Opozita nuk lëkundet nga qëndrimi kundërshtues i versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.
Pas takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, krerët e partive opozitare thanë se pashmangshëm u diskutua edhe për demarkacionin, por se dallimet me qeverinë mbesin, raporton KTV.
Ymeri ka fajësuar koalicionin qeverisës për siç ka thënë, kokëfortësinë dhe tentim për të imponuar versionin aktual, për të shpëtuar nënshkrimet e tyre të vëna në marrëveshje.
Në anën tjetër, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se është kusht demarkacioni për liberalizim vizash, por jo në atë vijë që po insiston pozita, ndërsa deklaratat se po të kalohej kjo marrëveshje do të liberalizoheshin vizat, i ka quajtur si të papërgjegjshme.
Gjithashtu edhe Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën, ka ripërsëritur qëndrimin e këtij subjekti.
Zgjidhjen për demarkacionin, Krasniqi u ka thënë mediave se duhet kërkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, tani pas përfundimit të punës së komisionit për matje të territorit, pritet që javën e ardhshme të dërgohet në kuvend.