Shtojca për Kulturë

Demonstratat e 1981-s: afirmimi dhe ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare

Pavarësisht mundësisë së manipulimit, nuk mund të ndalej shpërthimi publik i pakënaqësisë dhe kërkesave të artikuluara politike, thelbi i së cilave ishte që Kosova të avancohej në republikë, kërkesë kjo rreth së cilës do të pajtoheshin të gjitha shtresat sociale dhe politike shqiptare andej e këndej kufirit. Rrjedhimisht, shpërthimi i demonstratave studentore të vitit 1981 do të shënonte fillimin e një procesi të gjatë të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe të ndërhyrjes së fuqive vendimmarrëse në zgjidhjen e problemit shqiptar

Republika Popullore Federative e Jugosllavisë, që nga periudha e pasluftës (1945) e deri në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX, dëshmoi në praktikë se politika e koncentrimit të pushtetit nuk kishte zgjidhur kundërthëniet kombëtare, politike dhe ekonomike në federatën jugosllave. Prandaj, Jugosllavia në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX filloi me reformat që synonin decentralizimin e shtetit dhe të partisë. Njëkohësisht dalja e Shqipërisë nga Pakti i Varshavës më 1961 dhe prishja e saj me BRSS-në, nuk kishte si të mos ndikonte edhe në raportet e ndërsjella të Tiranës dhe të Beogradit. Pikësëpari, shteti shqiptar, me shkëputjen e tij nga ndikimi politik e ushtarak i BRSS-së kishte ndryshuar rrethanat gjeostrategjike në Ballkan dhe në Mesdhe, duke mënjanuar për vendet e Evropës Juglindore rrezikun ushtarak sovjetik.

Situatë e re për Jugosllavinë e Shqipërinë

Kjo solli një situatë të re, ku për herë të parë, pas Inforbyrosë (1948), Jugosllavia dhe Shqipëria, në politikën e tyre të jashtme, piqeshin në një pikë: të dyja shtetet u bënë jashtë bllokiste. Ndërsa, në anën tjetër, lufta ideologjike ndërmjet RP të Kinës dhe RP të Shqipërisë dhe në anën tjetër të BRSS-së për ndikim në Lëvizjen Ndërkombëtare Komuniste, përafroi Partinë Komuniste të BRSS-së dhe Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, të cilat kritikoheshin si “parti revizioniste”. Mirëpo, me gjithë faktin se BRSS-në dhe RSFJ-në i bashkonte “antistalinizmi” i tyre, interesat e tyre shtetërore ishin antagoniste. Prandaj edhe pse Tito më 1961 deklaronte se Shqipëria dhe Enver Hoxha me politikën e tij antijugosllave, si dhe aleancës së tij me Kinën paraqisnin rrezik për paqen në Evropën Juglindore, në fushën e sigurisë për Jugosllavinë ishte me interes largimi i pranisë ushtarake të BRSS-së nga Shqipëria. Po për arsye të kërcënimit ushtarak sovjetik edhe për RP të Shqipërisë ishte me rëndësi politika jashtëbllokiste e RSFJ-së, e cila nisur nga pozicioni i saj asnjanës kishte refuzuar ofertën sovjetike për të bashkëpunuar kundër RP të Shqipërisë. Për Jugosllavinë, në aspektin politik dhe ushtarak, ishte me rëndësi që në kufi të kishte një Shqipëri stabile, jashtë aleancave ushtarake dhe socialiste, pavarësisht ndryshimeve ideologjike ndërmjet tyre. Në anën tjetër, konsolidimi i Shqipërisë si shtet i pavarur dhe faktorizimi i saj në fushën e luftës ideologjike brenda Lëvizjes Ndërkombëtare Komuniste, si dhe veprimtaria gjithnjë e më organizuar klandestine e shqiptarëve ndikoi që RSF e Jugosllavisë t’i zbuste masat represive kundër shqiptarëve.

Image
Gjithçka nisi në Mensën e Studentëve më 11 marsit 1981

Ndryshimi i raportit ndaj shqiptarëve

Prandaj, Jugosllavia në vitet e ‘60, jo rastësisht, filloi procesin e emancipimit politik, kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve, si një përpjekje e saj për ta luftuar propagandën e shtetit shqiptar mbi pabarazinë kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, por edhe për të eliminuar dëshirën e tyre për t’u bashkuar me shtetin e tyre amë, RP të Shqipërisë. Ky ndryshim në raportin e Jugosllavisë karshi shqiptarëve, ndonëse jo në përmbajtje dhe më tepër formal, shihej, jo vetëm, në kushtetutën e dytë të saj, por edhe me faktin se që nga viti 1963 me kërkesat e vazhduara të kuadrove shqiptare filluan të hapen për shqiptarët edhe dyert e federatës. Në të njëjtën kohë, largimi i Aleksandar Rankoviqit (1966), jo vetëm që lehtësoi thellimin e procesit të decentralizimit politik e ekonomik të federatës, por shtroi edhe çështjen e shqiptarëve dhe të statusit të Kosovës. Përvoja nga e kaluara kishte dëshmuar se si Mbretëria e Jugosllavisë ashtu edhe Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore (1945), problemin e parë ekzistencial si shtet shumëkombësh dhe multireligjioz e kishte konfrontimin e pandërprerë ndërmjet konceptit centralist-hegjemonist, që mbështetej nga elitat serbe, dhe atij të shqendërzimit apo të shpërndarjes së pushtetit politik e ekonomik nga qendra në njësitë federale dhe që mbështetej nga kombet e tjera joserbe të Jugosllavisë. Në kushte të tilla, për ta eliminuar konfliktin e mundshëm rreth pasardhësit të vet e njëkohësisht edhe luftën politike ndërmjet rrymës centraliste-konservative dhe asaj reformiste-decentraliste, Tito dhe bashkëpunëtorët e tij, në ndryshimet kushtetuese të vitit 1971, futën institucionin e Kryesisë së RSFJ-së si formë e udhëheqjes kolektive të federatës pas periudhës së Titos.

