Lifestyle

Dietat me më pak karbohidrate mund të jenë më efektive se ato me më pak yndyrë

Dietat me nivel të ulët të karbohidrateve si dietat Atkins, South Beach dhe Paleo mund të jenë më efektive për humbje të peshës sesa dietat me nivel të ulët të yndyrës, sipas një raporti të kohëve të fundit, transmeton koha.net.

Një artikull i publikuar në The Journal of the American Osteopathic Association e raportoi një avantazh të lehtë të dietave me nivel të ulët të karbohidrateve në uljen e peshës në krahasim me dietat me nivel të ulët të yndyrës dhe se dietat me nivel të ulët të karbohidrateve janë relativisht të sigurta në afat të shkurtër.

Mjekët nga Klinikën Mayo në Arizona i analizuan hulumtimet nga janari 2005 deri në prill 2016 duke i shikuar efektet e mundshme negative dhe sigurinë e përgjithshme, duke konstatuar se personat në dietat me nivel të ulët të karbohidrateve humbën në mes 1,1 dhe pothuajse 4 kg më shumë se ata që ishin në dietë me nivel të ulët të yndyrave gjatë periudhës së njëjtë gjashtëmujore.

"Konkludimi më i mirë është se aplikimi i dietës afatshkurtër me nivel të ulët të karbohidrateve duket të jetë i sigurt dhe mund të shoqërohet me zvogëlimin e peshës," tha dr. Heather Fields, studiuese kryesore në studim dhe specialiste e mjekësisë interne në Klinikën Mayo, në një njoftim për shtyp.

Studimet nuk e kanë cekur sistematikisht burimin ose cilësinë e proteinave dhe yndyrave të konsumuara në dietat me nivel të ulët të karbohidrateve, edhe pse studiuesit nuk gjetën asnjë efekt negativ mbi shtypjen e gjakut, glukozën dhe kolesterolin në afat të shkurtër në krahasim me dietat e tjera, transmeton koha.net.

"Megjithatë, kjo humbje peshe është e vogël dhe e një rëndësie të diskutueshme klinike në krahasim me dietën me nivel të ulët të yndyrës," tha Fields në një njoftim për shtyp. "I inkurajojmë pacientët që të hanë ushqim të vërtetë dhe t’i shmangin ushqimet shumë të përpunuara, sidomos mishin e procesuar, si proshuta, sallami, mishi i ashtuquajtur Deli, hot-dog dhe proshutë, gjatë ndjekjes së cilësdo dietë të veçantë."

Fields tha se kufizimet në hulumtimet e mëparshme e bënë të vështirë nxjerrjen e konkluzioneve të përgjithshme si lloji i humbjes së peshës - muskujve, yndyrës apo peshës së ujit.

"Mjekët duhet ta kenë parasysh se literatura është çuditërisht e kufizuar, duke pasur parasysh popullaritetin e këtyre dietave dhe pretendimet për përfitimet shëndetësore në shtypin publik", tha Fields në deklaratën për shtyp. "Rishikimi ynë nuk gjeti çështje të sigurisë të identifikuara në literaturën aktuale, por pacientët që i marrin parasysh LCD-të (dietat me nivel të ulët të karbohidrateve) duhet të këshillohen se ka shumë pak të dhëna për sigurinë dhe efikasitetin afatgjatë."

Hulumtuesit e pranuan se ka shumë variabla, kur është fjala për sasitë e karbohidrateve në plane të ndryshme dietale me nivel të ulët të karbohidrateve.

"Si një mjek osteopatik, unë u them pacientëve se nuk qasje të përgjithshme për shëndetin", tha dr. Tiffany Lowe-Payne, mjeke osteopatike familjare, në një njoftim për shtyp. "Faktorët si gjenetika e pacientit dhe historia personale duhet të merren parasysh, së bashku me programet dietale që i kanë provuar më parë dhe, më e rëndësishmja, aftësia e tyre për t’iu përmbajtur atyre."