Arbëri

Deçani jep në shfrytëzim 24 ari për të cilët kishte kontest pronësor

Ndonëse është në kontest gjyqësor, kjo nuk e ka penguar Komunën e Deçanit që ta japë këtë pronë prej rreth 24 ari në shfrytëzim.

Familja Iberhysaj e cila pretendon se prona u takon atyre, po kërkon që të mos ndërtohet asgjë derisa të vërtetohet pronësia e saj.

Ata madje kanë prezantuar edhe dokumente të cilat sipas tyre, dëshmojnë që gjithmonë kjo parcelë ka qenë e tyre.

Por gjatë ditës së premte, punimet veç kanë filluar, mirëpo, në shoqëri të Policisë së Kosovës.

Kjo familje ka parashtruar padi për vërtetim pronësie në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, ku rasti është ende në Gjykatë.

Por Iberhysaj thotë të mos e dijë se si prona e tyre është tjetërsuar dhe vendimin e komunës e quajnë politik.

Në anën tjetër, edhe zyrtarët komunalë prezantojnë dokumente që sipas tyre, dëshmojnë që prona është në emër të Komunës që nga viti 1974, dokument që është vetëm në gjuhën serbe.

Ata thonë se pronën e kanë dhënë në shfrytëzim, duke u bazuar në këto dokumente.

Familja Iberhysaj ka bërë ankesë edhe në Gjykatën e Apelit në Prishtinë me propozim për masë të përkohshme, por të njëjtit e kanë refuzuar si të pabazë këtë ankesë.

Tv Arta ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga pronarët e rinj, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.


Deçani jep në shfrytëzim 24 ari për të cilët... by kohanet