Shpresa për mbijetesën e Jugosllavisë edhe pas Titos

Ky sistem i ri i udhëheqjes kolektive shpresohej se do të mundësonte mbijetesën e Jugosllavisë edhe pas Titos. Rrjedhimisht, Kushtetuta e vitit 1974 barti vendimmarrjen nga qendra në gjashtë republikat dhe dy krahinat (Kosova dhe Vojvodina), duke lënë si funksione të përbashkëta të organeve qendrore: mbrojtjen, politikën e jashtme dhe rendin shoqëror. Në anën tjetër, periudha e faktorizimit politik të Shqipërisë, e cila vetëm nga vitet ‘60 dhe ‘70 filloi që në arenën ndërkombëtare të konsiderohet si shtet serioz dhe i pavarur, si dhe njëkohësisht faktorizimi i shqiptarëve në RSFJ që po kalonin periudhën e vonuar të rilindjes kombëtare, ndikuan jo vetëm në institucionalizimin e vetëdijes kombëtare dhe politike të shqiptarëve, por për herë të parë përafroi edhe mundësinë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Elitat politike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kishin një përvojë të gjatë politike, e kishin të qartë se në kushtet e “Luftës së Ftohtë” dhe kundërthënieve ideologjike ndërmjet dy blloqeve ushtarake, si dhe deri sa të ekzistonte “Muri i Berlinit” (që simbolizonte ndarjen ndërmjet dy sistemeve politike-ekonomike: Socializmit dhe Kapitalizmit, por edhe simbol i ndarjes së popullit gjerman), kufijtë e RSFJ-së nuk mund të ndryshoheshin dhe as që do të lejohej shpërbërja e saj. Prandaj, strukturat udhëheqëse në Shqipëri dhe në Kosovë mbështesnin idenë që shqiptarët t’i shfrytëzonin sa më shumë mundësitë legale për barazi kombëtare të shqiptarëve, si dhe avancimit të statusit aktual të Kosovës.

Kosova – hallka më e dobët e federatës në Jugosllavi

Kështu në përputhje me nenin 244 të Kushtetutës së RSFJ-së (1974), e cila u njihte të drejtën njësive dhe elementëve konstitutivë të federatës, formulimin e raporteve me shtetet fqinje, Fadil Hoxha, si kuadër i lartë i Kosovës në organet qendrore të federatës dhe me mbështetje të Titos, ishte personi përgjegjës për zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik me RPS të Shqipërisë. Ndërsa, qasja pragmatiste e Enver Hoxhës karshi çështjes së Kosovës, buronte nisur nga rrethanat ndërkombëtare kur shteti shqiptar edhe pse në raporte të ngushta me RP të Kinës ishte pa mbështetje nga fuqitë botërore vendimmarrëse. RP e Shqipërisë e gjendur ashtu si në të kaluarën nën presionin politik, ekonomik, por edhe ushtarak të Jugosllavisë dhe të Greqisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX kishte shfrytëzuar aleancat me BRSS-në dhe sidomos me RP të Kinës, për ta industrializuar vendin dhe për ta pajisur me armatim modern ushtrinë shqiptare. Prandaj, në kulmin e miqësisë shqiptaro-kineze, kur ekonomia shqiptare kishte shkallë vjetore të rritjes ekonomike prej 7.8 për qind, shteti shqiptar (i armatosur mirë për rrethanat e kohës) me një vetëbesim të shtuar shikonte edhe çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi. Elita politike në RPS të Shqipërisë e kishte të qartë se pas vdekjes së J.B.Titos, Jugosllavia do të ballafaqohej me kundërthënie të brendshme etnike, të cilat herët a vonë do të përfundonin në shpërbërjen e saj. Pyetja ishte: Kur dhe në cilën njësi të federatës do të fillonte procesi i dezintegrimit të Federatës jugosllave? Hallka më e dobët e federatës në Jugosllavi ishte Kosova, e cila, jo vetëm, se ishte zona më e pazhvilluar ekonomike, por njëkohësisht banorët e saj asnjëherë nuk e kishin identifikuar veten e tyre si pjesë të shtetit të përbashkët të kombeve sllave.

Prandaj, pavarësisht faktit që strukturat politike në RPS të Shqipërisë dhe në KSA të Kosovës, shpresonin që kriza politike në Jugosllavi të shpërthente në ndonjë pjesë tjetër të federatës, kriza ekonomike, varfëria, papunësia dhe aspiratat e shqiptarëve që të jenë plotësisht të barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë, pavarësisht mundësisë së manipulimit, nuk mund të ndalnin shpërthimin publik të pakënaqësisë dhe kërkesave të shprehura politike, thelbi i së cilave ishte që Kosova të avancohej në republikë, kërkesë kjo rreth së cilës do të pajtoheshin të gjitha shtresat sociale dhe politike shqiptare andej e këndej kufirit. Rrjedhimisht, shpërthimi i demonstratave studentore të vitit 1981 do të shënonte fillimin e një procesi të gjatë të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe të ndërhyrjes së fuqive vendimmarrëse në zgjidhjen e problemit shqiptar.