dukuri të stereotipizuara tashmë, studiuesi Doja i konteston, duke sjellë argumente të cilat japin të tjera rezultate. E këtillë është p.sh. teza për paraqitjen e shoqërisë shqiptare si patriarkale e të prapambetur, të cilën ai e vlerëson se rrënjët i ka në ideologjinë komuniste, e cila për ta legjitimuar doktrinën e luftës kundër zakoneve të vjetra e fuqizonte tezën e shoqërisë së prapambetur e patriarkale. Gjithashtu, Doja ndërton tezën e politizimit të fesë për motive riidentifikimi të shqiptarëve, duke i vënë përballë argumentet historike, ekonomike, etnografike e regjionale të cilat kanë ndikuar në konvertimin fetar të shqiptarëve. Për bektashizmin dhe praninë e tij ndër shqiptarë, mbi një bazament të pasur teorik, por edhe praktik nga përvoja në terren, sjell analiza të cilat janë të domosdoshme për studimet mbi etnicitetin e nacionalizmin. Duke qenë në përcjellje të vazhdueshme të botimeve mbi shqiptarët, krahas edhe rrjedhave të zhvillimeve në shoqëri, artikujt e fundit marrin për bazë botimet e antropologëve Ger Duijzings (“Religion and the politics of identity in Kosovo” (London: Hurst, 2000) e Emile Benveniste (“La vocabulaire des institutions indo-européenes: 1. Économie parenté, société, 2. Pounvoir, droit, religion, 2. Vols. (Paris: Minuit, 1969), për të sjellë e risjellë argumente, krahas referencave të pasura teorike, për çështjet etnografike e politike në Kosovë, apo ato si nderi, morali e besa ndër shqiptarë.
Çështjet e trajtuara në këtë libër nga antropologu Albert Doja, nëpërmjet një qasjeje thellësisht analitike dhe me një përgatitje të lartë teorike e njohëse, sjellin këndvështrime të reja në studimet shqiptare, të cilat janë shumë të nevojshme për mendimin antropologjik shqiptar, prandaj janë të domosdoshme për t’u njohur dhe konsideruar nga hulumtuesit e studiuesit.